Politika monetare dhe fiskale, si përgjigje ndaj katastrofës natyrore. Rasti Shqipërisë

Politika monetare dhe fiskale, si përgjigje ndaj katastrofës natyrore. Rasti Shqipërisë

Qeveria duhet të marri në konsideratë përdorimin e metodave të hartuara nga ekspertë që kanë studiuar qasjet për parandalimin dhe përballimin e efekteve prej fatkeqësive natyrore.

Në një kontekst më të gjerë, vlerësimet e rriskut për fatkeqësinë natyrore duhet të integrohen në kornizën e politikës fiskale afatmesme (duke përfshirë hartimin e buxhetit, planifikimin e investimeve publike dhe menaxhimin e borxhit). Në mënyrë të veçantë, qeveria duhet të integrojë rregullisht vlerësime të mundshme të shpeshtësisë dhe ashpërsisë së katastrofave natyrore (përmbytje, zjarre etj.), analizave të kostove të mundshme fiskale dhe strategjive gjithëpërfshirëse të financimit për shpenzimet post-katastrofë në kornizat e tyre fiskale afatmesme.

Duke krijuar parashikimet adekuate fiskale brenda formatit të buxhetit, një qasje e bazuar në rriskun për menaxhimin fiskal mund të ndihmojë në përcaktimin e masës së nevojshme të vetë-sigurimit, si dhe numrin e burimeve që duhet të ndahen për parandalimin dhe zbutjen e ndikimeve të fatkeqësive natyrore.

Kështu, kryerja e vlerësimeve të sakta të kostove të mundshme fiskale është e nevojshme për të lehtësuar përgjigjet e duhura nga situata post shkatërrimi dhe për të mundësuar analiza më të mira të kostos-përfitimit të programeve të ndryshme të zbutjes së rriskut dhe të sigurimeve. Këto vlerësime mund të bazohen nga historia e një vendi për katastrofat natyrore. Strategjia e investimeve publike duhet të forcojë qasjen për rezistencën e infrastrukturës ndaj rreziqeve nga katastrofat dhe të përfshijë detyrime të rregullta të kushtëzuara të qeverisë, të cilat lindin nga fatkeqësitë natyrore, mund të përfshijnë kostot e riparimit të infrastrukturave të qeverisjes lokale ose ndërmarrjeve shtetërore.

Buxheti i shtetit për disa vite pas fatkeqësisë natyrore, si kjo e 26 Nëntorit 2019 duhet të ketë fleksibilitet për të siguruar përgjigje në kohë dhe efektivisht ndaj katastrofës së radhës. Në përgjithësi, fleksibiliteti duhet të përfshijë mundësinë e rishpërndarjes së shpejtë të shpenzimeve nëpër zërat e buxhetit, si dhe proceset e efektshme për përgatitjen dhe ratifikimin e buxheteve të rishikuara.  Planet e paparashikuara për financimin e lehtësimit të fatkeqësive dhe rimëkëmbjen pas fatkeqësive duhet të mbështeten në një përzierje të planeve te mundshme për përgjigje ndaj katastrofave, duke përdorur burime të huazuara ose grante, si dhe transferim të rrezikut duke përdorur sigurimet, instrumentet e borxhit, si dhe opsionet e tjera të tregut të kapitalit.

Në varësi të shtrirjes së pasojave nga fatkeqësia natyrore, përvoja ndërkombëtare sugjeron rezervimin e deri në 3 përqind të shpenzimeve në mënyrë që të merren me rreziqet fiskale që lidhen me fatkeqësitë natyrore (Cebotari dhe të tjerët 2009). Fondet e papërdorura, brenda kufijve të caktuar mund të transferohen në fund të vitit buxhetor në një zë fiskal tjetër, ose të mbarten për vitin në vijim (p.sh. për t’u përdorur gjatë një katastrofe të ardhshme, ose për nevoja të tjera emergjente sociale etj. të qeverisë).

Politika monetare

Katastrofa natyrore mund të shkaktojë një konflikt midis dy objektivave që janë objekt monitorimi dhe rregullimi midis qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë. Nga njëra anë, rritja e njëkohshme të çmimeve, pra inflacionit dhe nga ana tjetër tendencat afatshkurtra për ulje të tendencës rritëse të ekonomisë.

U takon Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, që të dyja të harmonizuara në politikat dhe objektivat të rivlerësojnë objektivat dhe të ndjekin rrjedhën më të mirë të veprimit.

Për shkak se fluksi fillestar i inflacionit pas një katastrofe është i përkohshëm, i lokalizuar dhe i përqendruar në sektorë të veçantë, politika monetare duhet të ndikojë në mbajtjen e inflacionit të ulët.  Edhe nëse Banka e Shqipërisë do të donte të kontrollonte inflacionin, nuk mund ta bëjë këtë pa rritur ndjeshëm normat e interesit pasi politika monetare synon të gjithë ekonominë, e cila do të ushtronte presion të mëtejshëm në një ekonomi tashmë të ngadalësuar. Mbajtja e politikës monetare ekspansioniste do të siguronte në këtë kontekst likuiditet shtesë për sistemin financiar dhe do të mbante besimin e lartë pas pasigurisë që sjell katastrofa.

Sidoqoftë, si niveli i interesit para katastrofës ashtu edhe niveli i inflacionit mund të kufizojnë përdorimin e politikës monetare.  Por, ndërkohë Banka e Shqipërisë edhe mund të ulë normat e interesit për të stimuluar shpenzimet që ndikohen prej interesit, siç janë investimet kapitale dhe konsumi i mallrave dhe shërbimeve të përditshme dhe bazë.

Politika fiskale

Ndërsa politika monetare zhvillohet nën diskrecionin e Bankës qendrore të pavarur, politika fiskale duhet të balancojë perceptimin publik, opozitën dhe rriskun e borxhit publik në vendosjen e një politike, si për të financuar një përgjigje fiskale, ashtu edhe në mënyrën si do të shpërndahen paratë te viktimat nga katastrofa.

Fatkeqësitë natyrore ndikojnë si në shpenzimet qeveritare ashtu edhe në të ardhurat nga tatimet me ndikim të menjëhershëm dhe me shtrirje edhe për periudha afatmesme. Sidoqoftë, nga gjithë procesi i rindërtimit pritet të ketë një rritje të të ardhurave tatimore, pasi aktiviteti ekonomik për rikuperimin e pasojave duke nisur me procesin e rindërtimit do të japë efekte në rritjen e të ardhurave të bizneseve që marrin pjesë në këto projekte, që do të financohen nga fondet e buxhetit, por edhe nga fondet e huaja, që janë një hyrje kapitali për investime direkte në ekonomi. Në anën e shpenzimeve, qeveria ka tre mundësi për të financuar një ndryshim në politikën fiskale.

Ajo mund të riorientojë fondet nga projektet e planifikuara dhe të shkurtojë shpenzimet ekzistuese, të marrë hua ose të rrisë taksat. Për efektivitetin maksimal, opsioni i zgjedhur duhet të jetë në përputhje me kushtet mbizotëruese ekonomike.  Nëse mbizotërojnë frika për inflacionin e lartë dhe frika se ekonomia mund të mbinxehet nga kufizimet e ndryshme dhe rritje të barrës së taksave, një taksë e përkohshme për qytetarët do të ishte më e efektshmja pasi riorienton fondet në zonat me nevoja të ngutshme duke ulur njëkohësisht kërkesën për fonde shtesë nga bizneset private.

Kur ndodh një fatkeqësi natyrore, financat e qeverisë janë të ndjeshme në dy fronte.

Së pari, aktiviteti ekonomik mund të tkurret fillimisht, në një periudhë afatshkurtër, duke ulur edhe mbledhjen e të ardhurave tatimore. Por, ndikimi në uljen e të ardhurave varet shumë nga shtrirja e diversifikimit ekonomik dhe struktura e të ardhurave tatimore.  Efektet ndryshojnë në varësi të sektorëve ekonomikë dhe burimeve të të ardhurave (p.sh.tatimi mbi të ardhurat personale (TAP), taksat kombëtare, TVSH apo detyrimet doganore, etj.).

Së dyti, përpjekjet për lehtësim dhe rindërtim pas fatkeqësisë mund të rrisin shpenzimet publike dhe të prekin shpenzime të tjera me përparësi, por edhe me efekte potencialisht afatgjata në forcimin e kapitalit njerëzor dhe shkallën e rritjes potenciale të një sektori ekonomie. Nëse ekonomia konsiderohet se performon dobët (nën kapacitetet potenciale të saj), atëherë huamarrja është qasja më efektive pasi ka efekt shtesë të rritjes së kërkesës agregate mbi burimet e riorientuara.

Sidoqoftë, aftësia e një qeverie për të marrë hua është e kufizuar nga borxhi publik ekzistues, pasi borxhet shtesë mund të rrisin primin e rriskut dhe kostot shtesë mund të tejkalojnë përfitimet.  Rrisku i borxhit të tepërt është veçanërisht i madh kur performancës së ulët të mbledhjes së të ardhurave tatimore i shtohen efekteve negative që vijnë prej shpenzimeve shtesë të diktuara nga pasojat e katastrofës.

Kjo është arsyeja pse Japonia, si vendi me barrën më të lartë të borxhit në grupin e vendeve të industrializuara, zgjodhi të mos marrë hua për fondin e ndihmës emergjente pas tërmeteve, pavarësisht një ekonomie në tkurrje në ato vite.

Duke përdorur fondet e mbledhura, qeveria në harmonizim me Bankën qendrore mund të kompensojë viktimat përmes pagesave të hedhjes së parasë shtesë në qarkullim, të kontribuojë në projekte të infrastrukturës publike ose të subvencionojë industri të prekura duke zbatuar përkohësisht politikën e ofertës direkte me para (Helicopter Money).

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: