Ndikimi i taksave dhe adresimi gjithpërfshirës për uljen e inflacionit

Ndikimi i taksave dhe adresimi gjithpërfshirës për uljen e inflacionit

Në një ekonomi tregu me dimensionet e tregut fizik shqiptar, ndryshimet në variablat e tillë, si: oferta e parasë dhe niveli i çmimeve nuk mund të kenë efekte reale të rëndësishme njësoj si në vendet me treg të madh dhe transaksione e situata komplekse.

Ndërsa rritja e ofertës monetare mund të ketë efekte reale afatshkurtra për shkak të ngurtësimit të pagave ose çmimeve, në terma afatgjatë pagat dhe çmimet përshtaten dhe bizneset detyrohen tashme ti bazojnë vendimet e tyre në çmimet reale.

Ndryshimet e pritshme në inflacion duhet të kenë pak implikime reale ekonomike, me përjashtim të zvogëlimit të mbajtjes reale të parave të gatshme (dhe likuiditeteve të tjera të pashlyera) dhe disa kosto shtesë printimi (përveç nëse paratë dixhitalizohen plotësisht).

Megjithatë, kur një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave mblidhet përmes taksave dhe përdoret për shpenzime publike, atëherë edhe inflacioni i pritshëm mund të ketë efekte reale, nëse sistemi tatimor nuk është neutral në lidhje me inflacionin[1].

Deformimet kryesore për shkak të inflacionit përfshijnë: (a) dështimin për të rregulluar disa parametra të sistemit tatimor në përputhje me inflacionin (shembuj përfshijnë pragjet për pagimin e tatimit mbi te ardhurat, ose taksa vendore që përcaktohen për çdo vit ndryshe); (b) pasojat tatimore që rezultojnë nga efektet kohore, të tilla si vonesa me të cilën mblidhen dhe rimbursohen taksat, dhe (c) në përgjithësi taksimi i fitimeve.

Kufijtë e tatimit mbi të ardhurat që janë fikse rezultojnë në rritje reale të tatimit nën inflacion. Inflacioni i zhvendos njerëzit në grupe tatimesh më të larta, të cilat zakonisht kanë norma më të larta tatimore dhe u gërryen vlerën e kompensimit personal pa taksa (dhe çdo leje ose zbritje tjetër). Kështu atyre u rriten taksat reale të paguara, por edhe norma tatimore për tu paguar.

Një sistem vërtet proporcional i tatimit mbi të ardhurat (me një normë fikse që fillon nga të ardhurat zero) do ta shmangte këtë.

Efekti i kundërt ndodh me kontributet e sigurimeve shoqërore, pasi ato nuk aplikohen përtej një kufiri të caktuar të ardhurash. Më pas inflacioni më i lartë çon në pagesa reale më të ulëta, pasi sasia e të ardhurave që tejkalon kufirin e sipërm rritet me inflacionin.

Vini re! Sipas një analize të bërë nga ekspertë të FMN-së[2], pak vende i rregullojnë kufijtë e tatimit mbi të ardhurat personale automatikisht për inflacionin, por shumica ose nuk i rregullojnë ato rregullisht, ose e bëjnë këtë në një proces ad hoc që mund ose nuk mund të përputhet me inflacionin. Nga 160 vende nga të cilat ne mund të merrnim të dhëna studiuesit, rezultojnë 131 vende që nuk i rregullojnë kufijtë rregullisht. Vende të tjera përshtaten rregullisht, por vetëm në nëntë mund të gjejmë një referencë të qartë ligjore ose administrative për një proces që përshtatet me inflacionin. Në rastin e rregullimeve ad hoc, për shembull ndryshimi i pragjeve gjatë procesit të buxhetit priren të peshohen kundrejt mbajtjes së pandryshuar të sistemit real të taksave përmes rregullimit të inflacionit.

Rritja e pragjeve, por me më pak se norma e inflacionit (ose edhe ngrirja e tyre, por më pas ulja e normave të taksave) mund të duket një mënyrë e përshtatshme politikisht për të rritur taksat reale në mënyrë të fshehtë, ndërkohë që duket sikur i ul ato.

Ndryshe mund te konsiderohet ndikimi ndaj inflacionit në rastin e tatimit të vlerës së shtuar

Në parim, ndryshimet e normës së TVSH-së mund të çojnë në rritje të njëhershme të indeksit të çmimeve të konsumit, por ato nuk do të ndikojnë në inflacionin strukturor[3].

Ndikimi i ndryshimeve të normës së TVSH-së në çmimet e konsumit varet nga elasticiteti i çmimeve të ofertës dhe kërkesës, por edhe informaliteti që ndërvepron si variabël pozitiv me inflacionin.

Nëse  tregu do të ishte krejtësisht konkurrues, ku bizneset e llogaritin koston bazuar mbi tregues që nuk luhaten nga ndikime jashtë rregullave të tregut, atëherë një rritje e normës së TVSH-së do të transferohet plotësisht në çmimet e konsumit. Kjo do të nënkuptonte gjithashtu që konsumatorët të përfitojnë nga çdo vlerësim zero ose tarifa të reduktuara që synon të sigurojë lehtësim të kostos së jetesës për familjet me të ardhura të ulëta.

Mirëpo, nëse tregu është monopolistik, ose kur elasticiteti i ofertës është i kufizuar, duke konsideruar edhe nivelin e informalitetit si ndikim, atëherë transferimi i uljes së normës së TVSH-së do të jetë më pak se i plotë. Kështu, ndryshimet e normës mund të ndikojnë në nivelin e çmimeve, por procesi i rregullimit mund të mos ndodhë menjëherë ose nuk ndodh në periudhat e pritshme.

Megjithatë, pasi çmimet janë përshtatur me nivelin e tyre të ri përfshirë TVSH-në, ndryshimi i politikës është i parëndësishëm për tendencat e mëvonshme inflacioniste.

Një studim i fundit empirik (Benedek dhe të tjerët 2020) sugjeron se shkalla e transferimit të TVSH-së së ulur është shpesh më pak se e plotë. Autorët përdorin të dhëna për ndryshimet mujore të çmimeve dhe TVSH-së për 17 vende të Eurozonës ndërmjet viteve 1999 dhe 2013 për të përcaktuar shkallën e transferimit për produkte të ndryshme për të bërë dallimin ndërmjet normave të ndryshme (normat standarde kundrejt normave të reduktuara).

Ata zbulojnë se ka transferim të plotë të ndikimit në çmimin final për ndryshimet në normën standarde, por ka vetëm 30 për qind transferim për ndryshimet në normat e reduktuara dhe asnjë kalim për riklasifikimet (d.m.th., lëvizjen e artikujve midis kategorive të tarifave). Për më tepër, transferimi është më i madh për produktet e qëndrueshme sesa për ato jo të qëndrueshme.

Kjo sugjeron që reduktimet e synuara të normës për produkte të veçanta jo vetëm që janë joefektive në adresimin e inflacionit afatgjatë, por edhe mund të dështojnë në uljen e presionit inflacioniste afatshkurtër.

Por në rastin e tatimeve të tjera mbi konsumin ka arsye të mira që disa taksa të jenë specifike dhe jo ad valorem. Akcizat e vendosura për të trajtuar një eksternalitet, të tillë si taksa e karbonit ose taksat për alkoolin dhe duhanin, synojnë të përvetësojnë koston reale të konsumit për shoqërinë dhe kjo kosto reale do të varet nga sasia e konsumuar dhe jo nga vlera nominale e artikullit të konsumuar.

Çmimet e karburanteve, për shembull, janë shumë të paqëndrueshme, por efekti i dëmshëm i djegies së karburantit nuk rritet me çmimin e karburantit.

Megjithatë, inflacioni do të thotë që vlera e taksave gërryhet me kalimin e kohës.

Kur një akcizë do të vendosej në një vlerë që synon të brendësojë një eksternalitet, pas erozionit të inflacionit të vlerës reale të taksës, ajo nuk mbulon më eksternalitetin në terma realë dhe gjithashtu çon në uljen e të ardhurave reale.

Disa vende përcaktojnë taksa specifike, veçanërisht tarifa, të cilat mund të ofrojnë njëfarë mbrojtjeje kundër inflacionit që gërryen vlerën reale të akcizës, me kusht që kurset e këmbimit të përshtaten me kalimin e kohës për të kompensuar inflacionin.

Në praktikë, kjo mund të mos jetë kështu, pasi lëvizjet e kursit të këmbimit mund të ndryshojnë shumë nga kushtet e barazisë së fuqisë blerëse. Për më tepër, edhe kur kursi i këmbimit përshtatet në një mënyrë që kompenson inflacionin në mënyrë të arsyeshme nga afër, me kalimin e kohës akcizat do të gërryheshin sërish nga inflacioni. Për këtë arsye nevojitet ende rregullimi i normave të taksave në kohë të vështira të ndryshimit të normës së inflacionit, por edhe të një ndryshimi kursi këmbimi për një kohë relativisht më shumë se disa mujore.

Edhe kur taksat rriten me rritjen e inflacionit, problemi kryesor në efektivitetin për buxhetin mbetet mbledhja e të ardhurave, e cila në kushtet e administrimt nga tatimet kërkon kohë dhe në periudha afatmesme kjo mund të rezultojë një humbje për buxhetin.

Erozioni i bazave tatimore, që tentojnë në çdo kohë të pakësohen si dhe evazioni tatimor, që në rastet e bizneseve të mëdha rezulton se kanë ulur kontributin e tyre në buxhetin e shtetit tregon, se në fund të fundit peshën kryesore e mbajnë konsumatorët dhe bizneset e vogla dhe të mesme. Ato mbartin kosto proporcionale më të larta në raport me të ardhurat e tyre. Në kohë inflacioni ato dëmtohen më shumë se bizneset e mëdha, edhe pse këto të fundit po vuajnë sjelljen e tyre arrogante dhe aspak largpamëse ndaj punonjësve të tyre.

Investimi mjaft i pakët në kapitalin njerëzor për aftësimin e tyre, si dhe të ardhurat e munguara gjatë angazhimit të tyre në rastin e rritjes së çmimeve duket se ndikohen më shumë nga inflacioni se fitimet e pronarëve të bizneseve të mëdha. Nëse inflacioni rrit fitimet në të ardhmen me një shumë shtesë, kjo nuk nënkupton ndonjë taksë shtesë për ta. Në rast të pagesave jo të plota për punonjësit, të ardhurat e tyre nga puna gërryhen dhe ata janë taksuar tashmë nga taksa e inflacionit në rolin e konsumatorit.

Nisur nga gjithë sa më lart, nevojitet sa më mirë të mundet në adresimin gjithëpërfshirës të të gjitha shtrembërimeve që rrjedhin nga inflacioni, një qasje praktike do të ishte fokusimi në ato pjesë ku kostot janë të larta dhe zgjidhja për ti ulur është relativisht e thjeshtë, afatshkurtër dhe jo me ndikime afatmesme, si një përpjekje për të ulur inflacionin.

[1] Me neutralitet në lidhje me inflacionin, nënkuptojmë se ndikimi i sistemit tatimor në stimujt dhe barrën tatimore nuk ndryshon me inflacionin. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se sistemi tatimor është në përgjithësi neutral në ndikimin e tij mbi stimujt (si për shembull për investime ose ofertë pune).
[2] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2023/English/wpiea2023018-print-pdf.ashx
[3] inflacioni që rezulton nga ndryshimet në strukturën e kërkesës dhe ofertës

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: