Progresiviteti i taksimit përmes rishpërndarjes së të ardhurave

progresiviteti

Progresiviteti i taksimit përmes rishpërndarjes së të ardhurave

Tatimet janë pjesa e padiskutueshme e procesit të rishpërndarjes dhe uljes së pabarazisë kur ato janë progresive. Kur flasim për progresivitet taksimi natyrisht që përfshihet zakonisht tatimi mbi të ardhurat nga puna dhe kapitali.

Në argumentim të këtij pohimi pyetja kryesore që lind me të drejtë është se pse e ul pabarazinë e të ardhurave tatimi progresiv, nëse flasim jo vetëm për tatimet mbi të ardhurat personale por edhe për tatimet e tjera të sistemit tatimor?

Një përgjigje e parë është e lidhur me mënyrën se si konceptohet dhe ndërtohet sistemi tatimor me mekanizmat e tij të taksimit, të shprehura nga njëra anë nëpërmjet politikës, por nga ana tjetër nëpërmjet zbatimit të saj, që vlen të përmendet për vende me administrim problematik dhe të ngacmuar nga korruptimi.

Në aspektin e politikës së taksimit, mënyra se si taksimi progresiv ul pabarazinë e të ardhurave gjendet te thelbi i progresivitetit si instrument, me rritjen e shkallëve tatimore rritet edhe taksimi mesatar në të njëjtin nivel me rritjen e të ardhurave. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që politika fiskale e përshtat taksimin mbi të ardhurat sipas të ardhurave të individit.

Por, kur flasim për të ardhurat nga puna nuk mund të lësh mënjanë diskutimin për përfshirjen ose jo në sistemin progresiv të taksimit edhe të kontributeve të sigurimeve. A duhet dhe mundet të përfshihen edhe kontributet e sigurimeve në skema taksimi progresiv?

Edhe pse kontributet nuk emërtohen në legjislacion si taksa, nisur nga fakti shumëvjeçar që ato janë të detyrueshme për tu paguar njësoj si taksat mbi të ardhurat personale, mbi të njëjtën të pagë, i vetmi element që i ndan nga taksat është sistemi i përfitimeve. Kur përmenden përfitimet, në rast se bëjmë një ndarje midis elementëve të shumtë të përfitimeve nga skemat që zbatohen në vend, të vetmet që lidhen me përjashtime nga rregulli i progresivitetit në taksim janë pensionet që do të paguhen në të ardhmen nga kjo pagesat aktuale të kontributeve. Në gjithë këtë mund të kuptojmë që taksimi progresiv nuk mundet të zbatohet dot në mënyrën e drejtë për të cilën ai dizenjohet, pasi pagesat e larta të kontributeve nuk mund të jenë pjesë e progresivitetit, pasi ato ndikojnë direkt në zinxhirin e rishpërndarjes së të ardhurave për të ardhmen e individit. Nga ana tjetër, të ardhurat e kontributeve nuk rishpërndahen për konsum publik apo të përdoren për qëllime të tjera, përtej atyre që garanton ligji për to.

Por, në rast se politika fiskale nuk takson burimet e ndryshme të të ardhurave të individit, atëherë vetë sistemi i taksimit progresiv kthehet në një instrument të mangët që nuk mund të arrijë dot qëllimin për të cilin është dizenjuar. Për rastin e Shqipërisë, me qëllim që të mos krijohen probleme me zbatimin korrekt të taksimit progresiv vlen të ndiqet modeli progresiv i taksimit të të ardhurave nga kapitali në shkallë taksimi më të ulëta se të ardhurat nga puna. Një logjikë taksimi progresiviteti në favor të kapitalit është ngushtësisht e lidhur me rishpërndarjen e të ardhurave, të cilat në rastin e investimeve shpërndahen në mënyrë më të pabarabartë se të ardhurat nga puna.

Nëse taksimi mbi kapitalin do të ishte më efektive të kishte shkallë taksimi më të ulta se taksimi mbi punën, po për shkallët e taksimit mbi pagat dhe të ardhurat individuale a duhet që të ketë një “pjerrësi” jo shumë të madhe që në tërësi prek më shumë shkallët në fillim dhe në majë të sistemit progresiv?

Përvoja e disa viteve zbatim të taksimit progresiv në Shqipëri (nga fillimi 2014), tregon një fakt se një rritje e shkallës në majë të sistemit progresiv të taksimit mbi të ardhurat nga puna ka dhënë një ndikim për ngushtim të bazës së individëve që duhet ti përkasin kësaj shkalle taksimi dhe në vetvete edhe si një dekurajim për nxitjen për të përfituar të ardhura më të larta nga puna (paga). Ky reagim gati-gati instiktiv i individëve është një rishpërndarje e të ardhurës midis tyre përpara se ata të bëhen objekt taksimi.

Por, nëse do të ketë një administrim i taksimit progresiv më efektiv nga ai që zbatohet deri më sot, atëherë individët që fitojnë të ardhura të larta nga puna (paga) do të kishin më pak mundësi për të gjetur hapësira për shmangie e deri në raste evazioni nga taksimi progresiv. Objektivi ndaj individëve me të adhura të larta duhet të bëhet një model i veçantë administrimi për tatimorët, me qëllimin që të konsiderohen si rrisku më i lartë për sistemin progresiv të taksimit të të ardhurave individuale.

Ndërkohë, të ardhurat individuale nga kapitali kanë patur një ndikim në gjithë këto vite të fundit në zbehjen e skemës së progresivitetit, pasi nuk kanë qenë objekt direkt i shkallëzimit progresiv. Edhe pse deri në fund të vitit 2018 ata taksohen me një shkallë taksimi të sheshtë (15%), mund të vërehet se rishpërndarja e të adhurave nga kapitali ka qenë më e pabarabartë se të ardhurat nga puna (paga). Por, nëse baza e individëve që krijojnë të ardhura nga kapitali do të rritej dhe do të përbënte pjesën kryesore në të ardhurat tatimore nga sistemi progresiv, atëherë do të kishte më shumë sens mbajtja e nivelit të taksimit me një shkallë për taksimin e kapitalit.

Edhe pse në mungesë të një sistemi gjithpërfshirës të sistemit progresiv të taksimit, të dhënat pohojnë se ka një efekt në rishpërndarjen e të ardhurave dhe uljen e pabarazisë. Por, ndërkohë me disa dyshime të arsyeshme për tu diskutuar për të ardhmen lidhur ndikimin e progresivitetit në rritjen e konsumit dhe ekonomisë. Gjithsesi mund të konstatohet, se progresiviteti mbi të ardhurat individuale ka qenë me përfitime dhe me rrisqe të pranueshme në zbatimin e tij.

Ndërsa, konsumi ka ende vend që të jetë më i lartë dhe i qëndrueshëm në tendencën rritëse të tij, zhvillimi i ekonomisë nga ana tjetër konstatohet nga analizimi i fakteve, se kryesisht nuk vjen nga rritja e kërkesës së brendshme konsumatore për mallra, por më së shumti si rrjedhojë e rritjes së investimeve kapitale dhe disa shërbimeve e mallrave për eksport.

Parë në këtë këndvështrim rishpërndarja e të ardhurave e ka dhënë efektin e vet vetëm për kategorinë që kanë paga me shkallë taksimi të ulët. Por edhe pse ata zënë peshë në konsumin e mallrave bazë nuk janë ndër kryesorët në rritjen e kërkesës së brendshme dhe faktori determinant në rritjen ekonomike të qëndrueshme. Kjo logjikë mbështetet te fakti se mallrat bazë të konsumit janë pjesa e ekonomisë, që vjen nga tregtia me jashtë, por gjithsesi jo si një vlerë e shtuar brenda ekonomisë sonë.

Në këtë drejtim, vlen të përmendet se taksat mbi kapitalin duhet realisht të kenë shkallë taksimi më të ulëta se ato nga puna, por me një kujdes që të mos kthehen në strehë për të shpëtuar nga taksat.

Megjithëse konsumi dhe ekonomia kanë shënuar rritje në këto vite të zbatimit të sistemit tatimor progresiv (të pjesshëm), rrisku për pabarazinë dhe rishpërndarjen kërkon studime të shumanshme. Nevojitet një monitorim i vazhdueshëm nga financat publike, por edhe nga taksapaguesit ndaj faktorëve që kanë ndikuar direkt dhe me forcë në këto zhvillime.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: