Publikohet Raporti i 14-të i ALTAX për Barrën Tatimore 2025 dhe Ditën e Lirisë Fiskale 2026 në Ballkanin Perëndimor

Publikohet Raporti i 14-të i ALTAX për Barrën Tatimore 2025 dhe Ditën e Lirisë Fiskale 2026 në Ballkanin Perëndimor

Qendra e Kërkimeve Fiskale dhe Ekonomike ALTAX publikon sot raportin e saj vjetor të 14-të, një analizë të thellë krahasuese mbi barrën tatimore dhe Ditën e Lirisë Fiskale në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Raporti “Barra Tatimore 2025 dhe Dita e Lirisë Fiskale 2026 në Ballkanin Perëndimor (WB6)” zbulon se dallimet kryesore midis vendeve të rajonit nuk qëndrojnë në nivelin total të taksave, por në mënyrën se si shpërndahet kjo barrë midis konsumit, punës dhe kapitalit.

Në Shqipëri, barra tatimore mbetet e moderuar në 27.0% të PBB-së, por sistemi fiskal vazhdon të jetë regresiv për shkak të varësisë së lartë nga TVSH-ja (34.1%) dhe kontributet shoqërore (24.2%). Kjo krijon një barrë të rëndë mbi punën (tax wedge 39–42%) dhe një përqendrim ekstrem gjeografik: mbi 69% e të ardhurave tatimore vijnë vetëm nga Tirana dhe Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj.

Dita e Lirisë Fiskale 2026 për Shqipërinë parashikohet të bie më 9 Prill, duke treguar se qytetari mesatar punon gati 99 ditë të vitit vetëm për të paguar taksa dhe kontribute.

Raporti krahasues tregon se vendet si Rumania dhe Bullgaria, me barra tatimore të ngjashme, kanë arritur një strukturë më progresive dhe më pak të varur nga taksat indirekte, duke ofruar një model të vlefshëm për Shqipërinë dhe rajonin.

Për të adresuar këto sfida, ALTAX propozon paketën “Punësimi Formal 2027”, një set reformash të balancuara që parashikon ulje të synuar të kontributeve shoqërore për pagat deri në 80,000 lekë në muaj, diferencim të TVSH-së (15% për mallra bazë dhe 22% për produkte luksoze), si dhe rritje graduale të taksave mbi pasuri.

Simulimet fiskale tregojnë se kjo paketë mund të prodhojë deri në +14 miliardë lekë të ardhura shtesë, të krijojë 48,000–62,000 vende pune formale, të ulë informalitetin me 6.2 pikë përqindjeje dhe të reduktojë pabarazinë (koeficienti Gini) me 1.7–2.1 pikë, duke ruajtur neutralitetin fiskal afatshkurtër.

Raporti përfshin gjithashtu një matricë rreziku për zbatimin e reformave, duke identifikuar rreziqet politike, administrative dhe ciklike, si dhe masat e rekomanduara për zbutjen e tyre.

“Reformat fiskale në Shqipëri dhe rajon nuk duhet të fokusohen vetëm në rritjen e të ardhurave, por në ribalancimin e strukturës tatimore drejt një sistemi më progresiv, më miqësor ndaj punësimit formal dhe më të drejtë social”, thuhet në raport.

Raporti i plotë, së bashku me të gjitha tabelat, figurat, simulimet fiskale dhe dataset-in e të dhënave, është tani i disponueshëm për shkarkim falas në faqen zyrtare të ALTAX.

Shkarkoni raportin e plotë këtu.

ALTAX mbetet i përkushtuar të ofrojë analiza të pavarura, të bazuara në të dhëna dhe evidençë, për të ndihmuar në hartimin e politikave publike më të mira për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.