Shqetësim në rritje për shëndetin e politikës dhe barazisë tatimore, por dhe zhbalancimin e lirisë ekonomike
Ka një sërë çështjesh të rëndësishme dhe të ndërlidhura me politikat e tatimit të pagës, të cilat meritojnë vëmendje të përgjegjshme. Çdo vendim që prek tatimin e pagave duhet të ketë transparencë të thelluar dhe gjithpërfshirje që në proceset fillestare të hartimit të politikës, duke u bazuar mbi studime në thellësi të pasojave dhe efekteve. Rëndësia lidhet me bazën e gjerë të ndikimeve, si në jetën e familjeve, por edhe në tregun e punës dhe më gjerë në ekonomi.
Një vendim politik për pagat duhet bazuar mbi analiza shumëdimensionale duke konsideruar elementë të rëndësishëm të tatimit të tyre lidhur me elasticitetin e të ardhurave të tatueshme, marrëdhënien midis pabarazisë (veçanërisht pasi ajo ndikohet nga sistemi tatimor) dhe rritjes së barrës, modelin e taksimit të ndershëm, efektet e ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat dhe llogaritjet e detajuara mbi efektet në ofertën e punës, kursimet dhe investimet.
Në deklarimin në këtë fund tremujori të parë 2024 nga Kryeministri Rama, për këtë temë ku citojmë: “Kemi një projekt që nga qershori do ta materializojmë për të ulur tatim fitimin e të ardhurave për ata që kanë pagat më të larta si punonjës. Një nga arsyet është se nuk mund ti vëmë ne më shumë taksa njerëzve nëse nuk i japim shërbime më të mira. Për këtë nivel shërbimesh sot për sot nuk mund të pretendojmë të vëmë më shumë taksa” është në të mirën e shumicës dërrmuese të qytetarëve të njihen me arsyet e vërteta dhe analizën që është duke u bërë për këtë lëvizje politike.
Nëse do të duhet të reagojmë sipas logjikës që “Për këtë nivel shërbimesh sot për sot nuk mund të pretendojmë të vëmë më shumë taksa”, atëherë qeveritë ose duhet të shkurtojnë këto shërbime, ose të kompensojnë mungesën duke mbledhur taksa më të larta nga të gjithë[1]. Ky propozim i rrezikshëm i shmangies së tatimit të pagave duke ju ulur barrën pagave të larta deri në 5% do të thithë pjesën e rishpërndarjes së mirëqenies për shtresën e mesme dhe atë pranë minimumit jetik.
Ndërkohë, kjo logjikë si më lart në fakt nuk merr parasysh se pjesën më të madhe të fondeve të buxhetit (për mallra dhe shërbime), ku sot për sot e përfitojnë pikërisht ata dhe kompanitë e tyre në formen e investimeve, mallrave dhe shërbimeve që paguan buxheti në llogaritë e tyre bashkë me gjithë pjesën e korrupsionit që tashmë është një taksë e re që paguhet nga njerëzit e zakonshëm.
Ky eksperiment tatimor, i cili do të diktohet apriori, nisur nga precedentët e kaluar, si dhe kur ende kemi deklarim dhe nuk kemi të dhëna mbi efektet e tatimit me norma progresive pas hyrjes në fuqi në vitin 2024 etj., do të merrte kuptim ti përgjigjej pyetjeve:
- A ka ndikim më të madh në pajtueshmërinë tatimor politika e pakonsultuar e uljes së tatimit të pagave?
- A ndikon kjo njëanshmëri politike edhe në besimin e gjithë të punësuarve ndaj politikës?
Përgjigjet janë të nevojshme, kur e gjithë qasja e qeverisë rezulton një zgjedhje e qëllimshme kundrejt mekanizmit tatimor aktual, në favor të një kategorie që është më pak se 1.5% të pagamarrësve, me shumë pak ndikim në të ardhurat buxhetore të tatimit nga paga, por me shumë ndikim në moralin dhe barazinë tatimore. Nga 1.32 milion punonjës në vitin 2024 (punëmarrës dhe të vetëpunësuar), sipas INSTAT dhe llogaritjeve tona, ndarja e tyre sipas fashës së pagës është sipas tabelës më poshtë:
Numri i të punësurave sipas fashës së pagës, 2024 | ||||
Nr. i punëmarrësve dhe vetëpunësuarve | Paga | |||
0 – 50.000 | 50.000 – 60.000 | 60.000 – 200.000 | >200.000 | |
613,000 | 124,000 | 563,000 | 20,000 | |
% ndaj totalit | 46.4% | 9.14% | 42.7% | 1.5% |
Morali politik, ku përfshihet edhe morali tatimor e shohim të lidhur ngushtë me qeverisjen e majtë, e cila ka deklaruar që nga viti 2013 se do të bazohet te parimi i taksimit të ndershëm, sipas motos “kush fiton më shumë do të paguajë më shumë”. Kjo qasje që u mirëprit nga gjithë kategoria e punonjësve me paga të ulta dhe të mesme është një qasje ideologjike e pritshme prej “të majtëve”.
Mirëpo në momentin, kur barra tatimore sipas analizave të detajuara për të ardhurat nga puna, kapitali dhe biznesi bien mbi qytetarët, të tilla si:
- tatimet mbi konsumin (TVSH dhe Akcizat), ku u paguan 2.53 miliard Euro me shumicë nga njerëzit e zakonshëm, se sa nga të pasurit
- tatimi mbi pagat, ku janë paguar deri 330 milion Euro, kryesisht nga pagat e ulta dhe të mesme
- kontributet e sigurimeve, ku janë paguar 1.4 miliard Euro, kryesisht nga pagat e ulta dhe të mesme
- tatimi mbi dividentin, ku është paguar 57 milionë Euro kryesisht nga të pasurit, por me një normë 40% më të ulët se tatimi mbi pagat e ulta dhe të mesme
- taksat dhe tarifat vendore, ku janë paguar 305 milionë Euro, kryesisht nga bizneset e mesme dhe të vogla
Në kushtet kur barra kryesore nuk është mbi bizneset e mëdha (VIP) apo individët e pasur, por mbi bizneset e vogla (edhe të vetëpunësuarit) dhe të mesme, si dhe mbi punonjësit me paga të ulta dhe të mesme, ne vërejmë se pajtueshmëria tatimore dhe besimi është gërryer.
Arsyet e diskutueshme të shpërndarjes së barrës tatimore janë diktuar në vite direkt nga korrupsioni politik dhe nga egoizmi politik, që po vjen si një politikë demoralizuese për ta, pasi nuk është për shkak të rastësisë.
Rrjedhimisht nuk është pabarazia në vetvete ajo që ul nivelin e pajtueshmërisë tatimore[2] dhe korrupton besimin e bizneseve dhe individëve, por më tepër është pasoja që krijon pabarazia për shkak të një zgjedhjeje njerëzore. Në një vazhdim të logjikës, duket se padrejtësia në formën e pabarazisë së qëllimshme të tatimit të pagave ndikon negativisht në pajtueshmërinë tatimore, e cila është e dëmshme për shoqërinë.
Sipas teorisë së barazisë, në situata distributive të mirëqenies, siç është skema e shpërndarjes së pagave dhe tatimit të tyre, njerëzit presin që pagat të jenë proporcionale me përpjekjet për punë. Kur shkelet ky rregull proporcionaliteti, njerëzit mendojnë se kanë marrë një rezultat të pabarabartë, i cili pasohet nga sjellje që synojnë të rivendosin barazinë ose thjesht të kompensojnë humbjen.
Thënë thjesht, një vendim i nxituar dhe ndoshta edhe i qëllimshëm bazuar mbi interesa të ngushta do të ndikojë në një formë shfaqje të shmangies tatimore, apo edhe të fshehjes së të ardhurave nga puna duke rënë ndesh e gjitha kjo me programet sociale dhe ekonomike të vendit.
Rastet janë prezente nga studime të ndryshme në vende më demokratike se Shqipëria, ku raportohet rritje e evazionit fiskal kur tatimpaguesit kanë perceptuar se sistemi tatimor i trajton ata në mënyrë të padrejtë në lidhje me rezultatet monetare.
Përveç kësaj, tatimpaguesit që trajtohen në mënyrë të padrejtë shtrembërojnë në mënyrë egoiste sjelljen e tyre ndaj tatimeve, duke u justifikuar që evazioni fiskal është i justifikuar në këto rrethana.
Në fakt, pajtueshmëria tatimore mund të formësohet drejtpërdrejt nga normat e shpërndarjes së pagave të vendosura për tatimpaguesit. Përtej kësaj, ato mund të ndikohen në mënyrë indirekte nga besimi për nivelet e pajtueshmërisë së kategorive të tjera të punëmarrësve, të cilët janë gjithashtu të ndjeshëm ndaj normave të shpërndarjes së pagave.
“Këto argumente duhet të nxitin ata që kanë në dorë për të vendosur, se zgjedhjet e politikës së pagave dhe taksimit të tyre kanë rëndësi jo vetëm për rezultatet individuale të pasurisë apo të ardhurave të disponueshme, por se ato gjithashtu kanë implikime të rëndësishme të mirëqenies dhe përfundimisht formësojnë institucionet që krijon një shoqëri[3].”
Mangësitë serioze në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, i cili në Shqipëri gjatë gjithë vitit 2023 u debatua shumë nga ekspertët, profesionistët dhe grupet e biznesit duket se po vërtetohen shumë shpejt. Në vetëm tre muaj nga zbatimi i tij po kërkohet të ndryshohet norma e tatimit për individët me paga të larta pa asnjë argument financiar apo fiskal.
E gjithë kjo qasje e pakuptimtë dhe larg interesit të shumicës së tatimpaguesve merr vetëm një kuptim, që ligji po ndryshohet nga përfituesit e mëdhenj (janë ata në krye, individët e pasur, lidershipi politik dhe qeveritar, si dhe drejtuesit e kompanive të mëdha bashkë dhe ekspertët e huaj). Këta në grup, po përdorin pozicionin dhe ndikimin e tyre për të kapur/lejuar përfitime ekonomike për vete dhe grupin, si dhe për të përdorur strukturat ekonomike në dobi të tyre.
Vini re! Drejtuesit e shoqërive të mëdha dhe gjithë ekspertët e projekteve të mëdha me fonde të brendshme dhe të huaja, përfitojnë një sasi të caktuar prej benefiteve dhe aseteve (shpenzime shëndetësore, edukimi, shpenzime për udhëtime dhe akomodime, pushime etj.), ku ata drejtojnë dhe veprojnë në formën që njihen si shpenzime dhe zbriten nga tatimi mbi fitimin.
Morali tatimor, i cili mban në këmbë dhe zhvillon sistemin tatimor të ndershëm e humbet kuptimin me këtë ndryshim, në fakt është vijimësi e deformimeve (lehtësi, përjashtime etj.) të mëdha të politikës tatimore të viteve të fundit.
Morali i ri që po na serviret pa na pyetur fare është se kur bëhet fjalë për pagimin e tatimeve dhe taksave, ekziston një rregull për të pasurit dhe një tjetër për njerëzit e zakonshëm. Ndërsa më të fuqishmit ia mbathin taksave duke paguar pak ose aspak, qytetarëve të thjeshtë u lihet të paguajnë faturën për shpenzimet e qeverisë.
Qeveritë duhet të udhëheqin, por mbi të gjitha duhet ta bëjnë detyrën e tyre duke patur qëllim parësor barazinë sociale dhe barazinë përpara ligjit.
Ndërkohë, propozimi për të ulur normën e tatimit për pagat e larta është duke ndryshuar barazinë e sistemit tatimor, nga progresiv drejt një tendence regresive. Tatimpaguesit me të ardhura më të ulëta do të paguajnë përqindje të mëdha të të ardhurave të tyre në taksa në krahasim me tatimpaguesit me të ardhura më të larta.
Kështu, një tatimpagues me pagë mbi pragun e tatueshëm (60 mijë deri 200 mijë) paguan sot deri 11.3% të pagës së tij. Një tatimpagues me paga të larta (mbi 200 mijë lekë/muaj) paguan sot tatim deri në 19% të pagës së tij.
Sipas ndryshimit të deklaruar, nëse kryejmë llogaritje bazuar mbi normën e ulur:
- në nivelin 20%, pagesa e tatimit mbi pagën do të arrinte deri 17% të pagës mujore.
- në nivelin 18%, pagesa e tatimit mbi pagën do të arrinte deri 14.5% të pagës mujore.
Ky regresivitet në taksimin e të ardhurave nga paga është i padrejtë, joetik dhe me ndikim në vendimet e bizneseve të tjera dhe në lirinë ekonomike. Ky lloj modeli është një barrë më e ulët për individët me të ardhura të larta, për të cilët do të duhet të paguajnë të tjerët për të balancuar të ardhurat buxhetore që vijnë nga lehtësimi i tyre.
Në mbyllje, reformat që përmirësojnë stimujt, zvogëlojnë pabarazitë ekzistuese shtrembëruese, shmangin fitimet e papritura dhe shmangin financimin e deficitit do të kenë efekte më të favorshme në rritjen afatgjatë të ekonomisë, por gjithashtu mund të krijojnë lidhje më efikase ndërmjet kapitalit dhe produktivitetit.
[1] Në situata normale demokracie, nuk duhet të mungonte informacioni (transparenca) nga ekspertët e financave, si dhe krijimi i grupit të punës me grupet e interesit
[2] Nuk ka asnjë raport monitorimi publik për nivelin e pajtueshmërisë
[3] https://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S2214804321001518
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.