Ekonomia dhe punësimi duhet të nxiten nga një model politik bazuar në gjithpërfshirje

Ekonomia dhe punësimi duhet të nxiten nga një model politik bazuar në gjithpërfshirje

Ekonomia shqiptare dhe tregu i punës përjetoi një rimëkëmbje të dobët të punësimit pas pandemisë COVID-19, ndryshe nga rimëkëmbja që përjetuan vendet anëtare të BE-së.

Në një shikim të ecurisë së ekonomisë në BE, shihet se pas një tkurrjeje me -5.9% në vitin 2020, ekonomia e BE-së u zgjerua me 5.4% në 2021. Rritja vazhdoi relativisht dinamike në vitin 2022, me një normë prej 2.7%. Si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës dhe pasojave të tij, duke përfshirë presionet globale inflacioniste, rritja ekonomike pritet të jetë në 1.4% në 2023[1].

Norma e papunësisë në BE u rrit në vitin 2020, në një kulmim prej 7.8%. Në fund të vitit 2021, papunësia ra në 6.5%, duke regjistruar një nivel të ulët historik. Tendenca rënëse vazhdoi në vitin 2022, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se në gjysmën e dytë të 2021.

Në krahasim me këto nivele treguese të BE-së, ekonomia shqiptare pas një tkurrje me – 3.96% në vitin 2020, ekonomia u zgjerua me 8.54% në vitin 2021 dhe 4.84% në vitin 2022. Duke u ndikuar tashmë nga problemet e brendshme të ekonomisë, si pasojë e modelit ekonomik të varur kryesisht nga importet dhe shërbimet, ekonomia shqiptare pritet të jetë rritur me 3.7% në vitin 2023.

Kjo rimëkëmbje, e cila konsiderohet e dobët në krahasim me BE-në është nxitur nga një rikuperim i ulët i shkallës së punësimit, por dhe një papunësie të lartë në moshat e reja (27.1% në 2021 dhe 24.9% në 2022).

Në vitin 2020, në tregun e punës ishin të regjistruar 1.243.345 të punësuar[2]. Një vit më vonë, në tregun e punës ishin të regjistruar 1.248.749 të punësuar (0.4% më shumë se në 2020)  dhe papunësia është 11.5 % dhe u ul me 0.2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2020. Ndërsa në vitin 2022, në tregun e punës ishin të regjistruar 1.298.380 të punësuar[3] (4.4% më shumë se në 2020) dhe papunësia është 10.9 %, me ulje prej 0.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021.

Pse kur rimëkëmbja ekonomike në Shqipëri pas pandemisë ishte më e lartë se në BE nuk shënoi të njëjtin trend rritës edhe për punësimin?

Arsyeja fillestare lidhet me problemet e mprehta të informalitetit të ekonomisë dhe tregut të punës. Përpara pandemisë, shumica e punëtorëve informalë nuk kishin të drejtë për përfitime nga qeveria edhe pse me aktin normativ ju dha një e drejtë përfitimi duke e pranuar këtë problem shumë të mprehtë ende jashtë kontrollit të qeverisë. Në një farë mase, këto probleme vijojnë të ekzistojnë nga nevoja për të mos rritur kostot, si për bizneset, po ashtu edhe për pagat që përfitohen nga punëmarrësit. Ekonomia në këtë mënyrë si është strukturuar nuk arrin dot të efektivizojë tregun e punës pas stopimeve apo mbylljeve të tij, pasi varet nga faktorë që nuk janë në vendimarrjen e saj, por lidhen sa nga ndikimet e partnerëve tregtarë të huaj, ;po ashtu edhe nga deformimet e politikave të brendshme.

Përqindja e lartë e të punësuarve informalë ka ndikuar në buxhet vit pas viti duke i lënë hapësira të pamjaftueshm për të përballuar nevojat për mbështetje, si dhe ato që lidhen me nxitjen e sektorëve që kanë të nevojshme bashkëpunimin me politikat nxitëse të qeverisë. Në ekonomitë e zhvilluara europiane, qeveritë dhe bizneset kanë punuar vit pas viti, që problemet e tregut të punës të lidhura me lëvizshmërinë sociale, varfërinë dhe krizat e natyrave të ndryshme  të jenë përballuar me sukses momente të tilla të veshtira si rasti i pandemisë pasi buxheti i mirëadministruar me përgjegjshmëri dhe kapacitetet e zgjeruara të huamarrjes kanë lejuar këto vende për të mbajtur rezerva të qëndrueshme sigurie për të poërballuar krizat sociale dhe ato ekonomike (injekstime kapitali direkte në disa biznese prodhuese dhe ndihma sociale direkte për punonjësit dhe shtresat në nevojë).

Arsye tjetër e bashkëlidhur me argumentat e mësipërme janë problemet që kanë mbizotëruar në buxhetin shqiptar lidhur me pamundësinë reale për të mbështetur bizneset dhe punonjësit në raste krizash dhe mbyllje të ekonomisë, si rasti i pandemisë. Niveli i huave në rritje ka dobësuar fuqinë e buxhetit të shtetit për të ndihmuar në këto raste si dhe nuk kanë ndikuar në fuqizimin e një ekonomie të qëndrueshme. Është fakt i argumentuar në mjaft analiza , se huatë qeveritare janë përdorur për të mbuluar politika afatshkurtra dhe të hartuara bazuar mbi interesa të ngushta partiake dhe grupimesh. Si rrjedhojë, edhe pse gjendja e borxhit rritet vit pas viti, politikat që kanë vendosur shpërndarjen e tyre në ekonominë shqiptare nuk janë shoqëruar me reformimet e ndryshme që duhet ti bashkëlidhen një strukturimi ekonomik dinamik dhe shumica e tyre nuk përfundojnë asnjëherë dhe nuk arrijnë të japin edhe efektin e nevojshëm.

Problemet e menaxhimit politik të investimeve publike dhe reformave strukturore janë ende problem i pazgjidhur, ku në vitet e fundit kanë shfaqur edhe nivele të larta të pabarazisë së brendshme dhe/ose qytetarë të pakënaqur, si dhe zinxhirë furnizimi të dëmtuar, të cilët për industritë jetike janë një rrezik prezent, por që kanë ndikuar në rimëkëmbjen ekonomike drejt një tendence rritje të qëndrueshme. Shqipëria edhe pse nuk ka një varësi absolute nga zinxhirët globalë të furnizimit dhe flukset financiare, duket se problemet e brendshme të ekonomisë në vitin 2024 dhe në vijim do të udhëheqin një rimëkëmbje të orientuar drejt rritjeve të ulëta.

Arsyeja tjetër është e lidhur me vullnetin dhe modelin politik të qeverisë lidhur me ndryshimin e strukturës së ekonomisë dhe modelin e funksionimit të saj drejt diversifikimit dhe ndërlidhjes mes sektorëve. Kjo qasje lidhet me riformatimin e modelit të qeverisjes nga qeverisje e mbyllur drejt një qeverisje të hapur dhe në koordinim me kërkesat e bizneseve dhe qytetarëve. Por, kjo qasje e riformatuar mundet të ndodhë vetëm nëse qeveria mund të besojë te bizneset dhe qytetarët për të marrë vendime, por edhe te rritja e produktivitetit të administratës publike dhe private dhe të harmonizuar me një paketë drejtuesish të institucioneve me  aftësish thelbësore teknokratike dhe që duhet të përbëjnë shtyllën kurrizore të qeverisjes. Në terma të tjerë, qeverisja duhet të decentralizohet drejt bviznesit dhe qytetarit dhe të zbatojë angazhimet e marra lidhur me qeverisjen e hapur të kombinuar me parime të një qeverisje të drejtpërdrejtë.

Një arsye madhore që rimëkëmbja të vijojë të jetë e ndjeshme jo vetëm në treguesit e rritjes ekonomie, por kryesisht në rishpëndarjen e rritjes sa më gjerësisht në rajonet e vendit dhe tregun e punës është pjesëmarrja e dobët në qeverisje e administratës vendore dhe një autonomi financiare vendore ende e larg objektivit. Qeverisja e centralizuar, si një model qeverisje e lidershipit tonë është ndjerë me pasoja negative në performancën dhe produktivitetin e qeverisjes vendore. Ne duhet ta shohin një qeverisje të centralizuar, jo si politikën e duhur për fuqizimin vendor. Kjo qasje centraliste nuk ka shërbyer si duhet as si nxitëse kryesore e rimëkëmbjes ekonomike për rajonet periferike apo larg kryeqytetit, pasi i ka munguar ndërthurja, elasticiteti dhe gjithpërfshirja.

Problemet kryesore për qeverinë në fakt duhet të adresohen rreth mënyrës se si të zhvendoset autorësia e investimeve publike drejt pushtetit lokal dhe të mos kontrollohet me paketë mbizotëruese prej qeverisjes qendrore. Qeverisja e investimeve vendore duhet të jetë një formë parneriteti e barabartë, midis qeverisjes qendrore me qeverisjen vendore (përfshi edhe biznesin vendor), ku kjo e fundit duhet të mbajë paketën kontrolluese pasi ky ndryshim i kuotave të pronësisë mbi investimet do të gjenerojë më shumë mundësi për të identifikuar dhe mbështetur aktivitetet dhe zonat efektive që do të nxisin rimëkëmbjen ekonomike.

Por, kjo zhvendosje e gravitetit të vendimarrjes duhet të bëhet njëkohësisht me promovimin e politikës së rinovuar të shpërndarjes së shpenzimeve të brendshme përmes programeve të transferimit të parave dhe mbrojtjes së bizneseve vendore nga konkurrenca e pandershme brenda vendit dhe jashtë tij, me një qëllim të përbashkët që të mbrohen industritë që janë jetike për sigurinë kombëtare dhe janë në të njëjtin kah me nxitjen e eksporteve.

Ndërtimi i një modeli politik bazuar në gjithpërfshirje krijon siguri dhe ndikon në qëndrueshmërinë e ekonomike vendore duke rigjallëruar edhe komunitetet lokale.

Por, kjo nuk ndodh dot me iniciativat e vendorëve, por as edhe të bizneseve në mënyrë automatike, pasi modeli i ri ekonomik, bazuar te formula e kontratës së re sociale duhet të shërbejë si një përvojë e gatshme për tu kopjuar duke e përshtatur dhe mundet që të jetë një nga gurët e rëndësishëm në përforcimin dhe zgjerimin e themeleve të ekonomisë së vendit.

[1] https://economy-finance.ec.europa.eu/system/files/2022-12/dp178_en.pdf

[2] https://www.instat.gov.al/media/10066/tregu-i-punes-2021.pdf

[3] https://www.instat.gov.al/media/11851/tregu-i-punes-2022.pdf

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: