Indeksim i pagave për të rritur besimin te sistemi dhe për një model të ri sfidues
Marrëdhënia midis përcaktimit të pagave dhe inflacionit është monitoruar këto vite të fundit nga afër nga Banka Qendrore dhe ish-Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pasi ishte çelësi i suksesit të tyre në arritjen e stabilizimit makroekonomik në një regjim të inflacionit të shënjestruar nga goditjet e brendshme në një ambjent informal afër 1/3 e ekonomisë. Qeveria propozoi një ligj të ri, të cilin e miratoi në 2023 për caktimin e indeksimit të pagave të sektorit publik sipas inflacionit, pas konsultimit edhe me propozimet e ekspertëve, në një proces konsultimi publik që gjithsesi ishte me bazë jo të gjerë.
Pas një goditjeje inflacioniste, si rritja e çmimit të prodhimeve të përditshme, si dhe një zhvlerësimi të madh të kursit të këmbimit të monedhave të huaja në vend, që përbëjnë deri gjysmën e transaksioneve për vendin, shihet se punonjësit po kërkojnë paga më të larta për të shmangur humbjen e fuqisë blerëse.
Vlerësimet e më shumë modeleve sugjerojnë gjithashtu se inflacioni i çmimeve të brendshme (Kurba e Phillips) shfaq një shkallë të konsiderueshme të sjelljes së periudhave të mëparshme, si një simptomë e besueshmërisë së ulët të tregut dhe pjesëmarrësve në të ndaj institucioneve të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të politikeve financiare dhe ekonomike të qeverisë.
Si rezultat i këtyre karakteristikave, inflacioni shfaqet i lartë (edhe pse është i ulët) në këmbënguljen e tij në përgjigje të goditjeve që priten si pjesë e mosbesimit në deklaratat dhe politikat e nxituara dhe me probleme të theksuara të mungesës së transparencës dhe përgjegjshmërisë.
Rritja e pagave[1] në vitin 2023 po ndikon tek kostot e prodhimit të bizneseve, duke ushtruar presion në rritje mbi çmimet. Mirëpo, mbajtja e ulët e kursit të këmbimit të valutave të huaja ka arritur të amortizojë këtë rritje të çmimeve. Gjithsesi, nisur nga deformimi i ofertës në treg, duket se e gjithë kjo qasje që pati efekt deri dje nuk mund të zgjasë dhe më shumë dhe do të nxisë kërkesa për paga më të larta në gjithë 6-mujorin e dytë të vitit 2024 dhe vitin në vijim deri në krijimin e ekuilibrit të ri, çmim-paga.
Fuqia e këtij elementi ndikues është një përcaktues i rëndësishëm i qëndrueshmërisë së inflacionit dhe shpejtësisë me të cilën ai do të tentojë përsëri të kalojë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, për mbajtjen e tij nën nivelin 3%.
Të gjithë tregjet partnere me tregun shqiptar duket se do të fillojnë të rritin çmimet pas rritjes së fitimeve, por edhe të kostove. Ndërkaq, një rritje e kërkesës për mallra dhe shërbime më shumë se oferta në treg për 6-mujorin e dytë, nisur nga nevoja për fitime në rritje mund të rritë presionin ndaj çmimeve.
Inflacioni mund të rritet jo vetëm për shkak të një ekuilibri të brishtë midis ofertës dhe kërkesës, por edhe nga rritja e kostove të punësimit, që po vijon e nuk po ndalet edhe këtë vit. Tashmë duket se po rritet shqetësimi te bizneset shqiptare, se rritja e lartë e pagave nuk do të frenojë ende largimet dhe mungesat e punonjësve në treg.
E gjithë kjo do të vijojë të çojë në një spirale rritëse çmim-pagë.
Praktika e kërkesës në rritje për paga më të larta po duket se vjen si një përgjigje ndaj mungesës së besueshmërisë ndaj Bankës Qendrore dhe Qeverisë, të cilat kanë dështuar për të justifikuar si duhet mbivlerësimin e Lekut.
Nëse do të kishte një nivel besueshmërie në rritje ndaj këtyre dy strukturave publike përgjegjëse për situatën e besimit/mosbesimit, atëherë norma e inflacionit në ulje dhe e dyta më e ulët në rajon do të nxiste tregun e punës të binte dakord të ulte presionin për rritje të pagave dhe kostove të tyre.
Në këtë spirale paqartësie dhe mungese besimi të tregut ndaj politikave dhe veprimeve ne gjykojmë se është koha më e mirë për bisedimet kolektive rreth forcimit të dialogut me përfaqësuesit e tregut të punës.
Kjo kërkon përgatitje paraprake me gjithpërfshirje dhe një përzgjedhje të një modeli të ri për të krijuar dialogun e munguar mes qeverisë, sindikatave të punonjësve dhe biznesit, si një histori që duhet të zgjojë ndërgjegjen politike si koha e duhur për të filluar me kontratën e re sociale.
Nisur edhe nga diskutimi për shumë tema të lidhura me punën dhe tregun është nevoja për tu përgatitur secili nga palët për një takim mbarëkombëtar (sipas sektorëve jetikë) për të krijuar “Komitetet e pagave”, me objektiv fillestar përcaktimin e indeksimit të pagave pa patur nevojë për vendim qeverie, por të jetë një detyrim kontraktual në sfidim të praktikës së vjetër.
Pagat e punonjësve duhet të krijohen mbi baza kontraktuale flkeksibiliteti dhe të mos mbeten peng i dëshirës, marrëveshjeve dhe vullneteve politike, që kërkojnë të përfitojnë nga situata kaotike e tregut shqiptar.
Negociatat për pagat janë trepalëshe, duke përfshirë sindikatat, punëdhënësit dhe qeverinë, me marrëveshje të negociuar në nivel sektorial. Këshilli kombëtar i punës Trepalësh është organi përgjegjës për koordinimin dhe qeverisjen e marrëdhënieve të punës.
Aktualisht ka 12 sektorë dhe nënndarje të shumta të tyre që kanë nevojë të rishikojnë pikërisht modelin e indeksimit të pagës jo me vendime qeverie, por në formatin e përcaktuar në kontratat individuale dhe ato kolektive duke përdorur mekanizma gjysëmautomatikë të formës së rritjes, pa pritur asnjë palë të marrë meritat e vlerës që u takon punonjësve.
Qeveria duhet ta luajë rolin e saj të rëndësishëm në fazat e ndryshme të procesit. Çdo raund negocimi duhet të iniciohet nga pushteti ekzekutiv duke nxitur me iniciativën e vet ose prej kërkesës së njërës prej palëve. Qeveria duhet të angazhojë një analizë të plotë dhe një fizibilitet për të ardhmen duke synuar për rritjen e sugjeruar të pagave si dhe aspekte të tjera relevante të politikës së pagave që lidhen me punën e denjë dhe barazinë gjinore.
Për të përfshirë efektet reale të politikës monetare, modeli duhet të përfshijë përcaktimin e shkallëzuar të çmimeve dhe pagave. Ky model duhet të përfshijë edhe përgjigjen ndaj ndikimeve, që u ndeshën të forta në 2023 (por edhe më përpara) lidhur me:
(a) tregjet e brendshme të kredisë dhe luhatjet në tregun valutor, që çoi në rënie të besimit tek Euro dhe te monedhat e tjera me efekt në luhatshmërinë e vlerës së punës;
(b) çmimet e prodhimeve dhe shërbimeve që duhet të jenë vetëm në monedhën vendase dhe kjo do të përçohet e plotë te kursi i lirë i këmbimit, i cili deri më sot nuk ka qenë nën një rregjim të tillë. Kjo qasje e dominimit të lekut në çdo transaksion mund të zvogëlojë efektet negative të kursit të këmbimit dhe zhvlerësimit të vlerës së eksporteve;
(c) rregullat e indeksimit për përcaktimin e çmimeve dhe pagave që mund të përforcojnë efektet mbrojtëse të goditje nga inflacioni i çmimeve dhe pagave;
(d) spread-et e huamarrjes private dhe sovrane që lejojnë përcaktimin sasior të efekteve të monedhave të huaja në kursin e këmbimit.
Vlerësimet e harmonizuara të ndikuesve si më lart konfirmojnë rolin e rregullimit të pagës nominale dhe të indeksimit të vonuar të saj ndaj inflacionit vjetor në procesin e formimit të pagave.
Është e rëndësishme të theksohet se praktika e munguar e indeksimit të pagave na tregon nevojën e ngutshme për të kaluar këtë model të prapambetur në tregun e punës dhe kalimin në modelin e indeksimit të pagave sipas modelit të përcaktuar në kontratat e riformatuara të punës. Ky është një zhvillim i ri që duhet të bëhet në nevojën për një model tregu më të zhvilluar dhe më reflektiv ndaj luhatjeve të inflacionit dhe kursit të këmbimit. Kjo politikë që duhet të mendohet me kujdes duhet të përgjigjet ndaj sfidave aktuale të ekonomisë, që zhvillohet në kushtet e një tregu pjesërisht të lirë, i cili e humb shpesh herë forcën vepruese të tij dhe bëhet shumë vulnerabël për tu manipuluar nga lëvizjet e politikës së ditës dhe spekulimeve nga ndikimet e jashtme.
Së fundmi, ne sugjerojnë specifikimet ku rritja e produktivitetit të punës duhet të zëvendësojë shkallën e papunësisë dhe ky variabël duhet të jetë një forcë shtytëse për rritjen e pagave nominale.
[1] norma mesatare e rritjes së pagave arriti në rreth 14% gjatë tremujorit të katërt të vitit, duke reflektuar rritjen e pagave në sektorin privat (rreth 12%) dhe në sektorin publik (rreth 18%)
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.