FMN na tha mjaft gjëra edhe sivjet, por veprat e institucioneve vlejnë më shumë për ne

FMN na tha mjaft gjëra edhe sivjet, por veprat e institucioneve vlejnë më shumë për ne

Në deklaratën e fundit per media, të misionit të FMN-së shihet se ka mjaft komente bazuar mbi konstatime, që janë në një masë të dukshme përsëritje të rekomandimeve të mëparshme, si dhe një vlerësim më i freskuar i situatës ekonomike dhe financave publike, sipas kritereve vlerësuese të ekspertizës së misionit.

Nisur nga fakti se përsëritja e rekomandimeve tregon edhe nivelin e ecurisë së qeverisjes, ekspertët tanë kanë kryer një analizë ballafaquese për sa më lart me idenë e një këndvështrimi sipas publikut, pjesë e të cilit jemi edhe ne. Më poshtë jepen në formatin e një dialogu një përmbledhje e paragrafëve të deklaratës dhe një reagim bazuar mbi referenca dhe analiza bazuar mbi të dhëna të raporteve tematikë të institucioneve.

  1. Deklaruar nga misioni i FMN, Tetor 2022. Që prej vitit 2019, ekonomia shqiptare i ka përballuar goditje të shumta relativisht mirë. Pas një rritje të lartë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ka mbajtur një ritëm pozitiv këtë vit[1].

Komenti i ALTAX në 2022: Rrisqet e përmendura në raportin e FMN-së duhet të vendosin theksin më fort në realizimin e reformave ekonomike dhe performancën e politikave të brendshme fiskale dhe ecurinë e reformave dhe respektimin e afateve të investimeve dhe transparencën e huamarrjes, që konsiderohen si qëndrime që nuk kanë lidhje me luftën në Ukrainë dhe ndikimet prej tregut rus[2].

  1. Deklaruar nga misioni i FMN, Tetor 2023. Ekonomia shqiptare është shfaqur si një nga ekonomitë më të forta të rajonit[3].

Komenti i ALTAX në 2023: Nga gjithë sa sqarojmë më poshtë në mënyrë analizitike, duket se ekonomia shqiptare ka një performancë pozitive të ecurisë ekonomike, por përcaktimi i saj si një ndër ekonomitë e forta të rajonit është një term që nuk tregon realisht sa e fortë është ekonomia shqiptare, por rezulton më e fortë se disa ekonomi prodhuese dhe importuese, që nuk kanë patur vizitorë njësoj se Shqipëria dhe mali i Zi për të treguar nivel rritje më të lartë.

Mirëpo, në raportin e vjeshtës 2023 së Bankës Botërore[4] duket se ekonomia shqiptare parashikohet e dyta për nivelin e rritjes në rajon pas Malit të Zi, që pritet të rritet me 4.8% në 2023. Mesatarja e rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor për vitin 2023 parashikohet 2.5%, e ndikuar nga Maqedonia e Veriut me parashikim të rritjes me 1.8%, Serbia me parashikueshmëri prej 2%, Bosnjë-Hercegovina me 2.2% dhe Kosova me 3.2%.

Ky dallim në ecurinë ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor është i varur nga struktura ekonomike e secilit vend, ku Mali i Zi dhe Shqipëria bazohen te vizitorët dhe pasuria e paluajtshme, ndërsa Serbia, Bosnjë – Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova bazohen te prodhimi, shërbimet dhe tregtia dhe më pak te turizmi, pasuritë e paluajtshme apo infrastruktura.

Në sqarimin e termit ekonomi e fortë, sipas shumë përcaktimeve dhe kritereve nga shumica e informacioneve, shihet se duhet të përmbledhë së bashku:

Normë të lartë të rritjes ekonomike. Sipas komentit tonë, kjo nënkupton një zgjerim të prodhimit ekonomik, i cili do të çojë në të ardhura mesatare më të larta, prodhim më të lartë dhe shpenzime më të larta. Nisur nga raporti i Bankës Botërore dhe raporte të ngjashme, për Shqipërinë mbeten rezerva të mëdha, për tu konsideruar se janë përmbushur tregues të tillë.

Inflacion i ulët dhe i qëndrueshëm (nëse rritja është shumë e lartë, mund të fillojmë të shohim rritje të inflacionit). Sipas komentit tonë për Shqipërinë, mund të thuhet se niveli i inflacionit është tashmë më i ulët, por qëndrueshmëria e kësaj tendencë mbetet e dyshimtë, nisur nga fakti që Shtatori 2023 regjistroi një rritje të lehtë, si dhe sezoni i fund vitit, që shoqërohet me rritje çmimesh për produktet ushqimore dhe lëndë të para. Po ashtu, duke u bazuar te hyrja në fuqi e ligjit në vitin 2024 për rikthimin e tatimit në masën 15% mbi të ardhurat neto[5] për shumicën e aktiviteteve (sipas një njoftimi nga mediat rritja ndodh për 284 aktivitete) është arsye për të parashikuar se do të ndikojë në rritjen e çmimeve të shërbimeve dhe prodhimeve të tyre.

Rritja e normave të interesit për të mbajtur inflacionin të ulët. Sipas komentit tonë, Banka e Shqipërisë nuk ka njoftim të paralajmëruar për një rritje tjetër të normës bazë të interesit përtej asaj që zbatohet aktualisht.

Papunësi e ulët. Sipas komentit tonë, niveli i papunësisë së ulët është një tregues pozitiv për statistikat e tregut të punës duke mbetur shqetësues niveli i lartë i papunësisë te mosha e re, që do të thotë se treguesi konsiderohet pozitivisht me rezerva.

Rritje të eksporteve. Sipas komentit tonë për Shqipërinë ka një rënie të nivelit të eksporteve dhe kjo nuk ka gjasa të ndryshohet gjatë muajve të fundit të vitit 2023.

Produktiviteti i përmirësuar (produkte/shërbime të kryera më shumë në njësinë e kohës për punëtor). Sipas komentit tonë, produktiviteti i punës në Shqipëri u përmirësua me 0,50 % në vit në qershor 2023, krahasuar me një rënie prej 1,46 % në tremujorin e mëparshëm, sipas të dhënave më të fundit[6]. Ky tregues është një shenjë e përmirësimit të tij, por niveli në rritje vetëm në një tremujor është përsëri pasqyrë e një paqëndrueshmërie të ekonomisë.

– Rritje të investimeve. Sipas komentit tonë, niveli i investimeve publike për 9-mujorin 2023 janë kryer sa 29.2% më pak se programi. Ndërsa, investimet e huaja kanë një rritje prej 7%[7] është një tregues që përforcon hyrjen e kapitaleve në sektorët e ekonomisë, si: pasuritë e paluajtshme, si dhe sektorin e energjisë.

– Huamarrja në rënie e qeverisë. Sipas komentit tonë, huamarrja e qeverisë bazuar te akti normativ[8]i tetorit 2023 rritet tavani i huamarrjes së qeverisë deri në fund të vitit 2023.

– Besim i lartë i konsumatorëve dhe biznesit. Sipas komentit tonë, bazuar te Analiza e besimit të biznesit dhe konsumatorit[9] shihet se nuk ka ndodhur rritja e besimit për të dy grupet.

Në një qartësim të mëtejshëm, me një ekonomi të fortë kuptohet sektorë të fortë të ekonomisë dhe një cilësi e lakmueshme jetese, e cila nuk do të mbështetej plotësisht në një sistem bankar të korruptuar dhe në një flluskë të paqëndrueshme konsumatore[10].

Sipas ekspertit të ekonomisë, z. Meka mbështetet ideja se ekonomia është forcuar, ku shprehimisht thuhet se Duhet pranuar që ekonomia shqiptare, përtej problematikave dhe deformimeve të shumta që ka në formë dhe strukturë, ka arritur gjatë 4-5 viteve të fundit të sigurojë përmirësime dhe rritje (në këto elemente), duke ndikuar pashmangshmërisht në forcimin relativ të Lekut në tregun vendas.[11]

  1. Deklaruar nga misioni i FMN, Tetor 2023. Perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë e shëndoshë.
    Sipas të dhënave që disponon, misioni i FMN deklaron se “Shqipëria ka hasur vështirësi në mbylljen e hendekut të të ardhurave me vendet e BE-së. Informaliteti, mangësitë në mirëqeverisje dhe në shtetin e së drejtës, dobësitë në tregun e punës, hendeqet në infrastrukturë dhe presionet demografike kanë penguar shpërndarjen efikase të burimeve dhe kanë frenuar produktivitetin. Përmirësimet e mëtejshme në mirëqeverisje dhe shtetin e së drejtës do ta përmirësojnë mjedisin e biznesit. Është me rëndësi të madhe të rritet transparenca e sektorit energjetik dhe mirëqeverisja e ndërmarrjeve me pronësi shtetërore. Duke marrë parasysh rolin tejet të madh të energjisë nga burimet ujore dhe varësinë e ndërmarrjeve shtetërore të energjisë nga mbështetja publike, rregullimet graduale të tarifave në nivelet e reflektimit të kostos janë të nevojshme, së bashku me masa plotësuese për të mbështetur grupet në nevojë.” 

Komenti i ALTAX. Sipas analizës sonë, në një monitorim periodik të gjithë treguesve që janë publikuar dhe parashikimeve të shprehura nga Ministria e Financave nëpërmjet Kuadrit Makroekonomik e Fiskal[12], monitorimit të ekonomisë 8-mujori 2023[13] dhe statistikave fiskale të 9-mujorit 2023[14], raportit të korrikut 2023 mbi ekoonmnë dhe buxhetin[15], programit të reformave ekonomike 2023-2025[16] vërehet se rritja e shëndoshë e pritshme në 2024 nuk ka mundësitë dhe kapacitetet e nevojshme për të përmbushur ato tregues, të sqaruar një për një nga analistët tanë.

  1. Deklaruar nga misioni i FMN, Tetor 2023. Ulja e inflacionit duke përfituar nga përfitimet e regjimit të kursit të lirë të këmbimit.

Misioni i FMN deklaron gjithashtu, se “Kursi i lirë i këmbimit duhet të mbetet amortizatori kryesor i goditjeve, me ndërhyrje në tregjet e këmbimit valutor të kufizuara për t’iu përgjigjur kushteve të çrregullta të tregut.
De-euronizimi i mëtejshëm i ekonomisë do të maksimizonte përfitimet nga kursi i lirë i këmbimit dhe regjimi i shenjëstrimit të inflacionit. Përveç masave të marra nga BSH-ja, një de-euroizim efektiv duhet të mbështetet nga veprime të qeverisë për të nxitur përdorimin e monedhës vendase në vendosjen e çmimeve dhe pagesat e mallrave të patregueshme.”

Komenti i ALTAX. Sipas analizës sonë, bazuar mbi një sërë analizash të mëparshme dhe studime tematike[17] mbi rastin e zhvlerësimit të shpejtë të euros dhe monedhave të tjera dhe forcimit të lekut, ne kemi të njëjtat mendime lidhur me procesin e de-euroizimit, i cili ka patur mangësi në zbatimin e e tij nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, aq më shumë kur Strategjitë e miratuara dhe të pranuara për zbatim, si p.sh. strategjia për pagesat me vlerë të vogël në Shqipëri[18] nuk ka asnjë raport monitorimi dhe vlerësimi se si ecin dhe zbatohen masat që deklarojnë institucionet qendrore.

Nga ana tjetër, masat e administratës fiskale në drejtim të mospërhapjes së euros në transaksionet e përditshme nga bizneset nuk ka asnjë informacion që të ketë vepruar e vetme apo në koordinim me institucione të tjera. Në drejtim të përmbledhjes së analizave tona, ne shprehemi  se duhen zbatuar rekomandimet sipas FMN, por me një transparencë dhe llogaridhënie bazuar mbi rezultate që tregojnë përgjegjshmërinë e qeverisjes institucionale.

  1. Deklaruar nga misioni i FMN, Tetor 2023. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Sipas të dhënave që disponon, misioni i FMN deklaron se “Zbatimi i vendosur i politikave për zhvillimin dhe mbajtjen e kapitalit njerëzor duhet të nxisë rritjen potenciale dhe të përmirësojë standardet e jetesës. Fushat kyçe përfshijnë (i) modernizimin e kurrikulës arsimore, (ii) përmirësimin e përshtatshmërisë së tregut të punës dhe cilësisë së arsimit dhe trajnimit profesional, (iii) investimin në aftësitë digjitale dhe (iv) nxitjen e mjedisit kërkimor dhe zhvillimor (R&D), duke ushqyer novacionet.
Masat për nxitjen e pjesëmarrjes në forcat e punës së grave, përfshirë rritjen e qasjes në kujdesin për fëmijët, do të ndihmojë në ngushtimin e hendekut gjinor, që mbizotëron për gratë pa arsim universitar.
Duhet të ketë burime të mjaftueshme buxhetore dhe mekanizma monitorues për të siguruar, që përpjekjet e autoriteteve në këto fusha të përkthehen në rezultate më të mira.”

Komenti i ALTAX. Sipas vëzhgimit tonë është duke u avancuar në gjithë sa përmendur më lart, të cilat konfirmohen edhe nga raporte monitorimi sektoriale, si dhe nga raporti i krahasimit të ecurisë së detyrave të kryera (Screening Report, Korrik 2023) [19] nga Shqipëria në funksion të anëtarësimit në BE. Gjithsesi nevojitet një vullnet i fortë dhe i pakapur nga grupe interesi të ndryshme, që të realizohen realisht brenda pak vitesh ato reforma në funksion të rritjes së qëndrueshme. Përmbushjet deri tani të objektivave të rritjes së qëndrueshme janë ende larg pritshmërive[20].

  1. Deklaruar nga misioni i FMN, Tetor 2023. Autoritetet kanë ndërmarrë një konsolidim të konsiderueshëm fiskal në vitet pas pandemisë, me përmirësime të dukshme në mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar.

Komenti i ALTAX. Sipas vëzhgimit tonë, mbledhja e të ardhurave nga TVSH le per te dëshiruar, pasi është me poshtë se programi, per arsye me se shumti te varësisë se  saj nga importet dhe per arsye te informalitetit te larte dhe mungesës se eficences se fiskalizimit. Konsolidimi fiskal[21] është e vertete se ka përmirësime të dukshme në drejtim të reduktimit të deficitit buxhetor në vitin 2022 ishte më i ulët se planifikimi[22]. Ndërkohë, që nga treguesit për 9-mujorin 2023, deficiti korrent është me tendencë rritje krahasuar me buxhetin fillestar 2023[23], por që nga ndryshimet e buxhetit në 2023 duket se do të ruhet i njëjti nivel i deficitit buxhetor (sa 2.6% e PBB-së). Ndërkohë, duke cituar ekspertin e financave, z. Meka “Përfituesit nga një Lek kaq i fortë në ekonomi janë disa grupe interesi, ku padyshim Qeveria, jo vetëm ka ulur (kontabilisht) madhësinë e borxhit të jashtëm (i cili merret në monedhë të huaj, por kontabilizohet në Lek), por ka ulur edhe koston e shërbimit të tij, po për të njëjtën arsye. Zvogëlimi me mbi 12% i madhësisë së borxhit publik dhe i kostos së shërbimit të tij është një avantazh dhe mundësi e artë për çdo qeveri, sidomos në kushtet kur për këtë zvogëlim nuk janë bërë përpjekje dhe sakrifica buxhetore, ekonomike dhe politike, madje mund të marketohet dhe trumbetohet si një arritje e qeverisë, falë punës së saj të mire. Nisur nga ky fakt nevojitet që analizat dhe deklarimet e institucioneve me emër të mirë ndërkombëtar të shprehen më thellësisht dhe qartësisht, nisur nga fakti se ky institucion përdoret në gjithë rastet e justifikimeve të politikave që nuk kanë ecur sipas pritshmërive apo nuk pritet të ecin mirë.

  1. Deklaruar nga misioni i FMN, Tetor 2023.
    Një përpjekje më e madhe fiskale se parashikimi aktual për 2024, mbetet kritike ndërkohë, që Shqipëria vijon të përballet me nevoja të larta për financim bruto.
    Nevojitet një strategji të ardhurash afatmesme për një konsolidim të besueshëm fiskal.
    Masat afatmesme dhe afatgjata kërkojnë përmirësime të efikasitetit.
    Progresi i vazhduar në reformat fiskale strukturore do të ndihmojë në forcimin e menaxhimit të financave publike.
    Sektori financiar mbetet kryesisht i qëndrueshëm, por vijon të ketë hapësira cenueshmërie.

Komenti i ALTAX. Sipas analizës sonë për raporte të shkuara dhe ato që janë aktualizuar në këtë mision mendojmë se gjithshka sa lidhet me ato që rikonstaton ekspertiza e lartë e FMN-së është e nevojshme që të ketë një reagim me përgjegjshmëri dhe me nivel reagimi të shpejtë në kohë, pasi shpërdorimi i burimeve të angazhuara ndër vite nga qeveritë është tashmë në nivele kritike. Ekspertët tanë kanë komentuar në mjaft raste pikërisht forcimin e reformave, por qeveria ka forcuar patronazhimin politik dhe një sistem të bazuar jo te meritokracia.

Nëse kërkohet të bëhen dhe qeveria aktuale e ka seriozisht angazhimin për përmbushjen e tyre, atëherë shenjat e ndryshimit duhen filluar duke ndryshuar drejtuesit pa meritokraci në administrimin fiskal dhe bashkë me të përmbushjen e misionit të administrimit fiskal.

[1] https://www.imf.org/-/media/Files/News/mission-concluding-statement/albania-alb-2022-article-iv-concluding-statement.ashx

[2] https://altax.al/raporti-i-dhjetorit-2022-i-fmn-per-shqiperine-qendrimi-e-autoriteteve-shqiptare-dhe-mendimi-jone/

[3] https://www.imf.org/-/media/Files/News/mission-concluding-statement/2023/mcs102723-albania-alb-staff-concluding-statement-of-the-2023-article-iv-mission.ashx

[4]https://documents1.worldbank.org/curated/en/099101623051741490/pdf/P50064801939bc0a00a0d2077a3883b52c9.pdf, faqe 4

[5] Diferenca mes të ardhurave të faturuara dhe shpenzimeve të kryera

[6] https://www.ceicdata.com/en/indicator/albania/labour-productivity-growth

[7] https://altax.al/bilanci-i-pagesave-na-tregon-se-ekonomia-performon-dobet-dhe-pse-turizmi-tregon-shenja-rritje/

[8] https://qbz.gov.al/eli/akt-normativ/2023/10/18/5/dad8e920-357b-4eec-adb9-555a154e61f3

[9] https://www.bankofalbania.org/Politika_Monetare/Vrojtimet/Vrojtimi_i_bizneseve_dhe_i_konsumatoreve/Analiza_VBBK_shtator-2023.html

[10] https://www.collinsdictionary.com/dictionary/english/strong-economy

[11] https://www.balkanweb.com/superleku-perballe-euroizimit-te-njeanshem-te-ekonomise-kombetare-midis-realitetit-te-perditshem-dhe-fantazive-te-permbysura-teorike/

[12] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2023/02/Kuadri-Makroekonomik-e-Fiskal-2024-2026.pdf

[13] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2023/10/Ekonomia-ne-Fokus-Gusht-2023-.pdf

[14] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2023/10/Treguesit-analitik-fiskal-SHTATOR-paraprak-2023-13.10.2023.pdf

[15] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2023/10/Ekonomia-dhe-Buxheti-Korrik-2023..pdf

[16] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2023/03/ERP-2023-2025.pdf

[17] https://altax.al/tag/kursi-kembimit/

[18] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/STRATEGJIA_KOMB_TARE_P_R_PAGESAT_ME_VLER_T_VOG_L_N_SHQIP_RI_2018_12125.pdf

[19] https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/system/files/2023-07/AL%20Cluster_1%20Draft%20screening%20report_external%20version.pdf

[20] https://www.instat.gov.al/media/11279/sdg-2022-shqip.pdf

[21] përshkruan politikën e qeverisë që synon të reduktojë deficitin dhe akumulimin e borxhit

[22] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2023/03/Treguesit-analitik-fiskal-DHJETOR-2022-15.02.2023.pdf

[23] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/12/Tabela-4-Treguesit-fiskale-t-2-deri-t2-2023.xls

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.