Bashkohuni me ekipin tonë. A jeni gati të rrisni biznesin tuaj? Mëso më shumë
Indeksi i Kostos së Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor 2025
0 €
WB6 Corruption Cost Index (WB6-CCI) vlerëson koston vjetore të korrupsionit strukturor në Ballkanin Perëndimor në 5.9-7.6 miliardë euro, me vlerë referuese prej 6.7 miliardë eurosh sipas skenarit mesatar.
Kjo përkthehet në 3.5-4.6% të PBB-së totale rajonale prej rreth 168 miliardë eurosh. Instrumenti ndërtohet mbi modelin dinamik ALTAX, të verifikuar dhe publikuar më parë për Shqipërinë, dhe e zgjeron atë krahasimisht në pesë vendet e tjera të rajonit nëpërmjet një kornize metodologjike të ponderuar me gjashtë variabla të kalibruar nga burime institucionale ndërkombëtare.
Serbia paraqet riskun absolut më të lartë rajonal, me kosto vjetore 2.9-3.5 miliardë euro, ekuivalente me 48% të totalit WB6-CCI.
Bosnja dhe Hercegovina mbart riskun institucional kritik, ku sistemi qeverisës i ndërtuar mbi Marrëveshjen e Dejtonit amplifikon korrupsionin nëpërmjet bllokimit të reformave dhe fragmentimit të llogaridhënies.
Shqipëria funksionon si vendi referencë i WB6-CCI, me kosto të verifikuara 3.1-4.0% të PBB-së, ndërkohë që Kosova shënon riskun relativ më të lartë ndaj PBB-së krahasuar me madhësinë e ekonomisë.
Analiza e alokimit të kapitalit evidenton se efekti themelor i korrupsionit nuk qëndron tek vjedhja direkte e fondeve publike, por tek ridrejtimi sistematik i kapitalit, publik dhe privat, drejt qirave ekonomike dhe lidhjeve politike në kurriz të investimeve produktive.
Literatura empirike konfirmon se diferenca prej 26 pikësh CPI mes rajonit dhe mesatares europiane përkthehet në potencial FDI të humbur prej 3-5 miliardë eurosh vjetore, të cilat kurrë nuk vijnë sepse investitorët e vlerësojnë rrezikun institucional si të papranuar.
Ndikimi mbi konvergjencën europiane është i rëndë dhe kumulativ. Rajoni humbet 0.8-1.4 pikë përqindje rritje reale të PBB-së çdo vit, gjë që shpërndarë mbi dekadën 2025-2035, gjeneron një diferencë kumulative të pafituar prej 18-28 miliardë eurosh në nivel rajonal. Serbia vonohet 12-18 vite në konvergjencën me standardet europiane, Bosnja 15-22 vite. Nënabsorbimi i fondeve europiane, i cili kap vetëm 45-55% të shumave disponueshme, sjell një humbje shtesë vjetore prej 800 milionë-1.2 miliardë eurosh.
WB6-CCI dallohet metodologjikisht nga instrumentet ekzistues rajonal dhe global. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) mat opinionin e ekspertëve, jo koston. BEEPS i BERZH-it bazohet mbi sondazhe biznesi dhe ka natyrë sektoriale. Treguesit e Qeverisjes Botërore (WGI) janë agregat i sintetizuar i perceptimeve institucionale.
WB6-CCI ofron, për herë të parë në rajon, një matje monetare të bazuar mbi të dhëna fiskale, makroekonomike dhe institucionale kombëtare, të integruara në tre sub-indekse plotësuese.
Rekomandimet kryesore strategjike SMART mbulojnë publikimin vjetor të WB6-CCI si instrument monitorimi rajonal, adoptimin e standardit OCDS në prokurime publike, kushtëzimin e 30% të fondeve të Growth Plan me tregues anti-korrupsion të matshëm, auditimin e pavarur të ndërmarrjeve shtetërore dhe forcimin real të pavarësisë gjyqësore.
Çdo euro e investuar efektivisht në reforma anti-korrupsion gjeneron 3-5 euro shtesë PBB në afatin dhjetëvjeçar, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore.
- Përshkrim
Përshkrim
Ky punim prezanton WB6 Corruption Cost Index (WB6-CCI), instrumentin e parë rajonal që mat koston ekonomike vjetore të korrupsionit strukturor në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke e pozicionuar korrupsionin si taksë të fshehtë mbi zhvillimin, e jo si fenomen etik apo penal, WB6-CCI zhvendos analizën nga perceptimi i tij drejt kostos reale monetare.
Metodologjia integron modelin dinamik ALTAX, të kalibruar empirikisht për Shqipërinë, dhe e zgjeron atë me një kornizë krahasimtare të ponderuar për pesë vendet e tjera të rajonit, duke kombinuar të dhëna fiskale, makroekonomike dhe institucionale.
Gjetjet kryesore tregojnë se korrupsioni i kushton rajonit 5.9-7.6 miliardë euro çdo vit, me vlerë referuese rreth 6.7 miliardë eurosh sipas skenarit mesatar. Kjo barrë, e ekuivalentë me 3.5-4.6% të PBB-së totale rajonale, nuk manifestohet vetëm si humbje fiskale direkte, por gjeneron efekte zinxhir mbi alokimin e kapitalit, investimet e huaja, kapitalin njerëzor dhe konvergjencën me Bashkimin Europian. Rajoni humbet deri 1.4 pikë përqindje rritje reale të PBB-së çdo vit dhe vonohet 8-22 vite në konvergjencën me standardet europiane, varësisht nga vendi dhe skenari.
Fjalë kyçe: WB6 Corruption Cost Index, kosto ekonomike e korrupsionit, humbja fiskale rajonale, Ballkani Perëndimor, konvergjenca europiane, alokim kapitali, ekonomia e qeverisjes, WB6-CCI
Kode JEL: D73 (Corruption), H11 (Structure and Scope of Government), H57 (Procurement), O17 (Informal Sectors; Shadow Economy), O52 (Country Studies: Europe), F35 (Foreign Aid), P48 (Political Economy; Institutional Economics)










