Pagat dhe pensionet nga fillimi i pandemisë dhe nevoja për taksimin e ndershëm
Uljet e të ardhurave nga punësimi duket se konsistuan jo vetëm prej humbjes së vendeve të punës për të punësuarit sezonalisht apo edhe në mënyrë të përhershme për disa aktivitete[1]. Për këtë periudhë pati edhe ulje të vlerës së pagesës, nisur nga koha e kufizuar e punës, por edhe të izolimit në ditët e punës.
Në këtë periudhë qeveria mori vendime në kohën e duhur, por me vlera modeste për të subvencionuar këto humbje nga pandemia, madje duke ndihmuar edhe punonjësit informalë me një tolerancë të pajustifikuar dhe pa evidentuar përgjegjësitë për situatën.
Nga ana tjetër, ndikimi i pandemisë në 2020 në pensionet e pleqërisë urbane rezultoi në uljen e masës së pensionit mesatar me 3.3% më pak[2].
Por, në një analizë të vlerës së pagës nga të dhënat zyrtare, shihet ashtu si paraqitet edhe në tabelë se paga minmale ka patur një rritje më të madhe se paga mesatare.
Lekë/muaj | ||||
Nr. | Paga dhe inflacioni | 2020 | 2021 | 2022* |
1 | Paga minimale | 26,000 | 30,000 | 32,000 |
2 | Paga mesatare | 54,951 | 59,565 | 61,613 |
3 | Inflacioni | 1.6% | 2.0% | 7.4% |
* nga 1 Shtator 2022, paga minimale është 34.000 Lekë/muaj | ||||
* paga mesatare është për Tr. III 2022. Inflacioni është vjetor, paraprak | ||||
Burimi: INSTAT, BSH |
Kjo rritje jo proporcionale mes dy niveleve të pagave shpjegohet me faktin se rritja e pagës minimale në vitin 2021 përfshiu edhe vitet 2019 -2020, kur kjo masë ekonomike dhe sociale nuk u miratua.
Ndërkohë, në të njëjtën mënyrë asimetrike të rritjes ndodhi edhe në vitin 2022, kur niveli i pagës minimale u rrit dy herë brenda vitit me sqarime që nuk përkojnë me zhvillimet e tregut të punës, kërkesat e biznesit dhe pa një analizë gjithpërfshirëse paraprake, për të shteruar paqartësitë dhe qartësuar arsyet për vendimin e njëanshëm të ndërmarrë nga qeveria.
Ndërsa paga minimale është rritur me 15% në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020 dhe me 8% në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, pra gjithsej është rritur 23% për dy vitet e fundit, shihet se inflacioni mesatar është rritur me 11% në dy vitet e fundit. Kjo do të thotë se mesatarisht për çdo individ dhe familje me të ardhura nga paga minimale ka patur një rritje mesatare efektive të pagës jo me 23%, por vetëm me 12%.
Ndërkohë, edhe kjo rritje e pagës minimale vjen më e fortë jo në vitin kur ka rritje të inflacionit, por në vitin e fundit, kur inflacioni është afër 4 herë më i lartë se më përpara.
Në një llogaritje të thjeshtuar mbi efektin e inflacionit bazuar te rritja e mbi 46% e shpenzimeve mujore jo me mesataren e inflacionit prej 7.4% por me rritjen prej 14.2%, atëherë rezulton se ndikimi i inflacionit arrin deri në 11% duke e ulur fuqinë reale të rritjes së pagës minimale.
Ndërkohë, për pagën mesatare ndikimi i inflacionit është edhe më i madh se në rastin e pagës minimale.
Paga mesatare është rritur me 8% në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020 dhe me 3% në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, pra gjithsej është rritur 11% për dy vitet e fundit. Duke e krahasuar këtë rritje të pagës mesatare me rritjen mesatare të inflacionit (me 11% në dy vitet e fundit), kjo do të thotë se mesatarisht për çdo individ dhe familje me të ardhura nga paga minimale nuk ka patur rritje page në realitetin rritjes së çmimeve me po 11% në dy vitet e fundit.
Në kushtet e një familje pensionistësh qyteti shihet se, ndërsa rritja e pensioneve mesatare në qytet rezulton me 9.6% në vitin 2021 i krahasuar me vitin 2020, në vitin 2022 rritja është 9.5% krahasuar me vitin 2021. Gjithsej rritja e pensioneve në qytet është 19.1% në dy vite. Por, edhe pse rritja është më e madhe se rritja e normës së inflacionit real prej 14.2% si më lart, problemi kryesor për politikat pensionale mbetet baza e pensionit dhe nevoja për tu sinkronizuar me standartet minimale të jetesës (minimumin jetik).
Ky nivel është më poshtë se disa studime të kryera për qëllime të analizës së këtij fenomeni social me pasoja negative në mirëqenien e kësaj shtrese, por edhe në konsumin e tyre dhe ndikimin në ekonomi.
Lekë/muaj | ||||
Nr. | Pensionet | Niveli Pensionit | ||
2020 | 2021 | 2022 | ||
1 | Pension pleqërie urban | 15,732 | 17,258 | 18,901 |
2 | Pension pleqërie rural | 9,295 | 9,656 | 10,612 |
Burimi: INSTAT, BSH |
Në kushtet e një familje pensionistësh fshati baza e pensionit dhe nevoja për tu sinkronizuar me standartet minimale të jetesës (minimumin jetik) është shumë më urgjente për shkak të diferencës prej të paktën 78% mes tyre.
Megjithatë, duke përdorur të njëjtën mënyrë krahasimi shihet se, ndërsa rritja e pensioneve mesatare në fshat është me 3.9% në vitin 2021 i krahasuar me vitin 2020, në vitin 2022 rritja është 9.9% krahasuar me vitin 2021. Gjithsej rritja e pensioneve në fshat është 13.8% në dy vite. Duke krahasuar me rritjen e pensioneve mesatare të qytetit shihet se rritja e pensioneve të fshatit është më e vogël dhe dukshëm pensionet në fshat janë realisht më të ulëta se norma e inflacionit real prej 14.2% si më lart.
Duke risjellë në kujtesë parimin e taksimit të ndershëm, bazuar te slogani “Kush fiton më shumë paguan më shumë” duhet të bëhet tashmë pjesë e kompletimit të sistemit tatimor, pas 9 vitesh qeverisje me të njëjtin parim, por të zbatuar keq.
Kjo qasje e sistemit vlen edhe më shumë në kohën që politika sociale e rishpërndarjes së të ardhurave të buxhetit duhet të bëhet efektive me politika të rritjes së denjë të pensioneve, si dhe një sistemi fiskal të bazuar te efikasiteti dhe barazia në taksim
Realisht tashmë në Shqipëri egzistojnë kushtet për taksimin e individëve me rrisk të lartë për taksat, pra ku përfshihen kriminelët e pasur, individët e pasur dhe drejtuesit që marrin paga të larta mbi 400 mijë lekë në muaj.
Për individët që marrin paga dhe shpërblime të larta mbi 400 mijë lekë në muaj duhet të ketë një shkallë të re taksimi më të lartë se 23%. Arsyeja pse mendojmë 400 mijë në muaj është se ajo është sa gjithë paga vjetore e një punonjësi me pagën minimale aktuale. Ky nivel page përbën edhe një bazë efektive tatimore për zbatimin një shkalle më të lartë tatimi për të ardhurat nga pronësia intelektuale/artistike apo nga puna.
Tashmë jo vetëm tatimi mbi pagat e larta, por edhe tatimi mbi të ardhurat nga pronësitë intelektuale, industrial, artistike, sporti etj. duhet jo vetëm të fillojë të kontribuojë për shërbimet publike që përfitojnë këta individë njësoj si qytetarët e tjerë taksapaguesë direkt, por edhe të taksohen progresivisht për të ardhurat që përfitojnë.
Këtë bëjnë shtetet me sisteme të organizuara dhe me qasje ndaj rishpërndarjes sociale!
[1] https://library.fes.de/pdf-files/bueros/albanien/16878-20201124.pdf
[2] http://www.issh.gov.al/wp-content/uploads/2021/05/LIBER-STATISTIKASH-2019-2020.pdf
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.