Barra tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe tatimpaguesve të Kryeqytetit, 2021 – 2023

Barra tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe tatimpaguesve të Kryeqytetit, 2021 – 2023

Në mënyrë tipike si shumë administrata në vende të ndryshme, edhe në Shqipëri është krijuar prej 20 vitesh dhe vijon të funksionojë brenda strukturës së administratës tatimore qendrore Drejtoria e tatimpaguesve të mëdhenj.

Qëllimi kryesor i zyrës së tatimpaguesve të mëdhenj është nevoja për të siguruar të ardhurat tatimore (d.m.th., duke siguruar që të ardhurat tatimore të mos bien nën një nivel të caktuar, ose për të mobilizuar më shumë të ardhura tatimore, kryesisht duke reduktuar mosdeklarimin dhe mospagesën) dhe për të futur sisteme bazë për të kontrolluar tatimpaguesit që nuk zbatojnë ligjin vullnetarisht.

Sidoqoftë modelimi i strukturës së saj, apo kriteret e përdorura për identifikimin e tatimpaguesve të mëdhenj ( Shih te Shtojca, Aneks C. e Raportit) duhet të plotësohet objektivi për të siguruar dhe garantuar të ardhurat tatimore në mënyrë optimale duke administruar dhe menaxhuar tatimet dhe taksat për tatimpaguesit e mëdhenj shqiptarë, të përzgjedhur bazuar në kritere pothuajse të njëjta me vendet e BP6 dhe ato europiane.

Një objektiv sasior për ta mbajtur parasysh gjatë performancës së kësaj njësie është ashtu si dhe në shumë vende një peshë e barrës tatimore e përmbushur mbi 50 përqind të barrës tatimore gjithsej.

Nisur nga objektivi që përcaktohet edhe në rekomandimet që misioni i FMN-së ka propozuar për MF në vitet e fundit, në tabelën 37 jepen raportet e peshës së barrës së të ardhurave që mban Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, si dhe për efekt krahasimi dhe performance është prezantuar edhe barra e tatimeve dhe taksave që mban si peshë Drejtoria e Tiranës, kryeqytetit shqiptar.

  Barra Tatimore – Tatimpaguesit e Mëdhenj dhe Tirana (pesha ndaj të ardhurave të DPT), 2021 – 2023
Drejtoritë tatimore Pesha VITET FISKALE Mesatare
2021 2022 2023
Tatimpaguesit e Mëdhenj Të ardhura tatimore 27% 28% 27% 27%
Kontributet e sigurimeve 8% 6% 7% 7%
Total 35% 34% 34% 34%
Qarku i Tiranës Të ardhura tatimore 27% 27% 21% 25%
Kontributet e sigurimeve 12% 11% 15% 12%
Total 39% 37% 36% 37%
Burimi: MeF, DPT, DPD

Në treguesin e peshës së të ardhurave ndaj totalit, i llogaritur nga arritja e objektivave të mbledhjes së të ardhurave tatimore prej Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj (DTM) shihet se ka rënie të dukshme të peshës që mban në të ardhurat tatimore të buxhetit.

Rënia e peshës që mban në tre vitet e fundit DTM është më pak se 50% dhe madje në nivelin e 34%.

Ndërkohë, vërejmë se pesha e drejtorisë tjetër më të madhe është ajo e kryeqytetit shqiptar, me nivelin sa 37% të të ardhurave tatimore gjithsej.

Në krahasimin mes dy strukturave tatimore shihet se ajo humbja e  fokusit të DTM tregon një fakt real se tatimpaguesit më të mëdhenj të Shqipërisë nuk janë pjesë e juridiksionit të kësaj njësie.

Në këtë rast duket se kriteret funksionojnë pak për të aktivizuar një optimizim të administrimit të tatimpaguesve të mëdhenj. Ndërkohë, në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nuk gjen dot një dokument ku të mund të shikohen kriteret që përdoren në 2023 për përzgjedhjen e tatimpaguesve të mëdhenj.

Nëse nisemi nga të dhënat nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve, 2022, kuptojmë se “…struktura e tatimpaguesve në vitin 2022, përbëhet nga 113.460 ndërmarrje ekonomike aktive në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke shënuar një rritje me 9,1 %, krahasuar me vitin 2021. Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet tregtar kanë zënë përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve me 36,5 %.

Numri i të punësuarve gjithsej në vitin 2022 ka qenë 547.942, duke u rritur me 5,5 %, krahasuar me vitin 2021. Prodhuesit e shërbimeve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorët tregti, akomodim dhe shërbim ushqimor, transport dhe komunikacion dhe shërbime të tjera, zënë 64,8 % të numrit të të punësuarve gjithsej. Prodhuesit e të mirave që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorët industri nxjerrëse, industri përpunuese, energji, ujë, trajtimi i mbetjeve dhe sektorin e ndërtimit, zënë 35,2 %.
Shitjet neto në vitin 2022 arritën vlerën 3.359 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 26,7 % ndaj vitit 2021. Prodhuesit e shërbimeve zënë pjesën më të madhe të shitjeve neto të realizuara duke përbërë 64,7 % të shitjeve neto gjithsej”

Pesha e barrës tatimore, që mbajnë 800 tatimpagues të mëdhenj shqiptarë në krahasim me barrën tatimore që ata paguajnë ne mund ta shikojmë më poshtë nëpërmjet të dhënave të prezantuara si raporte

   Barra Tatimore – Tatimpaguesit e Mëdhenj dhe Tirana (pesha ndaj PBB), 2021 – 2023
Drejtoritë tatimore Pesha VITET FISKALE Mesatare
2021 2022 2023
Tatimpaguesit e Mëdhenj Të ardhura tatimore 5.5% 5.8% 4.2% 5.2%
Kontributet e sigurimeve 1.3% 1.3% 1.4% 1.4%
Total 6.8% 7.1% 5.7% 6.5%
Qarku i Tiranës Të ardhura tatimore 5.5% 5.5% 3.3% 4.8%
Kontributet e sigurimeve 2.1% 2.2% 2.3% 2.2%
Total 7.6% 7.7% 5.7% 7.0%
Burimi: MeF, DPT, Borxhi

Kontributi dhe barra tatimore që mbajnë tatimpaguesit e mëdhenj në vitin 2023 është sa 6.5% e PBB-së[1], apo një barrë tatimore mesatare e llogaritur nga ana jonë që arrin deri 2.2 milionë Euro në vit. Kjo është një shumë referuese që supozohet se paguhet te drejtoria e tatimpaguesve të mëdhenj.

Nëse llogaritim se bizneset e mëdha shqiptare qarkullojnë deri 55% të shitjeve brenda vendit, shikojmë se një pjesë e madhe e qarkullimit të bizneseve të mëdha nuk arrin dot të kontribuojë, pasi  është e përfshirë në sektorë dhe aktivitete të përjashtuara nga TVSH apo edhe nga lehtësira të tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi kapitalin.

E njëjta situatë është edhe për Tiranën, ku edhe pse janë deri 32% e ndërmarrjeve aktive nga gjithë numri total i ndërmarrjeve në vend, barra tatimore që paguajnë është sa 7% e PBB-së.

Në llogaritjet nga të dhënat e arkëtimeve nga tatimpaguesit e Tiranës, rezulton se barra mesatare për ndërmarrje të mesme dhe të vogël që paguajnë në drejtorinë e Tiranës është deri 53 mijë Euro në vit.

Niveli i ulët i barrës së të ardhurave tatimore në buxhet tregon një fakt të pakundërshtueshëm, se bizneset e mëdha të Shqipërisë nuk mbajnë prej vitesh peshën kryesore të barrës tatimore.

Ndërkohë, më shumë se 60% e fondeve të buxhetit shkojnë pikërisht për këta tatimpaguesë, ku fondet më të dukshme vijnë nga investimet kapitale, nga shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, si dhe nga shpenzimet që janë në formën e subvencioneve për sektorë me vështirësi.

Ndërsa, vlera e qarkullimit që deklarohet prej tatimpaguesve të mëdhenj është më afër 60% e PBB-së, kontributi i tyre në buxhet nëpërmjet tatimeve është sa 6.5% e PBB-së.

Ministria e Financave dhe DPT edhe pse e kanë deklaruar nevojën për të forcuar operacionet dhe kapacitetet e DTM, deri më tani ky shqetësim shumëvjeçar është ende pa përgjigjen e nevojshme, që të bëjë ndryshimin. Kjo qasje tregon vullnet të dobët dhe një administrim që nuk përkon me misionin që duhet të mbajë dhe zbatojë administrimi tatimor modern.

Reagimi ndaj modelit të administrimit

Në një analizë të cilën nuk e disponojmë në lidhje me përgjigjet se kush dhe si ka ndikuar në këtë rezultat të dobët pyetjet që mund të jenë mjaft instiktive nga këndvështrimi profesional janë:

A ka ndikuar përzgjedhja e tatimpaguesve realisht të mëdhenj në uljen e barrës tatimore?

A janë duke u marrë me individët e pasur, që janë të tillë edhe pse dividend nuk marrin?

A ka vlejtur të zbatohen pa kundërshtime gjithë rekomandimet e asistencave të huaja?

A ka ndikuar taksa e korrupsionit, e cila konstatohet se ndikon fuqishëm?

A ka ndikuar ndryshimi i menaxherëve sipas stinëve të vitit dhe mungesa e një memorie institucionale në menaxhimin fiskal?

Pyetjet të shumta dhe me më shumë forcë mund të parashtrohen tjetër kohë dhe nga të tjerë ekspertë. Por, parashtrimi sot është vetëm një analizë, që mund të pasohet nga të tjera, pa e lënë këtë situatë të jetë e kapur nga politika korruptive.

Qasje dhe propozime për një modelim të rinovuar

Së pari, kriteret për identifikimin e përzgjedhjes së tatimpaguesve të mëdhenj duhet të rishikohen në vijimësi duke mbajtur parasysh edhe përvojën e vendeve fqinje, por edhe administrata që kanë efektivitet administrimin tatimor.

Së dyti, nevojitet menaxhim vetëm duke u bazuar te rrisku tatimor. Prania e një ekonomie të madhe informale e bën administrimin e TVSH-së joefikas dhe lënia jashtë sistemit mjaft segmente dhe aktivitete ekonomike ka krijuar një boshllëk të lartë që krijon edhe pabarazi tatimore në trajtimin e shpërndarjes së barrës tatimore.

Së treti, politika tatimore në vitet e fundit është përqendruar në uljen e normave të taksave dhe ka aplikuar stimuj specifikë për sektorë që synohet të nxiten për tu zhvilluar në Shqipëri (p.sh. norma e ulët e TVSH-së për akomodimin dhe për hotelet me 4/5 yje dhe prodhuesit farmaceutikë). Ky trend ka vazhduar në të paktën secilin nga vitet në këto 5 vitet e fundit. Në këtë trend, p.sh. edhe norma e tatimit mbi fitimin është ulur nga 15 në 5 përqind për 11,000 biznese. Nga ana tjetër, një rritje e pragut të TVSH-së solli si efekt ngushtimin e bazës dhe një ndikim në rritje në informalizimin e ekonomisë. Nëse i bashkëlidhim këtij efekti edhe ndikimin nga miratimi i ligjeve të menduara në mënyrë të gabuar, duket se ka një problem të madh në hartimin dhe harmonizimin e politikave tatimore në vend, sidomos në 5 vitet e fundit.

Reformat e fundit të politikës tatimore duke ndikuar në rrudhjen e bazës tatimore kanë ndërlikuar mënyrën e taksimit për disa segmente të tjera. Kjo padyshim ka ndikim direkt edhe te tatimpaguesit e mëdhenj.

Së katërti, një orientim mjaft i rëndësishëm është përsa i përket mungesës për të zhvilluar kapacitete drejtuese dhe zbatuese me aftësitë e kërkuara nga detyra që marrin përsipër për kryerjen e analizave tatimore për të kuptuar më mirë paqëndrueshmërinë në të ardhurat tatimore. Aktualisht ka pak drejtues dhe punonjës me këto aftësi për analizën e të ardhurave për të parë mbledhjen e të ardhurave, tendencat dhe pritshmëritë, si dhe për të përcaktuar arsyet e ndryshimeve të rëndësishme nga parashikimet e buxhetuara gjatë vitit. Ndërkohë, lidershipi që ka ardhur dhe ka ikur këto vite të fundit është në nivelin mesatar të menaxhimit që ndodh në vende me administratë të zhvilluar. Forcimi i kapaciteteve menaxheriale dhe distancimi nga patronazhimi politik i administratës janë rrugëdalja e vetme për këtë qëllim.

Së pesti, për tu konsideruar është edhe të kuptuarit thellësisht për të rritur gadishmërinë dhe forcën e zbatimit të ligjeve ndërkombëtare dhe marrëveshjeve të ndryshme përsa lidhet me ekspozimin ndaj rrisqeve të bizneseve kufitare me Shqipërinë, por edhe atyre ndërkombëtare.

Përvoja e kufizuar me transferimin e çmimit duhet të ndryshojë drejt një qasje që duhet të bazohet te puna paraprake e analizës së rriskut në identifikimin paraprak të shmangieve që i vijnë buxhetit nga fenomeni i transferimit të çmimeve. E gjitha kjo përpjekje vlen për të siguruar vendimmarrje më të plotësuar dhe të saktë duke u dhënë përgjigje rrisqeve të identifikuara.

Ndërsa, flasim për qasje të reja dhe të ndryshme nga rutina aktuale, në fakt është sfida më e madhe cilësia dhe produktiviteti që vjen e dobët nga administrata, me ndikim në të ardhurat për buxhetin

[1] https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=14228

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: