GJIROKASTËR: KONSULTIMET PUBLIKE DHE BUXHETI NËN MONITORIMIN E EKSPERTIZËS CIVILE

GJIROKASTËR: KONSULTIMET PUBLIKE DHE BUXHETI NËN MONITORIMIN E EKSPERTIZËS CIVILE

Sipas  PBA 2022 – 2024 të Bashkisë Gjirokastër duke synuar ndërlidhjen me Strategjitë sektoriale dhe SKZHI II vërehet se mungon lidhja e duhur dhe ndërvarësia mes tyre. Sipas relacionit të PBA 2022 – 2024 dhe buxhetit vjetor faktik 2021 shihet se janë formuluar mirë. Por mungon lidhja e duhur për veprime në terren me strategjitë sektoriale, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, si dhe PBA-në e qeverisë qendrore. Ndryshimet ligjore në vetvete nuk konsiderohen gjithëpërfshirëse mjaftueshëm për ta përmirësuar procesin buxhetor ekzistues, i cili duhet të rrisë fokusin e politikave, besueshmërinë dhe orientimin drejt rezultateve.

Megjithëse nuk mungojnë elementët përbërës të analizës së të ardhurave dhe shpenzimeve duke u konsideruar si përmirësime konkrete në cilësinë e dokumentit të PBA-së duket se ka ende nevojë për përmirësime, pasi fokusi strategjik pengohet nga qasja e kufizuar që i kushton Këshilli Bashkiak procesit të shqyrtimit të PBA-së.

Ndërkohë, struktura e Auditit të Brendshëm dhe ajo e Auditit të Jashtëm (Drejtoria e Inspektimit Financiar në MFE dhe KLSH) janë të ankoruara sipas objektit të veprimit të tyre duke kryer edhe transparencën e gjetjeve të tyre.

Vini Re!
Mungon dialogu i kualifikuar i qytetarit nëpërmjet ekspertizës së përzgjedhur. Po ashtu edhe rekomandimet e konsoliduara të organizatave të ekspertizave të ndryshme. Masat e përfshira në objektivat dhe prioritetet e PBA nuk arrijnë dot të krijojnë një cikël të mbyllur të plan veprimi të lidhur me gjithë masat  mbështetëse  që  janë  të  nevojshme  për  t’i  vënë  në  zbatim  prioritetet.

Konsultimi publik dhe transparenca duhet të marrin një vëmendje të veçantë dhe kujdes në plotësimin e detyrimeve ndaj kërkesave të argumentuara të qytetarëve. Nga monitorimi i zbatimit të procedurës së konsultimeve publike për projekt-buxhetin 2022 dhe PBA 2022-2024 në Bashkinë Gjirokastër[1], rezulton të jenë kryer sipas kalendarit dhe detyrimit të ligjit të buxhetit.

Vini re!
Konsultimet e kryera janë jo të plota dhe nga informacioni i vështirë për tu gjetur në faqen online të Bashkisë nuk arrin të rakordohen me regjistrin dhe sipas detyrimeve të ligjit të konsultimit publik. Ky moment i marëdhënies publike dhe detyrimit ligjor do të rekomandohet (përfshirë Prefektin e Gjirokastrës[4]) si një nevojë për ndryshim në kuadrin e transparencës, por edhe llogaridhënies

Sipas Ligjit të Konsultimit Publik[2], nevojitet që detyrimi për tu konsultuar të ndryshohet duke vendosur kusht që proces-verbalet e konsultimit të jenë të konfirmuara me argumente edhe nga përfaqësuesit e publikut. Kjo qasje ndihmon për një transparencë dhe llogaridhënie efektive në zbatim të këtij ligji, që mbetet ndër instrumentat e pakët për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje.

Kujdes!
I gjithë procesi i konsultimit konsiderohet një periudhë intensive diskutimesh, me një kohë të shfrytëzuar në mënyrë cilësore dhe të ndjekë modelin e buxhetimit me pjesëmarrje[3]. Ky model përfshihet në propozimet për ndryshime ligjore për tu bërë pjesë e detyrueshme dhe ndryshuese e modelit aktual të konsultimit publik.

Bashkia ka komunikim të rregullt të aktiviteteve në rrjete sociale[5].

Nga Anketimi i bërë nga ALTAX:
– Kur qytetarët u pyetën “Në çfarë takimesh publike të organizuara nga pushteti vendor keni marrë pjesë?”
6% e tyre kishin marrë pjesë në mbledhjet “Për buxhetin dhe Programin afatmesëm buxhetor”, 44% e tyre “Për programe zhvillimi dhe projekte”, 6% u përgjigjën “Për llogaridhënie si janë shpenzuar paratë e buxhetit” dhe 44% e tyre u përgjigjën “Për tema të ndryshme”.
Kjo përkon me atë çfarë vetë bashkia e publikon si aktivitet dhe komunikim me publikun.

Momentet kryesore – Buxheti 2021 dhe PBA 2022 – 2024

Detyrat dhe obligimet e Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë në procesin e buxhetit janë të vendosura në Udhëzimin standart të PBA për NjQV-të[6]. Pika 2 parashikon rolet dhe përgjegjësitë në procesin e hartimit të programit buxhetor afatmesëm. Këshilli Bashkiak ndjek një qasje të gjithanshme për shqyrtimin e projektbuxhetit të paraqitur nga Bashkia.

Buxheti i vitit 2021 dhe PBA 2021 – 2023 u miratuan në 28.12.2020[7]. Buxheti faktik i vitit 2021 u miratua në …[8].

Përveç vendimit nuk munden të gjenden dot as përmbajtja e plotë e relacioneve sqaruese. Këtë qasje ky projekt do t’ja bëjë prezente Koordinatorit për të drejtën e informimit në Bashki duke kërkuar edhe transparencën përkatëse.

Bashkia dhe Këshilli Bashkiak, sipas monitorimeve nga publikime të ndryshme online në faqen elektronike të Bashkisë dhe në rrjetet sociale[9] nuk mund të verifikohet nëse kanë zbatuar sipas afateve kalendarin e përgatitjes dhe diskutimit sipas hapave të përcaktuara në ligj dhe udhëzim të Buxhetit 2021 dhe 2022 si dhe PBA 2021-2023 dhe PBA 2022-2024.

Nuk gjendet lehtësisht një raport i publikuar mbi PBA 2022-2024; 2021-2023 si dhe 2020-2022. I vetmi material i gjetur në portalin e financave vendore është PBA 2019-2021[10] që daton në vitin 2018. Në faqen zyrtare on-line të bashkisë nuk gjenden info për relacionin e PBA. Në vendimet e këshillit bashkiak rezulton i publikuar vendimi për miratimin e PBA 2022-2024[11] por nuk jep informacion mbi PBA. Gjithashtu ka dhe një vendim të publikuar për buxhetin e vitit 2022[12] por pa pasur një relacion mbi buxhetin.

Me vështirësi gjendet një link[13] në faqen zyrtare të bashkisë që jep informacion mbi të ardhurat dhe shpenzimet për vitet pararendëse. Linku parAqet një dashboard me tregues dinamik mbi buxhetet pararendëse.

Nga ajo që vlen të përmendet në këtë pikë është se diskutimet nuk mund të verifikohen nëse janë të hapura për publikun plotësisht.

Nga Anketimi i ALTAX:
– Kur qytetarët u pyetën “Nëse keni marrë pjesë, a keni dhënë rekomandime/propozime për Këshillin Bashkiak (me shkrim ose elektronikisht te personi përgjegjës për koordinimin në Bashki)? 25% e tyre na u përgjigjën “Rrallë” dhe 56% e tyre u përgjigjën “Asnjëherë” dhe 19% e tyre “Nuk e di”.
Ndërkohë, kur i pyetëm “Nga rekomandimet/propozimet që keni dërguar për Këshillin Bashkiak, cilat çështje dolën si më të rëndësishmet në Bashkinë tuaj?”
20% e tyre u përgjigjën “Për shërbimet sociale dhe strehimin”, 60% u përgjigjën “Për shërbimet e bashkisë”, 20% u përgjigjën “Për mjedisin, bujqësinë, turizmin”.

  • Raporti për buxhetin 2021 dhe PBA 2021-2023

Në hartimin e buxhetit 2021 dhe PBA-së 2021-2023 të Bashkisë është realizuar shpërndarje e burimeve mbi bazën e programit buxhetor dhe totalit të tavaneve të shpenzimeve si dhe brenda parashikimit të të ardhurave të veta. Dokumentet, mbi të cilët është mbështetur hartimi i Buxheti vjetor 2021 dhe PBA 2021-2023 janë: (a) Programi politik i Kryetarit të Bashkisë për periudhën 2019-2023 (nuk është publik); (b) Strategjia e Zhvillimit për Territorin e Bashkisë, PDV (c) Strategjitë sektoriale që janë të lidhura me kompetencat e pushtetit vendor dhe (e) Dokumente të politikave vendore për tema të caktuara

Kujdes!
Në tërësinë e tij përshkruese Relacioni i Buxhetit 2022 dhe PBA 2022 – 2024 përshkruan procedura jo sipas formatit standart që përdorin bashkitë për relatimin e buxhetit duke e kthyer në sfidë leximin dhe kuptimin e buxhetit edhe për njohës të financave publike. Megjithatë, në tërësinë e relatimit të shpenzimeve nevojitet një lidhje e dukshme midis programeve për PPV, strategjive sektoriale, programit politik dhe politikave dhe strategjive vendore.

Nga pikëpamja e shpenzimeve në vitin 2021 janë realizuar në masën  76.7% dhe bashkia financon vetëm 14 programe.

Bashkia, si burim financimi të shpenzimeve vendore për vitin 2021 dhe për PBA 2021-2023 ka parashikuar të mbështetet te:

– Të ardhura vendore të planifikuara

– Transferta e pakushtëzuar e përgjithshme (e përbërë nga transferta e pakushtëzuar dhe transferta sektoriale për funksionet e deleguara në 2016)[14].

Të ardhurat e realizuara dhe shpenzimet e shpërndara sipas funksioneve janë prezantuar duke u bazuar te struktura e të ardhurave sipas burimeve të përfitimit dhe te struktura e shpenzimeve sipas destinimit të përdorimit ekonomik të tyre.

Vini re!
Përgatitja e udhëzuesve, rishikimi i strukturave dhe mbivendosjeve, si dhe verifikimi dhe azhornimi i procedurave  dhe  kryerja e trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve duhet të jenë ndër masat e plota dhe me një kohë të dedikuar për gjithë Bashkinë, pasi konsiderohen si ndryshime të rëndësishme të formësimit të plotë të procesit buxhetor.

Shpenzimet administratës janë sa 56% e shpenzimeve vjetore të Bashkisë, e cila e dallon Gjirokastrën për kosto më të larta administrative krahasuar me bashki të ngjashme, të monitoruara gjatë zbatimit të këtij auditimi social. Shpenzimet që zënë pjesë tjetër të madhe të fondeve bashkiake janë shpenzimet për shërbime publike (18% të totalit të shpenzimeve). Ndërkohë, shpenzimet për arsimin, për mbrojtjen sociale, për furnizimin me ujë, për shëndetin, për mbrojtjen e pyjeve dhe mjedisin, për menaxhimin e mbetjeve, për turizmin (arrijnë deri 26% të shpenzimeve gjithsej duke konsatuar një nga nivelet më të ulta të shpenzimeve në bashkitë e vendit.

Pjesa tjetër e shpenzimeve që realisht nuk programohen nga buxheti bashkiak janë konsideruar si investime nga buxheti qendror, nëpërmjet FSHZH, që arrijnë në raportin 3:1 me investimet publike nga fondet e Bashkisë.

Të ardhurat e veta (taksat dhe tarifat vendore) mbajnë një peshë sa 22% e shpenzimeve gjithsej të Bashkisë dhe konstatojmë se në menaxhimin e tyre ka nevojë për analizë dhe për të zbatuar programe të forta për mbledhjen e borxheve, por veçanërisht për anti informalitetin. Me të ardhurat e veta vendore Bashkia mundet të paguajë (vetëm për krahasim) shpenzimet e administratës dhe disa shpenzime për emergjencat civile.

Përveç të ardhurave të veta nga taksat dhe tarifat vendore, si dhe të ardhura të tjera nga asetet dhe shërbimet që kryejnë ndërmarrjet publike në vartësi të bashkisë buxheti i bashkisë bazohet edhe në transfertat prej buxhetit të shtetit.

[1] http://bashkiagjirokaster.gov.al/?s=konsultim
http://bashkiagjirokaster.gov.al/wp-content/uploads/2022/05/PLAN-VJETOR-I-KONSULTIMIT-KB_-MODELE.xls
[2] https://www.adisa.gov.al/wp-content/uploads/2021/03/Ligj_146_2014_30.10.2014.pdf, Neni 6
[3] Buxhetimi me Pjesëmarrje është një mekanizëm që lejon qytetarët e  bashkisë, që të marrin pjesë në vendimmarrjen mbi menaxhimin  e të gjithave ose të një pjese të burimeve aktive të financave publike vendore
[4] Prefekti kontrollon realizimin e funksioneve dhe të përgjegjësive të deleguara nga pushteti qendror dhe përdorimin e fondeve të parashikuara për to, si në rastin kur ato janë të parashikuara në ligj, ashtu edhe kur janë përcaktuar në marrëveshje  të  përbashkëta,  ndërmjet një institucioni qëndror dhe organit të qeverisjes vendore
[5] të cilat pas monitorimit tonë u përpunuan dhe janë të arritshme në portalin e ALTAX
[6] Udhëzim Nr.23, datë 30.07.2018 “Për procedurat standarte të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm të njësive të vetëqeverisjes vendore”
[7] https://www.vendime.al/vendim-i-keshillit-bashkiak-gjirokaster-nr-141-date-28-12-2020/
[8] Nuk ka informacion
[9] https://www.facebook.com/K%C3%ABshilli-I-Bashkis%C3%AB-Gjirokast%C3%ABr-110290420777831
https://www.facebook.com/bashkia.gjirokaster
[10] https://drive.google.com/file/d/13j1oFoa6IiYpHlOC2jmz7u4osIEarPkA/view
[11] https://www.vendime.al/wp-content/uploads/2022/03/vendimi-108.pdf
[12]https://www.vendime.al/wp-content/uploads/2022/03/vendimi-107.pdf
[13] https://buxheti.info/new/Ekzekutimi/Home/80794
[14] Skema  e  financimit  të  funksioneve  të  reja  të  transferuara në njësitë e  qeverisjes  vendore në vitin 201 dhe të financuara me transfertë specifike (sektoriale), në buxhetin e vitit 2021 do te vijojë të jetë transfertë e pakushtëzuar për sektorë të veçantë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: