Përvoja në luftën ndaj informalitetit në Ballkanin Perëndimor

Përvoja në luftën ndaj informalitetit në Ballkanin Perëndimor

Shqipëri, nga sa shihet nga raportimet për nivelin e informalitetit edhe lufta ndaj informalitetit në tregun e punës ka një qasje të ngjashme me luftën ndaj informalitetit në ekonomi.

Mungesa e fokusit dhe korruptimi i vullnetit (moskonsistenca institucionale) për të menaxhuar luftën ndaj ekonomisë informale dhe informalitetit në punësim ka mbajtur të dobëta në këto dekada të fundit ekonominë e vendit, buxhetin e shtetit dhe ka ndikuar në forcimin e kulturës së mospagimit të taksave dhe rritjes së korrupsionit.

Edhe pse ka një ndërlidhje të luftës ndaj informalitetit me programin e reformave ekonomike 2023 -2025[1] nëpërmjet fiskalizimit dhe digjitlaizimit të shërbimeve duket se kjo është një qasje formaliste më shumë se një tregues i fokusit për të luftuar informalitetin.

Në mungesë të kryerjes së funksioneve primare të një shteti të shëndetshëm dhe në shërbim të ardhmërisë dhe të qytetarëve të saj, ndikimi ka qenë i dukshëm edhe proceset integruese, me ndikim në drejtim të rritjes së konkurrencës dhe rritjes afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse.

Sipas Raportit të Sekretariatit të Përgjithshëm të këshillit të BE-së[2] “Ekonomia informale e ka dëmtuar vit pas viti mjedisin e biznesit dhe publikun edhe pse mbledhja e të ardhurave fiskale ka patur ndikim pozitiv në rimëkëmbjen ekonomike dhe tranzicionin ekonomik të vendit. 

Po ashtu, fiskalizimi dhe masat e tjera në këto vite të fundit kanë pasur njëfarë ndikimi.”

Niveli i dobët i administrimit dhe politika fiskale elektorale, të cilat duken në:

  • bazën e ngushtë tatimore për të gjitha tipat e të ardhurave, si dhe
  • qokat politike për përjashtime dhe lehtësi fiskale dhe ekonomike (Shqipëria 1 Euro, investimet strategjike, përjashtimet e sektorëve dhe taksimi i disa të tjerëve)
  • patronazhimi i drejtuesve dhe pjesëtarëve të administratës fiskale duke anashkaluar meritokracinë

kanë zhbërë përpjekjet për të rifituar territoret e humbura prej ekonomisë informale.

Gjithashtu, ngecja e reformave të tjera të rëndësishme për vendin (toka, uji, energjia, strukturore, sociale etj.) kanë dhënë efekt negativ në mbajtjen e fortë të frontit kundër informalitetit.

Ndërkohë, mungesa e një Strategjie kombëtare për parandalimin dhe luftën ndaj ekonomisë informale dhe mungesa e strukturave të dedikuara dhe programeve me objektiva dhe burime të lidhura me rezultatet kanë shërbyer për të mos e fuqizuar luftën ndaj informalitetit në ekonomi dhe punësim, si dhe ndaj evazionit fiskal.

Në referimin e praktikave të vendeve përreth dhe të ngjashëm me Shqipërinë në qasjen e përbashkët të BE-së kundër informalitetit, po vijojmë me rastin e Kosovës.

Në këtë drejtim ka një qasje shumë më serioze prej vitit 2019, ku është miratuar edhe Strategjia Kombëtare për Parandalimin dhe luftën ndaj ekonomisë informale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit financiar, 2019-2023 duke u ndërlidhur edhe me Planin Strategjik të Administratës Tatimore të Kosovës[3] dhe Programin e Reformave Ekonomike 2022 -2024[4].

Nisur nga ky fokus i duhur është arritur vazhdimi i stimulimit të formalizimit të punësimit dhe bizneseve dhe adresimi i evazionit fiskal në sektorët e identifikuar me rrezik të lartë përmes një bashkëpunimi ndërinstitucional më të mirë. Natyrisht, që sfidat e brendshme dhe ato të jashtme kanë ndikuar duke zbehur momente të kësaj lufte që nuk ndalon, por natyrisht në këtë rast duket se vullneti i qeverisë së Kosovës është në nivele të larta.

Kohët e fundit, në drejtim të luftës ndaj evazionit fiskal është azhornuar edhe Kodi doganor duke bërë një bashkim me administrimin e akcizës[5], duke i shërbyer më mirë qëllimit për uljen e informalitetit dhe në funskion të strategjisë përkatëse.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, Strategjia e tatimeve 2020 – 2023[6] synon të adresojë minimizimin e ekonomisë informale në mënyrë të vazhdueshme dhe të luftojë evazionin dhe rritjen e rreziqeve mjedisore që stimulohen nga situata globale. Ndërkohë, duket se tashmë është miratuar Strategjia e re për formalizimin e ekonomisë informale 2023-2025, me një plan veprimi dhe sigurimin e fokusit prej nivelit më të lartë politik.

Në procesin e reformimit tatimor, vlen për tu përmendur si praktikë e mirë nga ky vend fqinj, pranimi i faktit se “…reforma tatimore nuk është një zgjidhje ad hoc për rritjen e menjëhershme të të ardhurave buxhetore në kushtet e krizës. Mbledhja e të hyrave buxhetore është sipas parashikimeve, duke u rishikuar vazhdimisht në rritje në kuadër të Buxhetit Suplementar. Reforma është thelbësore për rritjen e ardhshme ekonomike dhe drejtësinë e sistemit tatimor. Për të qenë e qëndrueshme, reforma po i nënshtrohet një procesi gjithëpërfshirës të një debati të gjerë, krahas analizës së plotë[7].”

Ndërkaq, në Malin e Zi janë ende mbrapa me reformimin lidhur me luftën ndaj informalitetit por edhe procesin e gjithpërfshirjes, që secili të ndihet pjesë përbërëse e frontit evazion.

Ashtu si dhe konstatohet, autoritetet malazeze e kanë të nevojshme “…një vizion të qartë, udhëheqje politike dhe bashkëpunim të mirë ndërmjet biznesit, organizatave të shoqërisë civile, partnerëve socialë, autoriteteve shtetërore dhe lokale për të thyer modelin aktual të progresit nominal[8] dhe zbatimin e çrregullt të reformave që synojnë zvogëlimin e madhësisë dhe shtrirjes së ekonomisë informale. Një plan veprimi gjithëpërfshirës për reduktimin e informalitetit ende nuk është formuluar dhe reformat e qarta dhe veprimet duhet të përgatiten dhe zbatohen mbi bazën e tij[9].”  

Kjo qasje ndaj Malit të Zi duhet parë me kujdes për tu konsideruar për sa i mungojnë edhe Shqipërisë, e cila duket se ka pozita të ngjashme ndaj informalitetit me ato që përmenden më lart. 

Por edhe në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, duket se “mbledhja e taksave kohët e fundit është rritur me dyfish, kryesisht për shkak të inflacionit të lartë, por edhe rezultateve të luftës ndaj ekonomisë informale. Megjithatë, të ardhurat buxhetore mbështetet në një bazë të ngushtë tatimore, e cila dobësohet nga nivelet ende të larta të informalitetit, përjashtimeve, normat preferenciale tatimore dhe regjimet e veçanta”

Edhe pse është bërë progres në fushën e luftimit të ekonomisë informale bazuar te Strategjia dhe plani i veprimit për ekonominë informale, me efekte në rritje të dukshme të të ardhurave tatimore për shkak të rritjes formalizimi, gjithsesi, mungesa e fokusit dhe mbështetjes nga nivelet e larta të poolitikës ndikojnë direkt në rezultetet e luftës ndaj informalitetit duke u shoqëruar me siptomat e përmendura më lart.

Një përvojë e vlefshme për tu studiuar është edhe Turqia, e cila së fundmi po operon ndaj informalitetit me Plan Veprimi për të luftuar ekonominë informale për 2023-2025, i lidhur ngushtë edhe me Programin Afatmesëm 2024-2026[10]. Ajo çfarë e bën interesante këtë nismë është Luftimi i Informalitetit nëpërmjet Fokusit Dixhital për pagat informale dhe me pjesëmarrjen aktive të të gjitha palëve për ta optimalizuatr më mirë edhe përdorimin e instrumentave digjitale.

Gjatë përgatitjes së planit të veprimit, autoritetet mblodhën sugjerime nga publiku, u konsultuan me më shumë se 290 organizata dhe vlerësuan rreth 900 propozime[11].

[1] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2023/02/Economic-Reform-Programme-2023-2025.pdf

[2] Konkluzionet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-ja dhe Ballkani Perëndimor dhe Turqia, 16 Maj 2023

[3] https://www.atk-ks.org/wp-content/uploads/2023/11/ENG-ATK-Plani-Strategjik-1.pdf

[4] https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/08/Economic-Reform-Programme-2022-24.pdf

[5]https://www.kuvendikosoves.org/Uploads/Data/Documents/ProjektKodidoganordheiakcizave_qjbhkTXDey.pdf

[6] https://finance.gov.mk/wp-content/uploads/2020/02/Tax-Strategy_2020_2023.pdf

[7] https://finance.gov.mk/2022/08/14/reducing-the-informal-economy-is-a-key-component-of-the-tax-reforms-and-the-economic-growth/?lang=en

[8] minimale në krahasim me atë që pritet

[9] https://data.consilium.europa.eu/doc/document/ST-9478-2023-INIT/en/pdf

[10] https://www.sbb.gov.tr/wp-content/uploads/2023/09/Medium-Term-Program-2024-2026.pdf

[11] https://www.hurriyetdailynews.com/action-plan-to-fight-informal-economy-unveiled-179475

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: