Biznesi shqiptar dhe perspektiva e Konvergjencës me Bashkimin Evropian (2021–2025)
Të dhënat e Regjistrit të Biznesit sipas standardeve të Statistikave Evropiane të Biznesit tregojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar procesin e zgjerimit të bazës sipërmarrëse gjatë periudhës 2021–2025. Numri i njësive ligjore aktive është rritur me ritme të qëndrueshme, ndërsa formalizimi i aktivitetit ekonomik ka përfshirë veçanërisht sektorin bujqësor. Megjithatë, përtej rritjes numerike të bizneseve, të dhënat zbulojnë transformime më të thella strukturore që lidhen me përqendrimin territorial të aktivitetit ekonomik, madhësinë e ndërmarrjeve dhe aftësinë e ekonomisë shqiptare për t’u afruar me standardet e Bashkimit Evropian.
Dinamika e biznesit në periudhën 2021–2025
| Treguesi | 2021 | 2025 | Ndryshimi |
| Njësi ligjore aktive | 209.591 | 250.097 | +19,3% |
| Fermerë me NIPT | 62.922 | 112.205 | +78,3% |
| Ndërmarrje aktive | 118.627 | 137.892 | +16,2% |
| Njësi lokale aktive | 128.263 | 146.527 | +14,2% |
Rritja e numrit të njësive aktive dëshmon një zgjerim të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në vend. Elementi më i spikatur është formalizimi i fermerëve, numri i të cilëve është rritur me mbi 78 për qind gjatë periudhës së analizuar. Kjo prirje tregon forcimin e regjistrimit formal të aktivitetit bujqësor dhe rritjen e aksesit ndaj skemave mbështetëse kombëtare dhe evropiane.
Megjithatë, formalizimi nuk duhet të ngatërrohet me rritjen e produktivitetit.
Ndërsa regjistrimi i fermerëve përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit në treg, përmirësimi i produktivitetit kërkon investime në teknologji, mekanizim, standarde cilësie dhe integrim në zinxhirët evropianë të vlerës.
Përqendrimi territorial i aktivitetit ekonomik
Një nga gjetjet më domethënëse të analizës është përqendrimi i fortë rajonal i biznesit shqiptar.
| Qarku | Numri i ndërmarrjeve | Pesha ndaj totalit |
| Tiranë | 63.212 | 47,8% |
| Durrës | 13.820 | 10,5% |
| Vlorë | 10.691 | 8,1% |
| Fier | 9.649 | 7,3% |
| Elbasan | 7.567 | 5,7% |
| Shkodër | 6.511 | 4,9% |
| Korçë | 6.086 | 4,6% |
| Lezhë | 4.447 | 3,4% |
| Berat | 4.003 | 3,0% |
| Gjirokastër | 2.591 | 2,0% |
| Dibër | 2.202 | 1,7% |
| Kukës | 1.393 | 1,1% |
Të dhënat tregojnë se pothuajse gjysma e ndërmarrjeve aktive në Shqipëri ndodhen në qarkun e Tiranës.
Kur këtij qarku i shtohen Durrësi dhe Vlora, rezulton se rreth dy të tretat e aktivitetit sipërmarrës të vendit janë të përqendruara në vetëm tre qarqe.
Ky konfigurim ekonomik tregon se Shqipëria po vazhdon pa ndryshime edhe në 2025 të zhvillohet sipas modelit të një ekonomie të centralizuar territorialisht, ku investimet, kapitali njerëzor, shërbimet financiare dhe infrastruktura ekonomike gravitojnë kryesisht drejt korridorit Tiranë–Durrës.
Në nivel rajonal, Rajoni Qendror përfaqëson më shumë se gjysmën e të gjithë aktivitetit sipërmarrës kombëtar.
| Rajoni | Pesha ndaj totalit |
| Rajoni Qendror | 53,6% |
| Rajoni Jugor | 25,0% |
| Rajoni Verior | 21,5% |
Kjo shpërndarje tregon se sfida kryesore e zhvillimit ekonomik shqiptar nuk është më mungesa e aktivitetit ekonomik, por pabarazia territoriale e këtij aktiviteti.
Struktura sektoriale e ekonomisë
| Sektori | Pesha në numrin e ndërmarrjeve |
| Shërbime | 86,0% |
| Prodhim mallrash | 14,0% |
Ekonomia shqiptare vazhdon të dominohet nga aktivitetet e shërbimeve.
Megjithatë, sektori i prodhimit të mallrave paraqet një rëndësi ekonomike shumë më të madhe sesa sugjeron pesha e tij numerike.
Ndërsa vetëm 14 për qind e ndërmarrjeve operojnë në prodhimin e mallrave, ato gjenerojnë afro një të tretën e qarkullimit total të ekonomisë. Ky raport tregon se prodhimi, industria, ndërtimi dhe agropërpunimi mbeten sektorët me potencialin më të madh për rritjen e produktivitetit dhe të eksporteve.
Në perspektivën e integrimit evropian, pikërisht këta sektorë mund të shndërrohen në motorët kryesorë të konvergjencës ekonomike.
Madhësia e ndërmarrjeve dhe hendeku strukturor
| Kategoria | Pesha në numrin e ndërmarrjeve | Pesha në punësim | Pesha në shitje |
| Mikro | 98,5% | 51,4% | 55,2% |
| Të mëdha | 1,5% | 48,6% | 44,8% |
Struktura e biznesit shqiptar vijon të dominohet nga mikro-ndërmarrjet. Megjithatë, analiza e punësimit dhe e shitjeve tregon një realitet shumë më kompleks.
Vetëm 1,5 për qind e ndërmarrjeve konsiderohen të mëdha, por ato sigurojnë pothuajse gjysmën e vendeve të punës dhe gjenerojnë afërsisht gjysmën e qarkullimit të ekonomisë.
Ky rezultat tregon se problemi kryesor nuk lidhet me mungesën e sipërmarrjes. Përkundrazi, sfida qëndron te mungesa e një shtrese të gjerë ndërmarrjesh të mesme që arrijnë të rriten dhe të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare.
Ekonomia shqiptare karakterizohet nga prania e shumë bizneseve të vogla dhe relativisht pak bizneseve që arrijnë të shkallëzohen. Ky është një nga hendekët kryesorë që e ndan Shqipërinë nga ekonomitë e Bashkimit Evropian.
Investimet e huaja dhe integrimi ekonomik
| Treguesi | Vlera |
| Ndërmarrje me kapital të huaj ose të përbashkët | 5,3% |
| Pesha e Italisë | 41,8% |
| Pesha e Kosovës | 8,3% |
| Pesha e Turqisë | 6,5% |
Pjesëmarrja e kapitalit të huaj mbetet relativisht e kufizuar.
Megjithëse investitorët italianë dominojnë dukshëm praninë e kapitalit të huaj në Shqipëri, niveli i përgjithshëm i ndërmarrjeve me kapital të huaj mbetet modest.
Kjo situatë sugjeron se vendi vazhdon të ketë potencial të pashfrytëzuar për tërheqjen e investimeve në sektorë me vlerë të shtuar më të lartë. Rritja e investimeve në industri, teknologji, logjistikë dhe shërbime profesionale do të përbënte një nga mekanizmat më efektivë për përshpejtimin e konvergjencës me Bashkimin Evropian.
Perspektiva e konvergjencës me Bashkimin Evropian
Analiza e të dhënave tregon se Shqipëria ka realizuar progres të dukshëm në formalizimin e aktivitetit ekonomik dhe në zgjerimin e bazës së biznesit. Megjithatë, konvergjenca me Bashkimin Evropian nuk do të përcaktohet nga numri i ndërmarrjeve të regjistruara, por nga aftësia e ekonomisë për të rritur produktivitetin, për të nxitur inovacionin dhe për të krijuar ndërmarrje konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Tre sfidat kryesore mbeten përqendrimi territorial i aktivitetit ekonomik, mungesa e ndërmarrjeve të mesme dhe niveli ende i kufizuar i integrimit në zinxhirët evropianë të vlerës.
Në këtë kontekst, Shqipëria po kalon shumë ngadalë nga faza e formalizimit drejt fazës së transformimit strukturor. Nëse periudha 2015–2025 mund të konsiderohet dekada e formalizimit, atëherë periudha 2026–2035 do të duhet të jetë dekada e produktivitetit, inovacionit, industrializimit modern dhe zhvillimit të balancuar rajonal. Nëse kjo do të arrihet, mund të thuhet se përmes këtij transformimi do të jetë e mundur arritja e konvergjencës reale me ekonominë e Bashkimit Evropian.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.