Menaxhimi i ekonomisë dhe politika fiskale

Menaxhimi i ekonomisë dhe politika fiskale

Politika fiskale përfshin përdorimin e shpenzimeve buxhetore, taksimin dhe huamarrjen për të ndikuar nivelin e rritjes dhe kërkesës agregate, produktit kombëtar dhe punësimin. Politika fiskale përdoret për të ndryshuar modelin e shpenzimeve për mallrat dhe shërbimet. Politika fiskale është një mjet për rishpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë duke u përdorur edhe si instrument për të ndërhyrë me qëllim korrektimin e dështimit të tregut të lirë.

Ndryshimet në politikën fiskale ndikojnë mbi kërkesat agregate. Është kjo panoramë fiskale e përgjithshme që është në duart e qeverive për të ndryshuar situatën ekonomike dhe makro të vendit.

Tradicionalisht politika fiskale është konsideruar si një instrument i menaxhimit të kërkesave. Me pak fjalë, ndryshimet në shpenzimet e buxhetit, në tatimet direkte dhe indirekte, si dhe në balancimin e krahëve të bilancit të buxhetit është leva e Arkimedit për të ngritur ekonominë në rastet e goditjeve nga efekte të jashtme dhe lëkundjeve apo rënieve të ritmeve të produktit kombëtar.

Kejnesianët në këtë pikë argumentojnë se politika fiskale mund të ketë efekte të forta mbi kërkesën, produktin kombëtar dhe punësimin në momentet historike kur ekonomia operon poshtë kapaciteteve që mbart. Me stimulimet e politikave fiskale arrihet të plotësohet nevoja për stimulim të kërkesës.

Por, ekonomistët që janë oponentë të kësaj politike mendojnë se edhe pse efekti mund të vijë nëpërmjet zbatimit të stimujve, efekti është i përkohshëm mbi kërkesën agregate, produktin kombëtar dhe punësimin.

Në këto kushte nuk mjaftojnë vetëm përdorimi i politikës fiskale, por futen në skenë edhe politikat monetare. Kjo po ndodh aktualisht me uljen e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë me synimin për të përdorur një instrument shtesë dhe efektiv krahas politikës fiskale për të kontrolluar inflacionin dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.

Megjithatë edhe kjo politikë tradicionale është parë se nuk mund të kurojë dot sëmundjen e kreditimit. Çuditërisht ende ka ngadalësi në përdorimin e politikave agresive që duhet të përdoren për momente të tilla historike të ekonomisë, siç është furnizimi direkt me para.

Politika fiskale, si një pjesë e furnizimeve zinxhir të mekanizmit buxhetorë është edhe e identifikuar si kanali shpërndarjes të kërkesës dhe rritjes së produktit kombëtar.

Ndërsa, kemi qenë dëshmitarë dhe vëzhguese të politikës fiskale ekspansioniste të uljes së shkallëve të tatimeve në TAP, tatim fitimi, tatime indirekte (përjashto akcizën) si dhe në tatimet mbi të ardhurat nga kapitali, nga ana tjetër nuk pamë rritjen e vrullshme të të ardhurave në kursimet e njerëzve, uljen e çmimeve, dividendë më të lartë dhe investime me fonde vendase. Kjo mendoj nuk ka ndodhur se efektet e shumëfishta të politikës fiskale varen më së shumti nga rezervat dhe kapacitetet prodhuese, që vë në dispozicion ekonomia. Por, kjo politikë ekspansioniste pati edhe elementët e një politike fiskale rrudhëse, të tilla si shkurtimi i shpenzimeve dhe rrudhje e buxhetit në peshën ndaj PBB.

Progresive, proporcionale apo regresive dhe shpërndarja e të ardhurave

Me një tatim progresiv, shkalla maksimale e tatimit rritet bashkë me të ardhurën që tatohet. Individët me të ardhura të mesme dhe të ulta fitojnë më shumë të ardhura, nëpërmjet kursimit të tyre. Njëkohësisht, kjo konsiderohet edhe si rritje e pagave, pasi është e ardhur që mbetet menjëherë në muajin e parë pas zbatimit të politikës së tatimit progresiv.

Me tatimin proporcional (të sheshtë) shkalla tatimore maksimale mbetet konstante. Ky tatim mbetet me peshë më të rëndë për individët me të ardhura të mesme dhe të ulta dhe me peshë mjaft më të lehtë për individët me të ardhura të larta. Nga ana tjetër, e njëjta rëndesë fiskale është edhe për bizneset. Bizneset me xhiro të ulta dhe të mesme u merret më shumë e ardhur, e shprehur në barrë fiskale, ndërsa bizneseve të mëdha dhe shumë të mëdha u mbetet një barrë fiskale më e ulët.

Vlera e mbetur (dividendi) për individët e pasur dhe shoqëritë duhet të investohej në ekonomi, krahas investimeve të huaja. Por, nga organizata që monitoron lëvizjet e vlerave monetare jashtë është deklaruar se mbi 1 miliard euro kanë dalë jashtë Shqipërisë.

Pabarazia pak nga pak po zapton jetën sociale dhe ekonomike të vendit. Nuk duhet të pritet, kur të ndiejmë pabarazinë derë më derë, që të nxitet politika dhe shoqëria civile për të ndryshuar këtë status quo të rrezikshme.

Të gjitha këto të vërteta tregojnë mungesë kohezioni dhe strategjie për të shëndoshur financat dhe dhënien e stimujve ekonomisë për tu zhvilluar.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: