Vota e 11 Majit dhe zgjimi i votuesit ekonomik – Sfida e premtimeve për pensione e paga
Zgjedhjet e 11 majit 2025 shënuan një kthesë paradigmatike në sjelljen elektorale të qytetarëve shqiptarë. Për herë të parë, siç theksohet edhe nga analizat tona, votuesit ekonomikë dominuan skenën politike, duke vendosur interesat materiale dhe mirëqenien personale në qendër të zgjedhjes së tyre. Kjo përbën një zhvendosje nga vota ideologjike ose klienteliste drejt një vote ekonomike[1] me karakter racional e kërkues.
Kjo sjell reflektimin se qytetarët nuk janë më pasivë përballë diskurseve politike të përgjithshme, por kërkojnë prejardhje konkrete të premtimeve, planifikim të qartë buxhetor dhe transparencë fiskale. Në këtë kuptim, vota ekonomike nuk është një votë për përfitime personale, por një instrument për ndryshim sistemik që e detyron politikën të shërbejë dhe jo të sundojë.
Zgjedhjet e 11 majit 2025 e përforcuan këtë realitet në mënyrë të paprecedentë. Sipas vlerësimeve të medias, për herë të parë në 35 vite tranzicion, u shënua një shumicë e votuesve ekonomikë – rreth 1.7 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë vendit. Kjo masë votuese nuk kërkoi thjesht rotacion politik, por lidhje të drejtpërdrejtë mes votës së tyre dhe ofertës për mirëqenie ekonomike.
Fokusi elektoral i partive kryesore (PS, PD) dhe partive të reja e konfirmon këtë tendencë, me prioritet absolut të vendosur mbi:
- Rritjen e pensioneve (deri në dyfishim),
- Rritjen e pagës mesatare, sidomos në sektorin shtetëror,
- Bonuse sociale periodike,
- Reforma për shpërndarje më të drejtë të buxhetit.
Pse ndodhi kjo zhvendosje e votës?
Zhvendosja drejt votës ekonomike në zgjedhjet e 11 majit nuk ndodhi rastësisht. Ajo ishte rezultat i një akumulimi të gjatë faktorësh strukturore që kanë ndikuar thellësisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në mënyrën se si ata perceptojnë rolin e shtetit dhe politikës. Këta faktorë nuk janë të izoluar, por të ndërlidhur dhe sinjalizojnë një krizë të gjatë të mirëqenies, besimit publik dhe funksionimit të politikave sociale.
Së pari, rritja e kostos së jetesës ka qenë një faktor kyç që ka motivuar qytetarët të votojnë në bazë të interesave të tyre ekonomike. Inflacioni i ushqimeve, çmimet e larta të energjisë dhe banimit, si dhe mungesa e mekanizmave të mbrojtjes për shtresat e pambrojtura kanë bërë që shumë qytetarë të ndihen të pambrojtur financiarisht. Ky pasiguri ka përforcuar kërkesën për një ofertë politike që garanton jo vetëm rritje të të ardhurave, por edhe stabilitet ekonomik afatgjatë.
Në të njëjtën kohë, pabarazitë ekonomike janë thelluar ndjeshëm. Ndërsa një pjesë e vogël e shoqërisë ka përfituar nga mundësitë e reja ekonomike, pjesa dërrmuese – veçanërisht klasa e mesme dhe ajo e ulët – ka përjetuar stagnim ose madje përkeqësim të kushteve të jetesës. Kjo ka krijuar një ndjenjë të fortë padrejtësie dhe kërkesë për rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave publike.
Një tjetër shtysë për këtë zhvendosje ka qenë cilësia e dobët e shërbimeve publike. Shumë qytetarë e ndjejnë se, pavarësisht rritjes së taksave dhe kontributeve të paguara, niveli i arsimit, shëndetësisë dhe administratës publike nuk i përmbush pritshmëritë. Kjo krijon një disbalancë midis detyrimeve qytetare dhe përfitimeve që shteti u ofron, duke rritur kërkesën për reforma të thella në shërbimet publike.
Së fundi, një rol gjithnjë e më të rëndësishëm ka luajtur pjesëmarrja e Diasporës. Përfshirja më aktive e emigrantëve në zgjedhje ka sjellë një perspektivë më kritike dhe kërkuese ndaj qeverisjes. Diaspora, e njohur për përvojën me standardet perëndimore, ka shtyrë përpara kërkesën për efikasitet, transparencë dhe reforma që çojnë në mirëqenie të qëndrueshme.
Në tërësi, këta faktorë kanë krijuar një mjedis ku qytetari shqiptar nuk kërkon më thjesht një përfaqësues politik, por një menaxher të mirë të financave publike, një garantues të barazisë dhe një ofrues real të mirëqenies. Vota ekonomike është, në këtë kuptim, një votë për përgjegjshmëri dhe rezultat.
Premtimet për pensionet dhe pagat të partive kryesore ishin ambicioze, por me boshllëqe teknike dhe realizëm fiskal. Ato u detyruan gjithsesi në këtë proces formulimi të premtimeve edhe nga hyrja e partive të reja (Bashkë, Mundësia, Shqipëria Bëhet, Nisma etj.)
Për të fituar zemrën dhe votën e një elektorati gjithnjë e më të vetëdijshëm ekonomikisht, partitë politike në zgjedhjet e 11 majit u përballën me një sfidë të re:
- të flisnin gjuhën e xhepit të qytetarit. Votuesi i këtij viti nuk ishte më thjesht i motivuar nga besnikëri politike apo identitet partiak; ai kërkonte llogari të qarta, zgjidhje konkrete dhe plane të besueshme për mirëqenien e tij ekonomike.
Përballë kësaj kërkese të re, partitë u detyruan të formulojnë programe të qarta ekonomike, ku premtimet për rritje page e pensioni nuk mbeteshin më në nivel parullash, por paraqiteshin me afate, objektiva dhe kosto të përafërta.
U ndërtua një narrativë e re politike, që nxirrte në pah drejtësinë sociale, rishpërndarjen e të ardhurave dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara, si të moshuarit, të rinjtë dhe emigrantët.
Partia Socialiste, si fituese e këtyre zgjedhjeve, e kuptoi më mirë se të tjerët këtë zhvendosje. Ajo kapitalizoi orientimin drejt votës ekonomike duke shpalosur programin ambicioz “PS 2030”.
Ky program, më shumë se një plan pune, u prezantua si një kontratë sociale me qytetarin, ku pikat kyçe përfshinin:
- Dyfishimin e pensioneve mesatare deri në vitin 2030, si një garanci për më shumë dinjitet për të moshuarit;
- Rritjen e pagës mesatare në sektorin publik në 1200 euro, për të forcuar klasën e mesme dhe për të frenuar emigrimin profesional;
- Një vlerësim më i madh për kontributin e Diasporës, duke e trajtuar atë jo thjesht si burim remitancash, por si pjesë aktive të zhvillimit ekonomik;
- Përqasje ndaj të rinjve që largohen nga vendi, përmes krijimit të kushteve që mund të kthejnë emigrimin në një zgjedhje, jo domosdoshmëri.
Kjo qasje e re politike, më afër nevojave reale ekonomike shënon një kthesë të rëndësishme në mënyrën se si ndërtohet besimi politik në Shqipëri. Votuesi ekonomik është këtu për të qëndruar, dhe programet pa bazë reale nuk mund ta bindin më.
Për të analizuar thellë dy nga premtimet më të rëndësishme të Programit “PS 2030”, dyfishimin e pensioneve mesatare dhe rritjen e pagës mesatare në sektorin publik në 1200 euro do të ndjekim një strukturë reflektuese që kombinon realizueshmërinë teknike, efektet buxhetore, dhe ndikimin shoqëror.
Nga analiza e ndarë në dy drejtime evidentohet:
a. Dyfishimi i pensioneve mesatare deri në 2030
Ky premtim që pritet të bëhet pikë e programit qeverisës 2025 – 2029 është drejtpërdrejt i lidhur me kërkesat e votuesit ekonomik, sidomos pensionistët dhe familjet e varura nga ta. Në një kontekst ku inflacioni ka gërryer fuqinë blerëse dhe ku bonuse të përkohshme kanë qenë më shumë masa lehtësuese sesa zgjidhje strukturore, një rritje reale e pensioneve është domosdoshmëri.
Ky premtim rezonon fort me kategoritë vulnerabël të shoqërisë, sidomos pensionistët që përballen çdo muaj me një realitet ekonomik gjithnjë e më të shtrenjtë. Por në planin teknik, realizueshmëria mbetet mesatare, pasi kërkon një ndërhyrje sistemike në skemën e sigurimeve shoqërore dhe një kalendar të qartë rritjeje.
Arsyeja kryesore për vlerëzsimin e zbatueshmërisë së këtij premtimi në prezantimin e tij lidhet me paqartësitë në zbatim. Megjithëse qëllimi është i qartë, mekanizmi i zbatimit mungon, pasi nuk ka ende adresim për pyteje të tilla si:
- A do të jetë një rritje mujore e qëndrueshme, që ndërtohet brenda skemës së sigurimeve shoqërore?
- Apo do të përdoren sërish bonuse periodike, që janë të përkohshme dhe jo të qëndrueshme në aspektin e pensionit bazë?
- A do të ndahet rritja si 20% në vit (çka është shumë e lartë për kontekstin aktual), apo do të ketë ritme të ndryshueshme bazuar në kapacitetin buxhetor?
Kosto fiskale dhe qëndrueshmëria e skemës është në fakt thelbi i zbatimit të këtij premtimi për tu kthyer në pikë program qeverisës
Një rritje e tillë përkthehet në 340 milionë euro shtesë në vit për buxhetin. Kjo ngre pyetje thelbësore:
- Si do të financohet kjo rritje? A do të vijë nga rritja e të ardhurave tatimore, reformimi i administrimit fiskal, apo shkurtim i shpenzimeve dytësore?
- A ka një projektim të ri të skemës së sigurimeve shoqërore, që të parashikojë shtesat pa destabilizuar ekuilibrin midis kontributeve dhe përfitimeve?
- Nëse financimi bëhet nga transferta buxhetore direkte, a ka qeveria një strategji për të mbrojtur sistemin nga varësia kronike ndaj buxhetit?
Pa një model të qartë skematik dhe financiar, rreziku është që ky premtim të shndërrohet në një instrument elektoral i përsëritur, pa ndikim afatgjatë në dinjitetin e pensionistëve.
Kostoja buxhetore është jashtëzakonisht e lartë, mbi 340 milionë euro në vit çka nënkupton nevojën për një model fiskal të qëndrueshëm, jo thjesht një zgjidhje të bazuar në bonuse periodike apo manovra ad-hoc.
Rreziku politik është gjithashtu i lartë, sepse çdo vonesë, mosrealizim ose deformim i premtimit mund të minojë besimin e një segmenti të gjerë të elektoratit. Për këtë arsye, ky premtim nuk mund të realizohet pa një reformë të thellë strukturore, e cila të prekë të ardhurat, administrimin fiskal, si dhe qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve.
b. Rritja e pagës mesatare në sektorin publik në 1200 euro
Krahasuar me pensionet, rritja e pagës mesatare në sektorin publik në 1200 euro është më e realizueshme teknikisht, veçanërisht nëse zbatohet në mënyrë etapizuese dhe të targetuar. Ky premtim mbart kosto mesatare për buxhetin dhe është më i kontrollueshëm, pasi prek një numër më të kufizuar përfituesish dhe mund të ndërthuret me reformën në administratë.
Kjo rritje përfaqëson një rritje prej 200 euro (20%) në një periudhë 4-5 vjeçare. Në terma nominalë është e realizueshme.
Rreziku politik është mesatar, pasi pritshmëritë janë të larta, por rruga për realizim mund të menaxhohet përmes kalendarëve të qartë dhe transparencës në alokim.
Por sfida qëndron në mënyrën e realizimit:
- A do të jetë një rritje lineare (p.sh. 40 euro/vit)?
- Apo do të ketë një ose dy ndërhyrje më të mëdha, bazuar në rritjen e buxhetit total për paga?
Rreziqet kryesore lidhen me ekuilibrin e brendshëm dhe me tregun privat.
Nëse rritja bëhet në mënyrë të pabarabartë midis sektorëve, mund të krijojë pabarazi strukturore brenda administratës.
Nëse paga publike bëhet shumë më konkurruese sesa ajo në sektorin privat (sidomos për punonjësit teknikë dhe profesionistë), mund të dëmtohet konkurrueshmëria e tregut të lirë të punës dhe të deformohen motivimet për karrierë.
Edhe këtu, nuk mund të arrihet rezultati pa një reformë strukturore, që të garantojë se rritja e pagave nuk krijon pabarazi të reja, nuk dëmton tregun privat të punës dhe mbështet rritjen e produktivitetit në administratë.
Edhe në këtë premtim që do të bëhet me gjasa pjesë e programit qeverisës kërkohet një buxhetim i mirëfilltë shumëvjeçar, që lidhet me performancën e të ardhurave publike. Nevojitet gjithashtu një vlerësim i ndikimit në tregun e punës, për të shmangur përthithjen e burimeve njerëzore nga sektori privat.
Të dyja premtimet janë politikisht tërheqëse dhe rezonuan me votuesin ekonomik. Por pa një plan të detajuar dhe të kostuar, tashmë pas zgjedhjeve ata rrezikojnë të mbeten në nivel zbatueshmërie jo të lartë. Fiskalizimi i tyre dhe ndërlidhja me reformat strukturore janë kusht për realizimin real dhe të drejtë të tyre.
Kërkesat e votuesit ekonomik janë më shumë se thjesht rritje pagash
Votuesi ekonomik i zgjedhjeve të 11 majit doli në skenë si një aktor i ri, por shumë i vetëdijshëm. Ky votues nuk është i motivuar vetëm nga rritjet numerike të pensioneve apo pagave, por nga një pritshmëri më e thellë për një model të ri qeverisjeje, i cili vendos drejtësinë sociale dhe eficiencën ekonomike në qendër të politikës publike. Këto janë katër shtyllat thelbësore të këtij orientimi të ri:
Së pari, votuesi ekonomik kërkon një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave publike, që nuk favorizon grupe të lidhura me qeverinë apo interesa të lokalizuara politikisht. Ai nuk sheh me simpati projektet luksoze, investimet me kthim të ulët apo tenderët pa transparencë. Në vend të tyre, kërkon që fondet të orientohen nga nevojat reale të qytetarëve: arsim cilësor, transport publik efikas, akses më i mirë në shërbimet shëndetësore dhe teknologji.
Së dyti, në thelb ky votues kundërshton një sistem taksash që i trajton njësoj të gjithë. Barazia tatimore nuk është njësoj si uniformiteti tatimor. Votuesi ekonomik e kërkon progresivitetin fiskal, ku ata që fitojnë më shumë kontribuojnë më shumë, dhe ku ngarkesa fiskale nuk bie padrejtësisht mbi shtresat e ulëta dhe të mesme.
Ky votues kërkon gjithashtu reforma në administrimin tatimor, që të luftojnë evazionin dhe të barazojnë fushën e lojës midis bizneseve që paguajnë taksa dhe atyre që i shmangin ato.
Së treti, për këtë votues marrëdhënia me shtetin nuk është më një marrëdhënie pasive përfitimi, por një kontratë dy-palëshe. Nëse qytetari kontribuon përmes tatimeve, ai kërkon kundërshërbim me cilësi: shkolla që formojnë qytetarë e jo thjesht diploma, spitale që trajtojnë pacientë e jo që i ridërgojnë në privat, dhe administratë që ofron zgjidhje e jo pengesa.
Në këtë këndvështrim, rritja e pagave dhe pensioneve është vetëm një pjesë e kërkesës më të madhe për shtet funksional dhe të përgjegjshëm.
Së katërti, diaspora shqiptare, si një votues ekonomik duhet të shihet jo vetëm si faktor elektoral, por si aktor zhvillimor. Votuesi ekonomik, përfshirë edhe atë nga Diaspora, kërkon më shumë se akses në votim , pasi ai kërkon angazhim institucional, mekanizma investimi, dhe qasje të lehtësuar për kthimin e dijes dhe kapitalit.
Politikat për Diasporën nuk duhet të kufizohen në mesazhe patriotike, por të konkretizohen me instrumente reale për përfshirje në ekonominë dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Në thelb, votuesi ekonomik kërkon një kontratë të re publike, ku mirëqenia e qytetarëve nuk mbështetet më vetëm në premtime, por në qeverisje të drejtë, transparente dhe me vizion afatgjatë. Kjo kërkon nga qeveritë jo vetëm ndërhyrje të menjëhershme (si rritja e pagave apo bonuse pensionale), por edhe reforma të guximshme që ndryshojnë vetë mënyrën se si qeveriset, taksohet dhe investohet në Shqipëri.
Në këtë kontekts, vota e elektoratit shqiptar në zgjedhjet e vitit 2025 janë mesazh i qartë, që pret përgjigje politike, e cila ende është e paformësuar.
Pra, zgjedhjet e 11 majit nuk ishin thjesht një garë politike, por një referendum për barazi ekonomike dhe mirëqenie sociale. Premtimet e bëra ishin në përputhje me këtë kërkesë të qytetarëve, por mungesa e një plani të detajuar për realizimin e tyre në rastin e partive opozitare i shndërroi këto premtime në zhgënjim, megjithëse edhe PS nuk paraqiti plane të detajuara duke u mjaftuar me ato që ishin të miratuara nga qeverisja e saj.
Për të qenë në lartësinë e momentit politik që solli vota e 11 majit, mazhoranca nuk ka më luksin të qëndrojë në nivel programesh të përgjithshme. Votuesi ekonomik kërkon qartësi, qëndrueshmëri dhe përgjegjshmëri. Kjo do të thotë (a) të ofrohet një plan financiar i detajuar për realizimin e premtimeve, (b) të ndërtohen mekanizma të besueshëm monitorimi, si dhe (c) të riformulohet logjika e buxhetimit, jo si instrument kontabël, por si mjet zhvillimi dhe rishpërndarjeje sociale.Mesazhi përmbyllës
Vota e 11 majit nuk ishte vetëm një votë për politikë, por për politikë me drejtësi. Ajo kërkon një sistem të ri marrëdhëniesh midis shtetit dhe qytetarit, ku zhvillimi ekonomik të jetë i përfshirë, i drejtë dhe i matshëm. Tani është koha që qeverisja të kalojë nga fjalët në zbatim, nga taktikat zgjedhore në strategji sociale afatgjata.
[1] Koncepti i votës ekonomike
Vota ekonomike nënkupton zgjedhjen e përfaqësuesve politikë nga qytetarët mbi bazën e interesave të tyre materiale, sociale dhe financiare. Ajo përfaqëson një sjellje racionale të votuesit, që i përgjigjet pritshmërive të tij për:
- Rritjen e të ardhurave (paga dhe pensione),
- Kosto më të ulët të jetesës,
- Shërbime publike më cilësore dhe më të drejta,
- Barazi në shpërndarjen e të ardhurave publike.
Në këtë kuptim, qytetari nuk ndikohet më thjesht nga retorika politike apo identiteti partiak, por nga ajo çfarë preket realisht në jetën e tij të përditshme.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.