Nga Zvërneci te Porta e Alpeve: Pse e kemi të nevojshme një kontratë të re zhvillimi?

Nga Zvërneci te Porta e Alpeve: Pse e kemi të nevojshme një kontratë të re zhvillimi?

Debati mbi investimet strategjike është bllokuar prej vitesh midis dy kampeve që flasin, por rrallë dëgjojnë njëri-tjetrin.
Nga njëra anë qëndron narrativa e zhvillimit me çdo kusht me më shumë investime, më shumë ndërtime, më shumë turistë.
Nga ana tjetër qëndron narrativa e mosbesimit, ku çdo projekt i madh shihet si kërcënim për mjedisin, komunitetin dhe interesin publik e nxitur edhe nga protagonizmi politik.

Debati i fundit mbi Zvërnecin e riktheu sërish këtë përplasje.
Nga ajo që kemi analizuar mbi të dhëna dhe fakte prezente duket se problemi real nuk është as Zvërneci dhe as investitori.
Problemi është se ekonomia shqiptare ende nuk ka ndërtuar një model të besueshëm që t’u përgjigjet njëkohësisht tri pyetjeve themelore: si krijohet vlerë ekonomike, si ruhet kapitali natyror dhe si shpërndahen përfitimet tek komunitetet lokale?

Pikërisht këtu qëndron rëndësia e modelit të propozuar nga “Porta e Alpeve”.

Ky nuk është thjesht një projekt turistik.
Ai përfaqëson një ndryshim paradigme në mënyrën se si konceptohet zhvillimi ekonomik në Shqipëri.

Për herë të parë nuk propozohet vetëm një investim, por një sistem qeverisjeje.

Në thelb, debati për Zvërnecin është një debat mbi një territor. Debati për Portën e Alpeve është një debat mbi një model.

Në Zvërnec, pyetja kryesore është nëse një investim i caktuar duhet të realizohet apo jo. Në Portën e Alpeve pyetja është shumë më e thellë duke adresuar si duhet të funksionojë marrëdhënia midis shtetit, investitorit, komunitetit dhe natyrës në ekonominë shqiptare të dekadës së ardhshme.

Ky ndryshim është thelbësor dhe nuk duhen futur gjithë nismat dhe projektet në një arsyetim të thjeshtuar, por kërkon thellim dhe llogaritje të plota dhe fizibile.

Shqipëria ka arritur një rekord prej 12.47 milionë vizitorësh dhe 5.7 miliardë euro të ardhura turistike.
Megjithatë, mbi 70% e flukseve turistike vazhdojnë të përqendrohen në bregdet, ndërsa shpenzimi mesatar për turist mbetet vetëm 460 euro, shumë poshtë Kroacisë dhe Malit të Zi. Ky është paradoksi shqiptar: kemi volum, por ende jo vlerë.

Nëse vazhdohet me të njëjtin model, vendi rrezikon atë që ekonomistët e zhvillimit e quajnë kurthi i specializimit të ngushtë: mbingarkesë bregdetare, degradim mjedisor, sezonalitet ekstrem dhe zgjerim të pabarazive territoriale.

Në fakt, problemi nuk është mungesa e investimeve.

Problemi është mungesa e institucioneve që i bëjnë investimet të besueshme.

Për dekada me radhë, Shqipëria ka menduar se zhvillimi prodhohet duke ndërtuar rrugë, hotele, porte apo aeroporte.
Përvoja ndërkombëtare tregon diçka tjetër.
Vlera krijohet kur investimi shoqërohet me institucione që administrojnë territorin, monitorojnë ndikimet dhe garantojnë standarde të qëndrueshme.

Kjo është arsyeja pse dokumenti “Porta e Alpeve” vendos në qendër krijimin e një Destination Management Organization (DMO), jo si një zyrë marketingu, por si një autoritet ekonomik që menaxhon kapacitetin mbajtës, koordinon aktorët dhe monitoron performancën e destinacionit.

Në këtë pikë qëndron ndoshta dallimi më i madh me shumicën e projekteve që kanë dominuar tranzicionin shqiptar.

Historikisht, Shqipëria ka ndërtuar investime pa ndërtuar institucione.

Rezultati ka qenë i parashikueshëm me konflikte të vazhdueshme, mungesë transparence, mosbesim publik dhe debate që fillojnë pas marrjes së vendimeve.

Modeli i ri propozon të kundërtën.

Së pari ndërtohen rregullat, pastaj investimi.

Së dyti përcaktohet kapaciteti mbajtës i territorit, pastaj jepen lejet.

Së treti vendosen standardet e transparencës, pastaj krijohen incentivat ekonomike.

Në vend të logjikës tradicionale “leje kundrejt investimit”, propozohet logjika “përputhshmëri kundrejt privilegjit”. Investitori që respekton kuotat lokale të punësimit, standardet mjedisore dhe kufijtë e zhvillimit përfiton akses preferencial në financim, marketing dhe treg.

Kjo është një qasje tipike e think tank-eve moderne europiane: jo shtet kundër tregut, por shtet që krijon rregulla inteligjente për tregun.

Në këtë kuptim, mësimi më i rëndësishëm që del nga krahasimi midis Zvërnecit dhe Portës së Alpeve nuk lidhet me gjeografinë.

Lidhet me besimin.

Në Shqipëri, investitorët ankohen se rregullat ndryshojnë vazhdimisht. Komunitetet ankohen se nuk dëgjohen. Mjedisorët ankohen se konsultimet janë formale. Shteti ankohet se çdo projekt tenton të bllokohet nga polemikat.

Të gjithë kanë pjesërisht të drejtë.

Sepse problemi nuk është vetëm ekonomik. Në fakt është institucional dhe përgjegjësia është më shumë e atyre që e kanë marrë përsipër shtetbërjen, por edhe atyre që kanë detyrë të respektojnë shtetin dhe ligjet.

Besimi nuk ndërtohet duke bindur qytetarët se një projekt është i mirë.
Besimi ndërtohet duke krijuar mekanizma që e bëjnë të verifikueshme nëse projekti është i mirë apo jo.

Pikërisht për këtë arsye dhe frymës që është akumuluar me mosbesim, dokumenti i ALTAX propozon auditim të pavarur ndërkombëtar, monitorim të vazhdueshëm të kapaciteteve mbajtëse, kontrata të bazuara në performancë dhe autonomi financiare të strukturave të menaxhimit.

Kjo është fryma e re që mungon në ekonominë shqiptare.

Një ekonomi moderne nuk matet vetëm me sa investime tërheq. Matet me cilësinë e institucioneve që administrojnë ato investime.

Në fund të fundit, Shqipëria nuk ka nevojë të zgjedhë midis zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Nuk ka nevojë të zgjedhë midis investitorëve dhe komuniteteve.

Nuk ka nevojë të zgjedhë midis rritjes ekonomike dhe qëndrueshmërisë.

Sfida reale është ndërtimi i një sistemi ku këto interesa bashkëjetojnë.

Nëse Zvërneci na tregon sa i madh është hendeku i besimit midis publikut dhe vendimmarrjes, atëherë Porta e Alpeve ofron diçka më të rëndësishme sesa një projekt turistik: ofron një laborator për të testuar një mënyrë të re qeverisjeje ekonomike.

Një model ku transparenca nuk është komunikim pas vendimit.

Është pjesë e vetë arkitekturës së zhvillimit.

Një model ku investimi nuk matet me metra katrorë të ndërtuar, por me vlerën që mbetet në territor.

Një model ku komuniteti nuk trajtohet si spektator i zhvillimit, por si aksioner i tij.

Pra, zhvillimi nuk matet nga numri i projekteve, por nga cilësia e institucioneve që i bëjnë ato të besueshme … …por me një klasë politike të ndryshuar.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.