Vlorë: Rivitalizimi urban dhe aktiviteti ekonomik e social bazuar te plani i zhvillimit vendor

Vlorë: Rivitalizimi urban dhe aktiviteti ekonomik e social bazuar te plani i zhvillimit vendor

Në fund të vitit 2013, qeveria shqiptare filloi draftimin e parë të “Planit të Përgjithshëm Kombëtar në Zhvillimin e Territorit të Shqipërisë 2015-2030” (në vijim Plani) përmes një procesi ndërsektorial në të gjitha nivelet e qeverisjes. Më pas, si një bashkërendim midis niveleve qeverisëse, i shoqëruar edhe me Reformën Administrative Teritoriale të qevererisjes vendore, u ndërtua Plani i Përgjithshëm Vendor për Bashkinë Vlorë[1], ashtu si edhe bashkitë e tjera, duke u fokusuar tek 6 objektiva kryesore strategjike, të cilat llogariten se kanë një kosto fillestare prej 19.27 miliard lekë (144.6 milion Euro), apo sa 21% e PBB-së së Vlorës në 2019.

Objektivat strategjike janë:

  • Përmirësimi i konkurueshmërisë dhe cilësisë së produktit turistik
  • Zhvillimi i zinxhirëve territorialë të bashkëpunimit për një ekonomi të qëndrueshme
  • Nxitja e sipërmarrjes dhe përmirësimi i kapitalit njerëzor
  • Përmirësimi i cilësisë së jetës dhe shërbimeve për popullsinë rezidenciale dhe rritja e kohezionit social
  • Përmirësimi i lidhjes dhe zhvillimi i formave multimodale të transportit
  • Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve mjedisore

Vini re! Vlora nuk ka një vlerësim ekonomik të azhornuar lidhur me efektet e zhvillimit pas 5 vitesh miratimi të PPV-së, një dokument i cili mungon. Ndër të paktat dokumente zhvillimore janë ato që lidhen me efektet e By-pass-it[2] dhe të Aeroportit të ri të Vlorës[3], si dhe analiza të medias investigative lidhur me projekt-vendimin për zhvendosjen e menaxhimit të integruar të mbetjeve në Sherishtë të Vlorës[4].

Ndërkohë programi qeverisë Rama 3, 2021-2025[5] dhe programi politik i bazuar mbi premtimet e Kryetarit të Bashkisë janë objektivat e mëtejshme të zhvillimit në kontekstin e PPK 2015-203

Projekti i Rivitalizimit Urban në Shqipëri

Rivitalizimi urban pas vitit 2013 është prekur nga programi “Rilindja urbane” e qeverisë shqiptare ku u alokuan fonde të konsiderueshme për infrastrukturën dhe urbanistikën në qendrat urbane duke meremetuar dhe rikonfiguruar qendrat si ambiente rekreative dhe në funksion të komunitetit. Gjatë periudhës 2013-201ç janë financuar 581 projekte të total me një vlerë prej 365.7 Milionë Euro. Numri më i madh i projekteve të financuara nga programi i Rilindjes urbane zotërohet nga Rrugët me 152 projekte e ndjekur nga kopshte me 150 projekte dhe rikualifikime urbane me 102 projekte. Për më shumë informacion është Tabela 9.

Këto projekte janë financuar nga fondet e bashkive, por kryesisht nga FSHZH, si dhe fonde nga institucione qendrore.

Strategjia e Zhvillimit të Territorit, sipas Planit dhe performanca sipas mundësive dhe kapaciteteve për financim

 Strategjia e Zhvillimit dhe mundësitë e buxhetit të Bashkisë dhe ato nga FSHZH dhe institucionet dhe donatorët nuk duket se do të përmbushin objektivat e përmbushjes në afate. Nga verifikimi i secilit nga 34 programet strategjike dhe 82 projektet për arritjen e tyre na rezulton një situatë e tillë:

  • Janë realizuar 4 programe (5% e totalit të programeve), por pa përmbushur asnjë nga 6 objektivat strategjikë të Planit plotësisht (te SHTOJCA). Gjysma e këtyre programeve kanë tejkaluar afatin e zbatimit (0-3 vite);
  • Janë në proces për tu realizuar (në nivele të ndryshme të zbatimit) 49 programe zhvillimi infrastrukture rrugore, UK, arsimore, shëndetësore, bujqësore, urbane (60% e totalit të programeve), duke synuar përmbushjen e të paktën 3 objektivave strategjikë (Objektivat 1, 3 dhe 5). Me përjashtim të dy programeve që kanë të përcaktuar një kohëzgjatje afat gjatë (deri 15 vite nga fillimi programit), pjesa tjetër janë në tejkalim të afateve të përcaktuara;
  • Nuk kanë filluar apo nuk ka informacion për performancën e 29 programeve (35% e totalit të programeve), që janë të gjithë në tejkalim të afateve të përcaktuara në Plan.

Strategjia e zhvillimit prej 5 vitesh është në zbatim, por me ritme më të ngadalta performance nga objektivat e përcaktuara për vënien në funksion të zhvillimit të investimeve dhe programeve. Nga llogaritjet e kostos fillestare gjithsej[6] të gjithë objektivave të Planit llogaritja fillestare arrin në 19.26 miliard lekë. Kjo kosto që duhet të alokohet nga Buxheti i Shtetit, Buxheti i Bashkisë, Donatorët dhe Institucione financiare e investitorë strategjikë (TAP) për përmbushjen e plotë të Planit është e barazvlefshme sa 8 buxhete vjetore të Bashkisë Vlorë, sipas të dhënave për 5 vitet e fundit (2016-2021), dhe sa 128 fond investimesh gjithsej, që programon mesatarisht çdo vit kjo Bashki.

Nëse bazohemi vetëm te buxheti faktik i Bashkisë  në 10 vitet e fundit (bashkë me transfertat e pakushtëzuara dhe të kushtëzuara), edhe sikur gjithë buxheti të shkonte për Strategjinë ne Zhvillimit Vendor, përsëri ky fond nuk do të mjaftonte të arrinte përmbushjen e objektivave afatgjatë. Ndërkohë, Buxheti i shtetit ka programuar për gjithë periudhën 2017-2021 fondin prej 13.9 miliard lekë (sa 72% e totalit të kostos gjithsej të Planit), ku mbi 85% e tyre tashmë janë në funksionim dhe i shërbejnë komunitetit.

Nisur nga ritmet e financimit, nevojitet që në funksion të përmbushjes në afate të investohet çdo vit sipas performancës së zbatuar bazuar te gjithë burimet e financimit së bashku, të përmendura më lart.

Vini re! Vetëm financimet me fonde nga donatorët e vendeve të BE-së në vitin 2021 kanë vlejtur sa buxheti i bashkisë gjithsej në 2 vite.

Struktura e shpërndarjes së programeve të investimeve dhe politikave sipas Planit është më e fokusuar te Urbanizimit, infrastruktura rrugore, UK dhe hartimi i politikave dhe planeve rregullatore. Sipas të dhënave, që autorët e Raportit disponojnë nga PPV Vlorë, të përpunuara sipas Planit Vendor të Zhvillimit shikohet se shpërndarja e programeve sipas drejtimeve të zbatimit janë të fokusuara kryesisht te Turizmi (18% të totalit të programeve), Infrastruktura rrugore (18% të totalit të programeve), Urbanizimi (16% të totalit të programeve), Bujqësi, Artizanat (12% të totalit të programeve) dhe Art, Kulturë, Arkeologji(12% të totalit të programeve).

Më pak hapësirë kanë programet për Infrastrukturën e Arsimit (5% të totalit të programeve), Infrastrukturën e Shëndetit (4% të totalit të programeve), Mjedisi, Mbetjet dhe Energjia (5% të totalit të programeve).

Plani i Zhvillimit të Territorit ka ndikime të vogla dhe të pjesshme sipas objektivave strategjikë për Vlorën dhe duhet të analizohet azhornimi me realitetin e ekonomisë bazuar te deviancat. Në krahasimin midis strukturës së Prodhimit të brendshëm rajonal të Vlorës në vitin 2017[7] dhe në vitin fillim të vitit 2021[8] vërehet nga ekspertët, se në fillim të vitit 2021:

 Ndryshime pozitive të tendencës së sektorëve të ekonomisë

  • Bujqësia dhe Blegtoria, Ndërtimi dhe Industria janë mbizotëruese me 54 të ekonomisë së Vlorës (5 bashkitë) me një rritje të përbashkët prej 4.6 përqind më shumë nga 2017. Rritjen më të madhe në grup e ka bujqësia dhe blegtoria me 2.7% më shumë pjesëmarrje në PBB e Vlorës, e cila është ndihmuar nga tregu turistik;
  • Aktivitetet e pasurisë së paluajtshme janë rritur me 0.9% në pjesëmarrjen në PBB, si rrjedhojë e rritjes së vlerës së aseteve dhe nxitjes së blerësve për të blerë në një treg që konsiderohet në zhvillim të mëtejshëm;

Ndryshime negative të tendencës së sektorëve të ekonomisë

  • Tregtia, Transporti dhe Hoteleria[9]janë pakësuar në pjesëmarrjen në PBB me – 2.8 përqind nga 2017. Ndikimi kryesor vjen nga situata e bllokimit të aktiviteteve të akomodimit nga pandemia e Covid-19. Ky ndikim vihet re nga niveli i Tregtisë, Transportit dhe Hotelerisë në vitin 2019 që mban 18.8% të PBB-së, që konsiderohet një rënie me 0.1%, që tregon edhe efektin ende joefektiv në nivelet e shfrytëzimit të investimeve në infrastrukturën dhe urbanizimin, i cili ka ndikuar pjesërisht në këtë grup aktivitetesh;
  • Aktivitetet financiare dhe të sigurimit (me peshë aktuale sa 2.3% e ekonomisë së Vlorës) janë ulur me -0.6% se në 2017
  • Arsimi, Shëndetësia dhe administrata publike shënojnë një ulje në pjesëmarrjen në PBB me – 2.1%, si rrjedhojë e ndikimit prej pandemisë, pavarësisht rritjes së numrit të administratës dhe pagave të tyre, por edhe rritjes së vlerës së shtuar në deklarimin e qarkullimit të qendrave private shëndetësore, që janë bërë pjesë e turizmit shëndetësor për emigrantët, të huajt dhe rezidentët.
  • Informacioni dhe komunikacioni (me peshë aktuale sa 1.9% e ekonomisë së Vlorës) ka një ulje të pjesëmarrjes së saj në ekonominë e qarkut të Vlorës (5 bashkitë) me – 0.3 përqind më pak nga 2017;
  • Artet, kultura, argëtimi dhe aktivitetet e çlodhjes (me peshë aktuale sa 1.2 % e ekonomisë së Vlorës) kanë një ulje të pjesëmarrjes në ekonominë e Vlorës (5 bashkitë) me – 0.7 përqind më pak nga 2017;

Në ballafaqimin e ndarjes sektoriale të programeve të Planit me tendencën që ka ndodhur në ekonominë e Vlorës gjatë 5 viteve të fundit, programet për investime dhe nxitje të sektorit të bujqësisë mundet të kenë dhënë ndikim në rritjen e PBB-së së sektorit, megjithëse kjo tregon një varësi të madhe të qarkut të Vlorës te bujqësia, blegtoria dhe peshkimi.

Po kështu, sektori i ndërtimit kanë një rritje në peshën e ekonomisë (si vlerë e shtuar), që tregon për një efekt ende të vogël, por që duhet monitoruar për të parë efektivitetin e investimeve në aspektin e cilësisë së zbatimit të tyre.

Ndërkohë, industria përpunuese, e cila duhet të jetë edhe sektori prioritar në vlerën e shtuar afatgjatë të ekonomisë (veçanërisht industria përpunuese e ushqimeve) kanë rritje të lehtë në ekonominë e Vlorës.

Duke konsideruar se përmbushja e objektivave strategjike është mbrapa në afate dhe në vlerat e investuara sipas programeve, shpenzimet për investime publike nuk kanë çuar në një efekt stimulues të dëshiruar në komponentët e shpenzimeve private të PBB-së dhe kanë një ndikim më të madh në PBB nëpërmjet efektit të pjesëmarrjes të një pjese të fermerëve dhe bizneseve tregtare në skemat e propozuara të lehtësive fiskale dhe granteve ndihmëse sesa llojet e tjera të shpenzimeve.

Kujdes! Investimet e reja në pritje për tu ankoruar në ndihmë të mirëqenies dhe shëndetit mundet të krijojnë hapësira të reja për harmonizimin e tyre me zhvillimin e brendshëm të rikthimeve të emigrantëve, të cilët kërkojnë tashmë edhe një shërbim cilësor dhe kjo shtron nevojën e rritjes së fondeve për edukimin profesional.

[1] http://bashkiavlore.org/wp-content/uploads/2016/12/VSM-VLORE.pdf

[2] https://www.ebrd.com/english/pages/project/eia/42319nts-vlora.pdf

[3] https://www.infrastruktura.gov.al/wp-content/uploads/2019/12/AL-STUDIM-FIZIBILITETI-VIA.pdf

[4] https://portavendore.al/2021/02/24/sherishta-e-vlores-fundi-i-nje-qyteterimi-antik-ne-vend-te-nje-landfilli/

[5] https://www.parlament.al/Files/Akte/20210917094411Vendim%20nr.%2068,%20dt%2017.9.2021.pdf

[6] Kostoja fillestare e zbatimit (punimeve) mund të ndryshojë në rritje/ulje për arsye të ndryshimet të normave tatimore, interesave banakare, inflacionit, vonesave në zbatim duke kërkuar kosto shtesë, gabime në zbatim etj.

[7] http://www.instat.gov.al/media/5793/pbb-rajonale-2017.pdf

[8] http://www.instat.gov.al/media/10013/pbb-rajonale-2020.pdf

[9] zënë 16.1% të ekonomisë së Vlorës

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: