PESHA E TAKSAVE TË PUNËS PËR FAMILJET NË SHQIPËRI KRAHASUAR ME VENDET E OECD

Në këtë analizë qëllimi kryesor është vlerësimi i taksimit të punës si një politikë me interes të rëndësishëm pasi taksat e punës janë burime të rëndësishme të të ardhurave të buxhetit te qeverisë, por nga ana tjetër janë elemntë ndërtuesë të politikave sociale duke ndikuar direkt në programet e lidhura me shpenzimet e mirëqenies dhe kohezionit social[1].

Vëmendja dhe përgjegjshmëria e politikave duhet të kutpohet nëpërmjet këtij punimi me objektivin për të lehtësuar peshat e larta tatimore për të ardhurat e ulëta, ndërkohë që duhet përmirësuar skema e progresivitetit të tatimit mbi të ardhurat personale.

Rezultatet tregojnë se pesha mesatare e tatimeve për pagën e dytë ishte më e lartë se për punëmarrësit beqarë në shumicën e vendeve të OECD në vitin 2023. Diferencat ishin kryesisht për shkak të tatimit të përbashkët ose pranisë së lehtësimeve tatimore, që ishin në dispozicion vetëm për një bashkëshort ose vareshin nga përfitimet e përbashkëta. Rezultatet tregojnë gjithashtu se pesha mesatare tatimore ishte më e lartë për një pagë të dytë që fillon punën me 100% të pagës mesatare sesa me 67% të saj, si rezultat i progresivitetit të sistemeve tatimore në OECD. Mesatarja e taksave shihet pak më e lartë për ata që marrin pagë të dytë me fëmijë, sesa për ata pa fëmijë.

Mesatarisht në të gjithë OECD-në, kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore (S.SH&SH) të punëdhënësve dhe tatimi mbi të ardhurat janë komponentët më të mëdhenj të peshës tatimore për pagat e dyta. Humbja e përfitimeve të fëmijëve kontribuon në peshën tatimore për personat që me pagë të dytë me fëmijë që fillojnë punë. Për rreth dy të tretat e vendeve të OECD-së, pesha mesatare e tatimeve për punëmarrësit me nivel page të dytë u ul midis 2014 dhe 2023 për familjet e ndryshme të analizuara, në shumicën e rasteve për shkak të tatimit më të ulët mbi të ardhurat. Diferenca midis peshës mesatare tatimore të pagës së dytë pa fëmijë dhe asaj të një page ekuivalente për punëmarrës të vetëm u ngushtua gjithashtu pak gjatë kësaj periudhe.

[1] forca e marrëdhënieve dhe ndjenja e solidaritetit midis anëtarëve të një komuniteti

Përshkrim

Analiza statistikore Pesha e taksave të punës për familjet në Shqipëri KRAHASUAR ME VENDET E OECD ofron një këndvështrim të ri përsa lidhet me ndikimin e barrës së taksave të punës te mënyra se si duhet të ndërtohet një model politike që të përshtatet me mjedisin ekonomik dhe social.

Pesha e tatimit mbi pagën dhe kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri është e lartë dhe ka një ndikim negativ në kërkesën për fuqi punëtore. Por ndikimi tjetër është te frenimi i konsumit të familjeve dhe të fuqizimit të ekonomisë familjare me të ardhura nga puna. Një efekt direkt është edhe  nxitja për rritjen e tregut informal të punës, kryesisht në sektorin privat.

Në këtë drejtim, kjo analizë e cila bazohet dhe është përshtatur sipas logjikës dhe metodologjisë së Raportit të OECD “Taksimi i pagave 2024: Taksa dhe gjinia përmes shikimit të pagamarrësit të dytë në familje(shënimi jonë)” do të synojë të bëjë disa propozime aktuale për reformim strukturor të taksimit të punës dhe lehtësimin e barrës së punëdhënësve duke ulur shumën e peshës tatimore ndaj punës.

Ulja e ngarkesës fiskale është një nevojë që mund të përdoret nga politikëbërësit në momentin kur pritet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me tatimin e të ardhurave personale nga puna, i kuindërshtuar nga disa grupe interesi dhe që kërkon pikërisht ndryshim të barrës tatimore.

Ndërkohë, ne mendojmë se ka ardhur një moment që të aktivizohet edhe Këshilli Tatimor me një Axhendë për Reformimin e tatimit të punës, kryesisht përmes uljes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, por edhe të tatimit të pagës.

Sidoqoftë, vlerësimet e peshës së tepërt të barrës tatimore duhet të merren parasysh në një kontekst krahasues me vendet e ndryshme të eurozonës dhe rajonale.

Në këtë punim ne paraqesim një pasqyrë të peshës tatimore mbi pagën mesatare në individët dhe familjet shqiptare, si dhe karakteristikat e progresivitetit të tij dhe një krahasim i peshës tatimore në Shqipëri me peshën tatimore ndaj të ardhurës nga puna në vendet anëtare të OECD.

Punimi jonë tregon shumën e tatimeve mbi pagat, kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, përfitimet në para për tetë tipe familjesh, të cilat ndryshojnë sipas nivelit të të ardhurave dhe përbërjes së familjes. Në punim mund të shikohet edhe norma mesatare[1] dhe margjinale[2] e tatimeve që rezultojnë dhe zbatohen në vendet e OECD dhe Shqipëri.

[1] Norma mesatare e tatimit tregon pjesën e të ardhurave bruto nga paga ose kostot totale të punës që merret në tatimet mbi të ardhurat personale (para dhe pas përfitimeve në para), kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

[2] Norma margjinale e tatimit tregon pjesën e një rritjeje në të ardhurat bruto ose kostot totale të punës që paguhet në këtë tatim.