PROJEKTI I ZHVILLIMIT TURISTIK ZVËRNEC – PISHË PORO – NARTË

Projekti i zhvillimit turistik Zvërnec-Pishë Poro-Nartë përbën, sipas deklaratave të promotorëve të tij, investimin privat të vetëm më të madh të shpallur ndonjëherë në historinë moderne ekonomike të Shqipërisë.

Me një vlerë të deklaruar prej mbi 4 miliardë euro dhe premtimin e mbi 10,000 vendeve të punës, projekti ka ngjallur interes të gjerë publik, mediatik dhe institucional.

Ky raport synon të ofrojë një vlerësim të paanshëm dhe metodologjikisht të rreptë të projektit, duke u bazuar ekskluzivisht në dokumentacionin publik të disponueshëm deri në fund të majit 2026 dhe duke krahasuar situatën me kërkesat e detyrueshme të legjislacionit shqiptar, direktivave të Bashkimit Europian dhe standardeve të OECD.

Raporti nuk shpreh qëndrim as pro as kundër investimit si i tillë, por vlerëson cilësinë e qeverisjes dhe transparencës institucionale.

Gjetja kryesore

Projekti i Zvërnecit nuk mund të vlerësohet sot as si sukses ekonomik e as si dështim mjedisor, sepse mungojnë dokumentet themelore ligjore që do të lejonin një gjykim objektiv.

Problemi qendror nuk është madhësia e investimit, por shkalla shumë e ulët e transparencës institucionale, e matur në 8 pikë nga 100 sipas metodologjisë ALTAX Observatory.

Analiza identifikon pesë dimensione kritike:

  • Mungesa e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) të publikuar, ndërkohë që punime paraprake kanë filluar, rrethanë që bie ndesh me Direktivën 2011/92/UE dhe legjislacionin shqiptar.
  • Struktura e pronësisë nëpërmjet një trusti holandez (Dutch Trust Management BV) që e bën identifikimin e pronarëve përfitues të pamundur[1] pa hetime administrative të veçanta, shkelje potenciale e Direktivës (EU) 2018/843.
  • Mungesa e çdo studimi ekonomik publik që mbështet pretendimet ambicioze prej 3-4% e PBB-së si kontribut vjetor.
  • Mosrespektimi i frymës dhe dispozitave të Konventës së Aarhusit mbi informimin dhe participimin publik.
  • Rrezik institucional i precedentit, ku nëse procedura vazhdon pa transparencën e kërkuar, krijohet model i dëmshëm për investime të ardhshme.

Raporti strukturohet në dymbëdhjetë kapituj tematikë dhe paraqet tre skenarë alternativë për rrugën e mëtejshme, me rekomandime konkrete të shkallëzuara sipas urgjencës, sipas kategorive 0-30 ditë, 1-6 muaj dhe 6-12 muaj.

[1] Detyrimi ligjor që çdo shoqëri tregtare dhe subjekt raportues të identifikojë dhe regjistrojë personat fizikë që zotërojnë ose kontrollojnë në mënyrë përfundimtare kompaninë, pavarësisht strukturave të ndërmjetme të pronësisë. Ky informacion regjistrohet në Regjistrin e Pronarëve Përfitues dhe synon rritjen e transparencës së pronësis dhe fshehjes së përfituesve realë të aktiviteteve ekonomike. Në praktikë, kjo do të thotë se publiku, autoritetet mbikëqyrëse, institucionet financiare dhe subjektet e tjera të detyruara mund të identifikojnë se kush është përfituesi real i një kompanie edhe kur pronësia ushtrohet përmes aksionarëve, kompanive të tjera apo marrëveshjeve të kontrollit indirekt.

Përshkrim

Ky raport kryen një vlerësim të pavarur të fizibilitetit ekonomik, mjedisor dhe institucional të projektit të zhvillimit turistik Zvërnec – Pishë Poro – Nartë, i shpallur si investimi privat më i madh në historinë moderne të Shqipërisë. Duke u bazuar në dokumentacionin publik të disponueshëm deri në maj 2026, analiza krahasohet me standardet e Bashkimit Europian dhe OECD. Gjetja kryesore është se, pavarësisht potencialit ekonomik, projekti karakterizohet nga një nivel shumë i ulët transparence institucionale (vetëm 8/100 sipas Indeksit ALTAX Observatory), mungesë e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), strukturë pronësie offshore përmes një trusti holandez, si dhe mungesë e analizës kosto-përfitim publike. Raporti identifikon rreziqe të konsiderueshme procedurale, mjedisore dhe të integrimit europian, duke rekomanduar një seri veprimesh të menjëhershme, afatmesme dhe reforma strukturore për të siguruar pajtueshmëri me ligjin shqiptar, Konventën e Aarhusit dhe acquis communautaire. Qëllimi nuk është të kundërshtojë investimin, por të nxisë një qasje të qëndrueshme dhe transparente që mbron interesin publik afatgjatë.

Fjalëkyçe: transparencë institucionale, investim strategjik, vlerësim ndikimi mjedisor, turizëm i qëndrueshëm, pronarë përfitues, analiza kosto-përfitim, Konventa Aarhus, integrim europian

JEL Codes: G38, H43, K32, L83, O19,Q56, Q58, R58