VLORË: FENOMENI I MIGRIMIT, BILANC POZITIV TË RAPORTIT HYRJE – DALJE TË REZIDENTËVE
Migrimi, si një fenomen i cili ka prekur thuajse të gjithë territorin Shqiptar, sipas statistikave vërehet se për Bashkinë e Vlorës, por edhe për qarkun ka një bilanc pozitiv të raportit të hyrjeve dhe daljeve të rezidentëve, në vitin 2021. Pjesa e popullsisë së bashkive kufitare me Bashkinë e Vlorës (Bashkia Selenicë, Himarë kanë humbur deri në 10% të fuqisë aktive të punës, sic është rasti në Bashkinë Himarë me 113 banorë më pak dhe në Bashkinë Selenicë me 230 banorë më pak. Demografia lidhur me strukturën gjinore anon lehtësisht nga meshkujt (50.1% meshkuj dhe 49.9% femra)[1]. Megjithatë, në qarkun e Vlorës është dominuese popullsia në moshë pune (15-64 vite) dhe me një tendencë moshimi të popullsisë rezidente vendin e dytë në strukturën e popullsisë e mban mosha mbi 65 vite (16% e popullsisë gjithsej). Ky tregues është sinjalizim për rrisqe të ardhme lidhur me problemin e përjashtimit social të të moshuarve. Por nga ana tjetër, popullsia në moshë pune është një tjetër tregues ndjeshmërie fiskale lidhur me potencialin e formalizimit të ekonomisë për të përballuar faturat e ardhme sociale.
Vini Re!
Zonat rurale, në kushtet e një lëvizje migratore në kah negativ me shumë bashki në vend është një tregues tjetër për orientimin e investimeve publike në objekte sociale, shëndetësore dhe arsimore, kulturore, sportive, të cilat nevojiten në rastin e prezencës së popullsisë aktive (arsimi) dhe asaj të moshuar (qendra shëndetësore).
Lëvizjet e popullsisë si jashtë dhe brenda Bashkisë nuk kanë ndikuar në uljen e popullsisë. Bashkia Vlorë përbën specifikë krahasuar me bashkitë e tjera për një bilanc pozitiv të lëvizjes migratore, nisur nga prania e burimeve natyrore mbitokësore, si dhe nga hyrje të rezidentëve nga zonat rurale dhe zona të tjera të vendit, si nëpërmjet programeve zhvillimore duke u përfshirë në funksion të turizmit masiv. Në vitet e fundit është objekt i Planit të Përgjithshëm Kombëtar (PPK) “Shqipëria 2030” për zhvillimin e territorit nëpërmjet urbanizimit. Sipas Vjetarit statistikor Rajonal, 2021 të INSTAT[2] migrimi i brendshëm neto (hyrje-dalje) në vitin 2021 në nivel qarku është në ulje të dukshme, nëse krahasohet me vitin 2017[3]. Migrimi neto i brendshëm në 2017 ishte -191 banorë, ndërsa në 2021 është 248 banorë. Vlora bën dallim për rezultatin pozitiv në migrimin e brendshëm, ku kjo tendencë duket edhe në pakësimin shumë të vogël të popullsisë, që ka ndikim me një numër mesatar më pak prej 740 banorësh gjithsej[4] (< 0.5% e popullsisë). Edhe ajo pjesë që kanë ndryshuar vendbanimin kanë lëvizur në qendrat urbane më të mëdha, kryeqytetin e vendit, Bashkinë Tiranë dhe bashkitë e tjera fqinje, por edhe jashtë vendit[5], kryesisht si një nivel i pranueshëm migrimi.
Gjithsesi për lëvizjen migratore brenda vendit ka edhe kërkesa ligjore që nuk ndalojnë lëvizjen e lirë, por janë detyrim ligjor për tu zbatuar. Mosveprimi i punonjësve për lëvizjet e popullsisë ndikon në politika të pasakta në vendimmarrjen për ndarjen e fondeve, për momentin e zgjedhjeve dhe për përfitimin e shërbimeve që jepen nga qeverisja qendrore.
Kërkesat ligjore që lidhen me migrimin e brendshëm janë:
Regjistrimi i vendbanimit në zyrën e gjendjes Civile
Regjistrimi i fëmijëve në shkollë
Transferimi i dosjes së automjetit
Regjistrimi te Qendra Shëndetësore
Regjistrimi për pensionin
Problemet migratore që mund të lindin do të kenë ndikim negativ në grupmoshat e reja dhe tregun e punës. Migrimi i brendshëm në Vlorë edhe pse nuk ka problemet që kanë qytetet e tjera është i prirur gjithsesi që të ofrohet drejt tregjeve jo vetëm të brendshme, por kryesisht jashtë vendit për pagesa më të mira të vlerës së punës.
Dy kategori të popullatës, të rinjtë dhe të rejat, të cilët e gjejnë veçanërisht të vështirë pjesëmarrjen në tregun e punës në vend kanë edhe më shumë nxitje për migrim nga Vlora Në një monitorim të peshës që mban grupmosha 0-14 vite dhe grupmosha 15-64 vite, shihet se në 2021 ka një ulje të grupmoshës 0-14 vjeç në raport me popullsinë e Vlorës me 2.1% më pak dhe më stabël grupmosha tjetër me një deviancë vetëm 0.2% më pak. Si faktorë të brendshëm janë nxitësit ekonomikë lidhur me vlerën e ulët të krahut të punës në treg dhe nxitja për rimarrje të kësaj vlere të munguar në tregun e brendshëm në tregje te huaja. Faktor tjetër është edhe gjendja e përgjithshme e ekonomisë (të ardhurat /frymë), që kanë ndikimin kryesor në këtë deviancë. Si faktorë të jashtë, janë kushtet e favorshme ekonomike në vendin e destinacionit, perspektiva e pagave më të larta, mundësive më të mira të punësimit dhe krijimit të kapitalit[6].
Kujdes!
Problemi i migrimit do të fillojë të ndihet edhe më shumë në bizneset vendore, ashtu si në gjithë vendin, për arsye të largimit të specialistëve të ndryshëm në sektorin privat që kërkojnë një pagesë të lartë të aftësive të tyre në tregun e huaj. Në këtë rast, Bashkia në koordinim me institucionet rajonale duhet të sensibilizojnë nisma për një marëdhënie të re midis punëdhënësve dhe punëmarrësve për rikualifikimi të pagës dhe indeksim të saj sipas edhe kushteve aktuale të ekonomisë nën inflacion.
Vëmendje! Ne do ta analizojmë dhe sjellim si një rast për tu kthyer në praktikë të mirë.
Nga verifikimi i të dhënave statistikore për vitet 2017 dhe 2019 (niveli punësimit është i 2021) shikohet se papunësia është rritur me 8.7% dhe punësimi me 6.1%, ku ritmet e papunësisë janë 42.6% më të larta se ritmet e punësimit. Edhe pse sipas studimeve është e pamundur të rriten të dyja së bashku në të njëjtën kohë, një shpjegim gjendet te hyrjet e qytetarëve dhe te statistikat e regjistrimit të të papunësuarve.
Nëse shikojmë edhe treguesin e të ardhurave për frymë, i cili në vitin 2017 ishte 459.4 mijë Lekë dhe në vitin 2021 është 454 mijë lekë[7], atëherë tendenca për migrime të ardhme duhet analizuar në raport me investimet që planifikohen, por edhe mbështetjen për një ekonomi të strukturuar bazuar mbi traditën agrobujqësore dhe peshkimin, përveç infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale.
Në dimensionet e zhvillimit të numrit të bizneseve të tregut privat treguesit pasqyrojnë një rritje të dukshme prej 15.8% të numrit të aktiviteteve në 2021[8](5.324 biznese) krahasuar me 4 vite më parë[9] (4.600 biznese). Nëse e krahasojmë me vite ndërmjet kësaj periudhe[10], duket se ka një rritje të ekonomisë vendore dhe bizneseve pjesëmarrëse në të. Nga ana tjetër papunësia duket se është rritur më së shumti për arsye të mbylljes së bizneseve, ashtu si duket edhe në planifikimin e të ardhurave vendore në PBA 2022-2024, por edhe nga monitorimi i buxhetit faktik 2021 vërehet për një numër biznesesh në rritje me borxhe tatimore. Kjo duket si një arsye e fortë për paqëndrueshmërinë në kohë të jetëgjatësisë së bizneseve në treg, apo ndryshe një dinamizëm të ulët të ekonomisë vendore, megjithë numrin e lartë të bizneseve.
Të ardhurat vendore janë arritur të tejkalohen duke performuar mirë. Në drejtim të ndikimit te të ardhurat tatimore të Bashkisë, duket se arsyet për krijimin e debitorëve nuk ka penguar Bashkinë Vlorë të arrijë një nivel rekord në vitet e fundit në mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore në nivelin 101% të programit buxhetor 2021, të ndryshuar[11]. Por problematikat, që lidhen edhe me borxhet tatimore konsistojnë në lidhje me dobësitë e mosfunksionimit të kadastrës fiskale, si edhe me një numër familjesh prej 2% (66.000 familje gjithsej) që kanë migruar kanë tokë bujqësore në pronësi dhe ato nuk janë tatimpaguese kontributivë edhe pse ligji[12] i taksave vendore nuk i përjashton. Në njësitë administrative rurale ky proces i azhornimit të të dhënave është i nevojshëm të kryhet i plotë bazuar mbi afate plotësimi dhe përditësimi.
Vëmendje!
E gjitha kjo performancë vlen për tu promovuar si një praktikë e mirë e administrimit të disa taksave dhe tarifave problematike, që kanë të bëjnë me hapësirën dhe problemet e pazgjidhura të pronësisë.
Nisur nga shpenzimet që janë kryer deri më sot sipas PDV, por edhe investimet kapitale me fondet e bashkisë shihet se infrastruktura dhe gjithë drejtimet si më lart mbulojnë mesatarisht 6% të fondeve të investimeve të Bashkisë, si dhe 100% të fondeve që investohen direkt nga FSHZH. Investimet dhe shpenzimet për organizimin e tregjeve dhe stimulimin e sektorëve nga fondet e Bashkisë arrijnë jo më shumë se 2% të investimeve kapitale. Nga 2.32 miliard lekë (18.9 milion Euro) shpenzime gjithsej të Bashkisë për arsimin profesional janë shpenzuar 1.7% fonde në vitin 2021. Ndërkohë, fondet më të mëdha janë shpenzuar për arsimin parashkollor dhe bazë sa 18.9 % e buxhetit vendor gjithsej (439.9 milion lekë), rrjetin rrugor rural sa 7.3% e buxhetit vendor (174 milionë lekë), si dhe për ndriçim dhe mbetjet sa 11.9% e buxhetit të bashkisë (278 milionë lekë).
PDV dhe Strategjitë sektoriale kombëtare dhe vendore duhen përshtatur në funksion të mosmigrimit dhe të nxitjes së ofertës së punësimit[13] pasi shihet se kanë nevojë të përditësohen duke marrë jetë nga reagimi Bashkisë dhe zërit qytetar. Politika kryesore zhvillimore për nxitjen e ekonomisë së qëndrueshme dhe si rrjedhojë edhe punësimit cilësor është Plani i Përgjithshëm i Territorit, 2017 (PPV). Ky plan është llogaritur të kushtojë 144.6 milion Euro (19.26 miliard lekë)[14], si kosto fillestare, pa llogaritur devianca dhe rritje të kostove të ndikuara nga faktorë të ndryshëm. PPV e miratuar si Plan Detajuar Vendor filloi të gjejë zbatim që në buxhetin e vitit 2018 dhe në gjithë vitet e tjera në vijim me programe që ende janë në proces zbatimi deri në vitin 2030.
Në PDV përcaktohen edhe shpenzimet kryesore që do të kryhen në territorin e Bashkisë me fonde që zbatohen nga FSHZH dhe investime nga donatorë të huaj dhe bashkia kryesisht si pjesëmarrje në investime kapitale me vlerë vjetore jo më shumë se 465.3 milion lekë (3.8 milion Euro)[15].
Drejtimet kryesore të zhvillimit të investimeve janë të programuara, në Planin e detajuar vendor të Vlorës (PDV)[16], por me status të ndryshëm ecurie në infrastrukturën rrugore, në urbanizim, në infrastrukturë arsimore, shëndetësore, për ujësjellës dhe kanalizime, për nxitjen e turizmit dhe kulturës, për rehabilitimin dhe mbrojtjen e mjedisit (lumenj, pyje, mbetjet urbane dhe të ngurta)[17].
Objektivat e politikave kombëtare dhe programeve vendore duhet të azhornohen me ndryshimet për të frenuar një largim të ardhëm jashtë vendit nga Vlora. Vlera e shtuar në ekonomi përgjatë 2018 – 2020 shihet të ketë patur luhatje, për arsye kryesisht të pandemisë në vitin 2020, i cili ka ulur të ardhurat për frymë me 1.2% më pak. Ndërkohë përgjatë viteve 2018 dhe 2019 të ardhurat për frymë, e cila reflektohet edhe nga rritja e Prodhimit të brendshëm të Vlorës, respektivisht me 4.7% dhe 0.27% , apo mesatarisht rritje 2.48 % në vit. Ky nivel i shtimit të të ardhurave mesatare për frymë na tregon se zhvillimi ka patur rritje të pandjeshme për familjet dhe individët, e cila është në të njëjtën kohë e pamjaftueshme për të përballuar peshën e rritjes së çmimeve për shpenzimet e ndryshme. Megjithëse në këto 3-4 vite të fundit (prej vitit 2018) ka një rritje të investimeve përgjatë zonës së bregdetit dhe urbanizim të një pjese kryesore të qendrës historike të Vlorës[18], si dhe investime të filluara që 6 vite përpara në zonat e thella rurale që lidhin tre bashki (Vlorë-Selenicë-Himarë) duket se vlerat e investuara nuk kanë nxitur ende për të rritur vlerën e shtuar në ekonomi. Ndërkohë, vlera e rritur e banesave të zonave të urbanizuara dhe të rinovuara[19] është një përfitim i kufizuar për 600 -1.000 familje, që ka pak ndikim në ekonominë e qytetit dhe rrjedhimisht edhe në të ardhurat e bashkisë.
Kujdes!
Nga Strategjia sektoriale kombëtare për punësim dhe aftësim 2019 -2022 duket se pak elementë të përmendur si përparësi strategjike kanë gjetur zbatim në qasjen vendore. Në tërësi mungojnë lidhjet e objektivit për nxitjen e përfshirjes sociale dhe kohezionit territorial me programe të dedikuara vendore dhe me angazhim me struktura të plota dhe funksionale. Ky është një problem i institucionit qendror dhe zbatimit dinamik të strategjisë në azhornim me situatën ekonomike dhe kërkesat e biznesit vendas për punonjës të specializuar dhe jo krah të lirë pune.
Realiteti ekonomik dhe demografik në dinamikën e tij ka sjellë një ndryshim edhe në strukturimin e biznesit, kryesisht për bizneset e reja, si dhe duke u shoqëruar dhe me pezullime apo mbyllje aktiviteti.
Bashkia e Vlorës ka nje popullsi rreth 134.000 banorë dhe një sipërfaqe totale prej 617 kilometra². Bashkia e Vlorës shtrihet nga lumi Vjosa pranë Novoselë deri në Llogara, përfshirë qytetin e Orikumit me gjatësi të vijës bregdetare deri 90 km., midis detit Adriatik dhe Jon.
Gjiri i Vlorës është i njohur për burimet e tij natyrore, biodiversitetin e pasur dhe korridoret ekologjike. Është ndër zonat me mundësi te zhvillimit te turizmit me te lartë të mundshëm ne vendit, e cila është e lidhur me daljen direkte në det, klimën, ujin, arkeologjinë, morfologjik, historike, kulturore, njerëzore dhe asetet ekonomike. Në Bashkinë e Vlorës veprojnë në vitin 2022 afër 6.600 biznese, ku të ardhurat nga këto biznese përbëjnë dhe zërin kryesor në buxhetin e bashkisë.
Sektori i turizmit është një fushë prioritare ne fokusin e Bashkisë së Vlorës për shkak të kontributit të tij te rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, si dhe rritjen e njohurive dhe vetëdijes kulturore midis vendeve.
Biznesi i vogël (73.7% e bizneseve gjithsej) në qytetin e Vlorës është i fokusuar më shumë në sektorin e tregtisë dhe shërbimit. Ky segment tatimpaguesish, në fundvitin 2021 ka një rritje me 12.5% në krahasim me vitin 2017.
Të vetëpunësuarit (364 biznese gjithsej) kanë një rritje me 10%
Bizneset e mesme dhe të mëdha (26.3% e bizneseve gjithsej) operojnë kryesisht në dy sektorë kryesorë: Prodhime, Tregti (import-eksport) dhe shërbime. Ky segment tatimpaguesish, në fundvitin 2021 ka një rritje me 31% në krahasim me vitin 2017.
Bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit kryejnë aktivitetin e tyre kryesisht në shërbime dhe më pak në prodhime artizanale dhe agrobujqësore.
Në nivel qarku[20], sipas tregut formal të punës, në bujqësi punojnë 40% e të punësuarve, në industri punojnë 34% e të punësuarve dhe në shërbime punojnë 27% e të punësuarve.
Qyteti i Vlorës punëson deri në 70% të numrit të punësuarve në raport me numrin e të punësuarve gjithsej. Në njësitë e tjera përreth qytetit mbajnë një peshë në tregun e punës duke u punësuar në aktivitete prodhimi dhe tregtare, me 27% të numrit të punonjësve dhe bujqësia edhe pse sektor me ndikim në ekonominë lokale ka një peshë me 3 % të numrit të punonjësve gjithsej.
Struktura e Bashkisë në 2020 përfshin një një staf total prej 1.001 persona, ku 297 staf[21] janë pjese e funksioneve te deleguara, ku mesatarisht shërbehet në raportin një punonjës bashkie për 130 qytetarë, një tregues që duhet të justifikohet me rritje të cilësisë së shërbimeve.
Me Anketimin e ALTAX ne provuam të testojmë publikun lidhur me shërbimet e administratës bashkiake. Lidhur me pyetjen “Tregoni përshtypjen tuaj aktuale për cilësinë e shërbimit nga Bashkia” lidhur me konfirmimin nëse “Punonjësit e bashkisë kanë njohuri”, 17% nuk e konfirmuan këtë, 12% u përgjigjën “Deri diku” dhe 71% konfirmuan këtë pyetje.
Në pyetjen tjetër që u drejtuam “Nëse ka punonjës që ju kushtojnë vëmendje?” 32% nuk e konfirmuan këtë, 55% u përgjigjën “Deri diku” dhe 13% e konfirmuan këtë pozitivisht.
Kur i kërkuam publikut që pyetëm të na përgjigjen mbi përvojën e tyre nëse “Punonjësit e Bashkisë janë gjithmonë të gatshëm t’ju ndihmojnë”, 19% nuk e konfirmuan këtë, 9% u përgjigjën “Deri diku” dhe 72% e konfirmuan këtë pozitivisht.
Ndërsa kur u kërkuam konfirmim ose jo mbi qasjen “Kur Bashkia premton se do të bëjë diçka në një kohë të caktuar, e bën atë që thotë”, 16% nuk e konfirmuan këtë, 10% u përgjigjën “Deri diku” dhe 74% e konfirmuan këtë.
[1] http://www.instat.gov.al/media/9432/vjetari-statistikor-2021_final-29122021.pdf, faqe 58
[2] http://www.instat.gov.al/media/9432/vjetari-statistikor-2021_final-29122021.pdf
[3] http://www.instat.gov.al/media/4938/vjetari-statistikor-rajonal-2018.pdf
[4] Numri gjithsej i popullsisë në 2021 është 133.941 banorë, ndërsa në 2017 është 133.201 banorë
[5] http://www.instat.gov.al/media/3078/migracioni_ne_shqiperi.pdf
[6] https://www.albaniahope.com/wp-content/uploads/2019/05/The-study-report-Albanians-and-Migration.pdf
[7] http://www.instat.gov.al/media/5793/pbb-rajonale-2017.pdf
[8] http://vlora.gov.al/wp-content/uploads/1.2-Shtojca-e-udhezimit-vjetor-te-PBA-se.pdf, faqe 2
[9] https://www.vendime.al/wp-content/uploads/2017/02/VENDIM-I-KËSHILLIT-TË-BASHKISË-VLORË-nr03-DATE-31.01.2017.pdf, faqe 16
[10] http://vlora.gov.al/wp-content/uploads/1.2.-Shtojca-e-udhezimit-vjetor-te-PBA-se-1.pdf, faqe 2
[11] Sipas “Raport i monitorimit të zbatimit të buxhetit për periudhën janar – dhjetor 2021”, marrë nga Bashkia
[12] https://m.tatime.gov.al/shkarko.php?id=9819
[13] sipas raporteve të monitorimit të zbatimit të buxhetit 2021 dhe relacionit të buxhetit faktik 2021, marrë në Bashki
[14] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/kursi_dhjetor_2017_10977.xlsx
[15] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/KK_2021_20476.xlsx
[16] http://bashkiavlore.org/wp-content/uploads/2016/12/VSM-VLORE.pdf
[17] Informacione të detajuara gjenden te SHTOJCA
[18] https://www.albaniandf.org/2018/06/26/rikualifikimi-qendres-historike-projekti-i-radhes-ne-mozaikun-e-investimeve-transformuese-te-vlores/
https://www.albaniandf.org/2022/02/18/ne-progres-rikualifikimi-urban-i-qendres-historike-ne-vlore-zona-a/
[19] https://euronews.al/vendi/2021/03/07/dyfishimi-i-cmimeve-te-apartamenteve-lungomare-mbetet-zona-me-e-preferuar-ne-vlore/
[20] http://www.instat.gov.al/media/6942/njoftim-per-media-lfs-vjetore-2019_shqip.pdf, faqe 3
Bashkia Vlorë, Bashkia Selenicë, Bashkia Himarë, Bashkia Sarandë, Bashkia Finiq, Bashkia Delvinë, Bashkia Konispol
[21] PBA 2022 – 2024 Bashkia Vlorë, faqe 8
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.