Buxheti 11 mujor 2023 si thikë me dy tehe

Buxheti 11 mujor 2023 si thikë me dy tehe

Buxheti i shtetit për 11-mujorin 2023 rezulton me suficit[1] dhe ky realitet tregon në pamje të parë se financat e qeverisë po menaxhohen në mënyrë efektive. Kjo tepricë buxhetore vjen nga të ardhurat e realizuara në nivelin e 99.4% të planit 11-mujor dhe kryerjes së shpenzimeve në nivelin 95.8% të planit 11-mujor.

Pra shihet se të ardhurat janë rritur me 3.6 pikë përqind më shumë, e cila konsiderohet edhe teprica apo suficiti në 11-mujorin 2023.

Në praktikën buxhetore shpenzimet e parealizuara në masën e planifikuar tregojnë  klimën ekonomike ose mënyrën se si qeveritë i shpenzojnë paratë e taksapaguesve.

Ndërkohë, rritja e peshës së tatimit mbi pagat dhe tatimit mbi fitimin ka ndikuar gjithashtu në këtë suficit buxhetor.

Nëse do të kishim të bënim me rastin e tepricave për një familje (të ardhurat më të mëdha se shpenzimet) këto do të quheshin kursime.

Po si janë në vlera absolute të ardhurat e buxhetit të qeverisë?

Të ardhurat nga TVSH (176.6 miliard lekë nga mallrat dhe shërbimet e importuara dhe nga prodhimet dhe shitjet brenda vendit) janë respektivisht 133.5 miliard lekë nga importi dhe 43.1 miliard lekë nga veprimtaria ekonomike brenda vendit. Raporti i TVSH-së nga veprimtaria ekonomike brenda vendit në krahasim me TVSH-në nga importet është 1 me 3, apo thënë ndryshe mbi 68% e TVSH-së për buxhetin e qeverisë mblidhet në pikat doganore dhe vetëm 32% mblidhet nga aktivitetet ekonomike brenda vendit. Kjo situatë e TVSH-së në këto raporte është treguesi se ekonomia jonë vijon të mbetet e varur te importet dhe aktiviteti prodhues dhe shërbimet janë ende kontribues me peshë të vogël.

Megjithatë duket se importet kanë një rënie të TVSH-së prej 70 milionë euro më pak se viti i kaluar dhe ndikimi kryesisht vjen nga[2]:

  • rënia e hyrjeve[3] të ushqimeve me 32 milion euro më pak,
  • rënia e importeve të lëndëve djegëse me 495 milionë euro më pak,
  • rënia e importeve të tekstileve, këpucëve, lëkurës e drurit me 125 milionë euro më pak,
  • rënia e importeve të matërialeve të ndërtimit me 150 milionë euro më pak
  • rritja e importeve të makinerive dhe pjesëve të këmbimit me 270 milionë euro më shumë.

Diferenca e faturës së importeve nga sa më lart është vetëm 540 milionë euro më pak se 11-mujori 2022.

Ndërkohë, eksportet kanë po ashtu një rënie të vlerës së tyre, edhe pse një pjesë e tyre janë kontribues të TVSH-së në importe. Sipas renditjes si më lart, shihet se ka:

  • rritje të eksporteve të prodhimeve ushqimore me 45 milionë euro më shumë,
  • rënie të eksporteve të lëndëve djegëse dhe minerare, energji me 90 milionë euro më pak,
  • rënia e eksporteve të tekstileve, këpucëve, lëkurës e drurit me 100 milionë euro më pak,
  • rënia e eksporteve të matërialeve të ndërtimit me 255 milionë euro më pak

Diferenca e faturës së eksporteve nga sa më lart është vetëm 425 milionë euro më pak se 11-mujori 2022.

Në këtë ballafaqim mes importeve dhe eksporteve sipas grupeve të produkteve shihet se ka një performancë pozitive bilanci tregtar për ushqimet dhe pijet me 13 milionë euro më shumë, faktorizuar nga furnizimet me vendet fqinje, Italinë dhe Greqinë.

Një suficit tregtar me 13 milionë Euro për 11 muaj është një tregues i produktivitetit të ulët, nëse konsiderojmë burimet e përdorura për këto eskporte, të cilat janë në nivele ende larg indeksit të konkurueshmërisë së qëndrueshme.

Bilanc tregtar pozitiv shfaqin edhe matërialet e ndërtimit, ku kryesisht prodhimi i lëndëve të para ka prezantuar nivele eksporti më të larta me 105 milionë euro të hekurit, çelikut dhe çimentos etj.

Bilanci tregtar negativ është edhe për eksportet e prodhimeve të tekstileve dhe këpucëve etj. me një diferencë 25 milionë euro më shumë importe se eksporte. Ky ballafaqim tregon se bizneset kanë patur një pritshmëri pozitive gjatë fillimit të vitit duke rritur furnizimet me lëndë të parëa, por rënia e shitjeve jashtë vendit ne muajt e tjere ka një rënie duke patur edhe një bilanc tregtar negativ.

Ndërkohë bilanci tregtar është negativ edhe për makineritë dhe paisjet, me 270 milionë Euro më shumë importe se eksporte. Këto importe janë pjesa e investimeve që kryhen kryesisht në infrastrukturën e transportit rrugor dhe ajror e detar, si dhe në sektorët e industrisë nxjerrëse dhe energjinë elektrike.

E gjithë situata ekonomike e hyrje-daljeve të mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri tregon se ekonomia prodhuese brenda vendit nuk është në rritje intensive dhe me qasjen për të krijuar një qëndrueshmëri për tregun e ardhshëm, por në një situatë zhvillimi të ngadaltë që mundet të garantojë vetëm rezistencë afatshkurtër dhe pak të vlefshme për periudha aftamesme.

Të ardhurat 11 mujore nga tatimi mbi fitimin (57 miliardë lekë) dhe mbi të ardhurat personale (53 miliardë lekë) tregojnë për një rritje të fitimeve të shoqërive të mesme, të cilat reflektojnë normat e fitimit të ngrira pas pandemisë, si dhe një rritje të kontributeve të shoqërive të infrastrukturës, të cilat ndikojnë direkt në pagesat tatimore.

Nga ana tjetër, rritja e pagës minimale nga 36 mijë lekë/muaj në 40 mijë lekë në muaj ka ndikuar në një rritje të pagave të nivelit të mesëm dhe po ashtu ka ndikuar në këtë rritje edhe taksimi i dypunësimit, rritjes së pagës së administratës publike dhe të ardhurave të tjera nga shit-blerjet e pasurive të paluajtshme. Ndikim shumë të ulët ka politika fiskale në kufijtë e pabarazisë fiskale të tatimit mbi kapitalin (dividentin) që edhe pse është në normën e reduktuar 8% është me një nivel arkëëtimesh shumë të ulta në raport me pritshmërinë.

Një logjikë e pagave të rritura ka ndikuar direkt në rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore (në masën 127.6 miliardë lekë, 19.3 miliardë lekë ose 17.8% më shumë se 11 mujori 2022).

Ndërsa këto të ardhura deklarohen si një sukses i administrimit, duket se ende mungon transparenca dhe llogaridhënia lidhur me fiskalizimin dhe efektet përfituese prejt tij, mungon analiza se sa është përfituar nga buxheti duke ngushtuar evazionin, si dhe sa është lufutuar korrupsioni si një element që godet direkt objektivin e strategjisë së të ardhurave fiskale për të rritur pajtueshmërinë vullnetare në pagimin e tatimeve dhe taksave përmes krijimit të kushteve për drejtësi tatimore.

Të kesh fonde në arkën e buxhetit të qeverisë mund të jetë një shenjë e shpenzimeve të matura. Por kjo nuk do të thotë se të kesh një tepricë është gjithmonë e dobishme. Si e tillë, ndonjëherë mund të vijë me problemet e veta.

Kur buxheti nënvlerëson pozicionin tonë real fiskal, teprica “e papritura” e fundvitit duhet të shpërndahet jo vetëm për të paguar borxhin, por të merrte vendime për investime shtesë në fusha, si strehimi social, kujdesi për fëmijët, edukimi dhe reduktimi i varfërisë, si dhe ndihma për sektorë si prodhuesit e eksportit etj. që u dëmtuan jo për keqmenaxhim dhe model të dështuar biznesi, por u dëmtuan nga detyrat e pakryera, mungesa e përgjegjsësisë në dëm të shtrembërimit të realitetit të kursit të këmbimit.

Rreziku kryesor i realizimit të një suficiti buxhetor është rënia e të ardhurave nga investimet dhe taksat dhe të ardhurat dhe tarifat jotatimore më të larta. Të ardhurat më të larta nga taksat janë të dukshme pikërisht te akciza dhe te tarifat e institucioneve, që për vitin 2023 janë në rritje me 5% në krahasim me vitin 2022.

Në vitin 2023, ashtu si në vitin 2022, kur qeveria ka një suficit, ajo duket se nuk e shpenzon apo investon në të njëjtin nivel në ato sektorë të ekonomisë përtej inftastrukturës së transportit dhe infrastrukrurave të tjera. Kjo duket në rastin e buxhetit të 11-mujorit 2023, ku investimet kapitale edhe pse me rritje në raport me 2022 janë në fakt me 30% më pak se programi i vititi 2023. Mirëpor, kur investimi bie, kthimet e tij nuk gjenerohen. Teoria e ekonomisë Kejnsiane sugjeron që njësitë ekonomike duhet të kenë një tepricë gjatë periudhave të prosperitetit dhe një deficit gjatë një cikli në rënie ose depresion. Kjo i lejon qeverisë të kursejë para kur është në gjendje të mirë dhe të shpenzojë para për stimul ekonomik kur ekonomia është më pak e mirë. Në fakt qeveria këtë 11 mujor i ka shpenzuar paratë për rritjen e pagave me një nivel marramendës për buxhetin e vendit (18% më shumë se në 2022) dhe për pagesat e norxhit publik (17% më shumë se në 2022). Ndërkohë një rritje pa kritere të arta dhe transparente është bërë edhe për buxhetet vendore, të cilat duket se as “shiringa” buxhetore e qeverisë (22% më shumë se në 2022)  nuk arrin dot ti shpëtojë lëngimit financiar të tyre.

Në mbyllje, arritja e një suficiti buxhetor (teprice buxhetore) nuk është gjithmonë një arritje pozitive. Megjithëse mund të duket e mençur për një qeveri të kursejë para, edhe sikur të kishim këtë situate këto kursime nënkuptojnë se ekonomia e gjerë nuk do të përfitojë nga efekti shumëfishues i shpenzimeve qeveritare. Përveç kësaj, këto kursime mund të nënkuptojnë më pak shpenzime për shërbimet publike.

Një suficit buxhetor si ky që po kalon buxheti në 2023 po ndikon gjithashtu në gjendjen ekonomike të sektorëve prodhuesë dhe në nivelet e inflacionit, por edhe direkt në produktin e brendshëm bruto (GDP). Në rastin aktual të mungesës së kryerjes së shpenzimeve dhe të një rishpërndarje të mangët të fondeve të papërdorura, si ajo që u bë me aktin normativ të mesdhjetorit 2023 (i pakonsultuar me askënd)[4], tregojnë se buxheti nuk është në rrugën e duhur të sinjaleve pozitive për aktorët e ekonomisë dhe qytetarët në nevojë. Shpenzimet janë një nga katër komponentët e PBB-së, që do të thotë se një qeveri që lufton të reduktojë shpenzimet e saj përfundimisht do të zvogëlojë PBB-në e saj. Meqenëse shpenzimet më të ulëta reduktojnë sasinë e parave që qarkullojnë në një ekonomi, mund të ndodhë që të kemi më tepër mungesë të lekut në qarkullim dhe një rritje e mëtejshme e vlerës së tij na raport me valutat e huaja.

Në fund të fundit, të kesh një tepricë mund të jetë e dobishme sepse ato fonde mund të përdoren për të shlyer borxhin publik ose për të financuar investime të reja. Por ka rreziqe për të pasur një tepricë, të cilat përfshijnë rritjen e çmimeve pasi shpesh ky rast mund të jetë një thikë me dy tehe.

Për të qenë të qartë, deficitet nuk janë mënyra e vetme ose domosdoshmërisht më e mirë për të rritur investimet publike në fusha të rëndësishme. Në të vërtetë, qeveria me të gjithë faktorët lobuesë duhet të planifikojë rritjen e investimeve publike duke taksuar të pasurit dhe korporatat, dhe ka vend për ta bërë këtë. Edhe agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të kredisë, si dhe FMN dhe kreditorë të tjerë bien dakord se ka vend për të mbledhur të ardhura shtesë, por kjo detyrë e pakryer deri më sot rëndon ende si barrë mbi kategorinë më të ngarkuar, ata që punojnë dhe kanë ende shpresë te sistemi.

[1] Termi suficit buxhetor i referohet një situate që ndodh kur të ardhurat tejkalojnë shpenzimet.

[2] https://www.instat.gov.al/media/12880/tj-nentor2023.pdf

[3] Vlera e furnizimit mbi të cilin llogaritet TVSH-ja në import, ku ka edhe produkte të përjashtuara nga TVSH

[4] https://financa.gov.al/miratohet-akti-normativ-per-ndryshime-ne-buxhetin-2023-deklarata-e-ministrit-te-financave-dhe-ekonomise-ervin-mete/

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: