Mbi rreziqet e Projektligjit për pronësinë e tokës bujqësore nga të huajt

Mbi rreziqet e Projektligjit për pronësinë e tokës bujqësore nga të huajt

Toka nuk është thjesht një mall. Në analizën e mëposhtme do të jepen argumentat e nevojshme për ti dhënë përgjigje pyetjes se pse mazhdoranca aktuale duhet ta mendojë dy herë përpara se të hapë pronësinë bujqësore për të huajt?

Vetëm ditën e sotme është mbyllur formalisht konsultimi publik për Projektligjin “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”.

Në fakt nga verifikimi i kryer nuk pati një të tillë, pasi faqja nuk mundësonte identifikim deri ditën që u mbyll afati për të bërë komente.  Ky defekt procedural elementar komprometon legjitimitetin e procesit dhe transparencën. Natyrisht që detyron institucionet përgjegjëse të shtyjnë afatin e konsultimit, duke u dhënë mundësi reale fermerëve, shoqatave, ekspertëve dhe bashkive të kontribuojnë me komente substanciale.

Gjithsesi, nga ajo që analizohet në këtë proprozim të qeverisë duket se synohen të plotësohen kërkesat e Kapitullit 4 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (“Lëvizja e lirë e kapitalit”).

Ky objektiv është legjitim në parim. Por versioni aktual i projektligjit priorizon liberalizimin e shpejtë mbi mbrojtjen e interesit publik, duke krijuar rreziqe sistemike që tejkalojnë përfitimet e pretenduara.

Konteksti shqiptar nuk e pranon dot një liberalizim të nxituar në terren të brishtë

Projektligji për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj mund të duket si një hap teknik në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ai paraqitet si pjesë e harmonizimit me kapitullin e negociatave që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit dhe synon të përgatisë tregun shqiptar për standardet evropiane.

Por kur hiqet shtresa formale e argumentimit, pyetja që del është shumë më e thellë. A po trajtohet toka bujqësore si një aset strategjik kombëtar apo thjesht si një mall tregu?

Përgjigjja e dhënë nga projektligji duket se anon drejt alternativës së dytë.

Ligji aktual (nr. 8337/1998) ndalon pronësinë e huaj dhe lejon vetëm qira deri në 99 vjet, si një formulë që ka ruajtur fermat familjare pa penguar investimet operative. Projektligji i ri propozon leje deri në 30 ha për persona të huaj dhe 2 ha për bashki. Në një treg ku toka është tashmë shumë e fragmentuar, kjo hap rrugën për përqendrim të shpejtë në duar të pakta.

Fermerët e vegjël vendas do të përballen me rritje çmimesh që mund t’i përjashtojë nga tregu. Spekulimi mund të zëvendësojë prodhimin real. Siguria ushqimore, që tashmë është sfidë kombëtare, rrezikon të dobësohet nëse toka kalon te investitorë që fokusohen kryesisht në kultura eksporti ose thjesht në mbajtjen e tokës si aset financiar. Mbrojtja e zonave strategjike, ushtarake apo ekologjike duket e mirë në letër, por në praktikën shqiptare me korrupsion, presion politik dhe kapacitete të dobëta institucionale mbetet shumë e brishtë.

Në një vend ku toka bujqësore mbetet baza ekonomike e qindra mijëra familjeve rurale, ku fragmentimi i parcelave është ndër më të lartët në Europë, ku regjistrimi i pronave nuk ka përfunduar ende dhe ku procesi i kompensimit të ish-pronarëve vazhdon të mbetet i hapur, liberalizimi i pronësisë së tokës nuk duhet të trajtohet si një procedurë administrative e zakonshme.

Kjo qasje përfaqëson një zgjedhje strategjike që do të ndikojë strukturën ekonomike dhe sociale të vendit për dekada.

Projek Ligji vjen përpara reformave të domosdoshme, por të pakryera ende

Një nga dobësitë themelore të projektligjit është koha e miratimit të tij.

Në vend që të ndërtohet mbi një bazë të konsoliduar pronësie, projektligji propozohet në një moment kur vetë infrastruktura juridike e tokës mbetet e paplotë.

Igjithë vendi dhe shqiptarët ende përballen me mosmbylljen e procesit të kompensimit të pronave, me pasiguri kadastrale në shumë zona rurale, me mungesë të konsolidimit të parcelave, por edhe me emigrim të vazhdueshëm rural dhe braktisje të tokës.

Në këto kushte, hapja e tregut të pronësisë nuk garanton zhvillim. Përkundrazi, rrit rrezikun që toka të bëhet objekt spekulimi financiar përpara se të shndërrohet në faktor prodhimi.

Historia e vendeve të Europës Lindore ka treguar se liberalizimi i nxituar i tregut të tokës shpesh ka sjellë fenomene të njohura si “land grabbing”, ku përfitimet ekonomike për komunitetet lokale kanë qenë minimale, ndërsa përqendrimi i pronësisë është rritur ndjeshëm.

Vetë institucionet dhe studimet për shqipërinë mbi strukturën e fermave shqiptare tregojnë se fragmentimi mbetet një nga problemet më serioze të sektorit. Në shumë zona të vendit fermat vazhdojnë të jenë të ndara në disa parcela të vogla, duke kufizuar ekonominë e shkallës, investimet dhe produktivitetin. Në këto kushte, liberalizimi i pronësisë para konsolidimit të tregut të tokës mund të përshpejtojë përqendrimin e saj në vend që të zgjidhë problemet strukturore ekzistuese.

Siguria ushqimore dhe interesi publik nuk mund të lihen në dorën e tregut

Një nga boshllëqet më të mëdha të projektligjit është mungesa e një lidhjeje të qartë mes pronësisë së re të tokës dhe sigurisë ushqimore kombëtare.

Në dokumentacionin shoqërues flitet për investime, teknologji, modernizim dhe rritje produktiviteti. Megjithatë mungojnë garanci konkrete që toka e blerë do të përdoret për të rritur prodhimin vendor apo për të forcuar zinxhirët ushqimorë kombëtarë.

Nëse investitorët orientohen drejt kulturave eksportuese, drejt aktiviteteve me intensitet të ulët punësimi ose drejt mbajtjes pasive të tokës për qëllime spekulative, rezultati mund të jetë paradoksal me më shumë kapital në tregun e tokës, por jo domosdoshmërisht me më shumë ushqim në tregun shqiptar. Kjo shihet sidomos me rrisk në kushtet kur ne importojmë shumicën e ushqimeve dhe prodhimeve bujqësore.

Në një ekonomi ku bujqësia familjare mbetet burim i rëndësishëm punësimi rural dhe vendi vijon të ketë deficit të lartë në bilancin ushqimor, kjo qasje është e pamjaftueshme.

A mund të funksionojnë kufizimet në një sistem me institucione të dobëta?

Projektligji përpiqet të japë siguri përmes kufizimeve sipërfaqësore dhe ndalimeve në zona strategjike, ushtarake apo mjedisore.

Nga analiza jonë shihet se kufizimet sipërfaqësore dhe ndalimet duken si garanci në letër. Por përvoja prej tre dekadash na tregon se sfida kryesore nuk është mungesa e dispozitave ligjore, por zbatimi i tyre.

Tranzicioni shqiptar ka një histori të gjatë të vështirësive në administrimin e territorit, në kontrollin e ndryshimit të destinacionit të tokës, në transparencën e procedurave dhe në monitorimin e investimeve.

Në këtë kontekst,ajo që mungon është fakti se institucionet aktuale nuk e kanë kapacitetin për t’i zbatuar ato në mënyrë efektive, të paanshme dhe transparente.

Problemet e mprehta të mungesës së mekanizmit të fortë të monitorimit publik, të regjistrave ende jo të hapur dhe mungesa e kontrollit të pavarur institucional, i kthejnë shumë prej garancive të parashikuara në draftin e qeverisë të pasmundura të zbatohen.

Përvoja europiane tregon më shumë kujdes sesa liberalizim

Një nga argumentet më të përdorura në favor të projektligjit është nevoja për përafrim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Por përvoja reale e vendeve që iu bashkuan BE-së në dy dekadat e fundit tregon një histori më komplekse.

Polonia, Hungaria, Bullgaria, Rumania dhe Kroacia nuk e trajtuan tokën bujqësore si çdo pasuri tjetër.

Këto vende edhe pas skadimit të periudhave tranzicionale 7–12 vjeçare, miratuan masa mbrojtëse shtesë për të drejta parapëlqimi për fermerët vendas, tavane më strikte, autorizime administrative rigoroze dhe kufizime për persona juridikë të caktuara.

Komisioni Evropian njeh të drejtën e shteteve anëtare për të mbrojtur interesat legjitime publike, si siguria ushqimore dhe ruajtja e strukturës agrare. Në këto rrethana dhe përvoja, Shqipëria ka institucione më të dobëta se këto vende në momentin e anëtarësimit të tyre, por përsëri nxiton dhe përpiqet të liberalizojë më shpejt se shumica e vendeve nga disa nisma që publiku nuk ka mundësi ti diskutojë.

Por edhe Kapitulli 4 i integrimit kërkon balancim ndërmjet lirisë së kapitalit dhe mbrojtjes së interesit publik.

Humbja e kontrollit mbi tokën është një çështje kombëtare.

Debati nuk duhet reduktuar vetëm në aspektin ekonomik.

Toka bujqësore është një nga asetet më të rëndësishme strategjike të shtetit.

Ajo lidhet me sigurinë ushqimore, zhvillimin territorial, strukturën sociale të zonave rurale dhe kapacitetin e vendit për të ruajtur kontrollin mbi burimet e veta prodhuese.

Shitja e tokës shtetërore mund të sjellë të ardhura të menjëhershme për buxhetin, por njëherazi ul hapësirën e politikave publike për brezat e ardhshëm.

Ndryshe nga investimet industriale apo financiare, toka është një burim i fundëm. Pasi transferohet, rikthimi i kontrollit bëhet shumë më i vështirë.

Vendi ka nevojë për investime në bujqësi. Por gjithashtu ka nevojë edhe për teknologji, kapital dhe modernizim. Por këto objektiva nuk duhet të arrihen duke dobësuar mbrojtjen e një prej aseteve më strategjike të vendit.

Debati merr rëndësi edhe më të madhe në kushtet e zbrazjes graduale të zonave rurale. Emigracioni i vazhdueshëm dhe plakja e popullsisë rurale kanë krijuar një presion të fortë mbi strukturën tradicionale të fermës familjare. Në shumë zona, mungesa e fuqisë punëtore dhe braktisja e tokës po shfaqen si sfida reale të zhvillimit rural. Në një situatë të tillë, liberalizimi i pronësisë pa politika mbrojtëse mund të përshpejtojë procesin e transferimit të tokës nga përdoruesit lokalë drejt aktorëve me kapacitete më të mëdha financiare.

Një aspekt pothuajse i munguar në debatin publik është dimensioni fiskal i pronësisë së tokës. Shitja e tokës shtetërore mund të gjenerojë të ardhura të menjëhershme për buxhetin, por këto janë të ardhura njëherëshe. Në të kundërt, qiraja afatgjatë 99-vjeçare ruan pronësinë publike dhe krijon flukse të vazhdueshme të ardhurash për shtetin. Nga këndvështrimi i menaxhimit të aseteve publike, pyetja që duhet marrë përgjigje është e thjeshtë: nëse investimi mund të realizohet përmes qirasë afatgjatë, cili është interesi publik që justifikon transferimin përfundimtar të pronësisë?

Për të balancuar integrimin evropian me interesin kombëtar afatgjatë, ALTAX rekomandon:

  1. Ruajtjen e modelit të qirave afatgjata (99 vjet) si zgjidhje primare për tokën bujqësore.
  2. Forcimin ndjeshëm të kufizimeve (tavane më të ulëta, përparësi absolute për joint ventures me shumicë shqiptare, detyrime strikte investimi dhe punësimi).
  3. Kushtëzimin e liberalizimit me përfundimin e reformave themelore: regjistrim kadastral i plotë, mbyllje të kompensimit të pronave dhe konsolidim parcelash.
  4. Ngritjen e mekanizmave të transparencës dhe monitorimit me ankande publike elektronike, regjistër kombëtar, raportim vjetor dhe veto parlamentare për transaksione të mëdha.
  5. Përfshirje të një periudhe tranzicioni reale, të lidhur me progresin institucional dhe jo vetëm me datën e anëtarësimit.

Në kushtet kur Shqipëria vijon të ketë deficit të lartë tregtar agro-ushqimor, mbi 300 mijë ferma me përmasa të vogla dhe një proces ende të papërfunduar të regjistrimit të pronës, prioriteti duhet të jetë forcimi i kapaciteteve prodhuese vendase dhe konsolidimi i tregut të tokës. Liberalizimi i pronësisë duhet të jetë hapi i fundit i reformës, jo hapi i parë.

Në përfundim, Projektligji në formën aktuale është i njëanshëm dhe rrezikon të dobësojë strukturën agrare familjare, sigurinë ushqimore dhe kontrollin kombëtar mbi një aset strategjik jo të ripërtritshëm.
Përvoja europiane nuk tregon se vendet kanë liberalizuar tregun e tokës duke dobësuar mbrojtjet kombëtare. Përkundrazi, shumica e tyre kanë ndërtuar filtra shtesë për të mbrojtur fermerët vendas, sigurinë ushqimore dhe strukturën rurale. Shqipëria, e cila ende nuk ka përfunduar reformat bazë të pronës, rrezikon të bëjë të kundërtën: të hapë tregun përpara se të ndërtojë garancitë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk kërkon dorëzim të sovranitetit ekonomik mbi tokën bujqësore.

ALTAX i bën thirrje qeverisë dhe mazhorancës që të kryejë një rishikim thelbësor të projektligjit, duke e kthyer atë në një instrument zhvillimi të qëndrueshëm dhe jo në një derë të hapur për spekulim. Jemi të gatshëm të kontribuojmë me propozime teknike konkrete për një version më të mirë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.