Reformat, teknologjia dhe lidershipi do të ndihmojnë shqiptarët nga stuhia e ardhme

reformat dhe teknologjia

Reformat, teknologjia dhe lidershipi do të ndihmojnë shqiptarët nga stuhia e ardhme

Rritja e PBB-së në Shqipëri tani është kthyer në nivelet që ishte një dekadë më parë dhe shkalla e papunësisë është më e ulta në njëmbëdhjetë vitet e fundit, e ndihmuar nga reformat në lehtësimin e aksesit të tregut të punës, por edhe e lehtësuar nga efekti i formalizimit dhe krijimit të vendeve të punës më shumë nga më parë.

Klima e të bërit biznes është bërë në disa drejtime më tërheqëse për investitorët e huaj. Mjafton të përmendim një tregues. Në mesin e viteve 2000 hapja e një biznesi kërkonte pothuajse 40 ditë. Tani kjo procedurë (2016-2018) merr vetëm pesë ditë.

Ekonomia e Shqipërisë është rigjallëruar edhe është më e përshtatur drejt eksportit, duke përfshirë një treg më të orientuar drejt tregut rajonal të sektorit të turizmit dhe të gjenerimit të energjisë. Nisur nga përmirësimi i eksportit, bilanci i pagesave (Import-Eksport) ka ndryshuar drejt një status quo të përmirësuar. Nga deficitet tregtare kronike prej rreth 20 përqind të PBB-së (10 vite më parë) në 11 përqind në dy vitet e fundit.

Shqipëria ka bërë progres mbresëlënës në uljen e deficitit fiskal, por dhe uljen e kostove të huamarrjes, veçanërisht në vitet e fundit.

Por, kur e shohim atë pamje të ekonomisë së Shqipërisë në kuadrin ekonomik global dhe rajonal, mund të shikojmë, se rrisqet ndikuese nga pjesa tjetër e botës po rriten dhe me siguri do të përbëjnë burimin më të rëndësishëm ndikues të paqëndrueshmërisë se mundshme për ekonominë shqiptare.

Zbatimi i plotë i reformave sot mund të jetë i vështirë dhe me probleme të shumta për qytetarët shqiptarë. Por, këto reforma do të ndihmojnë të krijohet siguria ekonomike dhe financiare për të përballuar stuhinë e ardhme që është paralajmëruar se do të ndodhë. Edhe pse faktet nuk tregojnë ende një situatë recesioni, që mund të ndodhë në një kohë të afërt mjaftojnë sinjalet negative, të cilat janë rritur në mënyrë të qartë te fqinjët e Shqipërisë dhe partnerët kryesorë tregtarë të saj.

Cilat janë këto sinjale, por dhe sfida?

Një ngadalësim në ekonominë e BE-së dhe sidomos ngadalësimi i ekonomisë së aktorëve kryesorë tregtarë me Shqipërinë, si: Italia, Turqia dhe Greqia mund të ulin objektivin e eksportit të mallrave shqiptare për 2019 dhe më tej. Edhe pse kjo situatë tranzitore për një rritje më të ulët ekonomike është bërë i njohur, ekziston rreziku që ngadalësimi i ekonomisë në Itali dhe Turqi mund të jetë më i avashte se sa pritej. Nga ana tjeter, nëse stimuli i ri në vendet e BE është efektiv, ai synon aktivitete relativisht më pak intensive dhe jo në funksion të rritjes së investimeve jashtë BE-së. Kështu që, pjesa tjetër e Ballkanit mund të ndjejë e para një ngadalësim të rritjes ekonomike, për sa kohë partnerët nuk janë në pozitat që mendohej të ishin. Keshtu, Gjermania ka disa vështirësi në sektorin e automobilëve dhe kërkesa prej tregut të eksportit është më e ulët. Ky fakt i ri do të ndikojë në rritjen e saj  ekonomik të vitit 2019. Për Italinë, rrisqet e borxhit publik po shkojnë drejt rritjes. Në përgjithësi, parashikimi i rritjes për vitin 2019 në Eurozonë është 1.6 përqind, me një reduktim prej 0.3 përqind krahasuar me parashikimin e bërë vetëm pak muaj më parë.

Shumë nga sfidat me të cilat ballafaqohemi sot kalojnë kufijtë kombëtarë dhe kërkojnë përgjigje të koordinuara. Disa vende në Ballkanin Perëndimor nuk kanë bërë progres të mjaftueshëm gjatë vitit 2018 në uljen e deficiteve dhe vendosjen e borxheve të tyre në një tendencë rënieje. Reduktimi i rriskut në nivel kombëtar është me të vërtetë i nevojshëm për parashikueshmërinë e rriskut rajonal bazuar te realiteti, se të gjitha vendet së bashku ndërveprojnë nga njeri vend në tjetrin dhe ndikojnë në zbatueshmërinë dhe efektivitetin ekonomik e fiskal të secilit vend.

Rritja e barrierave tregtare. Lëvizja e fundit nga qeveria e Kosovës rreth pengesave tregtare mund të ndikojë nga 0.2-0.5 për qind të rritjes ekonomike të Shqipërisë, meqë zinxhirët e furnizimit përkeqësohen dhe mjedisi për investime bëhet më i pasigurt për arsye të acarimit të marëdhënieve politike rajonale. Kjo situatë, edhe pse duket për Shqipërinë si një mundësi e mirë për të rritur eksportet, në fakt nuk është e lehtë të realizohet në praktikën tregtare. Problemi më kryesor për të zëvendësuar partnerët tregtarë serbo-boshnjakë janë barrierat tarifore dhe jotarifore, si dhe logjistika për të arritur deri në tregun konsumator kosovar. Ky realitet duket edhe nga statistikat e tregtisë me jashtë për Shqipërinë që nga statistikat zyrtare, por edhe konfirmimet e eksportuesve shqiptarë nuk rezulton të ketë një mbushje të boshllëkut tregtar të shkaktuar nga taksimi me 100% për mallrat serbo-boshnjake. Ndërkaq, Shqipëria në dy-tre vitet e fundit ka një trend rritjeje të bilancit tregtar me Serbinë. Kështu, shkëmbimet tregtare me Serbinë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor zënë 34 % të totalit. Kjo marëdhënie e vështirë mes tre shteteve të Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Serbi, Bosnjë), e cila është krijuar pas aplikimit të taksës së jashtëzakonshme prej qeverisë së Kosovës (edhe pse ka natyrë politike) do të rrisë mundësinë për bashkëpunim tregtar midis Serbisë-Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore duke e kthyer de facto në një zinxhir të ri të ardhshëm të qarkullimit të mallrave i devijuar nga një lëvizje politike, por që pritet të ketë efekt domino në rajon.

Nisur nga kjo situatë, ekonomia shqiptare do të kalojë nëpër sfida ekonomike që do i dalin përpara. Kjo situatë e ndryshuar, që ka gjasa të zgjasë më shumë se disa muaj do të kërkojë nga udhëheqësit shqiptarë të kenë një ndjenjë të qartë drejtimi dhe vullnet të qëndrueshëm, por dhe vendimtar për produktivitetin e ardhshëm ekonomik duke marrë në konsideratë rrethanat e krijuara. Mjedisi aktual ende ofron mundësi për të avancuar me politikat dhe reformat për të ndërtuar skenarë fiskalë dhe financiarë për rritje të qëndrueshme, të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse. Ndërkohë, gjithë liderët shqiptarë duhet të përfitojnë nga ky moment, pavarësisht pozicionimit aktual në raport me fqinjin e tyre dhe ekonominë.

Reformat strukturore janë problem shumë serioz për ekonominë për të rritur kursimet, investimet dhe produktivitetin. Të gjitha këto elemente bazë të ekonomisë janë thelbësore për të rritur standardet e jetesës duke ndihmuar në rritjen ekonomike në mënyrë cilësore, duke reduktuar dobësitë ekzistuese dhe rrisqet e jashtme. Hapat kryesorë në këtë drejtim duhet të përfshijnë akses më të shpejtë dhe më të lehtësuar në tregun e punës, thjeshtim të rregullave dhe përmirësim të efikasitetit të proceseve gjyqësore për të drejtën tregtare. Këto reforma mund të synojnë në një mënyrë që mbrojnë më të varfrit në shoqëri dhe të zvogëlojnë pabarazinë, e cila në vitet e fundit është rritur në Shqipëri, Kosovë dhe vendet e tjera.

Një afat kohor për përshtatjen e ekonomisë dhe jetës lidhur me teknologjinë e ardhshme. Të gjitha vendet po kalojnë një periudhë të shpejtë ndryshimi teknologjik, i cili do të riformësojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Këto ndryshime nuk mund të shpërfillen dhe është e rëndësishme që shqiptarët të përgatiten, duke filluar nga kuadri rregullator dhe infrastruktura, të cilat do t’ i ndihmojnë konsumatorët dhe ekonominë të jenë me fitime më të larta nëpërmjet uljes së kostos, por dhe konkurruese me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Zhvillimi i një sistemi arsimor, i ngjashëm me sistemin zinxhir të qarkullimit të mallrave do të vlejë shumë për të përshtatur nevojat e fuqisë punëtore me kërkesat e tregut të punës në të ardhmen e afërt.

Me këtë rast, veprimi parësor për shqiptarët ka të bëjë me nxitjen e shpenzimeve produktive që synojnë përshpejtimin e rritjes potenciale të sektorëve konkuruesë në rajon. Kjo do të kishte përhapje pozitive më tej edhe në ekonomitë të tjera fqinje, që huazojnë dhe kopjojnë politika nga njëra-tjetra. Ky veprim do të jetë një hap përpara për të ndikuar mbi objektivat që duhen vendosur për ndarje të rrisqeve mes vendeve të rajonit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, por duke e peshuar gjithë këtë qasje në kapacitetet fiskale, të cilat duhet të jenë plotësisht të aftë të përballojnë rrisqe të jashtme dhe të brendshme.

Veprimi i dytë për shqiptarët është intensiteti i ndarjes së rrriskut për bizneset e sektorit privat përmes tregjeve financiare, ose më mirë, krijimi i një bashkimi shumë më të thellë të sektorit financiar. Kjo do të thotë me pak fjalë avancimin në krijimin e Bashkimit të Tregut Financiar Shqiptar, për të lehtësuar diversifikimin e investimeve ndërkufitare nëpërmjet instrumenteve financiare që mundte të ofrojë sektori privat. Gjithashtu do të thotë që në këtë drejtim duhet të jetë efektiv edhe bashkëpunimi me cikël të plotë i Bankave që janë rezidente në këto vende.

Shqiptarët janë të mirëpozicionuar relativisht mirë për të përfituar nga ky revolucion teknologjik dhe zhvillimet europiane. Kanë qenë prej kohësh vende që ndiheshin si të largët nga bota dhe zhvillimi i saj, por tashmë po riorientojnë me sukses ekonominë drejt teknologjisë dhe inovacionit. Shqiptarët mund të angazhojnë burimet dhe kapacitetet për të ndërtuar një zonë shërbimi ku të jetë një strehë për kompanitë e mëdha të teknologjisë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: