Deklarimi i të ardhurave nga pagat në Shqipëri dhe fqinjët e saj
Deklarimi i të ardhurave nga puna përmes politikave të reja tatimore është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e transparencës fiskale dhe rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit. Megjithatë, suksesi i këtyre politikave varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga një seri masash plotësuese që do të përcaktojnë ndikimin e tyre real.
Në vitin 2025, Shqipëria ka implementuar disa ndryshime të rëndësishme në lidhje me deklarimin e pagave dhe të ardhurave personale:
Nga 1 janari 2025, individët që kanë realizuar të ardhura bruto më shumë se 1,2 milionë lekë në vit janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën individuale të vitit 2024 brenda 31 marsit 2025. Kjo është një ulje e konsiderueshme nga kufiri i mëparshëm prej 2 milionë lekësh.
Edhe individët që kanë realizuar më shumë se 50,000 lekë nga kategori të ardhurash që nuk i nënshtrohen mbajtjes së tatimit në burim (si të ardhurat nga qiraja ose nga aktivitete të tjera të patatuara) kanë detyrimin për të dorëzuar deklaratën vjetore të të ardhurave personale.
Qeveria ka ndërmarrë masa të reja prej fundit të vitit 2024 për të luftuar nëndeklarimin e pagave, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë dhe kontrolleve të shpeshta për të siguruar që të gjitha pagat të deklarohen dhe të tatohen siç duhet.
Të gjitha këto politika të reja tatimore për deklarimin e të ardhurave nga puna dhe kapitali, natyrisht që do të kenë efektin e tyre, për sa kohë do të shoqërohen me masa të tjera plotësuese që fillojnë me ndryshimin e ambjentit të të bërit biznes dhe përfundojnë me ndërveprimin institucional.
Për të nxitur zbatimin e këtyre politikave, është e nevojshme që të krijohet një klimë biznesi më e favorshme dhe më pak burokratike, ku së pari përmendim thjeshtimin e procedurave administrative, veçanërisht për regjistrimin dhe raportimin e të ardhurave. së dyti sigurimin e stabilitetit ligjor dhe tatimor, duke shmangur ndryshimet e shpeshta dhe të paparashikueshme në politika dhe së treti promovimin e partneritetit publik-privat, për të ndihmuar bizneset të përshtaten me kërkesat e reja.
Për të siguruar zbatim efektiv, është e nevojshme gjithashtu një fushatë e gjerë dhe e pandërprerë ndërgjegjësimi dhe edukimi mbi rëndësinë e deklarimit korrekt të të ardhurave.
Një faktor që shpesh lihet të performojë i paintegruar me politikën anti informalitet është edhe përmirësimi i mekanizmave të mbikëqyrjes dhe zbatimit duke i mëshuar luftimit të korrupsionit, që bashkëshoqëron gjithmonë nismat e reja politike.
Por, nëse nevojitet një aleat I fortë dhe me ndikim në gjithë procesin e zbardhjes së të ardhurave personale është shumë e domosdoshme një politikë tatimore që ende ka nevojë të dizajnohet në drejtim të inkurajimit të bizneseve të vogla dhe të mesme, me qëllim që të mos ketë efekin e kundërt, atë të dekurajimit. Për këtë qëllim duhet tani, jo më vonë një politikë e reformuar për rishpërndarjen e barrës tatimore.
Për zbatimin efektiv të politikave tatimore, nevojitet një bashkëpunim i ngushtë mes institucioneve si administrata tatimore, bankat, dhe institucionet rregullatore dhe këshilltarët e biznesit.
Politikat e reja tatimore për deklarimin e të ardhurave nga puna dhe kapitali mund të sjellin një ndikim pozitiv vetëm nëse shoqërohen me këto masa plotësuese të balancuara dhe të mirëkoordinuara.
Por, a është e mundur të deklarohen pagat reale në Shqipëri në 2025?
Në Shqipëri, deklarimi i pagave reale është një problematikë që ka lidhje me praktikat e njohura të raportimit të pagave nga shumë punëdhënës. Ndërkohë që ligji kërkon që të gjitha të ardhurat të deklarohen dhe të tatohen në përputhje me normat fiskale, ndodhin raste të shumta, kur deklarohen paga më të ulëta për të shmangur tatimet dhe kontributet shoqërore të plota.
Në vitin 2025, pavarësisht masave të ndryshme për të luftuar këtë fenomen, ende ka mundësi për të deklaruar pagat e ulëta ose për të mbajtur një pjesë të pagës jashtë raportimit për të shmangur tatime të larta. Formalizimi i pagave në Shqipëri përballet me disa sfida dhe pengesa që lidhen me praktika të gabuara, kushte sociale dhe ekonomike, dhe mangësi në mbikëqyrje.
Kjo qasje ndodh kryesisht për shkak të:
1. Mungesës së kontrollit të plotë nga autoritetet tatimore, që mund të jenë të kufizuara për të monitoruar çdo aspekt të pagave të të gjitha kompanive. Përveç ligjeve dhe rregulloreve që kërkojnë pagë të formalizuar dhe të deklaruar, mungesa e një mbikëqyrjeje të fortë dhe një administrate tatimore me kapacitete të nevojshme ka lejuar që shumë punëdhënës të raportojnë pagat më të ulëta se ato që realisht paguhen. Përdorimi i teknologjisë dhe kontrolleve më të avancuara janë ende të pamjaftueshëm për të ndaluar në mënyrë të efektshme praktikat e tilla.
2. Përhapjes së korrupsionit dhe praktikave të tjera informale që ndihmojnë në mbajtjen e pagave jashtë sistemit të zyrtarizuar. Në shumë raste, ka një traditë dhe kulturë të punës informale, ku punëdhënësit ofrojnë pagë shtesë “nën tavolinë” për të shmangur tatimet dhe për të minimizuar shpenzimet e tyre. Kjo ka bërë që shumë punëtorë të pranojnë kushte të tilla, duke ndihmuar kështu në ruajtjen e sistemit të informalitetit. Për punëtorët, ekziston gjithashtu një frikë nga humbja e vendit të punës nëse kërkojnë që pagat e tyre të regjistrohen dhe të deklarohen plotësisht. Shumë punëtorë frikësohen se mund të penalizohen ose të humbasin mundësinë për punësim nëse kërkojnë që puna e tyre të formalizohet plotësisht. Ky pasiguri ndihmon në mbështetje të informalitetit.
3. Përqendrimit në masa tatimore të tjera, duke lënë mundësinë e deklarimit të pagave të ulëta ose të parregullta, nga mungesa e një klime efektive dhe pak të kushtueshme për formalizimin. Bizneset që punojnë në tregje të konkurrencës së ashpër, veçanërisht ato që operojnë me marzhë të ulët fitimi, mund të shohin formalizimin e pagave si një barrë të panevojshme. Ata mund të përpiqen të ruajnë një avantazh konkurrues duke mbajtur kostot e punës sa më të ulëta dhe duke shpërndarë pagat në mënyrë informale.
Shumë punëdhënës, veçanërisht në sektorët e vegjël dhe të mesëm të biznesit, ndihen të ngarkuar nga taksat dhe kontributet shoqërore të detyruara që duhen paguar për pagat e formalizuara. Kjo ka nxitur shumë prej tyre të deklarojnë një pagë më të ulët se ajo që paguhet në realitet, për të shmangur koston e lartë të kontributeve dhe taksave.
4. Mungesa e edukatës dhe ndërgjegjësimit për përfitimet e formalizimit. Në shumë raste, punëdhënësit dhe punonjësit nuk janë të ndërgjegjshëm për përfitimet afatgjata të formalizimit të pagave, si sigurimi i pensioneve të mjaftueshme, mbrojtja shëndetësore, dhe rritja e stabilitetit të punës. Për më tepër, punëtorët mund të mos kuptojnë rëndësinë e kontribuimit në sigurime shoqërore dhe shëndetësore që lidhen me pagën e regjistruar zyrtarisht.
5. Mungesa e incentiva të fuqishme për bizneset e vogla. Për shumë biznese të vogla, formalizimi i pagave përpunon një kosto të madhe dhe mund të duket si një ngarkesë e panevojshme. Pavarësisht përpjekjeve të shtetit për të ofruar stimuj dhe përkrahje për këtë kategori, ato shpesh janë të pamjaftueshme për të ndihmuar në kalimin e kësaj pengese.
6. Pjesëmarrja e madhë në ekonominë informale, ku shumë aktivitete dhe transaksione janë të paidentifikuara dhe pa tatim, e bën të vështirë formalizimin. Edhe nëse individë janë të gatshëm të deklarojnë pagat e tyre, ndërsa shumë aktivitete të tjera mbeten informale, situata vazhdon të mbetet e vështirë për t’u menaxhuar dhe reformuar në tërësi.
Si është niveli i informalitetit të pagave në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit në 2024?
Pavarësisht masave për të luftuar informalitetin, këto nivele mbeten të larta, dhe është e nevojshme një përpjekje e bashkërenduar për të përmirësuar mbikëqyrjen dhe për të ulur ngarkesën tatimore për bizneset e vogla dhe të mesme.
Përqindjet e nëndeklarimit të pagave dhe mosdeklarimit të punonjësve ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin dhe varen nga faktorë të ndryshëm, si niveli i zhvillimit të administratës tatimore, politikat fiskale dhe natyra e sektorëve të ekonomisë.
Sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare dhe analizave të fundit të Bankës Botërore dhe organizatave të tjera, këtu janë disa vlerësime për nivelin e informalitetit dhe evazionit të pagave (referenca) në vendet fqinje të Shqipërisë:
Shqipëria. Përqindja e informalitetit është midis 30-40% të punonjësve, të cilët janë të angazhuar në sektorin informal. Ky nivel mund të jetë më i lartë në disa sektorë, si: turizmi, bujqësia dhe ndihmësit në aktivitete shërbyese.
Pjesa më e madhe e informalitetit vjen nga nëndeklarimi i pagave, veçanërisht në bizneset e vogla dhe të mesëm, ku shumë punëdhënës raportojnë paga më të ulëta se ato që paguhen në realitet. Ndërsa nuk ka statistika të sakta të fundit nga institucionet përkatëse, përqindja e pagave të nën-deklaruara është e konsiderueshme.
Kosova. Përqindja e informalitetit, sipas shumë studimeve vlerësohet midis 30-35% të punonjësve. Informaliteti është më i shprehur në bujqësi dhe në tregun e shërbimeve dhe tregtisë.
Po ashtu si në Shqipëri, nëndeklarimi i pagave është një problem i madh, sidomos në sektorin privat, ku punëdhënësit shpesh u ofrojnë punëtorëve një pagë të zvogëluar për të shmangur taksat dhe kontributet shoqërore. Pjesa më e madhe e informalitetit lidhet me nën-deklarimin e pagave të punonjësve.
Mali i Zi. Përqindja e informalitetit është gjithashtu e lartë, me vlerësime që sugjerojnë se rreth 30-40% e punonjësve janë të angazhuar në ekonominë informale, veçanërisht në sektorët si shërbimet dhe turizmi.
Edhe në Mali të Zi, nëndeklarimi i pagave mbetet një problem, sidomos në sektorët e turizmit dhe shërbimeve, ku punëtorët shpesh paguhen më pak sesa e vlerësojnë sistemet tatimore. Përqindja e pagave të nën-deklaruara është e konsiderueshme, por është më e ulët në krahasim me Shqipërinë dhe Kosovën për shkak të disa masave të reja për uljen e informalitetit.
Serbia. Përqindja e informalitetit nga vlerësimet sugjerojnë që rreth 30-35% e punonjësve mund të jenë të angazhuar në sektorin informal. Ky informalitet është më i shprehur në sektorë si bujqësia, shërbimet dhe ndërtimi.
Nëndeklarimi i pagave është gjithashtu një fenomen i zakonshëm, veçanërisht për ata që punojnë në sektorin privat. Pjesa më e madhe e punëtorëve në sektorët me pagë të ulët janë të angazhuar në nëndeklarimin e pagave për të shmangur tatimet dhe kontributet shoqërore.
Maqedonia e Veriut. Në Maqedoninë e Veriut, niveli i informalitetit është gjithashtu i lartë, me rreth 30-35% të tregut të punës që operon jashtë sektorit formal. Kjo përfshin shumë punonjës në sektorë si ndihma në bujqësi dhe shërbimet e ndryshme.
Nëndeklarimi i pagave është një fenomen i zakonshëm në Maqedoninë e Veriut, sidomos për punonjësit në sektoret e shërbimeve dhe turizmit, ku shumë punëdhënës raportojnë paga më të ulëta sesa ato që paguhen realisht.
Nga sa kuptohet nga treguesit referuesë më lart, problematika e formalizimit të pagave dhe ekonomisë informale nuk është çështje e rëndësishme vetëm për Shqipërinë. Kjo situatë është mjaft shqetësuese edhe në vendet fqinje ballkanike, të cilat përballen me sfida të ngjashme, por me ndihmën e politikave dhe masave të ndryshme, ato kanë arritur nivele të ndryshme të suksesit në luftën kundër informalitetit.
Të gjithë këto vende ndajnë disa karakteristika dhe shqetësime të përbashkëta, siç janë ngarkesat tatimore të larta dhe një histori e ekonomisë informale.
Sidoqoftë, ka dallime të rëndësishme në mënyrën se si ato po i adresojnë këto çështje.
Nëse mundet të krahasojmë këto situata në disa nga vendet fqinje, shikojmë se:
1. Kosova ka përjetuar një zhvillim të ngadaltë të formalizimit të pagave, ku ende shumë punëtorë janë të angazhuar në sektorin informal. Disa nga shkaqet janë:
Së pari, shikohet si problematikë tatimet e larta dhe kostot e punës. Edhe pse Kosova ka pasur përpjekje për të luftuar informalitetin, shumë biznese preferojnë të paguajnë punëtorët jashtë sistemit për të shmangur taksat dhe kontributet e larta shoqërore.
Së dyti është mungesa e kontrollit të plotë. Pavarësisht masave për përmirësimin e mbikëqyrjes, administrata tatimore e Kosovës ka pasur vështirësi në kontrollimin e sektorëve më të vegjël dhe informaliteti mbetet i përhapur.
Së treti është niveli i ulët i ndërgjegjësimit të qytetarëve. Pjesa më e madhe e popullsisë nuk është plotësisht e informuar për pasojat e ekonomisë informale dhe përfitimet që mund të sjellë formalizimi.
2. Mali i Zi ka përballuar një situatë të ngjashme me atë të Shqipërisë, duke pasur një pjesë të madhe të ekonomisë në sektorin informal.
Disa faktorë kryesorë, që ndikojnë në këtë situatë informaliteti janë:
Përqendrimi në turizëm dhe sektorë informale. Sektori i turizmit dhe i shërbimeve ka kontribuar në mbajtjen e një ekonomie të pasigurt dhe shumë punëtorë janë të angazhuar në punë sezonale pa kontrata të rregullta.
Reformat tatimore jo efektive. Mali i Zi ka bërë përpjekje për të ulur taksat dhe për të krijuar një mjedis më të favorshëm për bizneset. Megjithatë, përpjekjet për të luftuar informalitetin kanë hasur ende vështirësi, kryesisht për shkak të sektorëve të vegjël që mbeten të padeklaruar.
Politika fiskale dhe sociale ende të paplota. Politikat për të mbështetur punëtorët dhe për të siguruar mbrojtjen e tyre sociale janë ende në zhvillim, duke ndikuar kështu në përpjekjet për formalizimin e pagave.
3. Serbia është një tjetër vend që ka bërë hapa të rëndësishëm drejt formalizimit të pagave, por edhe aty informaliteti mbetet një problematikë e konsiderueshme, ku vërehet se:
Problematika e parë është e lidhur me tatimet e larta dhe borxhet tatimore. Serbët janë të njohur për tatimet e larta që rëndojnë mbi bizneset dhe individët. Kjo ka bërë që disa punëdhënës të shpërndajnë pagat nën tavolinë për të shmangur ngarkesën tatimore.
Së dyti lidhet me efikasitetin e dobët të kontrolleve dhe masave ndëshkuese. Serbi ka ndërmarrë një numër masash për të luftuar evazionin tatimor, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë dhe inspektimeve të shpeshta. Kjo ka sjellë një rritje të mbledhjes së tatimeve dhe një reduktim të informalitetit, por ende ka sektorë të paformalizuar.
Së treti janë përpjekjet për të përmirësuar pagesat e sigurimeve shoqërore ende në proces përmbyllje, me rezultate të pjesshme. Serbia ka ndërmarrë reforma për të përmirësuar mbrojtjen shoqërore dhe shëndetësore, duke u përpjekur të sigurojë që të ardhurat e individëve të regjistrohen dhe të tatohen në mënyrë të rregullt.
4. Maqedonia e Veriut ka bërë progres në luftën kundër informalitetit, por ende ka sfida të rëndësishme, të tilla si:
Probleme me sistemin tatimor dhe mbikëqyrjen. Pavarësisht përpjekjeve për të rritur ndëshkimet për informalitetin, administrata tatimore e Maqedonisë së Veriut ka pasur sfida në mbikëqyrjen e bizneseve të vogla dhe individëve që punojnë në sektorin informal.
Përmirësimin e ngadaltë të infrastrukturës administrative. Ka pasur përpjekje për të përmirësuar mbledhjen e tatimeve dhe për të rritur shkallën e formalizimit të pagave. Për shembull, përdorimi i sistemeve elektronike për regjistrimin e punës dhe pagave ka rritur efikasitetin e administratës tatimore.
Efikasitet i ulët për shpërndarjen e pagave dhe rritja e ndërgjegjësimit. Puna në ndihmën për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e pagave të formalizuara është bërë pjesë e politikave qeveritare, por ende ka shumë individë që punojnë në mënyrë informale për të shmangur taksat.
Në të gjitha këto vende fqinje, problematika e informalitetit dhe e pagave të nënraportuar është e përhapur, megjithatë secili vend ka ndërmarrë hapa të ndryshëm për të adresuar këtë çështje.
Kultura e punës informale është e pranishme në të gjitha këto vende dhe shpesh ka një përqindje të madhe të punonjësve që janë të gatshëm të pranojnë kushte informale për shkak të pasigurisë dhe taksave të larta.
Vendet ballkanike kanë investuar në teknologji dhe masat ndëshkuese për të përmirësuar mbikëqyrjen dhe për të rritur transparencën, por ende ka mangësi në implementimin e këtyre masave.
Disa vende, si Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë filluar të aplikojnë politika fiskale më të favorshme për bizneset dhe individët, për të inkurajuar formalizimin e pagave.
Në përgjithësi, ka përpjekje të vazhdueshme për të luftuar informalitetin, por gjithashtu është e qartë se është një proces i gjatë dhe që kërkon bashkëpunim midis qeverive, punëdhënësve dhe punonjësve për të arritur rezultate të qëndrueshme.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.