Kredia për bizneset dhe individët në një dinamikë të pazakontë
Gjatë 4-mujorit të parë 2024, bankat e nivelit të dytë kanë dhënë mesatarisht 940 milionë lekë kredi çdo ditë. Shuma tregon se kërkesa nga bizneset dhe qytetarët është rritur këtë vit.
Kredia e re për bizneset për tremujorin e parë 2024 është 58.1 miliardë lekë, me një rritje me 52% në krahasim me tremujorin e parë në 2023.
Ndërsa kredia e re për individët është 24.6 miliardë lekë, me një rritje me 13.8% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se kredia në lekë zë pjesën më të madhe të shumës. Ajo ka arritur në 62% të totalit, nga 41% që ishte një vit më parë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i kredive të disbursuara për bizneset vitin e kaluar ishte rreth 42 mijë. Shuma totale e rkedive ishte rreth 152 miliardë lekë, apo sa 2/3 e gjithe kredise se disbursuar. Kredia për bizneset përbën rreth 38% të numrit të kredive të disbursuara.
Ndërsa numri i kredive të dhëna për individët ishte mbi 68 mijë, me një shumë totale rreth 77 miliardë lekë, apo sa 1/3 e vleres se kredise se disbursuar. Kreditë për individët përbëjnë rreth 62% të numrit të kredive gjithsej.
Zgjerimi i kredisë ka qenë më i shpejtë në segmentin e bizneseve, i mbështetur nga një kërkesë e lartë për të gjitha kategoritë e bizneseve. Ky zgjerim i shpejtë, kryesisht në lekë, ka shërbyer për financimin e nevojave për likuiditet dhe për investime të bizneseve. Kredia për kapital qarkullues shënoi një normë rritjeje vjetore prej mesatarisht 6%, ndërsa ajo për investime me rreth 13.5%, krahasuar vit me vit.
Për familjet dhe individët, në tremujorin e parë 2024 u vu re një përmirësim i kredisë për konsum, e cila u disbursua kryesisht në lekë. Kredia hipotekare shënoi një rritje vjetore prej mesatarisht 15%, e ngjashme me rritjen mesatare të vitit të kaluar, pavarësisht se bankat sinjalizuan për shtrëngim standardesh në këtë segment.
Të dhënat më lart tregojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të bizneseve dhe konsumatorëve që aplikuan për kredi, krahasuar me vitet e kaluara.
Kjo mund të duket e habitshme pasi aktualisht huamarrësit duhet të paguajnë norma më të larta interesi dhe bankat po japin më shumë kredi se në vitet e mëparshme.
Cilët janë shtytësit kryesorë të kësaj dinamike?
Ajo çfarë tregu shqiptar na sugjeron është e lidhur ngushtësisht me tendencën e financimit të blerjes së pasurive të paluajtshme, të cilat po synohet nga të gjithë kategoritë për ti aktivizuar si kapital në punë për akomodimin e vizitorëve në rritje në Shqipëri në këto dy vitet e fundit.
Po kështu në sektorin privat, kreditë e reja janë disbursuar si për investime të reja kryesisht në sektorin e shërbimeve, por po ashtu edhe për kapital qarkullues apo për pagesat e përditshme.
Kjo rritje e kredisë hipotekore shihet se ka pasur ndryshime të rëndësishme në përbërjen e grupeve të klientëve që aplikojnë për kredi. Klientët me të ardhura më të larta tani aplikojnë për kredi të reja më rrallë, ndërsa familjet me të ardhura më të ulëta aplikojnë për to më shpesh. Nga ana tjetër, bankat tani refuzojnë një pjesë më të vogël të aplikimeve, si për biznesin, po ashtu edhe për individët.
Ky ndryshim në përbërjen e kërkesave për kredi mund të ketë bërë që bankat ta perceptojnë rrezikun e kreditimit si më të ulët se më parë. Në të vërtetë, cikli aktual i shtrëngimit në një masë më të relaksuar se në 20923 po u përcillet grupeve të ndryshme të familjeve në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në tregun e kredisë.
Kjo politikë më e liruar kreditimi është shoqëruar edhe me një vijimësi të injektimit të parasë në treg nga Banka e Shqipërisë, e cila ka vijuar të kryejë operacione të rregullta injektimi likuiditeti në treg, me anë të instrumentit të saj kryesor: repos njëjavore[1]. Shuma e injektuar gjatë tremujorit të parë ka qenë më e vogël se ajo e tremujorit të kaluar, në linjë edhe me nevojat e tregut, por niveli i likuiditetit ka qenë i përshtatshëm për përcjelljen e sinjaleve të politikës monetare në tregun e parasë.
Një tendencë e tregut banker për më tepër, duket se është përshtatur me nivelet e reduktuara të deficitit buxhetor dhe tendenca për të rivendosur raportet e borxhit në një rrugë në rënie.
Në të njëjtën kohë, një rënie në prirjen për kursim (e nxitur nga norma interesi për depozitat në nivele relativisht të ulëta) mund të nxisë rritjen e konsumit, ndërkohë që investimet në ndërtimin e banesave mund të rriten edhe më shpejt. Rreziqet që lidhen me ndryshimet e kursit të këmbimit, gjithsesi mbeten një faktor ndikues kryesor në humbjet dhe fitimet e bilanceve të familjave, biznesit dhe qeverisë.
Duket se e gjithë kjo situatë është e pazakontë për tregun monetar shqiptar, pasi problemet e vitit të kaluar dhe më parë janë ende të pazgjidhura dhe madje tashmë janë edhe më rezistente në rast se do të ndërmerren masa të jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë apo qeveria nga goditje të papritura të ardhme.
Ajo që ne këshillojmë për vijimësinë është më shumë e lidhur me rrezikun e konkurrues të bizneseve familjare dhe bizneseve të mesme, që mund të ndikojnë në pozicionin konkurrues të tyre. Ky rrisk është ngushtësisht i lidhur me kulturën informale dhe spekullimin në treg, si dhe paqartësitë e mëtejshme të lidhura me forcimin e lekut. Nëse produktet do të vijojnë të bëhen më të shtrenjta për blerësit e huaj për shkak të vlerësimit të monedhës, bizneset dhe po ashtu edhe buxheti që varet nga to mund të humbasin pjesën e tregut në rritje.
Ndërkohë, edhe pse rreziku gjeopolitik nuk ka patur deri më sot ndikim të dukshëm në ekonominë shqiptare, në rrethanat në të cilat po nxitet të vrapojë ekonomia shqiptare drejt industrisë së turizmit,
mund të çojë në një ekspozim të madh që ka ndikim edhe në sektorët e lidhur me këtë industri.
Rritja e kreditimit të bizneseve dhe individëve në funksion të ekonomisë së shërbimeve e përzier me tërheqjen e kapitalit të huaj, mund të rritë më tej vlerën e lekut, por në kushtet që mund të ketë rrisqe të krijimit të premisave për “flluska” financiare.
Megjithatë, një biznes apo individ mund të kontrollojë se si ti zbutë këto rreziqe. Çdo lloj rreziku kërkon që planet e biznesit të bëhen bazuar te bilanci financiar dhe jo në pritshmëritë e tregut të shërbimeve.
[1] Marrëveshjet e riblerjes janë operacione të tregut të hapur me anë të së cilave Banka e Shqipërisë shet letra me vlerë, duke marrë përsipër t’i blejë ato sipas kushteve të rëna dakord paraprakisht me një bankë të nivelit të dytë, me qëllim zvogëlimin e përkohshëm të likuiditetit në sistemin bankar
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.