Për një Shqipëri elastike me një mendësi 180 gradë, ndryshe nga deri më sot

Për një Shqipëri elastike me një mendësi 180 gradë, ndryshe nga deri më sot

Pas një rikuperimi të fortë ekonomik në vitin 2021, Shqipëria u godit në 2022 nga një kosto e lartë energjitike, e nxitur në një masë të konsiderueshme nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, por më së shumti mbeti e paqartë se sa të përgatitura ishin burimet e brendshme për ta zbutur efektin e papritur të tregut të huaj[1].

Inflacioni u rrit dhe aktiviteti ekonomik u ngadalësua në vitin 2022. Ekonomia duket se shfaqi pak elasticitet[2] dhe pse inflacioni ishte shumë më i ulët se vendet e tjera të Ballkanit dhe BE-së. Kjo do të thotë se problemi me elasticitetin e ekonomisë shqiptare na provoi se aftësia për të parashikuar, përshtatur dhe për të shfrytëzuar kushtet në ndryshim në avantazh të produktivitetit nuk është efektive me këtë mendësi politike dhe këtë ambjent ekonomik e social.

Ky konstatim merr kuptim për të sqaruar situatën e ekonomisë dhe familjeve shqiptare lidhur me varësinë shumë të ulët nga ndërprerja e gazit rus.

Miopia politike  për ti pararendur krizave ciklike që kanë hyrë në ekonominë tonë ashtu si te secili vend prej të paktën 1 dekade, si dhe vetë izolimi mazhorances brenda grupimit te vet është sqarimi me i përshtatshëm per këtë situate.

Natyrshëm që të gjithë shpresonim për një reagim të fortë të politikës duke përfshirë kontrollet e çmimeve për karburantet, për kontributin ne ekonomi te reformave ne sektorin e energjisë elektrike, reduktimet e taksave për produktet e karburantit dhe shportës se ushqimeve, pagesat e shtuara te transfertave nga buxheti për disa shtresa popullsie nga më nevojtaret, si dhe masat konsistente për të mbështetur bizneset.

Në vitin 2022 vijoi një plan masash dhe reagimesh, si nga buxheti i shtetit, por edhe nga institucionet dhe kjo frymë politike zbuti ndikimin e goditjes së çmimit të energjisë, por ka qenë e kushtueshme për qeverinë dhe tregues i një shënjestrim i te gabuar i buxhetit per përballimin e kostove sociale.

Pjesërisht për shkak të masave mbështetëse ndaj infrastrukturës shume te kushtueshme, deficiti buxhetor i Shqipërisë ka mbetur i lartë dhe borxhi do të vijojë të jetë i rritur në raport me produktin e brendshëm bruto. Niveli i borxhit publik po qëndron i rritur gjithashtu në krahasim me homologët e Ballkanit të Hapur dhe Kosovës e Malit të Zi. Për ta afruar buxhetin drejt ekuilibrit dhe për të vendosur treguesin e borxhit në një rrugë rënëse, qeveria në vijimësi duhet të arrijë një konsolidim të konsiderueshëm fiskal në periudhën afatmesme dhe lehtësim të zhvillimit në segmente më pak të zhvilluar të qeverisjes, për të përmirësuar aftësinë e tyre për të shlyer detyrimet e tyre të borxhit..

Kjo mund të fillojë duke përfituar nga heqja graduale e mbështetjes për energjinë dhe një verifikim të performancës së kontratave PPP për të filluar uljen modeste të deficitit fiskal në vitin 2023.

Por më së shumti qeverisja vuan nga një planifikim jo i mirë në politikat strategjike. Kjo mendësi duhet ndryshuar duke punuar për një forcim të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së institucioneve per rivendosje te besimit te publikut te modeli i qeverisjes.

Lufta ndaj korrupsionit duhet të kthehet një objektiv parësor për secilin nga institucionet publike dhe bazuar mbi një analizë të plotë, gjithpërfshirëse dhe transparente.

Më pas mund të pasohet nga një konsolidim i qëndrueshëm, i mbështetur nga displinimi i shpenzimeve (frenimit të kontratave PPP dhe të tjera të ngjashme), duke lënë hapësirë ​​për të përshpejtuar investimet dixhitale dhe në sektorët që e kanë të nevojshme mbështetjen e qeverisë.

Qeveria ka bërë pak për të paraqitur masa te reja të guximshme apo azhornim të reformave të filluara prej gati 1 dekade e vijim dhe që kanë mbetur në vendnumëro, apo që nuk janë brenda pritshmërive.

Prandaj, është e nevojshme që rregullisht të bëhet një bilanc i reformave më të fundit bazuar te llogaridhënia dhe përgjegjshmëria. Një analizë e thelluar e reformave nevojitet për të verifikuar performancën e qeverisjes, por edhe ekonomisë së vendit duke reflektuar ndryshimet në strukturën demografike, në ekonomi, në tregun e punës, si dhe në dinamikën e politikave.

E gjitha kjo qasje në koordinim me aktorët dhe grupet aktive të interesit në Shqipëri është thelbi i mendësisë ndryshe per te rritur elasticitetin ekonomik dhe social për të gjallëruar potencialin e rritjes, duke reduktuar kostot fiskale, duke përfshirë përfitimet e rishikuara të papunësisë që do të ndihmojnë në rritjen e ofertës së punës, si dhe një reformë gjithëpërfshirëse të pensioneve që synon të balancojë sistemin e pensioneve dhe të rrisë normën e punësimit të punëtorëve të moshuar duke e afruar modelin e skemave të pensioneve private sipas të paktën mesatares së BE-së.

Drejtimet e tjera për reformën fiskale mund të përfshijnë fusha ku shpenzimet tejkalojnë shumë ato të vendeve homologe në Ballkanin e Hapur, ose ku rezultatet janë nën standarde. Në këtë konstatim përfshihen përjashtimet e pa analizuara për tatimet dhe taksat dhe veprimet e ardhme do të duhet të bazohen mbi kosto – përfitimin, riformatimin për përfitimet sociale, kujdesin shëndetësor dhe shpenzimet vendore duke vendosur si parakusht disiplinën dhe menaxhimin financiar, sipas rekomandimeve nga institucionet monitoruese. Gjithë kjo vërehet se ende nuk është e zbatuar sa duhet nga sistemi i financave publike shqiptare.

Përshpejtimi i reformave strukturore për të ndërtuar kapacitetet e administratës tatimore dhe forcuar përfitimet ende të pandjeshme nga investimet në dixhitalizim dhe qeverisjen elektronike nuk po tregojnë atë rritje të transparencës, apo ndikimin e tyre në uljen e flukseve të paligjshme monetare.

Përtej masave fiskale, reforma të tjera mund të nxisin potencialin e rritjes, si hapat për të përshpejtuar diversifikimin më të shpejte të burimeve energjetike, përmirësimet në tregjet e produkteve dhe shërbimeve për të rritur konkurrencën. Po aq ne sinkron vlejnë dhe përpjekjet për të përmirësuar aftësitë e punëtorëve dhe për të rritur efikasitetin e sistemit arsimor, veçanërisht atij profesional në përshtatje me kërkesat e të rinjve që po i kërkojnë dijet dhe punën jashtë vendit.

Le të nise ndryshimi me rritjen e qëndrueshmërisë duke nxitur elasticitetin ne tregtinë dhe shërbimet brenda vendit, veçanërisht në prodhimin e produkteve për të mbrojtur ekonominë nga çmimet e paqëndrueshme të mallrave që munden të arrijnë një pavarësi relative.

Nëse mund ta përmbledhim sa më lart, sipas këndvështrimit qytetar duket se është prioritare ndryshimi i mendësisë per përmirësimin e qeverisjes institucionale. Ndërkohë, qeveria dhe gjithë politikanet e pakorruptuar duhet te përkrahin miratimin e paketave shumëvjeçare, që mund të nxisin produktivitetin e sektorit privat bazuar te mësimet nga gabimet dhe mëkatet deri me sot.

Kjo vlen veçanërisht të kryhet nëpërmjet miratimit të paketave të plota reformuese për sektorin financiar duke i dhënë prioritet p.sh. skemave të pensioneve private të detyrueshme, që mundet në pak kohë të mobilizojnë burimet financiare të Shqipërisë për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm dhe zëvendësimin e mendësisë se përfitimit nga politika amnistuese dhe diskriminuese per tatimpaguesit e ndershëm.

Marrja e veprimeve vendimtare për të reduktuar diferencat sociale, deficitin ne edukimin e te rinjve dhe forcimin e ligjit nevojitet të arrihet nëpërmjet të vepruarit me një mendësi 180 gradë ndryshe nga deri më sot.

Këtë munden ta bëjnë qytetaret si nje oponence qe mundet të zëvendësojë opozitën e korruptuar, si dhe ata pak politikane dhe elite e pakorruptuar nga sistemi aktual.

[1] Nga njëra anë, duket se shoqëritë e sektorit të tregtimit të karburanteve nuk kishin zbatuar kriteret ligjore për rezervat e detyrueshme të sigurisë dhe nga ana tjetër, vetë institucionet nuk kanë zbatuar detyrat mbi garantimin nga subjektet tregtare të rezervave për të pararendur ngritjen e menjëhershme të çmimit të karburanteve për konsum.
[2] Ekonomia elastike (ang. resilient economy) u siguron qytetarëve burime të menaxhuara në mënyrë të qëndrueshme, infrastrukturë të besueshme dhe aftësi për të luftuar kërcënimet natyrore dhe të shkaktuara nga njeriu.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: