Inflacioni ka fituar terren mbi rritjen e pagave dhe pensioneve në 2022
Situata pas pandemisë e kombinuar me efektet inflacioniste prej fundvitit 2021, si dhe një ngadalësim i rritjes ekonomike në 2022 me të paktën 0.9% sipas parashikimeve të qeverisë[1] ndikon direkt ndaj tregut të punës me një forcë që nuk është ndier prej të paktën 3 dekadash.
Pasoja më e madhe negative është erozioni i pagave reale dhe fuqisë blerëse të familjeve shqiptare.
Nga ballafaqimi i të dhënave statistikore të treguesit të inflacionit dhe rritjes së pagave mesatare bruto sipas sektorëve rezulton një diferencë negative për 11 mujorin 2022 me 4.5 përqind më pak në fund të muajit për çdo familje individësh që jetojnë me të ardhurat nga puna.
Kjo përkthehet në të paktën pakësim të të ardhurave reale mesatare deri në 2.800 – 3.000 lekë në muaj të ardhura nga paga më pak se efekti mesatar i inflacionit.
Në një shikim më të hollësishëm të treguesit të inflacionit, sipas të dhënave të fundit të INSTAT shihet, se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Nëntor 2022, arriti 110,9 kundrejt muajit Dhjetor 2020. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Nëntor 2022 është 7,9%, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 3,1%[2]. Peshën më të madhe ndikuese e mbajnë ushqimet, pijet, transporti, qeradhënia, uji, me 58% të gjithë nivelit të inflacionit.
Në një shikim të rritjes së pagave mesatare sipas tremujorëve, shihet se Paga mesatare për një të punësuar në fund të Shtatorit 2022 ishte 61.613 lekë, apo 3.4% më e lartë se fundi i Dhjetorit 2021.
Ndërkohë, paga mesatare për një të punësuar në sektorin shtetëror në fund të Shtatorit 2022 ishte 70.593 lekë, apo 0.1% më e lartë se fundi i Dhjetorit 2021.
Ndërsa paga mesatare për një të punësuar në sektorin privat në fund të Shtatorit 2022 ishte 57.613 lekë, apo 5.7% më e lartë se fundi i Dhjetorit 2021.
Nisur nga gjithë panorama me normën e inflacionit dhe rritjen e pagave duket se pagat që janë në nivelet e ulta dhe ato mesatare janë me humbje në raport me rritjen e çmimeve.
Në një verifikim të rritjes së pagave mesatare sipas sektorëve të ekonomisë dhe aktiviteteve, (për të njëjtat periudha krahasuese si më lart), shihet se rritjen më të madhe e gjejmë te pagat mesatare të sektorit Bujqësisë me 14.8%. Rritja e pagave të tjera sipas sektorëve është si më poshtë:
Ndërtimi me rritje page 9.1%
Tregtia dhe shërbimet me rritje page 7.5%
Industria me rritje page 4.7%
Pasuria e paluajtshme me rritje page 4.1%
Argëtimi dhe sporti me rritje page 2.6%.
Një vendim efektiv i qeverisë është rritja e pagave minimale (ishte 30 mijë lekë në muaj u rrit në 34 mijë lekë në muaj) dy herë radhazi brenda vitit 2022 duke regjistruar një rritje gjithsej prej 13.3%. Ky vendim ka ndikuar direkt në mbrojtjen e pjesës më të madhe të punëtorëve dhe familjeve të tyre nga rënia në nivelin e varfërisë.
Kjo humbje e të ardhurave nga efekti i rritjes së çmimeve është me të paktën deri 2.800 lekë në muaj.
Llogaritja tashmë bëhet për nivelin e pensionit mesatar (në vitin 2021 është 13.891 lekë/muaj), nëse përfshihet indeksimi për periudhën Tetor -Nëntor 2022, në nivelin 6%[3] bashkë me indeksimin e pensioneve prej Prill 2022 në masën 3.3%[4], si dhe bonusin e fundvitit prej 5.000 lekë dhe kompensimet e tjera, rezulton se efekti i inflacionit nuk ka arritur të mbulojë plotësisht grupet e pensionistëve (efekti rritës mesatar është deri 8.7%).
Problemi më i madh mbetet kategoria e pensionistëve me nivel të ulët të pensioneve.
Por, përtej llogaritjeve dhe konstatimeve në një qasje të ndryshme të politikës për pensionet mbetet vendimtare një qasje e re dhe me mbështetje të fortë të politikave qeverisëse ndaj tregut privat të fondeve të pensioneve, të cilat do të zgjidhin në një modelim afatgjatë rënien e vlerës nominale të pensioneve në ekspozimin e tyre ndaj goditjeve të krizave dhe efekteve pasvepruese të tyre.
Inflacioni i lartë i vazhdueshëm dhe rritja e normave të interesit që synon ta luftojë atë vazhdojnë të sfidojnë ekonominë, buxhetin dhe tregun financiar. Ky mjedis po çon në një interes më të madh për strategjitë alternative të investimeve që mund të ndihmojnë në diversifikimin e portofoleve dhe mbrojtjen ndaj rrezikut të inflacionit.
Duke modeluar dhe hartuar përpara skema të tilla, si fondet e pensioneve private, të cilat zgjerojnë me një mënyrë natyrale tregun financiar, skemat janë në gjendje të përballojnë stuhitë buxhetore dhe të kapërcejnë çdo rrezik afatshkurtër duke arritur ende objektivat e tyre afatgjata.
Kjo perspektivë pozitive e fondeve të pensioneve duket nga shumë vende europiane, por edhe në vende fqinje ku menaxherët e fondeve të pensioneve janë të sigurt se kanë për tu ndikuar pak nga inflacionit në skemat e pensioneve gjatë vitit të ardhshëm ashtu si dhe në vitin 2022, veçanërisht pasi shumë parashikojnë se inflacioni do të vazhdojë rritjen e tij dramatike.
[1] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/08/Pjesa-1_Faza-I-2023-2025-1.docx
[2] http://www.instat.gov.al/media/11048/ick_nëntor_2022.pdf
[3] https://qbz.gov.al/eli/vendim/2022/09/14/605/6e8e2c95-33d4-44fa-896c-09e5c6289c06
[4] https://qbz.gov.al/eli/vendim/2022/03/30/188/988e88d0-e189-4f51-b735-beebd0e4b721
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.