Kontrolli tatimor dhe perspektiva drejt kontrollit të cilësisë bazuar te rrisku
Përpjekjet për modernizimin e administratës dhe rritjen e kapaciteteve të menaxhimit dhe zbatimit, ecin paralelisht me synimin që masat shtrënguese tatimore të ndëshkojnë të gjithë ata që nuk pajtohen me zbatimin vullnetar të legjislacionit apo kanë një kundërshtim të zbatimit, që shkon në nivelet e evazionit duke i dhënë akses në shërbime dhe lehtësi të shlyerjes së detyrimeve ligjore të gjithë atyre që e mirëkuptojnë dhe e zbatojnë ligjin.
NË drejtim të kontrollit tatimor ka patur përpjekje në vitet e fundit për një qasje ndryshe në raport me riskun që paraqesin deklarimet e tatimpaguesve për detyrimet që duhet të kontribuojnë në buxhet.
NË dinamikën e zhvillimit të tyre, si kontrolli që kryen vizita inspektimi (kontroll i pjesshëm), po ashtu kontrolli që kryen verifikim të deklarimeve dhe situatës financiare dhe fiskale të bizneseve (kontroll i plotë) kanë një historik me produktivitet të ulët në cilësinë e zbulimeve dhe në parandalimin e rrisqeve ndaj sistemit dhe të ardhurave.
Me njohjen e problematikave dhe të nivelit të kapaciteteve të kontrollit tatimor ka lindur si një domosdoshmëri riformatimi i detyrave dhe i mënyrës të të punuarit bazuar në ndryshimet ligjore, praktikat dhe modeli i administrimit, si dhe reflektim pas komunikimit me biznesin dhe përfaqësuesit e tij për të mundësuar instrumentet e menaxhimit të riskut të ndikojnë në rritjen e performancës dhe administrimit tatimor në vend.
Pas një periudhe konsultimi publik dhe inkurajimi të punonjësve të kontrollit për të zbatuar etikën profesionale dhe për të kërkuar të fitojnë besimin e biznesit, e vetmja mënyrë për të dalë nga niveli aktual i produktivitetit është ndryshimi i mënyrës së të punuarit, të mbështetur në rrisk, në forcimin e kapaciteteve dhe në bashkëpunimin e pandërprerë me biznesin duke synuar për të patur një bazë të plotë të dhënash, rregulla të standartizuara të kontrollit dhe objektiva të qartë për veten.
Menaxhimi efektiv dhe efikas i riskut, do t’u mundësojë inspektorëve dhe drejtuesve të kontrollit dhe administratës tatimore për të marrë vendimet e drejta, lidhur me ndërhyrjen më të duhur për të kontrolluar sipas segmenteve të tatimpaguesve, apo edhe sektorëve të ekonomisë.
Rastet me risk do të identifikohen në bazë të karakteristikave të përbashkëta siç janë sektori i ekonomisë, madhësia e biznesit, llojet e tatimeve, etj. Tatimpaguesit me tregues të ngjashëm risku, do të jenë objekt i ndërhyrjeve specifike për përmbushjen. Brenda secilës kategori, përparësi do t’u jepen atyre tatimpaguesve të cilët përbëjnë riskun më të madh. Burimet në administratë do të përqendrohen te tatimpaguesit me risk të lartë, me qëllim zvogëlimin e mospërmbushjes dhe rritjen e përmbushjes vullnetare, që përbën edhe strategjinë tonë me dy drejtime në fushën e përmbushjes së detyrimeve tatimore.
Kontrolli tatimor operacional është i vetmi funksion që ka të zhvilluar prej mbi 6 vite instrumente për menaxhimin sipas modelit të riskut. Edhe pse ka shumë hapësirë për përmirësime në formulën e zgjedhjes së deklaratave për tu kontrolluar, mendojmë se lançimi i sistemit të ri informatik do tu japë përgjigje disa nga çështjeve të përmendura në matërialin e Forumit duke reflektuar shqetësime reale që ndikojnë mbi vendimmarrjen e bizneseve shqiptare.
Efekti nga aplikimi i instrumenteve të riskut nëpërmjet një koordinimi strategjik të procedurave të kontrollit tatimor dhe përzgjedhjes së deklaratave të bizneseve, nëse e shikojmë në kuadër makro të zhvillimeve administrative do të japë rezultatin e dëshiruar duke standardizuar proceset e kontrollit dhe duke ndikuar në rritjen e etikës profesionale.
Kjo qasje e administrimit të riskut do të kërkojë mënyra të reja pune, sisteme të përmirësuara të mbështetjes me teknologji informatike dhe rritje të përdorimit të informacionit të të tretëve.
Një nga rrugët më efektive të përmirësimit të performancës tatimore është përmirësimi i cilësisë së përzgjedhjeve të rasteve. Modeli i riskut do të përdoret për të identifikuar grupe të veçanta të tatimpaguesve që karakterizohen nga lloje qëndrimesh të përbashkëta. Çdo grup do të trajtohet më vete sipas projekteve të veçanta të përmbushjes. Brenda secilit grup, do të shikohen me përparësi tatimpaguesit me qëndrimin më të keq.
Ngritja fillimisht e Sektorit të analizës së Riskut pranë drejtorisë së Kontrollit Tatimor në DPT, ne 2008 si edhe me krijimin e një modeli risku mbi bazën e TI ne 2009 për të mbështetur programin e kontrollit ishte një fillim i mirë. Sistemi i ri informatik është mbështetur në të, në ndihmë te hartimit të moduleve, duke përfshirë auditin, mbledhjen e detyruar dhe edukimin e tatimpaguesve sipas grupeve specifike të tatimpaguesve dhe segmenteve të biznesit.
Për të fokusuar burimet në fushat e riskut më të lartë administrata tatimore do të strukturojë bazën e tatimpaguesve duke i kategorizuar ata në bazë të xhiros dhe të sektorit ekonomik. Modelet e riskut të përdorur do të përmirësohen rregullisht gjatë furnizimit me të dhëna të reja. Kur analiza të tregojë se disa grupe të tatimpaguesve nuk i kanë kuptuar disa aspekte të legjislacionit fiskal, qasja e parë do të jetë edukative dhe jo ndëshkuese, sidomos në ato raste kur humbjet fiskale janë relativisht të vogla.
Kontrolli tatimor në profilizimin e tij, sipas segmentimit të bizneseve, dhe problematikave dhe risqeve që paraqesin ndaj të ardhurave tatimore dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë nga të gjithë mbetet një funksion bazë i administrimit dhe me impakt në vendimmarrjen e biznesit dhe politikës fiskale.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.