Kanabisi mjekësor dhe industrial: Komente për propozimin e qeverisë nga përvoja e vendeve

Kanabisi mjekësor dhe industrial: Komente për propozimin e qeverisë nga përvoja e vendeve

Në aktin e miratuar nga qeveria shqiptare në 16 Qershor 2023 tashmë ka një propozim konkret[1] për Kuvendin e Shqipërisë për të miratuar ligjërimin e kultivimit, prodhimit dhe qarkullimit të kontrolluar të bimës së cannabis-it, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të tij për përdorim (a) mjekësor[2] dhe (b) industrial[3].

Në një shqyrtim të përmbajtjes së projekt-ligjit, i cili nuk shoqërohet me asnjë sqarim e aq më tepër me studim për të shteruar gjithë pyetjet, shqetësimet dhe dilemat për këtë temë, e cila thyen tabu shumë të mëdha. Ndërkohë, ne ndodhemi përballë faktit të kryer si publik i pakonsultuar dhe i padëgjuar. Perceptimi popullor për këtë çështje është i lidhur me veprimtarinë kriminale dhe ky kompleks reflektohet pa dashur edhe në titullin e ligjit, që duket si kontradiktor me objektin e ligjit.

Nëse shikojmë përmbajtjen dhe frymën e projekt ligjit konstatojmë se:

Së pari, nga përmbajtja e gjithë projekt-ligjit nuk rezulton se adresohet ndaj ndonjë interesi aktual për qytetarët, si lidhur me mirëqenien e tyre, por edhe për plotësimin e nevojave ushqimore dhe shëndetësore të tyre.

Së dyti, për sa kohë ende ka konsultime duhet të informohen njerëzit nëse punësimi do të përbëjë interes për ndikimin që i jep tregut të punës ky projekt i qeverisë, ku mbetet skepticizmi njësoj si me projektet e investimeve strategjike të kompanive që përfitojnë statusin e bizneseve të privilegjuara në turizëm, por që përveç përfitimit nuk janë paralajmëruar nga qeveria për heqjen e statusit kur nuk kanë plotësuar kriterin. E kundërta, nëse supozojmë se tashmë bizneset që zotërojnë fondet dhe plotësojnë kriteret e ligjit janë gati (offshore ose jo edhe pse nga vendet anëtare të OECD) dhe presin vetëm miratimin e ligjit, ato pritet të rrëmbejnë prej tregut rural të punës edhe ato pak forca pune, nisur nga supozimi se do ti paguajnë më mirë sesa ata paguhen deri më sot.

Së treti, në këtë kohë krize të madhe për konsumin shqiptar, i cili nuk ka ende një bujqësi që i plotëson nevojat e konsumit të popullatës këto oferta nuk konsiderohen se janë të kërkuara nga ndonjë urgjencë e ekonomisë dhe konsumit bazik të njerëzve. Cannabis (në vijim marijuana) nuk është për plotësim nevojash ushqimore, por që supozohet se nuk konkuron agrikulturën, pasi ai do të jetë për eksportim, apo më së shumti do të shërbejë si lëndë e parë për industrinë shqiptare, paçka se nuk dihet nëse do të jetë me kosto efektive për këtë industri.

Së katërti, nisur nga precedenti ku asnjë ligj nuk ka gjetur zbatim dhe të jetë monitoruar ashtu si është miratuar për zbatim, kjo krijon dyshime të arsyeshme se bizneset e këtij aktiviteti shumë delikat do të devijojnë nga qëllimi për të cilin u miratuan dhe mundet të prodhojnë më shumë kosto se sa përfitime.

P.sh. një pikë mjaft problematike që në propozim është pika 5. e Nenit 13, ku hapësira për nënkontraktimin e disa proceseve të këtij aktiviteti, krijojnë klimën e politikës së industrisë fason, ku ekonomia, përveç një tregu pune mjaft problematik ka humbur kualifikimin e fuqisë punëtore dhe në këtë rast edhe konkurueshmërinë në raport me ekonomitë përreth.

Duke qenë se në projekt ligj nuk ka kufizim për numrin e të licensuarve, duket se ky nënsektor i ri i bujqësisë pak ka lidhje me llogaritje për kapacitetet përthithëse e përpunuese për mjekësinë dhe industrinë, se sa nga shumë arsye të renditura më poshtë mund të shkasë drejt aktivitetit që bëhet deri më sot, prodhim si lëndë e parë dhe e përpunuar për qëllime mjekësore për eksport dhe shumë vulnerabël edhe për konsum brenda vendit.

Thënë ndryshe, në një ambjent me informalitet të lartë, me korrupsion të strukturuar, me një tendencë kultivimi dhe eksportimi ilegal ndër 7 vendet e para në Europë[4] dhe me një kulturë të zbatimit të ligjit ndër më të ultat në rajon mund të kompromentohet një pjesë e inventarëve të stokut të marijuanës drejt tregut vendas, që sipas nenit 5 është i ndaluar dhe i dënueshëm njësoj si deri më sot. Kjo ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, që ka mbi 5 vite që zbaton të njëjtën skemë[5].

Kjo thyerje e rregullave të vendosura në ligj parashikohet si rast, ku janë përcaktuar edhe vlerat e penalizimit që në rastin e e kundravajtjeve të lehta gjoba maksimale është 1 milion lekë, në rastin e kundravajtjeve që përkojnë deri në nivelin e dënueshëm nga Kodi Penal deri më sot gjoba maksimale arrin në 3 milion lekë dhe në rastin e krimit penal gjoba arrin deri 5 milion lekë dhe anullim i lejes me afat të përkohshëm. Në këto raste mundet që agjensia monitoruese të kërkojë pranë organeve të prokurorisë edhe zbatimin e Kodit Penal, njësoj si për kategoritë e tjera. Por, këtu juristët mund të shprehen më qartë se si do të aplikohen sanskione të tilla të ligjit që mund të favorizojnë pikërisht atë që individët deri më sot e vuajnë pa mëdyshje direkt me heqje lirie.

Së pesti, nga përvoja në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut, një shtet i cili është shumë më korrekt në zbatimin e ligjit është konstatuar rritje e konsumit të marijuanës nga të rinjtë[6] edhe pse zbatojnë një regjim të njëjtë me këtë që propozohet në projekt-ligjin e miratuar nga qeveria. Ndërkohë, nuk shihet se ka patur zhvillim përdorimi i marijuanës për qëllime të përdorimit si lëndë e parë në industri.

Nëse e shqyrtojmë nga këndvështrimi ekonomik dhe përfitueshmëria fiskale e vendit me këto informacione që gjenden konstatojmë se:

Së pari, në disa nene të dedikuara të projekt ligjit përcaktohen disa tregues vlerorë ekonomikë e financiarë lidhur me kapitalin minimal (jo më pak se 100 milion lekë/930 mijë Euro), sipërfaqen totale për kultivim (jo më shumë se 200 hektarë/2 milionë m², por jo më pak se 5 hektarë), si dhe garanci bankare (sa 10% e vlerës së investimit).
Ndërsa disa treguesë vlerorë fiskalë janë pagesa e një tarife në vitin e katërt të aktivitetit (sa 1.5% e xhiros vjetore, pa TVSH, por jo më pak se 10 milionë lekë pagesë në vit).

Së dyti, flasim lidhur me barrën fiskale. Nëse krahasojmë rendimentin e 1 hektarë marijuanë (10 tonë) me rendimentin e 1 hektarë grurë (7 tonë) duket se efekti fitimprurës është mjaft i lartë si (a) në sasi, po ashtu dhe (b) në vlerë shitje (gruri arrin një vlerë shitje maksimale 350 mijë lekë/hektarë, ndërsa marijuana një vlerë shitje maksimale 1.2 miliard lekë/hektarë).

Nëse llogaritim, në rastin e prodhimit të grurit se fermeri kur arrin ta shesë të gjithë sasinë e prodhuar (ky është një problem që nuk e gjejmë te rasti i marijuanës), ai nuk paguan tjetër veç tatim fitimit (për fermerët me qarkullim mbi 14 milion lekë/vit) dhe taksave dhe tarifave vendore, pasi TVSH e disa shpenzimeve kryesore është e përjashtuar[7]. Natyrisht kontributet e detyrueshme të sigurimeve janë një pagese qe nuk përjashtohen ne asnjë rast. Pra pesha e taksave për një fermer gruri është në nivele minimale në raport edhe me shumë aktivitete të tjera prodhuese dhe përpunuese.

Nëse llogaritim në rastin e kultivimit dhe shitjes së marijuanës, me ligjin aktual të tatimit mbi të ardhurat do të paguajë tatim fitimi 15% (njësoj si bizneset e tjera), nuk dihet nëse do të përfitojë lehtësi njësoj si prodhimet e tjera bujqësore në import për makineritë dhe paisjet, si dhe nëse do të zbatojë të njëjtin regjim të TVSH-së si ata. Po ashtu ka barrë tatimet dhe tarifat vendore, njësoj si çdo aktivitet tjetër.

Pra pesha e taksave për një fermer marijuane është në nivele të njëjta me bizneset e tjera dhe madje mund të jetë më i lehtësuar në raport edhe me shumë aktivitete të tjera prodhuese dhe përpunuese, nëse lehtësitë për sektorin e bujqësisë apo mjekësisë i përfiton edhe fermeri dhe tregtari eksportues i marijuanës.
Në fakt, prodhime të tilla të kategorisë së veçantë (konsiderohet si prodhim luksi) do të sugjerohej që jo vetëm të mos kishin lehtësi nga TVSH njësoj si zbatohet në sistemin shëndetësor, por as njësoj si zbatohet për sektorin bujqësor.

Në rast se regjimi tatimor mbetet i pandryshuar për këtë aktivitet specifik, atëherë buxheti i shtetit merr përfitime minimale edhe pse tatimet nga marijuana aplikohen mbi vlera të larta xhiroje vjetore.

Thënë ndryshe, ky biznes i formalizuar jo vetëm do të konkurojë biznesin informal të zonave rurale shqiptare, por do të falimentojë edhe këto biznese, të cilat do të përthithen si nënkontraktorë në rastin më të mirë.
I vetmi lajm i mirë nga ky reagim i tregut është ulja e kostove për organet e rendit, të cilat do të kenë më pak operacione dhe konsum të burimeve të tyre.

Ndërkohë, në lidhje me detyrimin e vendosur në projekt ligj, ku bizneset duhet të paguajnë në vitin e katërt të aktivitetit tarifën ekstra, sa 1.5% e xhiros vjetore të biznesit ka shumë mundësi për anashkalim të këtij detyrimi, ku në Shqipëri mundësia e rinovimit të një license të re pas mbylljes së tre viteve të para egziston si një opsion i mundur.
Nga historiku për raste të ngjashme, bizneset rezidente shqiptare kanë një përfitim shtesë edhe menaxhimin në favor të tyre të detyrimeve fiskale duke ju shmangur apo edhe duke mos i paguar fare detyrimet.

Në rastin më të mirë të bizneseve që nuk do të ndjekin modelin e informalitetit dhe kriminalizimit të tregut përfitimi nga investimet e huaja dhe tatimet për aktivitetin në vitet e para nga aktiviteti i ligjëruar i marijuanës (për qëllime mjekësore) do të arrijnë deri në 80 milionë euro në vit për një qarkullim deri 800 milion euro në vit. Kjo shumë natyrshëm që do të rriti prodhimin e brendshëm të vendit, por vështirë mund të thuhet se ndikon në fuqizimin e ekonomisë shqiptare.

Një efekt pozitiv në këtë rast mund të jetë pakësimi i korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe institucionet ligjzbatuese, por gjithsesi kjo mbetet për tu parë se kush do të fitojë në terren lidhur me kultivimin dhe tregtimin e marijuanës: sektori që do të jetë formal apo sektori tradicional informal?

Së fundmi, megjithëse ka shumë më tepër argumente se kaq sa përmendëm, nga analiza e historikut të buxhetit shqiptar shihet se reduktimet në shpenzimet buxhetore nga legalizimi ka të ngjarë të jenë modeste në praktikë. Përvoja e hershme sugjeron se qeveritë do t’i rialokojnë në vend që t’i reduktojnë ato shpenzime. Ky rialokim mund të jetë i dobishëm, por nuk ka një efekt të drejtpërdrejtë në deficitin buxhetor.

[1] https://www.kryeministria.al/wp-content/uploads/2023/06/KONTROLLI-I-KULTIVIMIT-TE-CANNABIS.docx
[2] bimët e varieteteve të ndryshme, të variacioneve dhe nënllojeve të cannabis sativa, cannabis indica dhe cannabis   ruderalis, të përftuara nga kultivimi për qëllime mjekësore dhe kërkime shkencore në kushte të kontrolluara, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj
[3] materialet e përfituara nga e gjithë bima e cannabis-it, duke përfshirë kërcellin, lulen dhe farën, i cili prodhohet për qëllime industriale, të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen në përdorime për sektorin e ndërtimit, tekstilit, kozmetikës, prodhimit të energjisë, prodhimit të letrës etj.
[4] https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/E-9-2023-001230_EN.html
[5] https://balkaninsight.com/2023/03/28/crime-ties-exposed-in-north-macedonia-medicinal-cannabis-boom/
[6] https://www.iph.mk/wp-content/uploads/2022/12/NDSO-North-Macedonia-final.pdf
[7] https://www.tatime.gov.al/d/8/45/0/932/perjashtimi-nga-tvsh-ja-e-inputeve-bujqesore-lehtesi-fiskale-per-fermeret

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: