Treguesit fiskalë të buxhetit të shtetit për 2023 sipas një vështrimi civil
Përpara disa kohësh, ekspertët tanë analizuan treguesit paraprakë të buxhetit të shtetit për 11-mujorin 2023[1] dhe ne e konsideruam performancën buxhetore përballë disa rrisqeve që mund të konsiderohen në një panoramë vjetore të buxhetit si vijimësi e asaj analize me pak ndryshime 1 muaj më vonë.
Në njoftimin e Ministrisë së Financave për të dhënat e ecurisë paraprake 12 mujore[2], të cilat janë një argument më shumë lidhur me ecurinë e mirë të ekonomisë, punësimit, të ardhurave dhe investimeve të huaj, si dhe uljen e borxhit publik nën 60% për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2% në fund të vitit 2023, duket se përçohet një konkluzion paraprak, se një ekonomi e mirë është e lidhur me një buxhet të shëndetshëm dhe të ardhura fiskale që kanë rritur performancën e tyre në mënyrë të dukshme në raport me përpara.
Nëse vështrojmë brenda treguesve të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit paraprak të vitit 2023, rezulton se ka disa momente për tu ndalur dhe për ti komentuar brenda një shqetësimi që bazohet te vështrimi kritik i ekspertizës civile.
Së pari renditim më poshtë disa treguesë kryesorë për të ardhurat e buxhetit të shtetit 2023
- Të ardhurat totale, që kanë hyrë në thesarin e Shtetit janë 643.4 miliardë Lekë (5.92 miliard Euro)[3]. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me +70.6 miliardë lekë (649 milion Euro) ose +12.3% më shumë.
- Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT) janë 561.7 miliardë lekë (5.16 miliard Euro), apo 52.3 miliardë (480 milion Euro) ose 10.3% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, si dhe 1.9 miliardë më pak se plani i rishikuar për vitin 2023.
- Të ardhurat doganore[4] janë 216.8 miliardë lekë (1.99 miliard Euro), ose 6.3 miliardë lekë (57.9 milion Euro) më pak se 12 mujori 2022, si dhe 6.9 miliardë lekë më pak se plani i të ardhurave doganore për vitin 2023.
- Të ardhurat tatimore[5] janë 344.9 miliardë lekë (3.17 miliard Euro), ose 58.6 miliardë (539 milion Euro) më shumë se viti 2022, si dhe 4.9 miliardë lekë (45 milion Euro), më shumë se plani i vitit 2023.
- Shpenzimet e përgjithshme publike janë rreth 674.7 miliardë lekë (6.2 miliard Euro) me një realizim në masën 95.6 përqind të planit vjetor të ndryshuar[6]. Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 3.6 përqind më të larta ose 23.7 miliardë lekë (218 milion Euro) më shumë.
– Shpenzimet korente[7] janë rreth 547 miliardë lekë (5.03 miliard Euro), apo sa 99.7% e planifikimit buxhetor. Shpenzimet korente zënë 95.2% të gjithë shpenzimeve të buxhetit. Krahasuar me vitin 2022 ky zë është 47 miliardë lekë më shumë (432 milion Euro) apo 9.4 përqind më i lartë.
– Shpenzimet kapitale janë realizuar rreth 118.9 miliardë lekë (1.09 miliard Euro), apo sa 88% e planifikimit buxhetor. Investimet e kryera zënë 4.8% të gjithë shpenzimeve të buxhetit. Realizimi i tyre është në nivele jo të kënaqshme dhe 16.24 miliard lekë janë të pashpenzuara, që janë sa 12% e planit vjetor, të ndryshuar. Krahasuar me vitin 2022, investimet janë 6.8 miliardë lekë (62 milion Euro) më shumë, ose 6 përqind më të larta.
Komenti nga ALTAX: N
Rrjedhimisht nga mosrealizimet e shpenzimeve për sa më lart, Niveli i deficitit është i ulët, sa 1.4% të PBB-së, krahasuar me 3.7% të PBB-së që ishte në vitin 2022.
Por, si kanë ndikuar ecuria e çdo tatimi, takse dhe tarife në të ardhurat e buxhetit të shtetit 2023?
Të ardhurat nga TVSH në import rezultojnë 146.4 miliardë lekë (1.35 miliard Euro), ose 10.5 miliardë lekë (96 milion Euro) më pak se viti 2022, si dhe 6.3 miliardë lekë (58 milionë Euro) më pak se plani i vitit 2023.
Të ardhurat nga TVSH brenda vendit (nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve) janë 45.9 miliardë lekë (422 milionë Euro), ose 11.4 miliardë Lekë (105 milionë Euro) më shumë se viti 2022, si dhe 1.4 miliardë Lekë (12.8 milionë Euro) më pak se plani i TVSH për vitin 2023. Rimbursimet e TVSH-së janë 22.6 miliardë lekë (208 milionë Euro), ose 133 milionë lekë (1.2 milionë Euro) më shumë se viti 2022.
Komenti nga ALTAX: Nëse marrim në analizë:
– treguesin e PBB-së në 2023, i cili vlerësohet me rritje 3.5% (rreth 670 milion Euro),
– importet me rënie 77.7 mld. Lekë krahasuar me vitin 2022, apo 720 mln. Euro më pak dhe
– turizmin me rritje 1.2 miliard Euro plus në ekonomi,
– duke përfshirë edhe treguesin e volumit të ndërtimeve me fonde private dhe publike,
duket se tregtia dhe ndërtimi mbizotëron mbi shërbimet turistike dhe shërbimet dhe prodhimet e sektorëve të ndryshëm.
Nga një vështrim i treguesit të TVSH-së së arkëtuar në 2023 nga gjithë bizneset në zonat turistike shihet se ka një rritje të lehtë, por kjo nuk përkon me vlerën e shtuar prej pagesave të vizitorëve, si dhe nga aktivitetet e tjera pjesë e shërbimeve turistike duke nënkuptuar një evazion të lartë.
Ndërkohë, sipas analizës paraprake dhe në mungesë të të dhënave të plota për këtë tatim sipas sektorëve, shihet se TVSH-ja është 11.4 mld. Lekë (105 mln. Euro) plus në 2023, që kryesisht vjen nga ndërtimi, tregtia me pakicë ushqimore dhe karburante.
Të ardhurat nga akciza janë 58.4 miliardë lekë (537 milion Euro), apo 4.8 miliardë lekë (44 milion Euro) më shumë se viti 2022, por 607 milionë lekë (5.6 milion Euro) më pak se plani i akcizës për vitin 2023.
Komenti nga ALTAX: Ky tregues është reflektim i një evazioni të lartë, nisur nga fakti se vetëm argumenti i numrit të lartë të vizitorëve të huaj në 2023 dhe konsumit të tyre mesatar ditor nuk justifikon nivele më të ulta të akcizës se viti 2022. Natyrisht, që doganat duhet të kenë hartuar një analizë të detajuar dhe masat për të rritur arkëtimet nga ky tatim, që është i lidhur ngushtësisht me konsumin dhe kryesisht me pjesën që i përket transportit dhe shpenzimeve ditore të të gjitha shtresave dhe shtetësive.
Në një krahasim për disa mallra akcize më të përdorshmet, shikojmë se të ardhurat doganore në 2023[8] nga importi i:
- karburanteve janë 48.06 miliard lekë (442 milion Euro) apo 214 milion lekë (2 milion Euro) më shumë se në 2022[9]
- i cigareve janë 28.87 miliard lekë (265 milion Euro) apo 555 milion lekë (5 milion Euro) më shumë se në 2022
- birrës janë 3.3 miliard lekë (265 milion Euro) apo 555 milion lekë (5 milion Euro) më shumë se në 2022
Këta treguesë duhet të shërbejnë për një analizë dhe masa të menjëhershme për të penguar evazionin dhe shmangiet fiskale, bashkë me pjesën shoqëruese të korrupsionit që stimulon këtë qasje.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë 64.6 miliardë lekë (594 milion Euro), apo 16.9 miliardë lekë (155 milion Euro) më shumë se viti 2022, si dhe 5.6 miliardë lekë (51 milion Euro) më shumë se plani i vitit 2023.
Komenti nga ALTAX: Në drejtim të rritjes së vlerës së arkëtimeve nga tatim fitimi kanë ndikuar fitimet nga ata sektorë[10] që kanë patur edhe qarkullimin më të madh dhe me ndikim te TVSH-ja. Një rritje e qarkullimit është paralajmërues edhe për rritje të fitimit dhe rrjedhimisht edhe tatim fitimit.
Ndikim me peshë në këtë tatim ka dhënë edhe sektori financiar, i cili ka gjeneruar fitime të larta për vitin 2022 dhe vitin 2023.
Po ashtu, prodhuesit privatë të energjisë, të cilët arrijnë deri në 40% të prodhimit gjithsej të energjisë elektrike kanë një tjetër ndikim të ndjeshëm me pagesat e kësteve të tatim fitimit paradhënie.
Por, një ndikim tërësor ka edhe aplikimi i masës administrative për pagim të gjobës dhe interesit për mospagesën në kohë të kësteve të tatim fitimit. Kjo masë ka ndikuar mbi një pjesë të madhe të tatimpaguesve që nuk i paguajnë tatimet në mënyrë vullnetare.
Tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) është arkëtuar në vlerën 57.9 miliardë lekë (532 milion Euro), apo 12.9 miliardë lekë (118 milion Euro) më shumë se viti 2022, si dhe 1.9 miliardë (17 milion Euro) më shumë se plani i vitit 2023.
Komenti nga ALTAX: Në rastin e TAP ka ndikim rritja e pagave në sektorin publik dhe privat, që mbajnë 75% të peshës së rritjes, apo 5.5 miliard lekë (50.5 milion Euro) më shumë[11]. Pesha tjetër mbahet nga tatimi mbi dividentin me 1.6 miliard lekë (15 milion Euro), apo 22% plus.
Për gjithë vitin 2023, nëse shikojmë peshën e:
- tatimit mbi qeradhënien me rritje 221 milion Lekë (për një treg qeradhënie 32 mld. Lekë),
- tatimin mbi interesat bankare me rritje 253.6 milion Lekë (për përfitime gjithsej 16.35 mld. Lekë interesa),
- tatimin mbi të drejtën e autorit me rënie – 39.2 milion Lekë (për përfitime nga autorët gjithsej 2 mld. të ardhura),
- tatimin mbi të ardhurat total të individëve me rritje 905 milion lekë (1 mld. Lekë nga dypunësimi) etj.
- tatimin nga shitja e pasurisë së paluajtshme me rënie 1.6 miliard lekë (për shitje pasurish në vlerë vjetore 363.3 miliard lekë) etj.
kanë një ndikim të papërfillshëm në rritjen e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale.
Vini re! Duhet përmendur se për këtë tatim konstatojmë një lapsus në llogaritje ku rritja në 2023 krahasuar me 2022 nuk është 12.6 mld. Lekë (sipas MF), por vetëm 7.3 mld. Lekë (sipas DPT).
Taksat nacionale, në formën e tarifave dhe taksave janë 37.2 miliardë lekë (342 milion Euro), apo 3.3 miliardë lekë (30 milion Euro) më pak se viti 2022, si dhe 504 milionë lekë (4.6 milion Euro) më pak se plani për vitin 2023.
Peshën më të madhe (sa 52% e taksave nacionale) e mban taksa e qarkullimit[12] me arkëtime vjetore prej 19.5 miliard lekë (180 milion Euro) dhe me rritje prej 1.3 miliard lekë (12 milion Euro) më shumë se viti 2022.
Komenti përmbledhës nga ALTAX: Në këtë analizë të treguesve fiskalë ne theksojmë domosdoshmërinë e rritjes së luftës ndaj informalitetit, ku efekti kryesor shihet te ulja e kontributiti të rentës minerare, me efekt direkt në buxhet dhe kjo detyrë e agjensive anti informalitet shihet se nuk ka frenuar rritjen e tij dhe uljen e evazionit tatimor.
Nga raporti vjetor i punës së kontrollit tatimor në 2023 vërejmë se me nivelin e zbulimeve të TVSH-së dhe tatimeve të tjera në vlerën totale prej 3.3 miliard lekëve duket, se efekti i gjithë instrumentave me forcë të kontrollit ndaj formalizimit të ekonomisë ka një produkt sa 0.4% e PBB-së.
Mirëpo, në situatën kur informaliteti në ekonomi është të paktën 33% e PBB-së, natyrshëm që lufta bëhet edhe per formalizimin e tregut te punës. Por, ky rezultat i uljes së informalitetit, jep efektin edhe ndaj evazionit fiskal. Nëse masat arrijnë këtë rezultat, ato mund të arrijnë kapjen e objektivit të minimizimit të informalitetit deri 10% (i përafërt me vendet e zhvilluara dhe dimensione të ngjashme me Shqipërinë) për 57.5 vite. Ky objektiv dukshëm duhet korigjuar pasi me rezultatet e luftës ndaj evazionit, megjithë investimin në teknologjinë informative (fiskalizimi) dhe masa të tjera administrative shihet si një luftë e humbur.
Ndërkohë, nëse fillohet një tjetër qasje gjithpërfshirëse ku të gjithë faktorët që jetojnë dhe punojnë në vend, bashkë me kontributin e gjithë mbështetjes nga jashtë vendit do të duhej një kohë më e shkurtër dhe me efektivitet në rindërtimin e një ekonomie që do të rritet nga formalizimi i saj.
Përsa lidhet me orientimin e shpenzimeve, natyrisht që orientimi drejt mbështetjes më shumë për sektorët jetikë prodhuesë që ndikojnë në rritjen e kostove të jetesës duhet të fillojë të mendohet thellësisht si një detyrë parësore kombëtare. Ndërkohë, kjo duhet të ndodhë bashkë me uljen e kostove nga importi për lëndët e para nëpërmjet koordinimit të masave dhe veprimeve.
Komenti nga ALTAX: Nëse nga vlera e shpenzuar në vitin 2023 zbresim ato shpenzime që lidhen me shpenzimet për fonde speciale, shpenzimet për politika të mbrojtjes sociale, shpenzimet e transferuara për pushtetin vendor dhe shpenzimet për subvencione duket se qeveria mbi 52% të buxhetit e shpenzon për administratën, për mirëmbajtje dhe shpenzime për transport e dieta, shpenzime për investime kapitale që janë në inventor të qeverisë si dhe interesa për huatë që shpenzohen për investime kapitale dhe pagimin e vlerës së borxhit.
Një nivel i tillë shpenzimesh është tregues i mjaftueshëm për të parë se mungon ajo mbështetje që vlen për ekonominë, për kërkimin shkencor dhe aftësimin e brezit të rid he tregut të punës, si dhe në lehtësim të kostove të biznesit për të qenë konkurues.
Vini re! Importi nuk duhet të vijojë të ketë të njëjtin trajtim tatimor si prodhimi i brendshëm, pasi e diskriminon këtë sektor me çmimet e ulëta të shteteve që zbatojnë politika shumë më të mira se në Shqipëri. Kjo qasje pasive ndikon po ashtu direkt në treguesit fiskalë që bazohen vetëm mbi konsumin.
Buxheti dhe shpenzimet e tij nuk mund ti përkasin vetëm infrastrukturës, por gjithë ekonomisë që optimizon burimet njerëzore (arsimi dhe teknologjia për prodhimin) dhe përdorimin nisur nga interesat kombëtare të burimeve egzistuese dhe atyre që janë potenciale për të ardhmen.
[1] https://altax.al/buxheti-11-mujor-2023-si-thike-me-dy-tehe/
[2] https://financa.gov.al/permbledhje-e-performances-paraprake-12-mujore-te-te-ardhurave-dhe-shpenzimeve-3/
[3] Kursi mesatar vjetor 2023 është 1 Euro = 108.75 lekë
[4] të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare
[5] të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT
[6] përmes Aktit Normativ nr.6, datë 14.12.2023 (AN nr.6)
[7] Shpenzimet për paga dhe sigurime të administratës, shpenzimet për mirëmbajtjen e aseteve të qeverisë, shpenzimet për borxhin, shpenzime për pensionet dhe politikat sociale, shpenzime për pushtetin vendor etj.
[8] https://dogana.gov.al/dokument/4981/012buletini-fiskal-janar-dhjetor-2023
[9] https://dogana.gov.al/dokument/4527/012buletini-fiskal-janar-dhjetor-2022
[10] Infrastruktura civile, ndërtimet me fonde private, komunikacioni, matërialet e ndërtimit, tregtia, shërbimet etj.
[11] https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=14228
[12] Taksa e qarkullimit për benzinën (sipas kodeve tarifore të NKM-së 2710 12 41; 2710 12 45; 2710 12 49; 2710 12 51; 2710 12 59) dhe për gazoilin (sipas kodeve tarifore të NKM-së 2710 19 31; 2710 19 35; 2710 19 43; 2710 19 46; 2710 19 47; 2710 19 48), si dhe për benzinën ose gazoilin që gjendet në përmbajtjen e biokarburantit (sipas kodeve tarifore të NKM-së 27102011 deri në kodin 27102019, 27102090, si dhe klasifikimin në nënkreun 38 26 00)[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.