Punësimi dhe investimet kapitale në Shqipëri, 2016

Punësimi dhe investimet kapitale në Shqipëri, 2016

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave për vitin 2015, tregu i punës në Shqipëri përfshin 37.6 për qind të popullsisë gjithsej që banon aktualisht si rezidente në vend. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 64,2 %. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 18,3 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.

Nëse shikojmë shpërndarjen e tregut të punës sipas sektorëve të ekonomisë rezulton se efektiviteti i tyre është në raport jo të drejtë në sektorin e bujqësisë, prodhimit si dhe shërbimeve sociale dhe administrimit publik. Këta sektorë ekonomikë me peshë gjithsej prej 41.2% në prodhimin e brendshëm nuk kanë të njëjtën peshë në tregun e punës, i cili për këta sektorë është sa 67.6 për qind e totalit të tregut.

Prej shumë vitesh, sektori bujqësor është mbizotërues në ekonominë shqiptare dhe për tregun e punës ai mbetet mbizotërues, por me një ndikim në vlerën e shtuar të ekonomisë më pak se gjysma e peshës që mban në këtë treg.

Mos përkimi i peshës së punës me peshën e sektorit ekonomik është ngushtësisht e lidhur me nivelin e investimeve në sektor, teknologjinë që përdoret, si dhe hapjen në treg, që tregojnë se efektiviteti i punës në këta sektorë është poshtë kapaciteteve të zhvillimit të sektorit dhe efikasitetit të përdorimit të burimeve.

Por, nëse analiza krahasuese midis peshës së punës sipas sektorëve ekonomikë me peshën e sektorit ekonomik zgjerohet duke tentuar të krahasohet tendenca e rritjes së tregut të punës me tendencën e rritjes ekonomike duket se një rritje ekonomike për vitet 2013 – 2015 në një nivel prej 5.85 për qind ka ndikuar në tregun e punës me një rritje prej 9.57 për qind.

Sipas të dhënave të INSTAT, rezulton se punësimi në sektorin shtetëror u rrit me 2.9 për qind në vitin 2015, ndërsa punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 1.5 për qind.  Gjatë vitit 2015 trendi i punësimit në sektorin bujqësor vazhdoi të njohë rritje të lehtë me 1.4 për qind, ku numri mesatar i të punësuarve në sektorin bujqësor është rritur me 6.100 punonjës. Ndërsa, trendi i punësimit në sektorin jobujqësor (duke përjashtuar administratën publike) gjithashtu shënoi rritje të lehtë me 2 për qind, ku  numri mesatar i të punësuarve në sektorin jobujqësor është rritur me 10.500 punonjës.

Edhe pse në vitin 2015 ka një përmirësim në formalizimin e tregut informal të punës me 5.3 për qind, ende ai mbetet i lartë duke regjistruar një nivel informaliteti prej 34.1%. Ky treg informal përfaqëson një numër që llogaritet të jetë te 447 mijë punonjës që mbeten ende jashtë skemës së sigurimeve shoqërore. Ky treg informal është rezerva që nevojitet të jetë epiqendra e veprimeve të koordinuara të institucioneve që kanë në qendër formalizimin duke ndikuar direkt dhe efektivisht për rritjen dhe formalizimin e tregut të punës.

Përgjatë dy viteve 2014 dhe 2015, vërehet se ka një rënie të lehtë të papunësisë me 0.4%. Arsyeja e nivelit ende të lartë të papunësisë qëndron për një pjesë të mirë (arsye subjektive) brenda detyrave të pakryera nga institucionet direkte përgjegjëse për nxitjen dhe formësimin e punëkërkuesve. Nuk mund të ngelet pa u përmendur edhe pjesa e pazbatuar, që i përket programeve të zhvillimit ekonomik të qeverive të 20 viteve.

Në analizën e vlerave të investimeve dhe potencialit që ato krijojnë në hapjen e vendeve të punës duhen marrë në konsideratë kostot që përfshihen për secilin nga vendet e punës. Kostoja është e lidhur si me shpenzimet direkte, po ashtu edhe kosto indirekte që lidhen me vendin e punës.

Por duhet patur parasysh se kostoja për hapjen e një vendi pune është gjithnjë më e lartë se kostoja për mbajtjen e një vendi pune.

Kostoja për një vend pune ( që nuk krijohet rishtazi) nga ekspertët e ALTAX llogaritet të jetë në shumën prej 400 mijë deri 450 mijë lekë në vit. NË këtë kosto llogariten orët e punës, kostoja e taksave të punës, si dhe kosto të tjera që lidhen me shpenzimet që bëhen në vijimësi për të mbajtur vendin e punës dhe punonjësin në gjendje pune.

Nëse do të llogaritim që nevoja për Shqipërinë është për tu krijuar 200 mijë vende pune, atëherë kostoja përkon me një shpenzim gjithsej që varion 80 deri 90 miliard lekë në vit.

Në fakt llogaritjet nuk përkojnë me realitetin e investimeve kapitale në vend. Sipas llogaritjeve për hapjen e një vendi pune, nëse nisemi nga vlera që nevojitet të investohet fillimisht për krijimin e kushteve të nevojshme për tu realizuar puna rezulton se mesatarisht për ekonominë në tërësi, për çdo 1 miliard lekë investime arrijnë të hapen 250 deri 300 vende pune direkte dhe indirekte (kompanitë nënkontraktore dhe të lidhura me investitorin). Nisur nga fondet e investimeve publike në shumën prej 123 miliard lekë në dy vitet e fundit (2014-2015) llogaritja tregon se duhet të kenë vlejtur që të hapen 35 mijë deri 37 mijë vende pune direkt apo indirekt.

Ndërkohë, nëse shikojmë vlerat e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, në vitin 2014 janë në shumën 869 milion euro dhe në vitin 2015 janë në shumën 881 milion euro[1]. Nisur nga llogaritjet si më lart, për hapjen e një vendi pune rezulton se nga efekti i investimeve të huaja në dy vitet e fundit mundet të ketë një efekt në punësimin e ri prej 57.000 – 72.000 punonjës të rinj.

Nëse e shikojmë numrin e të punësuarve sipas llogaritjeve të bazuara në kostot më lart, duket se për vlerën e investuar në ekonominë shqiptare prej 365 miliard lekë për periudhën 2014 – 2015, rezulton se duhet të kenë patur një efekt në hapjen e vendeve të reja të punës me 92.000 deri 109.000

Në periudhën 2013 – 2015 rezulton se rritja e numrit të vendeve të punës, në sektorin publik dhe privat është me 95 mijë vende pune të reja, që u bënë pjesë e skemës së kontributeve të sigurimeve.

Nëse krahasohet me vlerën e investimeve në sektorin publik, si dhe atë privat, atëherë shikohet se efekti nga investimet që janë hedhur në ekonomi kanë krijuar vende pune të reja në nivelet që konfirmohen nga statistikat e shtetit shqiptar[2].

[1] http://aida.gov.al/faqe/fdi

[2] një pjesë e vlerës së investimeve të kryera shkojnë edhe për mbajtjen e vendeve egzistuese të punës, si dhe forcimin dhe rritjen e kapaciteteve të sektorit privat dhe publik.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: