Demonetizimi i dytë brenda pak vitesh në Indi: Efekte dhe mësime

Demonetizimi i dytë brenda pak vitesh në Indi: Efekte dhe mësime

Kur u zbatua politika e demonetizimit (tërheqja e një monedhe, kartëmonedhe ose metali të çmuar nga përdorimi) në vitin 2016 në Indi i zuri në befasi të gjithë, përveç qeverisë dhe Bankës Qendrore (Banka e Rezervës së Indisë, RBI) [1].

Qëllimi kryesor ishte lufta ndaj korrupsionit dhe informalitetit dhe për ta bërë të zbatueshme këtë qëllim u vendosën 4 objektiva kryesorë:

  • Luftimin e korrupsionit në të gjitha nivelet e pushtetit
  • Ndalimi i falsifikimin të parasë
  • Kufizimi i “parasë së zezë” dhe legalizimi i saj si pjesë e ekonomisë formale
  • Parandalimi i përdorimit të parasë informale për financimin e terrorizmit

Ndërkohë, pas mbushen afër 7 vite Bankës së Rezervës së Indisë (RBI) ka publikuar në maj 2023 një Qarkore[2] për heqjen nga qarkullimi te kartëmonedhës me vlerë 2000 rupi (hyri në tregun monetar në vitin 2016 pas tërheqjes nga tregu befasisht të dy kartëmonedhave me vlerë 500 rupi dhe 1000 rupi).

Sipas RBI, kjo lëvizje e re e politikës monetare pasqyron mësimet e qeverisë qendrore nga demonetizimi i vitit 2016. Ndërkohë, kjo lëvizje e re politike nuk është më e njëjtë me atë të vitit 2016, pasi tashmë janë dhënë sinjalet për zëvendësimin e kartëmonedhës prej vitit 2019 kur nuk u printua më tej, si dhe tashmë me njoftimin e dalë në maj me afat zbatimi deri në fund të Shtatorit 2023 u lihet koha e nevojshme të gjithë mbajtësve të kartmonedhës 2000 rupi.

Në njoftimin e Kryeministrit Modi në vitin 2016 në lidhje me heqjen nga qarkullimi te kartëmonedhave 500 rupi dhe 1000 rupi, vendimi i tij u konsiderua si një lëvizje politike dhe jo ekonomike. Arsyeja prapa kësaj lëvizje bazohej te premtimi se do të eliminonte ekonominë e zezë të Indisë dhe me zgjedhjet e UP të 2017 që po afroheshin në atë kohë, partia[3] ishte e shqetësuar për të bërë një lëvizje[4].

Sipas analizave të kryera[5] për vlerësimin e efekteve pozitive dhe negative të vendimit për demonetizimin, edhe pse i shumëdebatuar dhe kundërshtuar masivisht, rezulton se pati disa zhvillime pozitive të premtuara dhe të pritshme, si:

Së pari është efekti në rritjen e mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat personale. Nga monitorimi dhe vlerësimi i kryer, rezulton se ka pasur një rritje të konsiderueshme në numrin e deklaratave tatimore individuale të depozituara pas demonetizimit, të konfirmuara prej raporteve të qeverisë.

Së dyti ishte arritje e objektivit lidhur me parandalimin e parave të zeza. Qeveria ishte në gjendje të identifikonte më shumë se 37,000 kompani guaska që ishin të angazhuara në transaksione informale dhe pastrim parash.

Së treti, pati një rritje të transaksioneve dixhitale, të cilat u rritën me 50-55% që nga demonetizimi.

Së katërti, një efekt direkt social ishte reduktimi i veprave kriminale rreth trafikimit të qenieve njerëzore.  Sipas laureatit Nobel Kailash Satyarthi dhe të tjerëve që luftojnë rreziqet e trafikimit të qenieve njerëzore në Indi, demonetizimi çoi në një rënie të ndjeshme të aktiviteteve si trafikimi i qenieve njerëzore dhe trafikimi i fëmijëve nëpërmjet dekurajimit të pastrimit të parave nga këto vepra kriminale.

Ndërkohë, ndër ndikimet negative përmenden fakte të tilla si:

– Sipas një raporti të lëshuar nga Banka e Rezervës së Indisë në vitin 2018, afërsisht 99.3% e kartëmonedhave të demonetizuara u depozituan në bankë. Kjo i bëri analistët të arrinin në përfundimin se kjo përpjekje për të frenuar kërcënimin e parasë së zezë nga tregu nuk ishte plotësisht e suksesshme në përmbushjen e objektivave të saj.

– Ky vendim i ekzekutuar me nxitim jo vetëm që uli prodhimin industrial, por ndikoi edhe në normën e rritjes së PBB-së. Një raport nga Universiteti Azim Premji zbuloi gjithashtu se 50 milionë njerëz humbën punën e tyre që nga demonetizimi.

Një tjetër reagim që vlen për tu përfshirë në analizë është reagimi i politikës, veçanërisht opozitës.

Kështu, pesë vjet pas demonetizimit, udhëheqësja e Kongresit Priyanka Gandhi pyet: “Nëse demonetizimi ishte i suksesshëm, atëherë pse nuk ka përfunduar korrupsioni? Pse nuk u stopuan paratë e zeza? Pse ekonomia nuk ka mbetur pa para të pista? Pse nuk u tërhoq terrorizmi? Pse nuk kontrollohet inflacioni?”[6]

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve të shprehura nga opozita duhet përmendur se reagimi i zyrtarëve të qeverisë mbështet argumentin final, se “do të ishte më mirë të kalonim në fillim të zbatimit dhe të kuptonim kontekstin… rritja e monedhës në qarkullim në numra absolut nuk është pasqyrim i realitetit. Ajo që duhet të merret parasysh është raporti i monedhës ndaj PBB-së, i cili ishte ulur pas demonetizimit .”

Tashmë në vendimin e ri për një tjetër proces demonetizimi, por më të përmbledhur, si dhe të paralajmëruar në avancë në kohë duket se përsëri rupia u zhvlerësua si reagim ndaj qarkores së RBI-së, por shpejt u forcua kundrejt dollarit amerikan.

Ndërkohë, sekretari i Financës Somanathan tha për BT TV, se “Bankënotat pre 2,000 Rupi i kanë shërbyer nevojës së tregut të para 7 viteve dhe është koha për të kaluar në prerje më të vogla. Qëllimi ynë është të inkurajojmë transaksionet dixhitale“.

Nga gjithë përvoja indiane në këto 7 vite të fundit, nëse gjejmë sadoqoftë krahasim mes Indisë gjigande, me një strukturë ekonomike shumë më të organizuar dhe më produktive se Shqipëria, por duke marrë për bazë krahasimi informalitetin e lartë, problemet e falsifikimit të kartëmonedhave të mëdha, pastrimin e parave, si dhe rrisqet e financimit të terrorizmit dhe mbajtjen e një niveli të lartë të motivit stimulues për kriminelët e të gjitha tipave mendojmë se vlen të studiohet për të përqasur përvojën dhe vlerësuar një skenar të ngjashëm në kushtet e Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë, e cila tashmë është vendosur nën një fokus të shtuar të ekspertizës vendase dhe në tërësi të grupeve të interesit të dëmtuar nga kursi i luhatshëm i këmbimit duhet që të analizojë dhe diskutojë skenarët e nevojshëm në takimet dhe bashkëpunimet me Ministrinë e Financave dhe institucionet në varësi të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërkohë, vetë Komisionet e Kuvendit, si ai i Financave, i Veprimtarive prodhuese, për Çështjet ligjore dhe institucione të pavaruara, si Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve duhet që të jenë më të interesuar se kurrë në hapjen e nismave dhe debateve bashkë me shoqërinë civile dhe ekspertizën e spikatur vendase për të diskutuar dhe ndërtuar modele të ngjashme të adresimit të problemeve të mësipërme, pasi shihet se qeveria nuk mundet dot të adresojë gjithë sfidat që lidhen me problemet e mprehta politike, ekono0mike dhe sociale.

Kështu, paraja cash ka tendencë të përdoret më shumë gjatë kohës së zgjedhjeve, por fushatat zgjedhore nuk kanë gjasa të shohin ndonjë ndërprerje pavarësisht masave dhe programeve që miraton qeveria për të luftuar informalitetin dhe paranë e zezë kriminale.

Transaksionet e parave të zeza mbeten rrisk permanent që të përdoren për të ‘blerë’ vota edhe në të ardhmen e afërt. Një zgjidhje afatshkurtër është përshtatja e politikave të ngjashme, si: demonetizimi, apo edhe krijimi i një fronti të gjerë dhe përtej institucioneve lidhur me luftën dhe ngushtimin e informalitetit dhe korrupsionit duke parandaluar me masa më të rrepta pikërisht pastrimin e parasë. Një masë tjetër është heqja dorë prej kartëmonedhave në prerje të mëdha , si: 10.000 lekë, pasi është një ndihmë më shumë në këtë ekonomi tejet informale dhe të mbajtur edhe nga paratë kriminale.

Në përgjithësi, opozita e pakapur nga krimi dhe korrupsioni, qeveria, Kuvendi dhe shoqëria civile nuk duket se kanë shumë për të humbur, pasi ndoshta ka vend për më shumë të fituar nga një qasje në funksion të demonetizimit, bashkë me masa të tjera efektive.

Gjithsesi, nisur nga motivi i demonetizimit nevojitet që të bëhen analiza shteruese duke studiuar efektet në kushtet e Shqipërisë. Ndikimet më të drejtpërdrejta të heqjes së kartëmonedhave të mëdha/ formatimit ndryshe, natyrisht që do të kenë ndikim në sektorët e orientuar drejt parasë, si: bujqësia, tregtia me pakicë, shërbimet.
Por ky është një proces që nuk do të bëhet në befasi, pasi do të dizenjohet në funksion të qëllimit të madh, atë të pastrimit të ekonomisë dhe tregut prej pisllëkut të lartë nga paraja informale dhe dekurajimin e kriminelëve për të gjetur strehë lirisht në ekonominë shqiptare edhe në të ardhmen.

Ajo që duhet të mësojmë fort nga rasti indian është konkluzioni se vendimi i politikanëve duhet të mbajë në thelb të tij konsultimin e gjerë dhe faktorizues për të patur më shumë logjikë ekonomike sesa përshtatshmëri politike, megjithëse kjo e fundit do të jetë edhe pse asnjë nuk e do.

[1] https://altax.al/demonetizimi-per-shqiperine-ose-pervoja-indiane-ne-luftimin-e-parase-informale-dhe-korrupsionit/

[2] https://rbidocs.rbi.org.in/rdocs/Notification/PDFs/BANKCIRCULARA39F07C7247D4D4D9C90F4EB0CAF5D96.PDF

[3] Bharatiya Janata Party

[4] http://www.ipcs.org/comm_select.php?articleNo=5850

[5] https://www.careerlauncher.com/rbi-grade-b/demonetization-in-india/

[6] https://indianexpress.com/article/india/rbi-withdraw-rs-2000-notes-look-back-demonetisation-november-2016-8618788/

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.