Indeksi i besimit të ekonomisë dhe qytetarit në Maj 2024 dhe reagimi i qeverisë bazuar te ndjesia e tyre
Sipas Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit (VBBK)[1], për muajin Maj 2024, i raportuar nga Banka e Shqipërisë[2], shprehet se “Treguesi i ndjesisë ekonomike[3] në Maj 2024 shënoi rënie të lehtë as përmirësimit të dy muajve të mëparshëm i ndikuar nga nivele më të ulëta besimi në sektorët e industrisë, të ndërtimit dhe të konsumatorëve.
Rënia e besimit[4] të industrisë u ndikua nga vlerësimet më të ulëta për prodhimin industrial aktual. Vlerësimet e bizneseve për nivelin e porosive në përgjithësi regjistruan rënie të lehtë. Nga ana tjetër, bizneset presin që prodhimi industrialnë të ardhmen të shënojë rritje.
Rënia e besimit në ndërtim u përcaktua kryesisht nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues. Nga ana tjetër, porositë aktuale janë vlerësuar me rritje. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rritje të lehtë këtë muaj.
Rritja e besimit në shërbime dhe tregti vijon e tillë për të tretin muaj radhazi (Mars – Maj), ku niveli i tij aktualisht qëndron lart mbi mesataren historike. Në rritjen e besimit kontribuuan vlerësimet më optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës. Gjithashtu,pritjet për kërkesën dhe nivelin e punësimit në të ardhmen janë rritur këtë muaj. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.
Rënia e besimit konsumator pas dy muajve të fundit me rritje të lehtë të besimit u ndikua nga vlerësimi si më dobët të situatës së tyre financiare dhe situates ekonomike të vendit për të ardhmen si dhe besim I dobët për të ardhmen për blerjet në shuma të mëdha. Prirjet e konsumatorëve për papunësinë në të ardhmen janë rritur.”
Nëse e krahasojmë me ndjesinë ekonomike, bazuar te VBBK i muajit Maj 2023 i Bankës së Shqipërisë shihet se “Treguesi i ndjesisë ekonomike në Maj 2023 shënoi rritje të dukshme për të shtatin muaj radhazi (duke fiilluar nga muaji nentor 2022). Rritja e besimit te ekonomia u ndikua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, të ndërtimit, të shërbimit dhe tregtisë, por me rënie të lehtë të besimit të konsumatorëve.”
Por çfarë kuptimi ka për ekonominë dhe qytetarin dhe si paraqitet situata nëse e krahasojmë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar?
Në këtë krahasim do të duhet të raportojmë edhe treguesit që tashmë janë të njohur lidhur me inflacionin, ekonominë dhe papunësinë, për të kuptuar sipas rolit të tyre edhe efektin që kanë te besimi qytetar (konsumator) dhe në ekonomi.
Nga sa shihet situata në 5 muajt e parë të vitit 2024 është mjaftueshëm më pak e besueshme se në 2023.
Së pari, sipas treguesve në gjysmën e parë të vitit 2023 vërejmë se:
- rritja ekonomike në 3 mujorin e parë 2023 ishte 2.72%, ndërsa në 3 mujorin e dytë u rrit me 0.4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm[5].
- Rritja ekonomike sipas sektorëve në tremujorin e parë 2023 ishte më e lartë në ndërtim, pasuri të paluajtshme dhe turizëm, ndërsa në tremujorin e dytë ishte dukshëm në ndërtim, pasuri të paluajtshme dhe më pak në turizëm[6].
- Punësimi u rrit me 4.4% në tremujorin e parë 2023 dhe në tremujorin e dytë u rrit me 2.7%[7].
- Papunësia në tremujorin e parë ishte 10.8% dhe në tremujorin e dytë ishte 10.7%.
- Të ardhurat u rritën me ritme të përshpejtuara gjatë, në total 16.2 mld lekë më shumë se 2022.
- Borxhi ndaj PBB ishte 63.27% të PBB në fund të tremujorit të parë 2023.
- Për inflacionin shuma 4-mujore 2023 ishte 2.9%.
Së dyti, sipas treguesve për 4 muajt e parë të vitit 2024 vërejmë se:
- Pritshmëria për rritjen ekonomike në tremujorin e parë është 3.3%
- Rritja ekonomike pritet të jetë ndikuar nga pothuajse të njëjtët sektorë si në 2023, por me një nivel më të ulët për ndërtimin dhe më të lartë për pasuritë e paluajtshme dhe turizmin
- Të ardhurat totale, për periudhën 4-mujore 2024 u rritën rreth 1 miliardë lekë më shumë, se katër-mujori i vitit 2023.
- Borxhi ndaj PBB ishte 55.75% të PBB në fund të tremujorit të parë 2024.
- Për inflacionin shuma 4-mujore 2023 ishte 1%.
Treguesi Besimit | 2023 | 2024 | ||||||||
Janar | Shkurt | Mars | Prill | Maj | Janar | Shkurt | Mars | Prill | Maj | |
Industri | -7,2 | -4,1 | 1,4 | 5,1 | 7,7 | -0,7 | -9,3 | -5,9 | -2,3 | -2,9 |
Ndërtim | -7,4 | -0,9 | 2,7 | 3,3 | 8,6 | -4,6 | 1,6 | 0 | -0,9 | -1,5 |
Shërbim | 20,4 | 17,3 | 26,3 | 24,9 | 35,9 | 18 | 16,6 | 23,6 | 31,8 | 33,9 |
Tregti | 3,8 | 4,9 | 9,8 | 11 | 12,6 | 11,7 | 1 | 3,7 | 13,1 | 14,4 |
Konsumator | -30,5 | -29,9 | -26,5 | -24,4 | -25 | -26,7 | -27,4 | -25,9 | -22 | -26,9 |
Burimi: Banka e Shqiperise |
Në një ballafaqim midis treguesve të ndjesisë ekonomike dhe konsumatore lidhur me ekononinë dhe buxhetin personal për 5 mujorin 2023 dhe 2024 shikohet se besimi te prodhimi (industria) në tërësi si për brenda vendit dhe për eksport ka një rënie të vazhdueshme dhe është shumë e ndryshme në perceptimin rënës nga 2023.
Po kështu edhe besimi te sektori i ndërtimit, që është lokomotiva e ekonomisë shqiptare ka rënie të besimit të bizneseve në 2024 dhe është me tendencë rënëse të dukshme krahasuar me 2023.
Ngelet që ekonomia shqiptare në pothuajse gjysmën e parë të vitit 2024 bazohet te besim i ngjashëm me 5-mujorin 2023 për shërbimet dhe tregtinë.
Ndërkohë, besimi i qytetarëve për konsumin e tyre për 5-mujorin 2024 e shikojmë me të njëjtën tendencë negative që shoqëroi edhe të njëjtën periudhë në 2023.
[1] duke bërë një mostër të rastësishme të konsumatorëve pyetje në lidhje me kushtet aktuale ekonomike dhe kushtet e pritshme në të ardhmen
[2] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/Vrojtimi_i_Besimit_te_Biznesit_dhe_te_Konsumat_2024_3_qershor_27427.pdf
[3] Treguesi i Ndjesisë Ekonomike ndërtohet duke u bazuar në të njëjtat balanca që përdoren për ndërtimin e treguesit të besimit për secilin sektor (industri,ndërtim, shërbime, tregti dhe konsumatorë), duke synuar të kapë aktivitetin e ekonomisë në vend. Para agregimit të këtij treguesi këto balanca standardizohen dhe peshohen
[4] Treguesi i Besimit ndërtohet për çdo sektor dhe llogaritet si mesatare e thjeshtë e balancave të rregulluara sezonalisht të treguesve, të cilat kanë korrelacionin më të lartë me serinë e referencës (serinë e të dhënave reale të ekonomisë).
[5] https://altax.al/rritja-ekonomike-ne-tremujoret-e-vitit-2023-ne-oecd-be-dhe-ballkan/
[6] https://altax.al/sektoret-ndikuese-ne-pbb-ne-e-2023-kujdes-me-rimodelimin-e-ekonomise-se-re/
[7] https://altax.al/statistikat-per-punesimin-dhe-pagen-mesatare-ne-tremujorin-e-dyte-2023-ne-syrin-e-fiskalistit/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.