Demonetizimi për Shqipërinë ose përvoja indiane në luftimin e parasë informale dhe korrupsionit
Demonetizim[1] ose tërheqje nga qarkullimi të kartëmonedhave 5000 dhe 2000 lekë, – kjo është çështja!
Demonetizimi (dalja nga qarkullimi) i parasë u prezantua nga qeveria e Indisë më 8 Nëntor 2016, me një akt të panjoftuar më parë për qytetarët dhe bizneset, duke u justifikuar me 4 objektiva:
- Luftimin e korrupsionit
- Ndalimin e falsifikimin të parasë
- Kufizimin e “parasë së zezë” dhe legalizimin e saj si pjesë e ekonomisë formale
- Parandalimin e parasë në përdorimin për financim të terrorizmit
Demonetizimi ashtu si ndodhi në Indi nuk ka precedent në historinë ekonomike botërore, përsa i përket ruajtjes së konfidencialitetit dhe befasisë me të cilën u zbatua në të njëjtën kohë në mbarë vendin.
Me këtë politikë, Banka Qendrore e Indisë nxorri nga qarkullimi 86% të monedhës vendase për dy kartëmonedhat me prerjen më të madhe (500 dhe 2000 rupi). Qytetarëve ju dha 50 ditë kohë për të justifikuar në bankë paratë e vjetra në këmbim të prerjeve të reja. Gjoba për mosjustifikim ishte 200%. Shuma e parave për tu zëvendësuar për shpenzime ditore nga Banka Qendrore ishte 45 miliard US. Dollarë. Befasia e gjeti të papërgatitur Bankën dhe nuk arriti dot ta hidhte në qarkullim gjithë vlerën.
Efektet dhe pasojat në Indi pas 3 vitesh zbatimi
Në Indi, afër 90% e parasë në qarkullim u fut në sistemin bankar. Ndërkohë, që nga rritja e mbledhjeve të tatimit mbi të ardhurat si efekt i rritjes së depozitimeve në banka rriti dhe pastroi akoma më tej sistemin fiskal. Problematikë fillestare patën sektori bujqësor (pjesë të tij), shitjet e makinave dhe shërbime që përdornin masivisht cash. Por, të ardhurat u rritën me gati tre fish se përpara politikës së demonetizimit.
Pa hyrë në analizë dhe kërkime të thelluara për këtë politikë, më poshtë është konkluzion paraprak për rastin e Indisë, e cila e filloi ta përdorë prej Nëntorit 2016.
Efektet kryesore pozitive dhe negative në rastin e Demonetizimit të dy kartëmonedhave në Indi
Cilat do të ishin disa konsiderata për zbatim në vendin tonë?
Nëse flasim për dimensionet që mund të rrokë një akt i ngjashëm, situata e tregut të kartëmonedhave në Shqipëri është:
Prerje 2,000 Leke: 28,075 mije kartëmonedha me vlere 56,149 miliard leke
Prerje 5,000 Leke: 29,325 mije kartëmonedha me vlere 146,625 miliard leke
Të dy kartëmonedhat bashkë kanë një vlerë monetare prej 202.774 miliard leke (1.5 miliard euro) apo sa 78% e gjithë vlerës së kartëmonedhave në qarkullim në fund të vitit 2016.
Suksesi varet kryesisht nga një koordinim shumë ndryshe nga përvoja deri më sot midis Bankës Qendrore me Ministrinë e Financave, pasi vlera kryesore e gjithë kësaj politike është te identifikimi i përdoruesve dhe akumuluesve të parasë së zezë pa asnjë justifikim të burimeve të tyre.
Me këtë veprim e gjithë paraja informale do të detyrohet të depozitohet nëpër banka, ose përndryshe paraja gjendje nuk mund të përdoret më tej, nëse nuk taksohet dhe pastrohet në këtë mënyrë. Nga ana tjetër, ky veprim do të eliminojë përdorimin e dhënies së huave me fajde, që aktualisht po fillon të përdoret për arsye se mbështetet nga informaliteti i parasë dhe ekonomisë.
Po kështu, edhe përdorimit të parasë informale nga elementë terroristë dhe keqbërës do të minimizohet konsiderueshëm duke parandaluar financimin e tyre.
Suksesin më të madh e ka në kërcënimin dhe evidentimin e korrupsionit në sektorin publik, pasi nxjerr zbuluar paranë që mbahet gjendje jashtë sistemit bankar, e cila është grumbulluar nga individët në mënyra informale dhe kriminale. Nga ana tjetër, kjo lëvizje kombinohet me procesin e Vettingut, që do të jetë i gjatë dhe kompleks pikërisht, për shkak të situatës financiare informale në vend.
Një efekt i shtuar në formalizimin e ekonomisë është se me rritjen e parasë brenda sistemit financiar do të ndryshojë edhe sjellja e qytetarëve ndaj parasë. Kjo situatë e ndryshuar do të rritë përdorimin e teknologjisë elektronike në transaksionet e përditshme të qytetarëve.
Një element, që duhet patur parasysh me qëllim që të mësohet nga gabimet në zbatim është një organizim më cilësor lidhur me bankat e nivelit të dytë dhe gatishmërinë për tu shërbyer menjëherë një kontingjenti të popullsisë prej më shumë se 20% të saj (600 mijë).
Një ndikim të madh do të ketë edhe në marrëdhëniet me sektorin e tregtisë së jashtme dhe forcimin e besimit të investitorëve të huaj.
Aktorët kryesorë institucionalë në Shqipëri për zbatimin e saj do të mund të përfshinin:
- Këshilli i Ministrave
- Banka e Shqipërisë
- Bankat e nivelit të dytë
- Ministria e Financave (Tatimet, Doganat, Pastrimi i Parave)
- Qendra Kombëtare e Biznesit
Të mësojmë nga disa gabime dhe eksperienca indiane
India kishte një varësi te qarkullimi i parasë me cash në nivelin e 79% të transaksioneve gjithsej. Efekti menjëherë pas tërheqjes nga qarkullimi të dy kartëmonedhave në Indi
Radhë të gjata të njerëzve të painformuar mbi efektet dhe të kapur nga paniku se mos humbnin kursimet që mbanin jashtë bankave.
Panik te njerëzit që punonin informalisht dhe kishin para për të marrë për punë të palikujduara ende. Gjithë shitësit me lekë në dorë u ndjenë të kërcënuar nga ky veprim dhe u bënë menjëherë sqarime dhe orientime nga zyra të krijuara posaçërisht për këtë qëllim për pasojat dhe veprimet që duheshin ndërmarrë.
Reagimi i ashpër nga opozita, megjithëse jo të gjithë opozitarët kishin një qëndrim të njëjtë. Disa reaguan me forcë, ndërkohë që të tjerë mirëkuptuan apo heshtën.
Ndërsa bizneset e mëdha që operonin me bankë, si dhe qytetarët që kishin kulturë financiare dhe operonin me bankë u orientuan të operonin nëpërmjet bankës në rrugë elektronike apo shërbimeve të dedikuara.
Qytetaret që nuk ishin të familjarizuar me bankomatet ishin më të shumtët e atyre që qëndronin nëpër radha dhe dyert e bankave. Bankomatet gjithsesi nuk ishin të gjitha në punë dhe kjo krijoi pengesa të tjera.
Kartëmonedhat e reja që dolën në qarkullim ishin të prerjeve dhe trashësive te ndryshme dhe kjo nuk ishte menduar, për tu kalibruar në rastin e përdorimit me bankomate. Gjithsesi kufiri ditor i tërheqjeve krijoi probleme për pagesa më shumë se limiti, për të paktën 100 ditë që ishte koha e pikut. Por, duke qenë se u lejua për pak kohë pranimi i parasë së vjetër vetëm për spitalet dhe pikat e karburanteve, krijoi njëfarë shfryrje.
Në finale, ky veprim do të dekurajojë për më tej përdorimin masiv të parasë cash duke rritur ndjeshëm parametrat dhe treguesit formalë të ekonomisë me një rritje të reputacionit të Shqipërisë.
Nëse gjithë kjo politikë (në kuptim metaforik ngjan me zbaticën) mundet të avancohet edhe më tej se rasti në Indi, do të ishte me vlerë diskutimi lidhur me furnizimin me shumicë me para (batica) për të zgjidhur pagesat për çështje të mprehta sociale si: kompensimi pronarëve, ish-të përndjekurve etj., përtej asaj që bën normalisht Banka e Shqipërisë (helicopter Money) do të kishte një ndryshim të status quo të ekonomisë drejt ndryshimit të institucioneve dhe tregut financiar.
[1] Demonetizimi është procesi ku bëhet dalje nga qarkullimi i një monedhe të caktuar. Zakonisht kryhet në vende, të cilat merret vendim për të nxjerrë një monedhë të caktuar në qarkullim. Arsyet mund të jenë të lidhura me hiper inflacionin (kur inflacioni rritet me shume se 20%), apo kur kërkohet të luftohet korrupsioni nga ekonomia. Konsiderohet si një mënyrë efektive për të eleminuar paranë e zezë nga ekonomia.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.