Indeksi i Mirëqenies Kombëtare 2025
Një studim i ri i ALTAX Observatory sjell për herë të parë një matje të plotë të mirëqenies së shqiptarëve përtej rritjes ekonomike, duke treguar se progresi i dekadës së fundit është real, por ende i pabarabartë. Albanian Wellbeing Index (Indeksi Shqiptar i Mirëqenies) AWI prezantohet nga një studim i ri i ALTAX Observatory dhe sjell për herë të parë një matje të plotë të mirëqenies së shqiptarëve përtej rritjes ekonomike, duke treguar se progresi i dekadës së fundit është real, por ende i pabarabartë.
Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm nivelin e mirëqenies gjatë periudhës 2015–2025, por përfitimet e këtij progresi nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë shoqërinë. Ky është përfundimi kryesor i studimit më të fundit të ALTAX Observatory, i cili analizon zhvillimin ekonomik dhe social të vendit përmes një qasjeje moderne “Beyond GDP”, duke vlerësuar jo vetëm ekonominë, por edhe shëndetin, arsimin, mjedisin, barazinë dhe cilësinë e jetës.
Sipas raportit, Albania Wellbeing Index (AWI), një indeks i ndërtuar nga ALTAX për të matur mirëqenien kombëtare, është rritur nga 52.4 pikë në vitin 2015 në 71.2 pikë në vitin 2025, duke shënuar një përmirësim prej afro 36%.
Në të njëjtën periudhë PBB për frymë është rritur me rreth 47% në terma realë, varfëria relative ka rënë nga 27.5% në 19.2%, Shqipëria ka hyrë për herë të parë në kategorinë e vendeve me Zhvillim Njerëzor Shumë të Lartë (HDI 0.810), jetëgjatësia është rritur në 79.6 vjet dhe përdorimi i internetit ka arritur në 85.6% të popullsisë.
Megjithatë, raporti evidenton se pas këtyre treguesve pozitivë fshihen pabarazi të konsiderueshme sociale dhe territoriale.
Analiza tregon se rreth 900 mijë qytetarë vazhdojnë të jetojnë në kushte privimi material dhe social, ndërsa treguesi AROPE (rreziku për varfëri dhe përjashtim social) mbetet në nivelin e lartë prej 40.5%.
Sipas ekspertëve të ALTAX, përfituesit kryesorë të rritjes ekonomike kanë qenë shtresat urbane, sektorët e lidhur me turizmin dhe familjet që marrin remitanca, ndërsa zonat rurale, pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta kanë përfituar shumë më pak.
Raporti thekson se Shqipëria regjistron humbjen më të lartë të zhvillimit njerëzor nga pabarazia në rajon, me një nivel prej 13%, duke treguar se një pjesë e konsiderueshme e progresit ekonomik humbet për shkak të shpërndarjes së pabarabartë të të ardhurave dhe mundësive.
Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me dimensionin mjedisor.
Nivelet e ndotjes së ajrit me grimca PM2.5 mbeten mbi trefishin e standardeve të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërsa energjia e prodhuar nga burimet diellore dhe të erës vazhdon të ketë një peshë shumë të ulët në strukturën energjetike të vendit.
Sipas raportit, kjo është arsyeja kryesore pse komponenti mjedisor rezulton më i dobëti në indeksin e mirëqenies.
Raporti bën një krahasim të mirëqenies edhe në nivelin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe me Bashkimin Europian.
Pesë prioritetet për dekadën e ardhshme
Studimi argumenton se Shqipëria mund ta çojë indeksin e mirëqenies në mbi 80 pikë deri në vitin 2030, nëse ndërmerren pesë reforma prioritare:
- Indeksimi automatik dhe real i pensioneve dhe ndihmës ekonomike;
- Reformë fiskale progresive dhe forcim i luftës kundër evazionit;
- Program kombëtar për zhvillim rural të balancuar;
- Rritje e investimeve në shëndetësi dhe arsim në të paktën 5% të PBB-së secili;
- Përshpejtim i tranzicionit energjetik me objektiv që energjia diellore dhe e erës të arrijnë mbi 30% të prodhimit.
Mesazhi qendror i raportit është se “Po, shqiptarët jetojnë më mirë se një dekadë më parë. Por ky përmirësim nuk është ende i barabartë, nuk përfshin të gjithë dhe nuk është plotësisht i qëndrueshëm.“
Sipas autorëve të studimit, sfida e dekadës së ardhshme nuk është vetëm rritja ekonomike, por transformimi i saj në mirëqenie reale për të gjitha grupet sociale dhe për të gjitha territoret e vendit.
Studimi “A po jetohet më mirë në Shqipëri? Një analizë e mirëqenies ekonomike dhe sociale 2015–2025” është përgatitur nga ALTAX Observatory mbi bazën e të dhënave të INSTAT, Bankës Botërore, Eurostat, UNDP, WHO dhe burimeve të tjera ndërkombëtare.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.