Ta kursejmë klasën e mesme!
Ëndrra e përkatësisë në klasën e mesme shoqërohet me arritjen e një niveli të mirë të sigurisë financiare dhe komoditetit që përkthehet në një pozitë që të jeni në gjendje të paguani faturat në kohë, të keni një punë të qëndrueshme dhe të keni siguruar pensionin.
Tiparet e përkatësisë për klasë të mesme nga ana tjetër mund ti dalloni nëse individi ka:
- Një shtëpi në pronësi
- Një makinë
- Të arrijë të garantojë edukimin e plotë për fëmijët
- Të ketë të sigurtë pensionin
- Të bëjë pushime familjare pa hyrë në borxhe dhe pa prishur rutinën e përditshme, si dhe
- Të sigurojë një shërbim shëndetësor të kualifikuar
Klasa e mesme është përcaktuar gjithashtu si ajo shtresë që fiton midis 67% deri 200% të të ardhurave mesatare vjetore, që thënë në vlerat reale në Shqipëri i përket grupit që fiton nga të ardhurat nga puna në nivelin 3.960 Euro/vit deri 9.960 Euro/vit.
Por a është kjo ëndërr gjithnjë e më e vështirë për tu arritur?
Nisur nga mundësia e pagimit të faturave në kohë, puna e qëndrueshme dhe garantimi i pensionit mund të thuhet se një grup prej më shumë se 120.000 individësh munden ti përmbushin këto kritere, që në dukje janë të thjeshta për një numër edhe më të madh individësh. Mirëpo, lëvizjet e shpeshta nga vendet e punës, si dhe mungesa e një statistike të plotë dhe gjithpërfshirëse e kufizon të drejtën për të llogaritur rastet e largimeve nga puna.
Në realitetin tonë të përditshëm dhe nisur nga treguesit që përshkruajnë ecurinë e të ardhurave dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë mund të themi, se një pakicë e klasës së mesme shqiptare mundet ti arrijë ti ketë të siguruara apo ti garantojë të gjitha tiparet së bashku si më lart.
Numri i atyre që munden ti përmbushin këto tipare është rritur nga viti në vit.
Por le ti ballafaqojmë ato një nga një me realitetin shqiptar.
1. Nga statistikat lidhur me nivelin e pronësisë së një shtëpie nga shqiptarët shikohet se mbi 90% e tyre janë pronarë të një ambjenti banimi. Kjo statistikë tregon se shqiptarët nuk janë më të varfër se pjesa tjetër e rajonit, të cilët regjistrojnë pronësi mbi të paktën një shtëpi në nivele më të ulta.
2. Ndërkohë, 1 në 5 shqiptarë është zotërues i një automjeti pasagjerësh, që tregon në mënyrë të qartë se edhe sipas këtij kriteri egziston një grup prej 20% e qytetarëve shqiptarë që zotërojnë një makinë.
3. Në vijim të provës së përmbushjes së tipareve mund të përmendim duke marrë për bazë statistikat e UNESCO, se afër 25 mijë familje shqiptare arrijnë të plotësojnë kushtet për fëmijën e tyre të edukohet jashtë vendit.
4. Përsa i përket pensionit pothuajse gjithë shqiptarët, në moshë pensioni që janë paguar me një pagë mesatare në shumicën e viteve të punës përmbushin kushtet për të përfituar një pension që mund të shkojë deri në 500 – 550 Euro në muaj.
5. Dhe nisur nga fakti i përmbushjes së kriterit të pestë, që lidhet me pushimet familjare mund të përmendet fakti se mbi gjysëm milioni shqiptarë shkojnë jashtë vendit për të bërë pushimet, të cilat shtrihen përgjatë muajve të sezonit veror. Kjo do të thotë se të paktën se mbi 125 mijë familje munden të arrijnë të bëjnë poushime familjare, të cilat në masën më të madhe të tyre bëhen me të ardhurat e siguruara nga paga apo kapitali familjar.
6. Kur vjen përmendja e përfitimit të një shërbimi shëndetësor të kualifikuar, që do të thotë një shërbim shëndetësor jashtë vendit apo në klinikat dhe spitalet private individët shpenzojnë mbi 72 milion Euro në vit. Natyrisht, që ky tipar është ende jo i përmbushur dhe nuk kalon më shumë se një numër të kufizuar sa 20% e gjithë pacientëve në vit gjithsej që shtrohen për kurim.
Pas njohjes me nivelin e përhapjes së shtresës së mesme duke marrë për bazë tiparet e renditura më lart shikojmë, se nëse i referohemi kriterit të të ardhurave vjetore llogaritet një numër prej 91.000 individësh që përfitojnë të ardhura nga puna midis nivelit 67% deri 200% të pagës mesatare në Shqipëri.
Për shumicën e klasës së mesme burimi kryesor i të ardhurave është e ardhura nga puna. Nëse pagat e tyre rrinë të pandryshuara për mjaft vite, apo nuk indeksohen sipas ndryshimit të inflacionit, atëherë ata e ndiejnë efektin në mënyrën më të vështirë të mundshme.
Rritja e ngadaltë ose rënia e pagave të mesme është një nga çështjet më të mëdha ekonomike.
Në këtë kontekst, forcimi i klasës së mesme duhet të zgjidhet përparësia kryesore e forcimit të vetë shtetit.
Në një shikim të ecurisë së pagës së mesme në vend, të ardhurat janë ose në vendnumëro ose kanë filluar të bien për klasën e mesme nëse marrim në konsideratë edhe inflacionin. Kështu, paga mesatare në vitin 2013 ishte 52.150 lekë/muaj, ndërsa në vitin 2020 është 53.232 lekë në muaj (paga mesatare per sektorin publik dhe privat se bashku), me një rritje prej 2% në 7 vite. Inflacioni në këto 7 vite është rritur në total me të paktën 13.6 përqind. Nga kjo rritje e inflacionit tregon një rënie të nivelit të të ardhurave të kategorisë së mesme me 11.6% në këto 7 vite, që realisht është me ndikim kërcënues dhe rrudhës në të ardhurat e shtresës së mesme.
Ndërsa kostot e nevojave të jetesës vazhdojnë të rriten edhe me kërkesa të tjera që nuk regjistrohen në ekonominë formale, por që i përkasin shpenzimeve që kryhen realisht nga individët dhe familjet.
Si rezultat i pakësimit real të të ardhurave dhe efektit negativ për të rritur kursimet, rreziku që klasa e mesme të mbetet prapa ekonomikisht po rritet. Një klasë e mesme e dobët na dëmton të gjithëve duke mbytur rritjen ekonomike të vendit tonë dhe duke minuar demokracinë tonë.
Në këtë kontekst, ne shqiptarët nuk duhet të presim ende se çfarë mendojnë politikanët dhe qeveritarët mbi këtë temë. Ne mund dhe duhet të ndikojmë që të bëhen investimet e nevojshme në klasën e mesme, të tilla si zgjerimi i aksesit në lobimin për politikat për sot dhe të ardhmen, si pjesë e një pakete që zvogëlon mundësitë që shtresa e mesme ta lërë fatin në duart e të tjerëve.
Mirëpo përtej rriskut të rënies së vlerës së punës dhe të ardhurave një politikë e taksimit progresiv ka ndikuar për të rënduar më tej këtë gjendje financiare të shtresës së mesme.
Përsa lidhet me barrën fiskale që ato mbajnë është e dukshme se pesha e taksës ka rënë pikërishtë mbi shtresën e individëve me paga të mesme. Pesha që mban tatimi mbi pagat në raport me totalin e tij në buxhet është sa 48.5% e tij.
Nëse përfshijmë në llogaritje që kjo shtresë paguan edhe tatim në burim duke përfshirë këtu edhe një kategori prej mbi 31 mijë individësh që janë të dypunësuar, por përkojnë me kategorinë e të ardhurave si shtresë e mesme, atëherë barra e tyre në raport me tatimin mbi të ardhurat personale[1] mund të arrijë deri në 29 % të totalit të tij.
Nëse analizojmë se sa ka ndikuar taksimi progresiv mbi kategorinë me paga të mesme (që fiton midis 67% deri 200% të të ardhurave mesatare vjetore), nga llogaritjet rezulton se barra e tyre është rritur me të paktën 25% duke e krahasuar dinamikën e saj në këto 7 vite të fundit.
Nëse kjo peshë do të ishte më e vogël, kjo shtresë do të përfitone më shumë të ardhura.
Politikat e zgjuara fiskale dhe ndryshimi i pagës mesatare që duhet të lidhet me rritjen e pagës minimale të vendosura mbi koston e jetesës duhet të kryesojnë listën e politikave, që mund të përdoren për të përmirësuar shëndetin, lumturinë dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve shqiptarë.
Nëse klasa e mesme do të shfrytëzohet në këtë mënyrë si do të arrijmë t’ja dalim reformave që miratohen dhe kërkohet të vihen në jetë?
[1] perfshin pagat dhe tatimet e tjera individuale, si tatim qeraje, tatim ne burim, tatim dividenti, etj
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.