Elita e pakorruptuar dhe rritja cilësore

elita

Elita e pakorruptuar dhe rritja cilësore

Ndërsa disa elementë të reformimit fiskale janë duke ndodhur në Shqipëri, nevojitet një forcim kapacitetesh për të përshpejtuar stabilizimin fiskal, me objektivin për t’iu përgjigjur ndikimeve negative makroekonomike, si dhe për të përmirësuar kombinimin e politikës fiskale-monetare. Ndërsa ne jemi duke pritur që të ndodhë ky stabilizim, egziston mundësia të mbetemi të mbingarkuar nga politika monetare për stabilizim fiskal, e cila mund të bjerë kryesisht mbi individët edhe pse aftësia për të reaguar varet nga kapaciteti fiskal i secilit prej tyre.

Ndërkohë, rritja ekonomike ka qenë mbi pritshmëritë për të dytin vit radhazi, duke reflektuar pozitivitetin e procesit të rimëkëmbjes dhe të investimeve të huaja, veçanërisht në sektorin e energjisë. Performanca e investimeve të huaja direkte në vitin 2018 kapërceu nivelin e mbi 1 miliard euro për herë të parë në dekadat e fundit. Rritja e besimit në ekonominë shqiptare është një lajm i mirë. Por, gjithashtu është një sinjal i rëndësishëm për konsolidimin fiskal dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike në mënyrë që të ruhet ecuria pozitive e treguesve makroekonomikë.

Sfida e vërtetë në listë pritje është përmirësimi i perspektivës afatgjatë të rritjes duke u fokusuar te nevoja për t’u marrë me çështjet e brendshme dhe betejën e papërfunduar midis formalitetit dhe informalitetit të ekonomisë. Kjo do të thotë ngritja e produktivitetit dhe mundësimi i Shqipërisë që të marrë pjesë në garën rajonale për prosperitet në të ardhmen.

Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm që nga koha e programit të saj të rigjallërimit në vitin 2013 dhe performanca më mbresëlënëse i takon:

  • Uljes së Papunësisë, e cila arriti në 12.9 për qind në vitin 2018. Ka qenë një rënie e fortë e nivelit të të papunëve afatgjatë dhe një reduktim mbresëlënës në papunësinë e të rinjve, që gjithsesi është ende shumë më e lartë se mesatarja e BE.
  • Deficitit fiskal, i cili në vitin 2009 arriti rreth 7 për qind e PBB-së. Qeveria po synon një deficit të vogël këtë vit dhe pritet të arrijë nivelin më të ulët që nga ’90 në nivelin 1.8% e PBB-së. Kjo do të kontribuojë në reduktimin e borxhit publik, duke vazhduar rrugën e rënies së tij që filloi vite më parë.
  • Eksporteve dhe turizmit, të cilët kanë lulëzuar, duke synuar ngushtimin e bilancit negativ tregtar.

Të gjitha këto arritje kanë ulur profilin e rrezikut të Shqipërisë dhe kanë forcuar elasticitetin e saj ndaj ekspozimeve të rrisqeve makroekonomike të brendshme dhe të jashtme.

Por ende duhet të bëhet më tepër për një përmirësim më të madh financiar dhe ekonomik. Borxhi publik mbetet i lartë, rreth 68 për qind e PBB-së në vitin e kaluar, por dhe më i larti në Ballkanin Perëndimor dhe nuk ka gjasa të bjerë nën 55 për qind deri në vitin 2022. Vazhdimi në rrugën e reduktimit të borxhit do të ndihmojë në rivendosjen e hapësirës fiskale që mund të jetë e dobishme për zgjerimin e tregut dhe ekonomisë shqiptare.

Sektori privat është në fuqizim e sipër, si financiarisht, por edhe ekonomikisht edhe pse borxhi i biznesit është në nivelin e 29.5 përqind e PBB-së dhe ai i individëve te 0.2 përqind. Megjithë uljet e nivelit të borxheve të këqija, sistemi bankar mbetet i ndjeshëm. Raporti i kredisë me probleme (NPL) i sistemit bankar shqiptar u rrit paksa në 11.3% në fund të Janarit 2019, nga 11.1% një muaj më parë. Raporti i NPL në fund të Janarit ishte më i ulëti mbi baza vjetore, sipas shifrave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Raporti ishte 13.5% në Janarin e vitit të kaluar.

Ndërkohë, rënia e nivelit të kredive me probleme në sektorin bankar arrihet vetëm nëse lirohet kapital, i cili mund të orientohet për të plotësuar nevojat e ekonomisë. Por, kjo rrugë është e gjatë, pasi situata e NPL në Shqipëri ende mbetet ndër më të lartat në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit (mesatarisht 7% – 8%).

Një sfidë e rëndësishme është përfshirja e kapaciteteve me aftësi të reja në tregjet e punës në vend. Shkalla e papunësisë është zvogëluar ndjeshëm dhe një përqindje e lartë e vendeve të reja të punës i përkasin një statusi vendi pune të përhershme. Gjithsesi shumë punë të reja janë pjesë e trajtimit me pagë minimale. Ky është momenti për tu menduar që të ndryshojë kjo situatë edhe në aspektin e rritjes së vlerës së punës në tregun shqiptar. Nisur nga fakti, se ekonomia po fokusohet gjithnjë e më shumë në tregjet e eksportit dhe kjo i detyron kompanitë jo vetëm të konkurrojnë me mallra nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por me të gjithë rajonin nevojitet që të kenë një fuqi punëtore të mirëpaguar, por krahas kësaj edhe konkurruese për aftësitë që ajo përcjell në këto kompani. Në këto kushte një premisë shtytëse është garantimi i një fuqie punëtore fleksible e të pajisur me aftësi teknologjike të përparuara. Dhe natyrshëm që tregu i punës po lëviz në këtë drejtim, pasi shihet se niveli i arsimimit në mesin e të rinjve shqiptarë është më i lartë se ai në gjeneratën e mëparshme.

Tregu i produkteve shqiptare ka nevojë për reforma. Njëkohësisht me to, sektori privat dhe ai publik duhet të riformësohen për t’u orientuar sipas prirjeve të ardhshme për të njohur dhe përdorur inteligjencën artificiale, si dhe platformat dhe aplikimet elektronike për të bërë biznes në tregjet e huaja. Qeveria mund të luajë një rol kyç në lehtësimin e këtij ndryshimi nëse ajo mbetet e palëkundur në përpjekjet për reforma dhe siguron që administrata dhe rregullat burokratike nuk dekurajojnë aktivitetet dinamike dhe inovative.

Por, çka është më e rëndësishmja nga të gjitha ato që përmendëm më lart, është fakti se suksesi ekonomik i Shqipërisë duhet të ndërtohet mbi bazën e konsensusit politik, aq më tepër në një kohë krize. Kjo është diçka e lehtë në të thënë, por më e rëndësishmja për arritjet e vërteta dhe pritshmëritë e ardhshme. Ndërsa përballemi me një periudhë pasigurie dhe rreziku, elita shqiptare duhet të tregojë për të gjithë se ka një rrugë të hapur përpara, duke tejkaluar dallimet në frontin e sfidave të përbashkëta.

Ky moment i lëvizjes së drejtësisë në drejtimin e duhur (Vettingu) duhet të fillojë me një mësim të ashpër për të gjithë llojet e padrejtësive qw kanë ndodhur, si dhe për ata që kanë glorifikuar korrupsionin. Në sferën e politikës ekonomike, konflikti dhe veprimi i njëanshëm vetëm rrisin dobësitë.

Nëse pjesa më e mirë e elitës së pakorruptuar do të kalojë nëpër këtë rrugë, kjo do të jetë pa dyshim mënyra e duhur për ekonominë dhe prosperitetin, për të arritur në nivele më të larta të rritjes ekonomike dhe në shërbim të një jete me cilësi më të lartë se kjo që jetojmë sot.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: