Përqendrimi Financiar në Shqipëri

Ky raport analizon fenomenin e përqëndrimit financiar territorial në Shqipëri, duke u mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë për periudhën 2010– Tr.1 2026. Analiza tregon se Tirana kontrollon sot rreth 54% të depozitave bankare kombëtare, ndërsa zona metropolitane Tiranë–Durrës përqëndron mbi 61% të depozitave dhe 68–72% të kreditimit.

Indeksi HHI territorial ka arritur vlerën 3,150 duke sinjalizuar kalimin nga koncentrimi mesatar në koncentrim të lartë territorial.

Ky transformim shoqërohet me financiarizim urban të pasurive të paluatëshme, divergjenjë të mprehte të raportit kredi/depozita midis qëndrës dhe periferisë, dhe krizë demografike strukturore (humbje 45% e grupmoshës 15–29 vjeç që nga 2011).

Raporti identifikon mekanizmin e “spiralës territoriale negative”, analizon tre skenarë strategjikë, dhe propozon një matricë politikash prioritare për zhvillim polycentrik, duke përfshirë garanci krediti rajonale, stimuj fiskalë të diferencuar dhe pole zhvillimi sektoriale (Fier, Shkodër, Durrës, Vlorë).

Fjalëkyeç: përqëndrim financiar territorial, depozita bankare rajonale, financiarizim urban, zhvillim polycentrik, indeksi HHI territorial, spiralë territoriale negative, pabarazi ekonomike rajonale, migrimi i brendshëm

 Klasifikimi JEL: G21, R11, R12, R23, E44, O18, H77, R58

Përshkrim

Shqipëria po kalon një transformim të thellë strukturor në mënyrën se si shpërndahet aktiviteti ekonomik në territor. Nga një ekonomi me një balancë relativisht organike midis rajoneve, vendi po zhvendoset drejt një modeli ku graviteti financiar dhe ekonomik po përqendrohet gjithnjë e më shumë në hapësirën metropolitane të Tiranës dhe Durrësit. Ky ndryshim po e kthen kryeqytetin në qendrën kryesore të akumulimit të kapitalit, kreditimit dhe konsumit në nivel kombëtar.

Depozitat bankare po shfaqen si një pasqyrë e qartë e kësaj zhvendosjeje. Në vitin 2026 Tirana përfaqëson rreth 54 për qind të depozitave bankare në vend, ndërsa së bashku me Durrësin arrin rreth 61 për qind të totalit. Në të njëjtën kohë raporti i kredisë ndaj depozitave në këtë hapësirë kalon mbi 110 për qind, duke treguar një intensitet të lartë të qarkullimit financiar. Jashtë këtij boshti, shumica e qarqeve mbeten me nivele kreditimi nën 60 për qind, çka tregon një diferencim të fortë në aksesin ndaj kapitalit financiar. Paralelisht, grupmosha e re nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet e nëntë vjeç ka pësuar rënie të ndjeshme në shumë rajone që nga viti 2011, duke thelluar më tej hendekun territorial.

Në një ekonomi të balancuar, kursimet dhe investimet priren të ndjekin vendin ku krijohen të ardhurat. Qytetet industriale ndërtojnë kapital mbi prodhimin, zonat turistike mbi shërbimet dhe rajonet bujqësore mbi ciklin e tyre ekonomik. Ky mekanizëm krijon një shpërndarje natyrore të financave dhe funksionon si tregues i ekuilibrit territorial. Në rastin e Shqipërisë ky model po dobësohet gradualisht dhe po zëvendësohet nga një strukturë ku kapitali, kreditimi dhe investimet po orientohen gjithnjë e më shumë drejt një qendre të vetme dominuese.

Në këtë proces po formësohen dy realitete të ndryshme ekonomike. Shqipëria e parë është hapësira metropolitane e Tiranës dhe Durrësit. Kjo zonë karakterizohet nga përqendrimi i kapitalit financiar, akses i lartë në kredi, rritje e vazhdueshme e investimeve private dhe dominim i sektorëve me vlerë të shtuar si financa, teknologjia, tregtia moderne dhe shërbimet profesionale. Rritja e pagave dhe e çmimeve të pasurive të paluajtshme e forcon më tej këtë dinamikë, duke tërhequr gjithnjë e më shumë individë dhe biznese nga pjesa tjetër e vendit. Ky proces krijon një cikël vetëforcues ku zhvillimi gjeneron më shumë zhvillim dhe përqendrimi bëhet gjithnjë e më i fortë.

Shqipëria e dytë është hapësira periferike jashtë këtij boshti. Kjo pjesë e vendit karakterizohet nga varësia e lartë ndaj remitancave, pensioneve dhe punësimit publik, nga mungesa e investimeve private dhe nga tkurrja e vazhdueshme e kapitalit njerëzor. Shumë biznese lokale përballen me vështirësi në aksesin ndaj kredisë, ndërsa migrimi i të rinjve drejt metropolit ose jashtë vendit dobëson më tej bazën ekonomike të rajoneve. Kjo krijon një cikël negativ ku mungesa e investimeve sjell më pak mundësi, më pak mundësi nxit largimin e popullsisë dhe largimi i popullsisë e thellon më tej dobësinë ekonomike.

Në zonat periferike ky proces shpesh shfaqet në mënyrë të qartë. Një aktivitet i vogël bujqësor ose turistik has vështirësi në financim dhe nuk arrin të zgjerohet. Ndërkohë largimi i profesionistëve si mjekë apo infermierë drejt Tiranës dobëson shërbimet lokale dhe rrit më tej presionin për emigrim. Në këtë mënyrë rajonet humbasin gradualisht kapacitetin e tyre për zhvillim të pavarur dhe mbeten të mbështetura kryesisht në burime të jashtme si remitancat dhe transfertat sociale.

Ky realitet tregon se Shqipëria nuk po përjeton vetëm një proces të zakonshëm urbanizimi por një ndarje strukturore të ekonomisë në dy hapësira me dinamika të kundërta. Metropoli po funksionon si një qendër që tërheq kapitalin, njerëzit dhe aktivitetin ekonomik, ndërsa periferia po humbet gradualisht rolin e saj si gjeneruese e pavarur e zhvillimit dhe po shndërrohet në një ekonomi të mbijetesës.

Në afat të gjatë kjo ndarje krijon një rrezik të shtuar për stabilitetin ekonomik të vendit. Përqendrimi i tepërt i aktivitetit ekonomik në një zonë të vetme e bën sistemin më të ndjeshëm ndaj goditjeve të brendshme. Një ngadalësim në sektorët kryesorë të metropolit mund të ketë pasoja të menjëhershme në të gjithë ekonominë kombëtare. Në këtë kuptim sfida kryesore nuk lidhet vetëm me rritjen ekonomike por me mënyrën se si kjo rritje shpërndahet në territor dhe sa e qëndrueshme është struktura e saj afatgjatë.