Vlerat liberale, COVID-19 dhe oligarkët
I gjithë diskutimi mbi shërbimin mjekësor, ndikimin në ekonomi dhe politikat në funksion të një standarti cilësor të mjekësisë mund të tingëllonin abstrakte dhe të largëta pak kohë më parë. Por perspektiva shumë konkrete për shëndetin, ekonominë, papunësinë masive, ose papunësinë individuale të ndikuara nga bllokimi prej COVID-19 nuk lejon më askënd indiferent.
Hapi i parë është të zbuten frikërat e një katastrofe të afërt dhe të kalohet nga niveli i panikut në atë të normalitetit rutinor me modifikimet që lejon ruajta e shëndetit. Paniku në fakt është një formë arrogance e fshehur brenda ndrydhjes se vetes për t’i shpëtuar makthit te frikës. Ai përçohet nga qëndrimi i sëmurë i atyre, që e dinë saktësisht se ku po shkon situata në këtë moment.
Njerëzit aktualisht janë larg nga arritja e ndonjë konsensusi për këto çështje. Ne jemi akoma në momentin e zhgënjimit dhe zemërimit nihilistik, kur njerëzit kanë humbur besimin në premtimet e reja që tashmë ngjajnë si të vjetra, dhe para se të përqafojnë një të re ata janë duke pyetur se çfarë do të ndodhë më tej.
E gjithë kjo kohë e kaluar këto dy muaj në qetësinë e gënjeshtërt që na krijoi ky bllokim pandemik të shtyn të mendosh ndër të tjera, se si dhe çfarë do të ndodhë me vlerat e sistemit liberal shqiptar.
A do ndryshojë diçka lidhur me drejtimin e vendit, me oligarkët e shumëpërfolur, me shtetin e të drejtës, si dhe përgjigje për shumë e shumë tema që janë ngritur dhe ende presin të marrin përgjigje.
E vërteta e madhe është se askujt nuk mund të vazhdojë t’i pëlqejë edhe më tej një vend i karakterizuar nga korrupsioni endemik, nga shërbime qe funksionojnë keq si dhe nga mos respektimi i ligjit si normë jetese, të shoqëruara me pabarazi të thella ekonomike, sociale dhe politike.
Çdo shqiptar që beson te sistemi liberal dhe që dëshpërohet për ngjarjet që kanë ndodhur vitet e fundit, vetëm duhet të kujtojë se sa më keq ishte situata në 1912, 1938 apo 1990. Në pjesën e fundit të shekullit të njëzetë, gjenerata e re ishte në gjendje të gëzonte një edukim më të mirë, kujdes shëndetësor të lartë dhe të ardhura më të larta se brezi i mëparshëm. Koncepti liberal i sistemit dhe logjika kapitaliste e tregut të lirë i nxisin njerëzit të kultivojnë pritshmëri të konsiderueshme.
Përkundrazi, është menaxhimi politik, në të cilin një numër i kufizuar i oligarkëve kanë monopolizuar pjesën më të madhe të pasurisë dhe fuqisë së vendit, dhe më tej po e shfrytëzojnë kontrollin e mediave për të fshehur disa prej veprimtarive të tyre dhe për të konsoliduar mbizotërimin e tyre.
Kontrolli i mediave minon logjikën e demokracisë, pasi ajo i ndalon qytetarët të kuptojnë të vërtetën. Falë monopolit të tyre në media, oligarkia në pushtet vazhdimisht mund të fajësojë të tjerët për të gjitha dështimet e saj dhe të drejtojë vëmendjen drejt kërcënimeve të jashtme, joreale apo imagjinare.
Kur jetojmë nën një oligarki të tillë, gjithmonë ekziston ndonjë krizë ose ngjarje tjetër që bëhet përparësi ndaj çështjeve “të mërzitshme” siç janë kujdesi shëndetësor, rritja e nivelit të jetesës apo ndotja e ambientit dhe zaptimi i paligjshmërisë jetën tone te përditshme. Nëse kombi po përballet me një problem te interesit kombëtar, ose një përpjekje djallëzore për të vete lufte nga brenda, kush ka kohën të shqetësohet për grumbullimin e problemeve shëndetësore dhe luftën pa kompromise drejt formalizimit apo zhdukjes se korrupsionit? Duke prodhuar një rrjedhë të vazhdueshme krize, një oligarki e korruptuar mund të shtrije sundimin e saj deri në pafundësi.
Nga ana tjetër, me gjithë efektivitetin pragmatik të tij, ky model oligarkik nuk tërheq askënd. Për dallim nga ideologjitë e tjera që përputhen me krenari me vizionin e tyre, oligarkitë në pushtet nuk janë krenare për veprimet e tyre dhe kanë tendencë të përdorin ideologji të tjera, si një perde tymi për t’u maskuar.
Njerëzit e zemëruar mund të shkelmojnë sistemin por, duke mos pasur asnjë mundësi tjetër ata përfundimisht do të tërhiqen dhe do të vijojnë të çapiten përsëri të pakënaqur ne rrugëtimin e tyre.
Kjo është ajo që, sipas të gjitha gjasave, po ndodh në të gjithë botën, pasi zbrazëtia e lënë nga kriza e liberalizmit është e përkohshme e mbushur me fantazi nostalgjike të së kaluarës së lavdishme lokale.
Në dekadat e ardhshme, ato gjithashtu mund të karakterizohen nga një nevojë e madhe për kërkime shpirtërore dhe formulim të modeleve të reja sociale dhe politike, por edhe themelin e vlerave moderne të lirisë dhe barazisë.
Në dekadat në vazhdim, megjithatë, për shkak të efekteve të kombinuara të revolucionit teknologjik dhe katastrofës së krijimit të një sistemi me vlera të veçanta liberale, brezi i ri tashmë mund ta konsideroje veten me fat nëse arrin të mbajë të pandryshuara kushtet aktuale.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.