Emigrimi po e bën Shqipërinë më të vogël, më të shtrenjtë dhe më pak konkurruese

Emigrimi po e bën Shqipërinë më të vogël, më të shtrenjtë dhe më pak konkurruese

Raporti i Transicionit i BERZH për vitin 2025-26, i titulluar “Brave Old World: Demographic Trends and the Future of Growth” e zhvendos emigrimin nga një problem thjesht social apo demografik në një sfidë thelbësore strukturore për modelin ekonomik të Shqipërisë.

Nuk bëhet fjalë më vetëm për njerëz që largohen në kërkim të një jete më të mirë, por për humbjen e përhershme të kapitalit njerëzor që vendi ka nevojë të domosdoshme për të zhvilluar ekonominë e tij.

Shqipëria renditet ndër vendet me nivel shumë të lartë të emigrimit neto, me një largim të fortë të të rinjve dhe një ikje disproporcionale të profesionistëve dhe punonjësve të kualifikuar, ku një e katërta e atyre me arsim të lartë kanë braktisur vendin nga viti 1990 deri në 2023, duke humbur rreth 40% të popullsisë së atij viti.

Kjo do të thotë se ekonomia po humbet segmentin më produktiv të shoqërisë, investimet publike në arsim dhe formim po subvencionojnë ekonomitë e tjera, ndërsa tregu i punës po zbrazet nga brenda.

Efektet kryesore ekonomike janë të qarta: mungesa e punonjësve nuk kufizohet vetëm në profesione të kualifikuara, por shtrihet edhe në punë bazike, duke krijuar presion të drejtpërdrejtë mbi bizneset që nuk gjejnë staf dhe nuk mund të zgjerohen.

Kjo çon në rritje të kostove, sidomos të pagave, por pa ndonjë përmirësim të teknologjisë apo organizimit të punës dhe thelbi i problemit është se rritja e pagave vjen nga mungesa, jo nga efikasiteti.

Mesazhi kyç për të gjithë është se emigrimi nuk e bën ekonominë më moderne, përkundrazi e bën më të vogël, më të shtrenjtë dhe më pak konkurruese, duke ulur rritjen e PBB-së me rreth 0.4 pikë përqindje në vit deri në 2050, siç parashikon BERZH.

ALTAX vlerëson se ka kushtuar tashmë -0.2% të rritjes vjetore të PBB-së per capita nga 2000-2023.

Kjo mungesë fuqie punëtore lidhet ngushtë me informalitetin, duke shfaqur reagimin real të ekonomisë ndaj një krize të tillë.

Kur punëtorët janë të pakët, ekonomia ka dy rrugë: ose të reformohet realisht duke investuar në teknologji, organizim dhe produktivitet, ose të përshtatet në mënyrë të keqe për të mbijetuar.

Në Shqipëri, për shkak të strukturës së bizneseve të vogla me kapital të kufizuar, dominohet rruga e dytë.

Në praktikë, kjo shfaqet me orë pune që nuk deklarohen, paga të pjesshme në bordero dhe pjesa tjetër “në dorë”, apo kontrata minimale për punë reale shumë më të mëdha. Informaliteti këtu nuk është gjithmonë një fshehje për përfitim, por shpesh një mekanizëm mbijetese në mungesë alternativash, kur punonjësi është i rrallë, biznesi nuk e humbet dot, prandaj komprometon formalitetin.

Pika kritike është se emigrimi çon në mungesë punëtorësh, e cila nga ana tjetër krijon një informalitet më të sofistikuar dhe më të padukshëm, por aspak më të vogël, duke penguar rritjen ekonomike dhe duke ulur të ardhurat fiskale, siç thekson BERZH në raportin e tij.

Lufta kundër informalitetit dhe kërkesa për deklarim të pagave përfaqësojnë politikën publike përballë këtij realiteti ekonomik, ku shteti ka të drejtë të kërkojë deklarim real të pagave, formalizim të tregut të punës dhe rritje të bazës tatimore.

Megjithatë, problemi lind kur këto politika ecin më shpejt se ekonomia reale.

Sot, pagat kërkohen të deklarohen më lart, por produktiviteti i punës nuk është rritur, duke e lënë biznesin të përballet njëkohësisht me tatime më të larta, kontribute më të mëdha dhe mungesë punonjësish.

Në këtë situatë, biznesi ka vetëm tre reagime të mundshme: të rrisë çmimet, të ulë numrin e punonjësve ose të rrisë informalitetin. Paradoksi është se deklarimi i pagave në letër nuk krijon një ekonomi formale në praktikë – ka pasur rritje graduale në sektorë si tregtia dhe shërbimet falë masave stimuluese si lehtësirat fiskale dhe faturimi elektronik, por informaliteti mbetet i lartë në ndërtim, bujqësi dhe shërbime urbane, duke ulur të ardhurat fiskale dhe duke penguar zhvillimin, siç informon BERZH.

Pyetja kritike për të gjithë është: a po luftojmë shkaqet e informalitetit, apo vetëm simptomat?

Ndërkohë, inflacioni i viteve të fundit vjen si goditja e fundit për familjet dhe bizneset, duke mbyllur të gjitha rrathët e këtij cikli vicioz. Goditja më e fortë ka qenë te ushqimet, energjia dhe shërbimet bazë, të cilat zënë peshën më të madhe në buxhetin familjar.

Pasoja reale është se pagat rriten nominalisht, por fuqia blerëse bie, duke lënë familjet pa ndjenjë përmirësimi dhe duke nxitur punonjësit të kërkojnë ose paga më të larta, ose emigrim.

Efekti zinxhir është i qartë.

Inflacioni, që arriti mesatarisht 2.3% në 2025, gërryen pagën reale dhe paga e pamjaftueshme nxit emigrimin. Emigrimi nxit informalitetin, ndërsa informaliteti dëmton të ardhurat e shtetit.

Arsyet kryesore vijnë nga rritja globale e çmimeve të energjisë, furnizimet e kufizuara lokale dhe presioni i kursit të këmbimit, duke ulur fuqinë blerëse të familjeve dhe duke detyruar bizneset të rrisin çmimet ose të zvogëlojnë kostot, çka pengon investimet e reja.

Masat e qeverisë, si subvencionet për energji dhe monitorimi i çmimeve, kanë ndihmuar pjesërisht, por efekti final është se punonjësi nuk përfiton, biznesi ngarkohet më shumë dhe shteti arkëton më pak sesa planifikon.

Në fund të fundit, Shqipëria ndodhet sot në një cikël ekonomik të rrezikshëm, ku emigrimi po zvogëlon fuqinë punëtore, informaliteti po ndryshon formë pa u zhdukur, deklarimi i pagave po ecin më shpejt se produktiviteti, ndërsa inflacioni po gërryen çdo rritje nominale.

Zgjidhja nuk është vetëm më shumë kontrolle dhe aksione e nisma reaktive, pasi situatat kanë degraduar, por një qasje më e thellë me rritje reale të produktivitetit përmes investimeve në aftësi dhe teknologji, stabilitet fiskal dhe mbi të gjitha, ndërtimi i besimit mes shtetit, biznesit dhe punonjësit. Siç rekomandon BERZH, politika për kthimin e emigrantëve, integrimin e diasporës dhe avancimi i reformave si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor mund të ndihmojnë, që emigrimi të kthehet nga një humbje në një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.