Çfarë na tha Fondi Monetar dhe si duhet të reagojmë?
Në raportin për vitin 2018, që Fondi Monetar e prezanton pasi ka analizuar ecurinë e ekonomisë, por edhe ecurinë e financave publike dhe politikën monetare bie në sy prezantimi i ekonomisë shqiptare me një rritje të sigurtë në dy dekadat e fundit.
Çfarë duan të na tregojnë këto të dhëna që na i prezanton Fondi?
Për ta, mbetet gjithnjë problematikë e fortë për tu patur si qëllim kryesor për qeveritë rritja e të ardhurave për frymë, që lidhet ngushtësisht me cilësinë e zhvillimit ekonomik.
Kjo rritje edhe pse ka patur një ecuri pak më të mirë se vendet e Ballkanit Perëndimor, përsëri mbetet poshtë mesatares së tyre për të ardhurat për frymë. Nëse krahasohet me vendet që ju bashkuan të fundit Bashkimit Europian, atëherë të ardhurat për frymë mbeten në vend numëro në po të njëjtin raport sa dy dekada më parë, duke mbajtur një nivel sa 25% e të ardhurave për frymë të tyre.
Ne si ALTAX, mendojmë se rritja ekonomike duhet të eci me ritme dy herë më të shpejta se vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të arrijmë në nivele të ngjashme me ta të paktën pas dy dekadash të tjera. Ndërkohë, që këto ritme të rritjes të shkojnë në këto nivele duhen vendosur piketat për zhvillim që të justifikojë këtë rritje në sektorë që e rikuperojnë investimin më shpejt se të tjerët.
Konkretisht, turizmi që është një industri me përfshirje të shumë sektorëve duhet që të fillojë të flasi shqip në perfeksionimin e tij, por edhe duke u bazuar mbi vlera të shtuara nga investimet në infrastrukturën rrugore, kulturore dhe argëtuese, përveç konkurimit të fituar me rajonin nëpërmjet diversifikimit që vjen prej kulinarisë shqiptare. Ndërkohë, për më shumë zhvillim duhet diskutuar formatimi i Shqipërisë në një parajsë fiskale. Kjo do të ishte një fokus tjetër me vlerë duke imituar deri në kufijtë e mundshëm të përshtatmërisë me modelin që përdori Irlanda pak vite më parë, apo thënë ndryshe joshjen jo vetëm të investitorëve ndërkombëtarë, por kryesisht të atyre që kanë interesa për investim për shkak të pozicionit gjeostrategjik të Shqipërisë dhe Kosovës. Formatimi, së pari kërkon një nivel mjaft më të lartë kapacitetesh njerëzore, që tashmë duhet të kushtojnë dhe të jenë të kërkuar nga investitorët për shkak të aftësive profesionale që ata duhet tu prezantojnë atyre. Së dyti duhet që investitorët ti krijojmë gjithë ambjentin që u duhet për të bërë biznesin që dijnë të bëjnë. Të heqim dorë nga kërkesat tona, që mendojmë se u tregon atyre se shteti është mbi ta, kur në fakt shteti duhet të jetë formati që u krijon kushtet e brendshme dhe lehtësitë për të qarkulluar kapitalin dhe mallrat e shërbimet.
Të mos harrojmë që tregu shqiptar përfshirë edhe atë kosovar qëndrojnë në vendet nga fundi. Nisur nga ky fakt që nuk mund të ndryshohet dot, atëherë zhvillimi i fuqishëm i ekonomisë nuk mund të vijë nga rritja e prodhimit dhe tregtisë për konsum të brendshëm. Qëllimi duhet të jetë tërheqja e kapitaleve për të zhvilluar eksportin. Është ky fokus që duhet të mbërthejë ekonominë për të paktën dy dekadat e ardhme.
Ndërkohë, ekonomia, ligji dhe siguria për investimet duhet të jenë të matura vetëm me treguesit që zbaton Bashkimi Europian, pasi përpjekjet për hyrje në këtë bashkim nuk bëhen në letra, por në zbatimin e ligjeve. Edhe pse në një sasi të caktuar ato janë përafruar, ajo që perceptohet dhe ndihet është se nuk kanë arritur ende të kenë model zbatimin e plotë të ngjashëm me perceptimin që ndjejmë kur jemi në vendet e BE-së.
Reformat e deklaruara në ekonomi (elektroenergjia, nafta, gazi, minierat dhe uji), në drejtësi, në financat publike, në politikat sociale, si dhe në disa drejtime sektoriale të caktuara rregullatore dhe të cilat janë në stade të ndryshme të vijimësisë së tyre duket se ende kanë nevojë për kohë shtesë, që të maturohen dhe të japin produktin e pritshëm. Ngadalësia në impaktin e tyre për publikun vazhdon të jetë kryefjala ende edhe për vitin 2018.
Një problem që shikohet është komunikimi dhe transparenca. Për zhvillimin e ekonomisë ende nuk qartësohet për qytetarët një vizion i qartë se ku do shkojë ajo pas 10 vitesh. Infrastruktura dhe investimet e tjera, që duket se kanë autorësinë e përgjegjshmërisë dhe të një administrimi më të mirë edhe pse kane përcaktuar se ku do shpenzohet pjesë të caktuara të buxhetit nuk po perceptohen sipas pritshmërive të deklaruara edhe pse në shumë raste të ecurisë së tyre ndeshen me një rezistencë të fortë për të mbajtur status quo e tanishme.
Reformat që përmenden më lart nisën të gjitha në pothuajse pak vite larg njera-tjetrës, por asnjëra prej tyre nuk ka arritur të përmbyllet (përjashtuar reformës së pensioneve) apo të jetë trajtuar duke modifikuar ato pjesë të caktuara që mund të kenë dalë difektoze gjatë zbatimit, apo që kanë mbetur pa u mbyllur në momentin e hartimit të tyre. Reformat që nisen nuk e përmbushin misionin e tyre vetëm pse ato lançohen dhe vilen produktet e para. Fakt mbetet që reformat kanë nevojë të përshtaten me aktualitetin, me nevojat në vijimësi të qytetarëve dhe jetesës së tyre, por edhe të krasiten për aq sa ato nuk kanë arritur dot të përmbushin objektivat. Ndërkohë jetëgjatësia e reformave është e nevojshme që të dihet dhe të deklarohet për qytetarët, pasi është kusht bazë i transparencës.
Çfarë thonë dhe rekomandojnë tjetër ekspertët e Fondit Monetar?
Ata si në çdo raport tjetër konstatojnë dhe rekomandojnë uljen e defiçitit buxhetor dhe nivelit të borxhit publik.
Në këto dy dekada të fundit, kur borxhi publik një dekadë më parë ka qenë edhe me 10 pikë përqind më poshtë se aktualisht (69%), duket se problemi kryesor nuk është niveli dhe ulja e borxhit, por si janë përdorur shpenzimet buxhetore në funksion të ekonomisë. Këtu rikthehemi te argumenti, se vizioni për zhvillimin e ekonomisë duhet të diskutohet, pranohet dhe të mos ndryshohet nga asnjë qeverisje në momentin kur ai shpallet dhe provohet se i shërben ekonomisë kombëtare dhe jo atyre klanore dhe individuale.
Borxhi publik është pasojë dhe jo objektiv, që do të thotë se vëmendja është te përdorimi i lekëve dhe efektivitetit të përdorimit të tyre. Ndërkohë debati i pavlerë dhe madje i dëmshëm për borxhe të fshehura nga projektet që i shërbejnë vendit duhet të përbuzen dhe të kthehet vëmendja te monitorimi i shpenzimeve për kryerjen e investimeve. Sistemi kapitalist që është instaluar me specifikat e tij edhe në Shqipëri ka mbartur me vete edhe virusin e korrupsionit. Nuk është qëllimi që të komentohet sistemi dhe vlerat e tij, por të kërkohet që korrupsioni të izolohet në emrat e përveçëm që e mbartin atë. Është pikërisht reforma e drejtësisë dhe jo diskutimet si në kafene, ato që janë kura më e mirë për izolimin e korrupsionit për të mos u përhapur më shumë.
Rasti aktual i zhvillimit të madh infrastrukturor, i cili pritet të ndodhë pas pak viteve është reflektim në funksion të zhvillimit të ekonomisë kombëtare duke ndikuar direkt për turizmin, por edhe duke ulur koston për industrinë minerare, si dhe përdorimin e tyre për të rritur ndërlidhjen e Shqipërisë me rajonin dhe për të përfituar më shumë të ardhura. Në thelb janë vlera e shtuar për ekonominë, që zëvendësojnë investimet e mëdha në sektorin e gazit dhe në elektroenergji. Infrastrukturore është e ngjashme me atë që ka filluar të japë shenjat e para të ndikimit të elektroenergjisë në zhvillimin e ekonomisë për 10 vitet e ardhme.
Përpara 4 vitesh, energjia ishte në stadin që është infrastruktura rrugore sot. HEC-e private dhe sektor publik me një rrjet energjetik, që përveç abuzimeve korruptive dhe keqmenaxhimit nuk kishin elementin kryesor brenda tyre: ndërlidhjen me ekonominë dhe moskthimi i investimeve në një vlerë e shtuar për ekonominë. Në fakt ndërtimi i HEC në vitet 2009-2012 ndikoi në ekonomi, edhe pse borxhet e fshehura nuk u deklaruan duke vendosur në këtë mënyrë fatin e keq të buxhetit të shtetit për 5 vitet në vijim. Por, me kthimin dhe formalizimin pjesë – pjesë të tregut elektroenergjetik po e kthen këtë segment të ekonomisë ne produktiv dhe vlerë të shtuar për ekonominë, në kontributor për të ardhurat e buxhetit, si dhe në krijimin e një tregu në rritje për punësimin dhe konkurrimin me rajonin.
Analizuar në kontekstin ekonomik, edhe pse PPP nuk është sekret rrisku që mund të sjellin për financat publike, ato janë një domosdoshmëri për të mos mbetur në nivelet që kemi rënë në këto dekada të fundit. Ndërkohë, rrisku i tyre ende nuk ka shfaqur tregues alarmi për buxhetin edhe pse mundet që rrisku i shoqëron projektet gjatë gjithë kohës.
Pse duhet të alarmohet dhe tensionohet komuniteti i investitorëve, përsa kohë që rrisku është nën monitorim?
Kjo sjellje, përveç shabllonit të një sjellje ende nën mentalitetin e rrëgjimit të kaluar është vetëm në dëm të konkurueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe i shërben interesave që nuk përkojnë me zhvillimin ekonomik.
Po tjetër, tjetër çfarë tha Fondi?
FMN rekomandon tjetër forcimin e konsolidimit fiskal duke trajtuar edhe korigjimin e difekteve, që lidhet sa me efektivizimin e shpenzimeve, po ashtu edhe me forcimin e administrimit për mbledhjen e të ardhurave, por pa harruar në fakt që ekonomia tashmë ka nevojë të zbardhet. Niveli i informalitetit duhet të kthehet në objektivin kryesor të këtij viti, I cili përkon me pritshmërinë e produkteve nga vetingu që do të zbatohet për individët e korruptuar. Në fakt korrupsioni dhe informaliteti shkojnë së bashku. Për sa kohë nuk zbardhet informaliteti, më e vështirë bëhet edhe ecuria e vetingut për të korruptuarit.
Edhe pse është e vështirë të bëhet një zbardhje e ekonomisë në mënyrë të menjëhershme duhet që të fillohet nga hapi i parë, i cili me një plan të mirëorganizuar dhe studiuar mund të ngushtojë territoret e informalitetit dhe të ndihmojë ekonominë, financat publike dhe konsolidimin e tyre.
Për të zbatuar këtë objektiv kombëtar mjafton që të mos ketë korruptim të vullnetit dhe çdo gjë është e realizueshme pasi për fat të mirë dimensioni i vogël i ekonomisë e lehtëson suksesin e betejave ndaj informalitetit dhe e bie më shpejt në kohë fitoren ndaj tij.
Edhe pse raporti i Fondit Monetar është në tërësinë e tij në kuadrin e një prezantimi të ambjentit financiar, monetar dhe fiskal, në thelb të tij mbetet konstatimi se Shqipëria duhet të sistemojë dhe përmirësojë ato treguese, që Fondi i ka përmendur që në krye të dy dekadave më parë.Mendimi jonë përkon me idenë se nëse Fondi Monetar shikon se aktorët politikë dhe ekonomikë janë në nivele që arrijnë të dialogojnë me argumenta me ta, atëherë edhe qëndrimi i tyre mundet që të mos ruajë ende sjelljen e tipit “mësues – student”, por të ndryshojë etikën e komunikimit duke ju përshtatur argumentave që ju sjellin autoritetet dialoguese në tryezën e bashkëbisedimit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.