Pesha e taksave të punës në Shqipëri, 2022 – 6m. I 2024
Pesha e tatimit mbi pagën dhe kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri është e lartë dhe ka një ndikim negativ në kërkesën për fuqi punëtore. Por ndikimi tjetër është te frenimi i konsumit të familjeve dhe të fuqizimit të ekonomisë familjare me të ardhura nga puna. Një efekt direkt është edhe nxitja për rritjen e tregut informal të punës, kryesisht në sektorin privat.
Në këtë drejtim, kjo analizë e cila bazohet dhe është përshtatur sipas logjikës dhe metodologjisë së Raportit të OECD “Taksimi i pagave 2024: Taksa dhe gjinia përmes shikimit të pagamarrësit të dytë në familje(shënimi jonë)” do të synojë të bëjë disa propozime aktuale për reformim strukturor të taksimit të punës dhe lehtësimin e barrës së punëdhënësve duke ulur shumën e peshës tatimore ndaj punës.
Ulja e ngarkesës fiskale është një nevojë që mund të përdoret nga politikëbërësit në momentin kur pritet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me tatimin e të ardhurave personale nga puna, i kundërshtuar nga disa grupe interesi dhe që kërkon pikërisht ndryshim të barrës tatimore.
Ndërkohë, ne mendojmë se ka ardhur një moment që të aktivizohet edhe Këshilli Tatimor me një Axhendë për Reformimin e tatimit të punës, kryesisht përmes uljes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, por edhe të tatimit të pagës.
Sidoqoftë, vlerësimet e peshës së tepërt të barrës tatimore duhet të merren parasysh në një kontekst krahasues me vendet e ndryshme të eurozonës dhe rajonale.
Në analizën statistikore mbi peshën e taksave të punës në OECD dhe Shqipëri ne paraqesim një pasqyrë të peshës tatimore mbi pagën mesatare (PM) në individët dhe familjet shqiptare, si dhe karakteristikat e progresivitetit të tij dhe një krahasim i peshës tatimore në Shqipëri me peshën tatimore ndaj të ardhurës nga puna në vendet anëtare të OECD.
Ky prezantim si më poshtë paraqet vetëm ngarkesën e tatimit mbi pagën dhe kontributet e sigurimeve për Shqipërinë, sipas periudhave krahasuese.
- Pesha e taksave të punës midis tremujorit 2-të 2024 dhe tremujorit 4-t 2023
Pesha margjinale e taksave të punës në Shqipëri në Tremujorin e dytë 2024 krahasuar me tremujorin e katërt 2023 duket se nuk ka ndryshim, pasi rritja e pagës mesatare është vetëm 89 lekë.
Shqipëria | Beqar pa fëmijë sa 67 % PM* | Beqar pa fëmijë sa 100 % PM | Beqar, pa fëmijë sa 167 % PM | Beqar me 2 fëmijë sa 67 % PM | Çift i martuar 2 fëmijë sa 100-0 % PM | Çift i martuar 2 fëmijë sa 100-67 % PM | Çift i martuar 2 fëmijë sa 100-100 % PM | Çift i martuar pa fëmijë sa 100-67 % PM |
Paga mesatare Tr.IV 2023 | 31.8 | 35.7 | 44.5 | 15.9 | 25.0 | 27.8 | 30.4 | 34.2 |
Paga mesatare Tr.II 2024 | 31.8 | 35.7 | 44.5 | 15.9 | 25.0 | 27.8 | 30.4 | 34.2 |
https://www.instat.gov.al/media/13100/pagat_press_release-t4_-2023-altcom_rishikuar.pdf | ||||||||
https://www.instat.gov.al/media/13892/pagat_press_release-t2_-2024-altcom.pdf |
Por, në atë që shihet si tendencë e rritjes së pagës mesatare duket se pesha margjinale e taksave të punës do të ketë tendencë rritje të ulët, pasi nuk parashikohet që ligji të ketë ndryshime në përfitimet familjare të krediteve tatimore.
Vini re! Në këtë diferencë duhet mbajtur parasysh se në tremujorin e katërt të çdo viti përfshihen edhe pagat e trembëdhjeta dhe shpërblimet e fundvitit, që rrjedhimisht rritin vlerën statistikore të pagës mesatare.
Ndërkohë, nga krahasimi i peshës së taksave të punës në tremujorin e katërt 2022 me tremujorin e katërt 2023, sipas tabelës më poshtë vërejmë ndryshime në rritje të peshës margjinale tatimore.
Shqipëria | Beqar pa fëmijë sa 67 % PM* | Beqar pa fëmijë sa 100 % PM | Beqar, pa fëmijë sa 167 % PM | Beqar me 2 fëmijë sa 67 % PM | Çift i martuar 2 fëmijë sa 100-0 % PM | Çift i martuar 2 fëmijë sa 100-67 % PM | Çift i martuar 2 fëmijë sa 100-100 % PM | Çift i martuar pa fëmijë sa 100-67 % PM |
Paga mesatare Tr.IV 2023 | 31.8 | 35.7 | 44.5 | 15.9 | 25.0 | 27.8 | 30.4 | 34.2 |
Paga mesatare Tr.IV 2022 | 32.1 | 35.0 | 31.2 | 14.0 | 22.9 | 24.9 | 28.9 | 33.8 |
https://www.instat.gov.al/media/13100/pagat_press_release-t4_-2023-altcom_rishikuar.pdf | ||||||||
https://www.instat.gov.al/media/11344/statistikat-e-pagave-t4-2022.pdf |
- Pesha e taksave të punës për familje me pagë të vetme, status beqar dhe pa fëmijë (Tr.4 2023/Tr.4 2022)
Një familje me një pagë të vetme në vlerë sa 67% e pagës mesatare, me status beqar pa fëmijë ka një rënie të barrës së taksave të punës me 0.3%. Kjo rënie vjen për arsye të ndryshimit të pragjeve të taksimit të pagës. Kjo fashë page është mbi nivelin minimal të pagës dhe i përket fashës së dytë dhe të tretë. Ky grup përbën rreth 29.5% të punëmarrësve të vendit.
Në vijim ne analizojmë barrën tatimore të familjes me pagë të vetme në vlerën e pagës mesatare, me status beqar dhe pa fëmijë shikojmë një rritje të barrës tatimore në tremujorin e katërt 2023 me 0.7%. Kjo fashë page është në pozicionin midis 60 deri 90 mijë lekë në muaj dhe përfshin deri 20% të punonjësve që përfitojnë këtë nivel page.
Rritjen më të madhe e shikojmë te familja me një pagë të vetme, me status beqar dhe pa fëmijë, ku në fund të tremujorit të katërt 2023 pesha e taksave të punës është rritur 13.3% më shumë duke përfshirë atë fashë të punonjësve që është në nivelin e pagës 128.6 mijë lekë dhe gjendet në rrjeshtin e parafundit të nivelit të pagave më lart. Nëse paga rritet edhe më tej kjo peshë e taksave të punës është edhe më e lartë.
- Pesha e taksave të punës për familje me dy paga, në çift me dhe pa fëmijë (Tr.4 2023/Tr.4 2022)
Një familje në çift, me 2 fëmijë, me vetëm një pagë në nivelin e pagës mesatare, në fund të tremujorit të katërt 2023 ka një barrë margjinale tatimore me 2.1% më shumë se në fund të tremujorit të katërt 2022. Pesha kryesore vjen nga tatami mbi pagën, i cili për pagat mesatare rritet me rritjen e vlerës së tyre, ku përfitimet nga deklarimi fëmijëve mbeten të njëjta.
Një familje në çift me 2 fëmijë, me dy paga, ku paga e parë është sa paga mesatare dhe paga e dytë është në nivelin sa 67% të pagës mesatare ka përsëri një rritje të peshës margjinale të taksave të punës me 2.9%, e cila rritet nga rritja e nivelit të pagave të familjes, ndërsa lehtësimi për fëmijët mbetet në të njëjtat shuma përfituese sin ë rastin më lart.
Një familje në çift me 2 fëmijë, me dy paga sa paga mesatare ka një rritje të peshës margjinale të taksave të punës me 1.5%, e cila është një rritje e peshës margjinale më e ulët se tipi i familjes më lart, për arsye se niveli i normës së tatimit në vitin 2022 për pagat nën pagën mesatare ishte më i ulët dhe pesha ishte më e ulët. Ndërkohë, në vitin 2023 rritja e vlerës së pagës mesatare ka një efekt rritë edhe te paga nën pagën mesatare duke rritur tatimin mbi të dhe rrjedhimisht edhe peshën margjinale.
Ndërkohë, në rastin e një familje në çift pa fëmijë, me dy paga, ku paga e parë është sa paga mesatare dhe paga e dytë është në nivelin sa 67% të pagës mesatare ka një rritje të peshës margjinale të taksave të punës, për arsyen se është rritur vlera mbi të cilën llogariten tatami mbi pagën dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, sipas logjikës së sqaruar edhe në paragrafët më lart.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.