DIBËR: MONITORIMI HORIZONTAL DHE VERTIKAL I TREGUESVE TË BUXHETIT 2021

DIBËR: MONITORIMI HORIZONTAL DHE VERTIKAL I TREGUESVE TË BUXHETIT 2021

Ekspertët kanë vendosur edhe disa treguesë vlerësimi për tu patur në konsideratë per financat vendore të Bashkisë së Dibres.
1. Besueshmëria e buxhetit
Të ardhurat dhe shpenzimet e programuara kanë diferenca me buxhetin e miratuar të vitit 2021 krahasuar me rishikimin, të cilat nuk duket se përfshijnë të ardhurat e veta vendore , por vetëm pjesën e transfertave të pakushtëzuara dhe specifike. Ky ndryshim nuk duket se ka reflektuar plotësisht kërkesat e qytetarëve gjatë konsultimit publik, por kryesisht janë vijimësi e kontratave të mirëmbajtjes dhe investimeve të mbartura nga vitet e kaluara.
Në këtë moment duhet të ndalet edhe procesi i konsultimit publik, që ka të nevojshme ekspertizën për të analizuar zërat që realisht prekin dhe shqetësojnë interest dhe mirëqenien e qytetarëve.
Ndërsa buxheti fillestar kalon në një proces formal konsultimi, nga verifikimi i kryer nga ekspertët tanë rezulton se çdo process tjetër ndryshimi nuk konsultohet të paktën për sa lidhet me prekjen e investimeve kapitale.
Në analizën horizontale ndër vite në buxhetin 2022-2024 nuk shikohen ulje/rritje në shpenzimet.
Kujdes!
Kjo logjikë na tregon se analiza financiare dhe ajo që lidhet me të ardhurat nevojitet të ketë një vëmendje të veçantë, për të bërë ndryshim me situatën, e cila nuk shfaq shenja që mundet të përballojë dot sfidat e shpenzimeve për zhvillimin vendor me burimet e veta.
Nga Anketimi i bërë ALTAX:
Kur qytetarët u pyetën “Si do ti ndanit shpenzimet e buxhetit në Bashkinë tuaj nëse do ta kishit ju në dorë miratimin e shpërndarjes së fondeve dhe politikave?, pikët më të mëdha si mesatare e përgjigjeve i morën “Strehimi Social” 4.5 pikë, “Pyjet dhe kullotat” 4.1 pikë, “Mbrojtja civile dhe nga zjarri” 4.3 pikë“Bllokimi ndërtimeve pa leje” 4.1 pikë dhe “Tranmsporti publik” 4 pike.
Aktivitetet e tjera të Bashkisë ishin poshtë këtij pikavarazhi.
Por, pa patur besueshmërinë e procesit buxhetor në momentin e hartimit kemi cënim dhe një luhatje në përbërjen funksionale të shpenzimeve në procesin e zbatimit.
2. Transparenca fiskale
Sa u takon disa treguesve të transparencës fiskale, përfshirë programimet e buxhetit, dokumentimin e buxhetit dhe të drejtën e publikut për të parë informacionin fiskal, Bashkia vlerësohet se ka një përfaqësim të mirë.
Megjithatë, shqetësim janë boshllëqet në informacionin për të ardhurat dhe shpenzimet faktike, burimet që marrin njësitë e realizimit të shërbimeve, prezantimi i buxhetit faktik sipas njësive shpenzuese, si edhe mungesa e transparencës në një pjesë të konsiderueshme të transfertave të pushtetit qendror nga FSHZH dhe ish-FZHR.
Sipas monitorimit dhe vlerësimit të dokumenteve buxhetore dhe politikave për zhvillim, në Bashkinë Dibër, vërehet se kapaciteti për vlerësimin, monitorimin dhe menaxhimin e projekteve të investimeve publike përfshirë PPP-të është i copëzuar.
Drejtoritë dhe hallkat e institucionet përfshihen në etapa të ndryshme për analizimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e investimeve. E gjitha kjo performancë nevojite që të jetë pjesë e një listimi të unifikuar të projekteve të miratuara, e njëjtë si ajo që vetë MFE ka në Strategjinë e saj të MFP , por edhe Planin e Veprimit të Strategjisë ndërsektoriale për decentralizimin e qeverisjes vendore , ku secili nga punonjësit të jetë pjesë e integruar e saj sipas detyrave stafetë që mbulojnë, por edhe si pjesë e transparencës që nevojitet për qytetarët dhe për analizat e eficencës së investimeve.
3. Menaxhimi i borxhit del në pah si një fushë me performancë jo të fortë në këtë analizë
Borxhet që janë krijuar për Ujësjellës Kanalizime, për investimet kapitale dhe borxhet e brendshme janë një problem i mbartur përpara reformës administrative. Megjithëse menaxhimi i borxhit të bashkisë si për gjithë bashkitë e vendit ishte një objektiv që do të zgjidhej duket se nuk ka ende një përmbushje të këtij objektivi.
Megjithëse stoku i detyrimeve të prapambetura buxhetore në përgjithësi është duke u pastruar duket se bashkia ka në focus moskrijimin e borxheve të reja. Gjithsesi nuk ka qenë e mundur të parandalohej plotësisht krijimi i detyrimeve të reja Bashkia duhet të krijojë një qasje të raportimit në sistem për monitorimin e detyrimeve të prapambetura nëpërmjet sistemit të Thesarit.
Menaxhimi i të ardhurave fiskale është në proces të zbatimit të një procesi të strukturuar të vlerësimit të riskut, por funksioni i mbledhjes së borxhit vuan nga dobësi serioze.
4. Menaxhimi i investimeve publike përbën sfidë madhore.
Dobësitë në përzgjedhjen e projekteve, së bashku me mungesën e të dhënave të plota dhe me sistemet e dobëta të monitorimit e kanë cënuar efektivitetin dhe efikasitetin e vendimeve të menaxhimit të financave publike vendore.
Vini Re!
Mungon zëri i kualifikuar i qytetarit nëpërmjet ekspertizës së dedikuar procesit buxhetor. Po ashtu edhe rekomandimet e konsoliduara të organizatave të ekspertizave të ndryshme. Masat e përfshira në objektivat dhe prioritetet e PBA nuk arrijnë dot të krijojnë një cikël të mbyllur të plan veprimi të lidhur me gjithë masat mbështetëse që janë të nevojshme për t’i vënë në zbatim prioritetet.
Përgatitja e udhëzuesve, rishikimi i strukturave dhe mbivendosjeve, si dhe verifikimi dhe azhornimi i procedurave dhe kryerja e trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve duhet të jenë ndër masat e plota dhe me një kohë të dedikuar për gjithë Bashkinë, pasi konsiderohen si ndryshime të rëndësishme të formësimit të plotë të procesit buxhetor.
5. Ndërvarësia që ka buxheti vendor nga buxheti i shtetit, ndikohet nga një pjesë e objektivave ende të papërmbushur nga SMFP 2019-2022 dhe strategjitë sektoriale që rëndojnë mbi performancën e planifikimit të buxhetit të Bashkisë.
Mungesa e zhvillimit në kohë të mekanizmit të matjes dhe analizimit të performancës (Pasaporta e Indikatorëve) në nivel qeverisje qendrore ka dhënë një efekt pritshmërie në qeverisjen vendore, por me efekte në displinën financiare dhe planifikimin e saktë të të ardhurave. Nga ana tjetër problemet në mosbërjen në kohë dhe të plota të raport progreseve të strategjive sektoriale duke mos gjetur hapësira për tu përfshirë në PBA kanë ndikuar në moslidhjen e nevojshme midis planifikimit të politikave strategjike me planifikimin e buxhetit dhe menaxhimin financiar publik.
6. Në procesin e hartimit të buxhetit vjetor dhe PBA , sipas udhëzimit standart të PBA nuk ka përcaktim për pjesëmarrje të ekspertizës së shoqërisë civile apo proces, ku mund të ndërhyjë ekspertiza civile, por thjesht konsultim me publikun.
Sipas standarteve të vendosura në ligjin organik të buxhetit, në udhëzimin për përgatitjen e buxhetit dhe PBA për qeverisjen qendrore dhe atë vendore, por edhe në Strategjinë e mernaxhimit të Financave Publike 2019-2022 , duke konsideruar edhe praktikat vlerësuese standarte të Bankës Botërore për llogaridhënien për shpenzimet dhe financat publike (PEFA) si dhe projekte monitoruese nga organizata vendase dhe të huaja të financave vendore shihet se objektivi i përbashkët për planifikime të buxheteve më transparente për qytetarët si dhe llogaridhënia për shpenzimin e parave publike është ende i papërmbushur.
7. Rekomandimet dhe monitorimet e OSHC në parashikimin e të ardhurave vendore (shpërndarjen e barrës tatimore) dhe shpërndarjen e shpenzimeve ka qenë pa ndikim.
Në gjithë procesin e konsultimit dhe analizat e pyetësorëve të realizuar mungon ekspertiza e shoqërisë civile dhe profesionistëve apo është e përfshirë në projekte që kanë Marrëveshje me MFE dhe Bashkitë. Mënyra e zhvillimit të konsultimit publik (jo vetëm në Bashkinë Dibër) nuk mundet të konsiderojë si vendimtare dhe të argumentuara me një studim analitik vetëm reagimet e qytetarëve (pjesëmarrjet në forume për konsultim publik nuk kalon 0.09% e popullsisë mbi 15 vjeç të Bashkisë), të cilat mbeten një zë i pazëvendësueshëm në formën e përfaqësimit që kanë.
Por, gjatë konsultimit publik duhet të programohet edhe dialogu i bazuar në analiza dhe fakte nga organizata të shoqërisë civile, organizata të biznesit dhe profesionistëve, si dhe organizata të punës, të cilat munden të japin një rekomandim më pranë nevojave të qytetarëve, por edhe munden të jenë monitoruesë potencialë për mënyrën si janë shpenzuar fondet e Bashkisë dhe transfertat e buxhetit të shtetit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: