Plani Sektorial i Ndërtimit – Vlerësimi i Zbatueshmërisë, Indeksi i riskut dhe Oponenca institucionale

Ky raport ofron një vlerësim të pavarur të zbatueshmërisë dhe oponencën institucionale ndaj Planit të Menaxhimit të Riskut për Sektorin e Ndërtimit të Administrates Tatimore të Shqipërisë (DPT/DMR), duke u mbështetur në të dhënat reale të sektorit me 8,784 tatimpagues aktiv dhe 64,572 punonjës të deklaruar.
Qasja nuk është kundërshtuese në thelb, por korrigjuese dhe parandaluese, me fokus në zbatueshmërinë reale, riskun operacional dhe ndikimin në sjelljen e tregut.
Analiza aplikon modelin e ri ALTAX “Vlerësimi i Zbatueshmërisë” me tre shtresa (Panel monitorimi “semafor”, Indeksi i Riskut të zbatimit dhe Harta e Pengesave kritike), model që zëvendëson agregimin linear klasik me një qasje penalizuese dhe narrative, më informative për vendimmarrësit.

Gjetja kryesore tregon se plani ka dizajn konceptualisht të avancuar, qasje bazuar ne rrisk, integrim ndërinstitucional, gjurmim zinxhiri, por është operacionalisht i brishtë. Nga 6 dimensione kyçe të vlerësuara, 2 rezultojnë kritikë (sjellja e sektorit dhe risku operacional), 3 mesatarë dhe vetëm 1 pozitiv.

Indeksi i Riskut të Zbatimit (IRZ), pas aplikimit të penaliteteve, arrin 4.8 / 10, një vlerë që e kategorizon planin si “Zbatim i mundshëm me Risk të Lartë të Dështimit Operacional”.

Raporti identifikon tre pengesa kritike strukturore (1) sjellja e sektorit, informalitet i ngulitur që nuk adresohet vetëm me kontroll; (2) kapaciteti operacional i DPT-së për integrim të avancuar të të dhënave dhe (3) paga referuese si instrument potencialisht rigid e shtrembërues tregu. Propozohen 5 rekomandime strategjike dhe tre skenarë zbatimi me probabilitete dhe efekte kumulative.

Fjalëkyçe: fizibilitet, sektori i ndërtimit, administrim tatimor, formalizim, paga referuese, bazuar ne rrisk, compliance, informalitet, vlerësimi, Shqipëri.

Kodet JEL: H26, H32, L74, J31, O17, E26

Përshkrim

Raporti paraqet një vlerësim të pavarur mbi zbatueshmërinë e Planit të Menaxhimit të Riskut për sektorin e ndërtimit në administratën tatimore shqiptare, duke u mbështetur në një bazë reale prej 8,784 tatimpaguesish aktivë dhe 64,572 punonjësish të deklaruar. Qasja e përdorur nuk është kundërshtuese, por korrigjuese dhe parandaluese, duke synuar identifikimin e hendekut midis dizajnit konceptual të planit dhe aftësisë reale për zbatim, me fokus në riskun operacional dhe efektet në sjelljen e tregut.

Analiza aplikon modelin ALTAX “Vlerësimi i Zbatueshmërisë”, i cili strukturohet në tre shtresa vlerësimi: panel monitorimi “semafor”, indeksin e riskut të zbatimit dhe hartën e pengesave kritike. Ky model e zhvendos analizën nga agregimi linear tradicional drejt një qasjeje më penalizuese dhe narrative, duke rritur ndjeshmërinë ndaj devijimeve dhe kufizimeve institucionale.

Rezultatet tregojnë një kontrast të qartë midis dizajnit dhe zbatimit. Plani vlerësohet si konceptualisht i avancuar, me qasje moderne të bazuar në risk dhe integrim ndërinstitucional, por mbetet i brishtë në nivel operacional. Nga gjashtë dimensione të vlerësuara, dy rezultojnë kritike, tre mesatare dhe vetëm një pozitiv. Indeksi i Riskut të Zbatimit (IRZ) arrin 4.8/10, duke e kategorizuar planin në zonën e “zbatimit të mundshëm me risk të lartë të dështimit operacional”.

Në thelb, raporti identifikon tre pengesa strukturore: sjelljen e sektorit të ndërtimit të karakterizuar nga informalitet i konsoliduar; kufizimet e kapacitetit operacional të administratës tatimore për integrim dhe përdorim të avancuar të të dhënave; si dhe rrezikun që paga referuese të shndërrohet në një instrument rigid me efekte shtrembëruese në tregun e punës.

Për këtë arsye, rekomandohet një riorientim strategjik me fokus në prioritetizimin Pareto të tatimpaguesve më të mëdhenj, trajtimin e informalitetit përmes kombinimit kontroll–nxitje–transparencë, si dhe përdorimin e pagës referuese si instrument analitik dhe jo normativ. Theksohet gjithashtu nevoja për pilotim të detyrueshëm në shkallë të kufizuar përpara implementimit kombëtar.

Në përfundim, raporti parashikon se skenari më i mundshëm nuk është dështimi i plotë i planit, por një zbatim pjesërisht formal, me përmirësime të kufizuara në të ardhura dhe pa transformim strukturor të informalitetit. Rezultati final do të ishte një nivel i qëndrueshëm pajtueshmërie në letër, por me efekt të kufizuar në formalizimin real të sektorit.