Përmirësimi i administrimit tatimor të biznesit të vogël në Shqipëri

Përmirësimi i administrimit tatimor të biznesit të vogël në Shqipëri

Krijimi i zyrës së veçantë të tatimpaguesve të mëdhenj ne 2002, si strukturë përgjegjëse për administrimin e më shumë se 800 tatimpaguesve të mëdhenj, si dhe forcimi i kapaciteteve te saj, tregoi se fokusii i reformës së administrimit tatimor në maksimizimin e mbledhjes së të ardhurave tatimore për buxhetin ishte ai i duhuri.

Por, çfarë i ka munguar nga ajo periudhë e deri më sot fokusit të politikës fiskale?

Vëmendja që i është dhënë bizneseve të vogla në praktikë vijon të jetë ende e kufizuar, megjithë masat lehtësuese të politikës fiskale herë pas here.

Administrimi tatimor në Shqipëri në disa periudha historike madje ka tentuar të dekurajojë përfshirjen e bizneseve të vogla në regjistrin e taksave për shkak të kostove të larta administrative. Kjo qasje duket e tillë, nëse e shikojmë sipas një këndvështrimi të kthjellët administrativ të raportit kosto-përfitim.

Shpenzimet administrative të mbledhjes janë duke u ulur përtej një pike të lartë që ka qenë vite më parë, qëkurse kanë filluar përpjekjet për të rritur shkallën e pajtueshmërisë së tatimpaguesve ndaj ligjit. Kjo kosto është ndikuar nga kapaciteti i administratës tatimore, si dhe madhësia dhe strukturimi i grupeve të tatimpaguesve potencialë të vështirë për tu taksuar. Bizneset e vogla formojnë grupin kryesor të tatimpaguesve që janë të vështirë për tu taksuar.

Nuk është e pazakontë që një përqindje e madhe e bizneseve të vogla të veprojnë në informalitet dhe jo në ekonominë formale. Por, bizneset e vogla në asnjë mënyrë nuk përbëjnë burimin e vetëm të aktiviteteve ekonomike informale. Të dhënat në lidhje me madhësinë e ekonomisë së nëndheshme ende mund të sigurojnë një baze te vlefshme informacioni, për të parë në brendësi problemin qe është shtruar prej shume vitesh për zgjidhje.

Ndërsa ka një korrelacion të caktuar në mes të madhësisë së ekonomisë informale dhe nivelit të mos pajtueshmërisë me sistemin tatimor, një ekuacion i plotë është çorientues. Nuk është e habitshme, që hulumtimet tregojnë një lidhje reciproke në mes të stabilitetit te bizneseve të vogla dhe qëndrimeve të tyre lidhur me pajtueshmërinë ndaj taksave. Sa më e lartë përqindja e bizneseve të vogla me adresa fikse dhe me vite te shumta të aktivitetit në të njëjtin vend, aq më e lartë do të jetë përqindja e pajtueshmërisë me sistemin dhe volumin e regjistrimit të tyre në organet tatimore.

Por, përmirësimi i administrimit tatimor të biznesit të vogël nuk duhet të shihet thjesht nga këndvështrimi i përfitimit afatshkurtër të të ardhurave për buxhetin. Për çdo sistem tatimor të biznesit të vogël në radhë të parë është e nevojshme të ekzistojë një administratë efikase, profesionale dhe e ndershme me të që e konsideron si të nevojshme zbatimin e rregullave të sistemit tatimor ashtu si ato janë të shkruara.

Përmirësimi i administratës tatimore të biznesit të vogël gjithashtu duhet të konsiderohet si një investim afatgjatë në përmirësimin e sjelljes dhe pajtueshmërisë së biznesit të vogël. Menaxhimi i pajtueshmërisë së biznesit të vogël kërkon reforma organizative dhe procedurale, të cilat vënë administratën tatimore në një pozicion që duhet të adresojë në mënyrë specifike faktorët dhe rrethanat të cilat ndikojnë në rritjen e barrës së pajtueshmërisë. Reformat duhet të mundësojnë për administratën tatimore që në mënyrë efikase të luftojë evazionin fiskal në komunitetin e bizneseve të vogla.

Zbatimi i plotë i qasjes së filluar vite më parë për një segmentim të tatimpaguesve dhe përshtatja e strukturës së administratës tatimore sipas kësaj ndarje të bizneseve mund të lehtësojë ndjeshëm trajtimin e nevojave specifike, por dhe sfidat e menaxhimit të pajtueshmërisë për bizneset e vogla.

Në Shqipëri, krijimi i zyrës së veçantë të Tatimpaguesve të mëdhenj, e cila llogaritet se garanton 48% – 52% të totalit të të ardhurave tatimore ka qenë një hap i suksesshëm i parë në këndvështrimin e segmentimit të tatimpaguesit. Ajo jo vetëm ka rezultuar me menaxhim më të mirë të pajtueshmërisë, por edhe me shërbime më të plota dhe më të mira të parashikuara për këtë grup taksapaguesish. Megjithatë edhe kjo strukture prej pak vitesh tashme mban një peshe më te vogël se arsyeja per te cilën u krijua.

Ndërkohë, disa vende kohët e fundit kanë filluar të hapin zyra për administrimin e tatimpaguesve të mesëm, si një segment tjetër i rëndësishëm në menaxhimin e pajtueshmërisë tatimore.

Por, hapi tjetër logjik dhe i domosdoshëm në segmentimin e tatimpaguesve është krijimi i dedikuar i zyrave të veçanta për taksapaguesit e vegjël, të cilat ofrojnë strukturë organizative të nevojshme për të adresuar nevojat specifike të bizneseve të vogla.

Një strukturë e tatimpaguesve të vegjël duhet të ketë disa detyra të rëndësishme, ku asnjëra prej të cilave duket të mos jetë bërë deri tanimë. Për shembull, një strukturë e mirë e tatimpaguesve të vegjël duhet ta bëjë jetën e taksapaguesve më të lehtë se sa e kanë patur duke ulur mundësinë për kontrolle dhe komunikime vend e pa vend, si dhe duke ulur kompleksitetin e rregullave tatimore. Ajo duhet gjithashtu ta bëjë jetën e zyrtarëve të taksave më të lehtë duke vendosur tregues performance, që mund të verifikohen lehtë.

Ndërkohë, që për të ndihmuar shëndetin e sistemit tatimor në tërësi, struktura e tatimpaguesve të vegjël duhet të sigurojë se ata që janë në sistem mbajnë të paktën regjistra dhe të dhëna minimale për aktivitetin e tyre.

Por, pavarësisht vëmendjes së segmenteve të tatimpaguesve të mesëm dhe të vegjël, asnjëherë nuk duhet të rezultojë në ulje të përpjekjeve të administratës tatimore për të siguruar pajtueshmërinë e tatimpaguesve të mëdhenj. Tatimpaguesit e mëdhenj në çdo moment mbeten pika qendrore për të siguruar të ardhurat e duhura për buxhetin. Përmirësimi i administrimit të taksave të biznesit të vogël nuk duhet të arrihet në dëm të efikasitetit të administrimit të tatimpaguesve të mëdhenj.

Politika tatimore duhet ti japë theks të veçantë zhvillimit të programeve të shërbimit të tatimpaguesit të orientuar sipas nevojave. Tatimpaguesit e vegjël duhet të dinë dhe të kuptojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre. Përvoja ka treguar se edhe në vendet e përparuara të OECD-së tatimpaguesit e vegjël shpesh nuk janë të vetëdijshëm për elementë të rëndësishëm të sistemit tatimor për biznesin e vogël.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një sondazh i kryer nga PWHC tregoi se niveli i vetëdijes për mundësitë për tatimpaguesit e vegjël për stimuj dhe lehtësi tatimore ishte vetëm 41%, ndërsa niveli aktual i përdorimit të këtyre skemave ishte vetëm 11%.

Stimujt e taksave dhe masat e politikës për të lehtësuar pajtueshmërinë ndaj taksave janë jo-efektive për sa kohë që tatimpaguesit nuk marrin ndihmën e dedikuar për ti kuptuar dhe zbatuar këto masa. Kjo kërkon nga autoritetet tatimore që të hartojnë dhe të ofrojnë materiale informative dhe kurse trajnimi specifike sipas nevojave dhe kultures fiskale.

Gjithashtu, vizita këshilluese nga stafi i administratës tatimore për bizneset e reja të vogla, të krijuara rishtazi mund të jetë një kontribut i rëndësishëm dhe shërbim efektiv për taksapaguesit.

Caktimi i përfaqësuesve të veçantë për shërbime ndaj tatimpaguesve të vegjël, si persona të përhershëm kontakti në rast të ankesave ose pyetjeve që mund të kenë është një mënyrë e mirë për të ndërtuar besimin, për përmirësimin e marrëdhëniet mes biznesit të vogël dhe administratës tatimore, si dhe për të adresuar saktë nevojat e shërbimit.

Një praktikë që mund të huazohet në këtë drejtim mund të konsiderohet shërbimi që kryen mjeku i familjes.

Një qasje inovative për të lehtësuar pajtueshmërinë e biznesit të vogël mund të jetë krijimi i qendrave të posaçme të shërbimit për bizneset e vogla. Këto mund të integrohen në qendra të veçanta që krijohen në bashkëpunim me institucionet e tjera në ndihmë të këtij segmenti të biznesit.

Më e rëndësishmja në gjithë këtë proces reformimi është qëllimi politik që duhet të jetë shumë i qartë dhe konsekuent për ta bërë sistemin e taksave në tërësi më të efektshëm dhe të barabartë për gjithë segmentet e tatimpaguesve.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: