Për rritjen e pagës minimale dhe efektin tek informaliteti
Pagat minimale kanë një efekt pozitiv dhe domethënës kryesisht në pagat e sektorit formal. Megjithatë, kjo nuk duket se ndikon dhe ka ndonjë efekt të rëndësishëm në pagat e sektorit informal. Duke studiuar efektin për punonjësit që punojnë në sektorin informal, shihet se efikasiteti i pagave minimale si një mjet për zbutjen e varfërisë në këto grupe është i kufizuar dhe përfitimet e tyre janë të ulët dhe të pambuluara si dhe kur duhet nga politikat sociale.
Për shkak të burimeve të kufizuara fiskale, paga minimale duhet të jetë një instrument i mundshëm për t’u lejuar punonjësve një standard jetese mbi minimalen.
Megjithatë, edhe pse me rritjen që u vendos nga qeveria paga minimale prej tremujorit të dytë 2023 arriti në 40 mijë lekë në muaj, kryesisht për të përballuar koston e shtrenjtuar duket se me këtë nivel të lartë të çmimeve të tregut (formal dhe informal) kjo pagë[1] nuk arrin dot të mbulojë standart mesatar jetese[2].
Problemi i nivelit të pagës minimale dhe pagave të mesme dhe të larta është një diskutim më vete lidhur me përballjen e jetesës me të ardhurat nga puna. Ajo që ne kemi diskutuar edhe më herët për këtë temë është përshtatja e një politike taksimi të drejtë për dypunësimet dhe zbatimi i barazisë fiskale për punonjësit.
Analiza jonë sot orientohet se si ndikon te informaliteti paga minimale ashtu sa është miratuar nga qeveria në vitin 2023.
Aktualisht efektiviteti i këtij instrumenti duket se është i kufizuar për shkak të strukturës së dyfishtë të tregut të punës me një sektor formal të mbuluar nga politikat e tregut të punës, siç është paga minimale, si dhe një sektor i madh informal ku ligji për pagën minimale nuk aplikohet dhe madje as edhe legjislacioni i tregut të punës.
E gjithë dilema e zbatimit të drejtë dhe gjithpërfshirës i politikës së pagës minimale është pazgjidhshmërisht e lidhur me nivelin e informalitetit.
Niveli i punësimit për vitet 2021 – 2023 në sektorin informal ra me vetëm 3.2%[3] krahasuar me rritjen e shpejtë të pagës minimale[4] me 53.8%. Për më tepër, nga analizat e kryera nga studiuesit vërehet se paga minimale rriti pabarazinë e përgjithshme në sektorët më të ekspozuar ndaj saj (bujqësia, shërbimet e ndryshme dhe ato ndërtimore, si dhe shërbimet e ushqimit dhe akomodimit) për shkak të efekteve të forta në rritje të pabarazisë në sektorin informal.
Në mënyrën se si është zbatuar paga minimale, duket se nuk ka patur efekte të përhapura.
Së pari, një pjesë e madhe e fuqisë punëtore është e vetëpunësuar ose punon si punonjës të papaguar të familjes në bizneset mikro dhe të vogla dhe kjo ka rritur mundësitë për informalitet. Për këto grupe “të pambuluara” ose “joformale”, legjislacioni i pagës minimale zakonisht nuk zbatohet.
Së dyti, niveli dhe kapacitetet ligjzbatuese kundër informalitetit janë frenuar nga rritja e nivelit korruptiv dhe kjo shfaqet në të ardhurat e pakta që mblidhen nga kontributet e sigurimeve në sektorët më lart.
Nëse e shikojmë nga efekti që do të kishim në rast të kundërt nga sa argumentojmë më lart, atëherë zbatimi i pagës minimale do të ishte i dukshëm, pasi do të kishim një rënie të ndjeshme të punësimit në sektorin informal dhe një rritje të ndjeshme të punësimit në sektorin formal.
Ndërkohë, në një model konkurrues të tregut të punës (pa informalitet), nëse paga minimale do të zbatohej sipas nivelit aktual, natyrisht që kjo politikë do të shkaktonte një ulje të kërkesës për punë të bizneseve duke gjeneruar kështu papunësi, ose do të kishim mbyllje të pjesshme të bizneseve, për arsye të rritjes së menjehershme të kostove. Paga minimale u bë dukshëm më e detyrueshme në sektorin formal, me një rritje shumë të lartë që në fakt e bëri të kushtueshme në shumë pak kohë koston e punës së bizneseve.
Futja e pagës minimale në sektorin formal si rregull duhet të ulë kërkesën për punë të bizneseve dhe redukton punësimin në sektorin formal. Punëtorët kalojnë në sektorin informal, duke zhvendosur kështu kurbën e ofertës së punës lart, gjë që çon në ulje të pagave dhe rritje të punësimit në sektorin informal, por edhe në një rritje të presionit për sektorin formal për rritje të pagës pa rritje të aftësisë së punonjësve që gjithsesi merren nga tregu informal.
Në fakt kjo nuk ka ndodhur, pasi nëse i referohemi statistikave zyrtare[5] nuk ka pakësim të numrit të bizneseve sipas bilancit të hapjeve dhe mbylljeve të tyre. E gjitha kjo tendencë e tregut ka një shpjegim të vetëm: menaxhimin nga biznesi të informalitetit sipas mënyrave si kryhet ai në tregun shqiptar.
Edhe pse bizneset mund të shmangin pagën minimale duke operuar informalisht, rritja e pagës minimale e miratuar pa analizat e nevojshme dhe pa konsumtimet me të gjitha grupet e bizneseve ka dhënë efektin e rritjes së pabarazisë së përgjithshme.
Prania e sektorit informal nënkupton se mund të ketë pasoja të padëshiruara prej pagës minimale. Politikat që synojnë të reduktojnë pabarazinë mund të përfundojnë duke e rritur atë për shkak të marzhit informal të rregullimit. Në disa sektorë si ata më lart, një rritje në pagën minimale ka rritur si madhësinë e fuqisë punëtore informale, po ashtu dhe pabarazinë e të ardhurave midis punonjësve informalë (sipas moshës dhe gjinisë).
Punonjësit informalë sipas INSTAT 2023 përbëjnë rreth 26.2% të sektorëve ekonomikë pa bujqësinë. Nga matje dhe sondazhe të kryera rezulton se niveli i informalitetit bashkë me sektorin e stërmadh bujqësore kalon nivelin sa 35% të fuqisë punëtore, ku shumica e tyre fitojnë paga më të ulëta dhe janë dukshëm më pak të arsimuar/aftësuar se punonjësit formalë.
Nga përvoja e vendeve[6] që kanë patur efekt pozitiv në formalizimin e tregut të punës pas rritjes së pagës minimale vlen të përmendim ato vende që kanë bërë rregullime të saj çdo vit, që nuk konsiderohen si rritje relativisht të larta për bizneset dhe ku ka një sektor jo të madh informal.
Nërkohë në Shqipëri, efekti i dobët në luftimin e informalitetit të tregut të punës nëpërmjet politikës së pagës minimale duket se është ndikuar nga mungesa e politikave dhe masave harmonizuese të një rritje graduale dhe në sinkron me koston e jetesës, me nivelin e informalitetit për të caktuar burimet e nevojshme, me kapacitete administrative pa korrupsion masiv dhe bazuar te meritorkracia dhe një vullnet konseguent i qeverive shqiptare të dekadave të fundit për të ndikuar pozitivisht dhe jo elektoralisht me pagën minimale.
Së pari, rritja e pagës minimale në terma realë për shumë vite në dy dekadat e fundit ka qenë shumë e ulët dhe kjo ka provokuar efekte të përgjithshme negative në punësimin formal. Si rrjedhojë, efektet në lidhje me pagën minimale nuk kanë shërbyer si një stimul i diferencuar i kostos lokale të jetesës, e cila ndryshon nga njeri rajon te tjetri. Paga minimale mund te aplikohet progresive bazuar mbi kostot rajonale të jetesës së familjeve duke shërbyer realisht si nje stimul, por duke mbajtur nje dysheme kombetare. Ky diferencim mund të krijojë zhvendosje të brendshme (migrim), pasi niveli i pagës minimale në funksion të kostos së jeteses nuk e bën tërheqëse lëvizjen vetëm nga kjo politikë.
Së dyti, punëdhënësit kanë shfrytëzuar dobësitë e politikës dhe administrimit dhe kanë përdorur kanale rregullimi të tjera përveç punësimit formal për të menaxhuar rritjen e kostove të punës dhe të biznesit në tërësi. Kjo situatë vazhdon ende…
Së treti, kontributi relativisht i vogël i rritjes së pagës minimale reale në rritjen e pagave të sektorit formal tregon se nga pagat minimale mund të përfitojnë punëtorët e sektorit formal, por këta nuk janë zëvendësues për një ekonomi me pak investime në arsim/aftësim që do të ndikonte të rriste pagat dhe mirëqenien e punonjësve edhe në sektorin informal.
Ne besojmë se zvogëlimi i madhësisë së sektorit informal dhe zhvendosja e forcës formale të punës nga paga minimale e detyrueshme, përmirësimi i cilësisë së forcës së punës mundet që të lejojë që më shumë punëtorë të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, duke zbutur pasojat e padëshiruara të kësaj politike aktuale të tregut të punës.
[1] e cila me mbajtjen nga punëdhënësi e detyrimeve të kontributeve sociale arrin në 35.5 mijë lekë/muaj
[2] Në vitin 2022, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje, e përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, vlerësohen me 88.367 lekë, me tendencë rritje më tej me 8.6% në 2023 (95.966 lekë) dhe 2.1% në 2024 (97.981 lekë/muaj)
[3] https://www.instat.gov.al/media/10066/tregu-i-punes-2021.pdf
https://www.instat.gov.al/media/13552/tregu-i-punes-2023.pdf
[4] https://www.instat.gov.al/al/temat/tregu-i-pun%C3%ABs-dhe-arsimi/pagat/#tab3
[5] https://www.instat.gov.al/media/13413/regjistrat-e-biznesit-2023.pdf
[6] https://izajold.springeropen.com/articles/10.1186/s40175-015-0036-4
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.