VLORË: NDËRLIDHJE E STRATEGJIVE KOMBËTARE ME PROGRAMET DHE BUXHETIN VENDOR DHE ATË QENDROR
Qeveria shqiptare i ka dhënë përparësi shpenzimeve kapitale, të cilat mbahen në 5 përqind të PBB-së dhe kanë përshpejtuar përdorimin e PPP-ve. Me gjithë progresin e bërë, vlerësimi dhe përzgjedhja e projekteve të investimit vijon të mbetet e copëzuar në varësi të burimit të financimit të projektit. Në këtë drejtim do të ndihmonte konsolidimi i proceseve vendimmarrëse dhe forcimi i strukturës për menaxhimin e investimeve publike në MFE dhe Bashki (duke përfshirë nën të njëjtën kupolë edhe menaxhimin e PPP-ve vendore).
Përfshirja e vlerësimit të riskut fiskal në buxhetet më të fundit është një hap i mirë drejt së ardhmes, i cili ka thelluar dhe zgjeruar mbulimin. Këtu është përfshirë edhe shtrirja e analizës për të mbuluar një gamë më të gjerë risqesh në bilancet e sektorit publik si dhe një analizë më të hollësishme të detyrimeve të mëdha të kushtëzuara, përfshirë ato të ndërmarrjeve shtetërore, qeverisë vendore dhe atyre të parashikuara në kontratat PPP. Megjithatë, për të rritur besueshmërinë e parashikimeve buxhetore, raporti duhet të përmbajë edhe politikat e plota për zvogëlimin e këtyre risqeve.
Në këtë kontekst, si dhe bazuar edhe mbi ndryshimet ligjore për financat vendore nga viti 2017 e deri më sot shikohet si e nevojshme të përmendim se si janë menaxhuar financat publike të Bashkisë Vlorë, duke marrë në monitorim dhe vlerësim sipas metodologjisë së auditit social vitin fiskal 2021 dhe me përfshirjen në analizë janë përfshirë edhe vite përpara dhe pas 2021 (2022 parashikim).
Nga monitorimi i PBA 2021 – 2023 dhe PBA 2022 – 2024 të Bashkisë Vlorë duke synuar ndërlidhjen me Strategjitë sektoriale dhe SKZHI II vërehet se mungon lidhja e duhur dhe ndërvarësia mes tyre. Sipas përmbajtjes së PBA 2021 – 2023 dhe PBA 2022 – 2024 janë formuluar mirë, por sërish mungon lidhja e duhur me strategjitë sektoriale, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, si dhe PBA-në e qeverisë qendrore. Ndryshimet ligjore në vetvete nuk konsiderohen gjithëpërfshirëse mjaftueshëm për ta përmirësuar procesin buxhetor ekzistues, i cili duhet të rrisë fokusin e politikave, besueshmërinë dhe orientimin drejt rezultateve.
Megjithëse nuk mungojnë elementët përbërës të analizës së të ardhurave dhe shpenzimeve duke u konsideruar si përmirësime konkrete në cilësinë e dokumentit të PBA-së duket se ka ende nevojë për përmirësime, pasi fokusi strategjik pengohet nga qasja e kufizuar që i kushton Këshilli Bashkiak procesit të shqyrtimit të PBA-së. Ndërkohë, struktura e Auditit të Brendshëm dhe ajo e Auditit të Jashtëm (Drejtoria e Inspektimit Financiar në MFE dhe KLSH) janë të ankoruara sipas objektit të veprimit të tyre duke kryer edhe transparencën e gjetjeve të tyre. Nga monitorimi i auditimit të fundit shihet se KLSH ka ushtruar një Audit performance për shërbimin e Pastrimit të qytetit[1] dhe Drejtoria e Inspektimit Financiar ka ushtruar kontroll në institucione vartësie të Bashkisë Vlorë[2].
Vini Re!
Mungon zëri i kualifikuar i qytetarit nëpërmjet ekspertizës së përzgjedhur. Po ashtu edhe rekomandimet e konsoliduara të organizatave të ekspertizave të ndryshme. Masat e përfshira në objektivat dhe prioritetet e PBA nuk arrijnë dot të krijojnë një cikël të mbyllur të plan veprimi të lidhur me gjithë masat mbështetëse që janë të nevojshme për t’i vënë në zbatim prioritetet. Përgatitja e udhëzuesve, rishikimi i strukturave dhe mbivendosjeve, si dhe verifikimi dhe azhornimi i procedurave dhe kryerja e trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve duhet të jenë ndër masat e plota dhe me një kohë të dedikuar për gjithë Bashkinë, pasi konsiderohen si ndryshime të rëndësishme të formësimit të plotë të procesit buxhetor.
Ndërvarësia që ka buxheti vendor nga buxheti i shtetit, ndikohet nga një pjesë e objektivave ende të papërmbushur nga SMFP 2019-2022 dhe strategjitë sektoriale që rëndojnë mbi performancën e planifikimit të buxhetit të Bashkisë. Mungesa e zhvillimit në kohë të mekanizmit të matjes dhe analizimit të performancës (Pasaporta e Indikatorëve)[3] në nivel qeverisje qendrore ka dhënë një efekt pritshmërie në qeverisjen vendore, por me efekte në disiplinën financiare dhe planifikimin e saktë të të ardhurave. Nga ana tjetër problemet në mosbërjen në kohë dhe të plota të raport progreseve të strategjive sektoriale duke mos gjetur hapësira për tu përfshirë në PBA kanë ndikuar në moslidhjen e nevojshme midis planifikimit të politikave strategjike me planifikimin e buxhetit dhe menaxhimin financiar publik.
Në procesin e hartimit të buxhetit vjetor dhe PBA[4], sipas udhëzimit standart të PBA[5] nuk ka përcaktim për pjesëmarrje të ekspertizës së shoqërisë civile apo proces, ku mund të ndërhyjë ekspertiza civile, por thjesht konsultim me publikun. Sipas standarteve të vendosura në ligjin organik të buxhetit, në udhëzimin për përgatitjen e buxhetit dhe PBA për qeverisjen qendrore dhe atë vendore, por edhe në Strategjinë e menaxhimit të Financave Publike 2019-2022[6], duke konsideruar edhe praktikat vlerësuese standarte të Bankës Botërore[7] për llogaridhënien për shpenzimet dhe financat publike (PEFA) si dhe projekte monitoruese nga organizata vendase dhe të huaja të financave vendore shihet se objektivi i përbashkët për planifikime të buxheteve më transparente për qytetarët si dhe llogaridhënia për shpenzimin e parave publike është ende i papërmbushur.
Rekomandimet dhe monitorimet e OSHC[8] në parashikimin e të ardhurave vendore (shpërndarjen e barrës tatimore) dhe shpërndarjen e shpenzimeve[9] ka qenë pa ndikim të prekshëm apo të verifikueshëm. Në gjithë procesin e konsultimit dhe analizat e pyetësorëve të realizuar mungon ekspertiza e shoqërisë civile dhe profesionistëve apo është e përfshirë në projekte që kanë Marrëveshje me MFE dhe Bashkitë. Mënyra e zhvillimit të konsultimit publik (jo vetëm në Bashkinë Vlorë) nuk mundet të konsiderojë si vendimtare dhe të argumentuara me një studim analitik vetëm reagimet e qytetarëve (pjesëmarrjet në forume për konsultim publik nuk kalon 0.12% e popullsisë mbi 15 vjeç të Bashkisë), të cilat mbeten një zë i pazëvendësueshëm në formën e përfaqësimit që kanë.
Por, gjatë konsultimit publik duhet të programohet edhe dialogu i bazuar në analiza dhe fakte nga organizata të shoqërisë civile, organizata të biznesit dhe profesionistëve, si dhe organizata të punës, të cilat munden të japin një rekomandim më pranë nevojave të qytetarëve, por edhe munden të jenë monitoruesë potencialë për mënyrën si janë shpenzuar fondet e Bashkisë dhe transfertat e buxhetit të shtetit.
Nëse këto organizata nuk kanë kapacitete e nevojshme për kryerjen e konsultimit, atëherë përpjekja kryesore e qeverisë qendrore dhe qeverisjeve vendore duhet të jetë rrjetëzimi i ekspertizës së shoqërisë civile dhe profesionistëve për të asistuar në koordinim me aktorët vendorë për analiza dhe kalendarë të mirëkoordinuar në funksion të fizibilitetit të buxhetit vendor.
Natyra komplekse e çështjeve të buxhetit për qytetarët dhe mungesa e një analize ballafaquese qytetare me fakte dhe argumente ndaj programeve të Bashkisë dhe Qeverisë qendrore kanë nevojë të riformatohen lidhur me orientimin e prioriteteve sipas kërkesës qytetare. Megjithëse numri i qytetarëve të konsultuar është mjaft i ulët për tu konsideruar si zëri qytetar, duke mos disponuar të dhëna të tjera për analizën e buxhetit, përveç faqes online të Bashkisë (të dhënat online plotësojnë shumicën e informacionit për ta mundësuar analizën tonë) ne mund të shprehemi se:
– programi i destinimit të shpenzimeve për pastërtinë e qytetit ka reaguar sipas nevojës qytetare.
– programi i destinimit të shpenzimeve për shërbimet e arsimit profesional janë në nivele të ulta në raport me kërkesën e tregut të punës, por edhe krahasuar me bashkitë e tjera.
– programi i destinimit të shpenzimeve për sportin, turizmin, bujqësinë dhe peshkimin nuk ka reaguar sipas kërkesave të dhe nevojave të qytetarëve.
Konsultimi publik dhe transparenca duhet të marrin një vëmendje të veçantë dhe kujdes në plotësimin e të dhënave. Nga monitorimi i zbatimit të procedurës së konsultimeve publike për projekt-buxhetin 2022 dhe PBA 2022-2024 në Bashkinë Vlorë[10], rezulton të jenë kryer sipas detyrimit të ligjit të buxhetit. Sipas Ligjit të Konsultimit Publik[11], nevojitet që detyrimi për tu konsultuar të ndryshohet duke vendosur kusht që proces-verbalet e konsultimit të jenë të konfirmuara me argumente edhe nga përfaqësuesit e publikut. Kjo qasje ndihmon për një transparencë dhe llogaridhënie efektive në zbatim të këtij ligji, që mbetet ndër instrumentat e pakët për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje. Bashkia ka komunikim të rregullt të aktiviteteve në rrjete sociale[12].
Kujdes!
I gjithë procesi i konsultimit duhet të jetë një periudhë intensive diskutimesh, me një kohë të shfrytëzuar në mënyrë cilësore dhe të ndjekë modelin e buxhetimit me pjesëmarrje[13]. Ky model duhet të përfshihet në propozimet për ndryshime ligjore për tu bërë pjesë e detyrueshme dhe ndryshuese e modelit aktual të konsultimit publik. Konsultimet e kryera janë në linke të shkëputura, jo të plota dhe nuk arrin të rakordohen me regjistrin.
Nga Anketimi i bërë nga ana ALTAX:
- kur qytetarët u pyetën “Në çfarë takimesh publike të organizuara nga pushteti vendor keni marrë pjesë?” 15% e tyre kishin marrë pjesë në mbledhjet “Për buxhetin dhe Programin afatmesëm buxhetor”, 26% e tyre u përgjigjën “Për programe zhvillimi dhe projekte në bashki”, 26% e tyre “Për llogaridhënie si janë shpenzuar paratë e buxhetit” dhe 37% e tyre u përgjigjën “Për tema të ndryshme”. Kjo përkon me atë çfarë vetë bashkia e publikon si aktivitet dhe komunikim me publikun.
Kujdes!
Detyrimi për konsultimin publik, ashtu si detyrimi për transparencë dhe llogaridhënie duhet të jetë i plotë dhe i aksesueshëm (pa linke të këputura) të cilat te seksioni i buxhetit kanë nevojë të sistemohen dhe plotësohen.
Momentet kryesore – Buxheti 2021 dhe PBA 2021-2023 dhe Buxheti 2022 dhe PBA 2022 – 2024
Detyrat dhe obligimet e Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë në procesin e buxhetit janë të vendosura në Udhëzimin standart të PBA për NjQV-të[14]. Pika 2 parashikon rolet dhe përgjegjësitë në procesin e hartimit të programit buxhetor afatmesëm. Këshilli Bashkiak ndjek një qasje të gjithanshme për shqyrtimin e projektbuxhetit të paraqitur nga Bashkia.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat udhëheq procesin e shqyrtimit, i cili u paraprin seancave plenare. Ky komision ka kalendarin e shqyrtimit dhe organizon seanca të veçanta për të shqyrtuar politikat fiskale, shpenzimet agregate, të ardhurat dhe deficitin/financimin, si edhe hollësitë e të ardhurave dhe shpenzimeve. Në seanca marrin pjesë përfaqësuesit e Drejtorive të Buxhetit, të Financave dhe ato ekonomike dhe të tjerë.
Buxheti i vitit 2021 dhe PBA 2021 – 2023 u miratuan në 28.12.2020[15]. Buxheti faktik i vitit 2021 u miratuan në datë 17.03.2021[16]. Por, përveç vendimit nuk munden të gjenden dot përmbajtja e plotë e relacioneve sqaruese. Këtë qasje ky projekt do t’ja bëjë prezente Koordinatorit për të drejtën e informimit në Bashki duke kërkuar edhe transparencën sipas
Bashkia dhe Këshilli Bashkiak, sipas monitorimeve nga publikime të ndryshme online në faqen elektronike të Bashkisë dhe në rrjetet sociale[17] kanë zbatuar sipas afateve kalendarin e përgatitjes dhe diskutimit sipas hapave të përcaktuara në ligj dhe udhëzim të Buxhetit 2021 dhe 2022 si dhe PBA 2021-2023 dhe PBA 2022-2024.
Nga ajo që vlen të përmendet në këtë pikë është se diskutimet gjatë këtyre seancave janë shumë të gjalla dhe të hapura për publikun, por jo plotësisht.
Nga Anketimi i bërë nga ALTAX:
- kur qytetarët u pyetën “Nëse keni marrë pjesë, a keni dhënë rekomandime/propozime për Këshillin Bashkiak (me shkrim ose elektronikisht te personi përgjegjës për koordinimin në Bashki)?, 17% e tyre u përgjigjën “Rregullisht”, 25% e tyre na u përgjigjën “Rrallë”, 43% e tyre u përgjigjën “Asnjëherë” dhe 14% e tyre “Nuk e di”.
Ndërkohë, kur i pyetëm “Nga rekomandimet/propozimet që keni dërguar për Këshillin Bashkiak, cilat çështje dolën si më të rëndësishmet në Bashkinë tuaj?”, 18% e tyre u përgjigjën se ishin “Për infrastrukturën”, 22% e tyre u përgjigjën “Për shërbimet sociale dhe strehimin”, 21% u përgjigjën “Për shërbimet e bashkisë”, 21% u përgjigjën “Për mjedisin, bujqësinë, turizmin”, 10% u përgjigjën se ishin “Për territorin dhe ndërtimet pa leje” dhe 9% e tyre ishin “për taksat dhe financat vendore”.
Ndër çështjet që kanë nevojë për vëmendje dhe përfshirje të Bashkisë përfshihet edhe mungesa e debatit publik për shqyrtime të thelluara fizibiliteti për projekte ndërkombëtare të investimeve kapitale, ku dhe monitorimi dhe raportimi nga Bashkia është në përmasa të vogla apo të pakonsiderueshme. Në këtë rast, ndihma me ekspertizë direkte nga ekspertiza lokale dhe kombëtare në pamundësi/mungesë të ekspertizës nga qeverisja qendrore (ministritë e linjës) duhet të sinkronizohet me nevojat e bashkisë.
[1] https://panel.klsh.org.al/storage/phpXNL8Ts.pdf
[2] https://financa.gov.al/drejtoria-e-inspektimit-financiar-publik/#
[3] https://www.dap.gov.al/images/DokumentaStrategjik/SIGMA_PAR_Indicator_Passport_Final.pdf
[4] https://portavendore.al/dhomaeligjit/financat-vendore/buxhetimi-i-njesive-te-veteqeverisjes-vendore/miratimi-i-buxhetit/
[5] https://drive.google.com/file/d/1mxw21Ah8F6iZFrUjEqsFW6Lneu2fg4MW/view
[6] https://www.financa.gov.al/wp-content/uploads/2020/08/PFM-Strategy-2019-2022-ALB-1.pdf
[7] https://documents1.worldbank.org/curated/en/324981524464014452/pdf/124573-ALBANIAN-PUBLIC-PEFA-AL-web.pdf
[8] http://web.worldbank.org/archive/website01337/WEB/IMAGES/PBP_TO-2.PDF
[9] https://www.kas.de/documents/271859/0/Qeverisja+Vendore+2020-Shqip.pdf/0129fb6f-690c-0dbe-9e9d-2fbc6c84b54e?version=1.0&t=1620730661845
[10] https://vlora.gov.al/regjistri-i-projekt-akteve-per-konsultim-publik-te-keshillit-bashkiak/
[11] https://www.adisa.gov.al/wp-content/uploads/2021/03/Ligj_146_2014_30.10.2014.pdf, Neni 6
[12] https://www.facebook.com/Bashkia-Vlor%C3%AB-346276352540/
[13] Buxhetimi me Pjesëmarrje është një mekanizëm që lejon qytetarët e bashkisë, që të marrin pjesë në vendimmarrjen mbi menaxhimin e të gjithave ose të një pjese të burimeve aktive të financave publike vendore
[14] Udhëzim Nr.23, datë 30.07.2018 “Për procedurat standarte të përgatitjes së programit buxhetor afatemesëm të njësive të vetëqeverisjes vendore”
[15] https://www.vendime.al/wp-content/uploads/2021/01/94.pdf
[16] https://www.vendime.al/wp-content/uploads/2022/03/Vendim-Nr.16-17.03.2022.pdf
[17] https://www.facebook.com/Keshilli-Bashkiak-Vlore-110963937300272/?__cft__[0]=AZVEfHyN2P5TS5beCUeoZxYMLDfVMCSj-n57KPF7zz3TmvhnUI_vFkAJV8zZ3tcd68NYEbX-tywmzknMT5RhMGdUFTAm8savJwHv41FGup68y9bNeKKHfFQMrVpxnuptYoE&__tn__=-UC%2CP-R
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.