Turizmi dhe ndotja e mjedisit
Nisur nga konsumi i përbashkët në sezonin veror, ne llogaritim se sasia e furnizimit me ujë është e pamjaftueshme me këtë ritëm investimesh si deri më sot, si dhe nëse nuk kryhen në kohë reale investimet e reja sipas Strategjisë Kombëtare të Ujësjellës – Kanalizimeve, 2023 – 2030. Ndërkohë, lidhur me menaxhimin e ujërave të ndotura, duket se situata e ujërave larës është në nivele të larta të ndotjes me një cilësi të mirë deri në të keqe deri në 60% duket se investimet dhe masat e ndërmarra nuk kanë arritur ende të renditin ujërat larës të plazheve shqiptare në cilësinë e shkëlqyer në 95% të tyre.
Po kështu edhe ndotja e ajrit ka përmasa të larta të ndotjes në pothuajse gjithë territorin që konsiderohet edhe si destinacion turistik, situatë dhe propozime të cilat ALTAX i ka trajtuar në një analizë të veçantë.
Siç theksohet shpesh nga ekspertët mjedisorë, turizmi mund të jetë burim i të njëjtave lloje të ndotjes si çdo industri tjetër, duke përfshirë emetimet e ndotjes së ajrit, zhurmën, mbeturinat, shkarkimin e ujërave të zeza industriale dhe lokale, kimikatet, madje edhe ndotjen arkitektonike/vizuale.
Gjithashtu, disa ekspertë tregojnë se emetimet e ndotjes së ajrit të shkaktuar nga turizmi janë më të mëdha se nga sektorët e tjerë të shërbimeve.
Prandaj, zhvillimi i turizmit duhet parë me balancën e kosto përfitimit jo në këndvështrimin e ngushtë rajonal dhe afatshkurtër, pasi rezultatet e studimeve të mëparshme zbulojnë se ekziston një lidhje midis intensitetit të trafikut turistik dhe nivelit të ndotjes së ajrit me NO2, CO2, PM2.5, PM10.
Për sa i përket ndotjes së ajrit dhe mjedisit, duhet të kihet parasysh se megjithëse turizmi mund të ndikojë potencialisht mjedisin duke kontribuar në çekuilibrin e tij duhet menduar që të aplikohen tarifa mbrojtëse si një burim financimi për mbrojtjen e zonave natyrore dhe duke rritur rëndësinë e tyre ekonomike.
Industria e turizmit ndikon dukshëm në mjedis si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes industrive mbështetëse. Prandaj, mund të jetë shumë interesante në studimet e ardhshme të investigohet se si industria e turizmit mund të ndikojë në cilësinë e ajrit dhe në ambjent në vendndodhje të ndryshme, duke analizuar sidomos se çfarë lloj fluksi turistik krijon burimin më të madh të ndotjeve.
Nga prezantimet e monitoruesve të ndotjes së mjedisit, ndotësit më të mëdhenj janë (a) emetimet e dioksidit të azotit (NO2) nga djegia e karburanteve dhe (b) grimcat e ngurta fizike nga projekte e ndërtimeve në gjithë vendin (PM2.5). Në vitin e fundit, por edhe vitet në vijim një ndotje potenciale e ambjentit është edhe ajo që vjen prej shtimit tej mase të numrit të vizitorëve, të cilët mund të arrijnë të kthehen në një burim të tretë ndotjeje si pasojë e rritjes së kërkesës konsumatore
Kjo situatë që tashmë është bërë e përhershme lidhur me burimet e ndotjes në vend, natyrisht që kërkon edhe një politikë tatimore që ti përshtatet parimit “ndotësi paguan”.
Me këtë mjedis dhe burime ndotësish, tashmë ka një paketë taksimi të plotë (akciza e karburantit, si dhe taksa për karbonin) për emetimet e dioksidit të azotit. Megjithatë, me shtimin e automjeteve përdoruese, por edhe në kushtet e një cilësie jo optimale të karburanteve duket se ka arsye të mira për të mbrojtur mjedisin me taksa më të larta për karburantet.
Kjo natyrisht vlen të vendoset pas një diskutimi mbarëkombëtar lidhur me këtë politikë agresive fiskale.
Qëllimi kryesor justifikon instrumentin tatimor edhe është reduktimi i konsumit të karburantit dhe emetimit të gazrave të dëmshëm duke lehtësuar kështu tranzicionin e gjelbër.
Nga ana tjetër, në këtë tranzicion, gjithë të ardhurat nga taksat e rritura prej qeverisë duhet të shkojnë për të financuar, për shembull, infrastrukturën e energjisë së pastër, korrigjimin e kostove të bllokimit të trafikut dhe kostove të lidhura me stimulimin fiskal për automjetet që përdorin energjinë e pastër.
Mënyra se si mund të kontrollohet efektivisht ndotja e ajrit së pari duhet të kthehet në një çështje e përhershme me motive shëndetësore, sociale dhe ekonomike.
Megjithatë, në çdo lloj ndotje që kryhet (uji, ajri, shkarkimet, mbetjet, biodiversiteti) nevojitet që të tarifohet ndotësi sipas emetimeve (sasi dhe përhapje) dhe jo përdoruesi, pasi ky është edhe qëllimi i vendosjes së tarifave potenciale kundër ndotjes.
Në këtë parim duhet të mbahet parasysh, se edhe vizitorët e shtuar të paguajnë për të patur mjedisin e pastër dhe natyrën që kërkojnë. Por, fillimisht politika duhet të kuptojë që mjedisi që ata e dëmtojnë duhet të mirëmbahet pikërisht duke kërkuar nga ta kontribut dhe jo duke u nisur nga përfitime afatshkurtra, që ende janë të paqarta rreth rritjes së vlerës së shtuar për ekonominë e qëndrueshme që duam të kemi.
Duke marrë parasysh rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit (por edhe ndotjet e ujërave dhe mjedisit në tërësi) ne mendojmë se është me vend edhe diskutimi për një Ligj fiskal për Mbrojtjen e Mjedisit edhe pse ligji pa u harmonizuar me menaxhimin gjithpërfshirës të mjedisit mund të mos ketë fuqi të frenojë ndotjen.
Gjithsesi, duhet mbajtur mend për rolin e dyfishtë të turizmit si fajtor dhe viktimë e degradimit të mjedisit, i cili ul atraktivitetin turistik të një destinacioni dhe, rrjedhimisht, të ardhurat nga koha e lirë apo udhëtimi.
Nga të dhënat e menaxhimit të mbetjeve në mjedis, për periudhën 2021 – 2023 shihet se (shiko Raportin e plotë), menaxhimi mbetjeve është në nivelin 92%.
Mbetjet e menaxhuara trajtohen kryesisht duke depozituar mbetjet në landfille dhe vende të tjera depozitimi të miratuara nga pushteti vendor, por me problematika në menaxhimin e tyre gjatë sezonit veror, sidomos në zonat bregdetare duke krijuar një situatë që ka ndikuar negativisht në modelin e ofertës turistike në këto zona.
Mbetjet organike vazhdojnë të dominojnë menaxhimin e mbetjeve urbane. Kjo kategori zë peshën më të madhe të mbetjeve urbane të menaxhuara, me një peshë që ka mbetur relativisht e qëndrueshme, 57-58 %, në tre vitet e fundit. Ndërkohë, nëse përfshijmë ndotjen nga turistët sipas EPA, një person mesatar amerikan prodhojë rreth 2.6 kg plehra në ditë, ndërsa një person në Europë gjeneron mesatarisht 1.4 kg plehra në ditë, por kjo mesatare ndryshon nga vendi në vend brenda BE-së.
Nëse llogaritim numrin e vizitorëve për vitin 2023 mbetjet e krijuara nga ta e kalojnë sasinë prej 42.6 mijë tonë mbetje (14.2 mijë tonë x 3 ditë qëndrimi), kryesisht si mbetje organike, plastike, qelqi, druri, metalike.
Mbetjet që aktualisht krijohen në gjithë zonat e Shqipërisë janë më shumë se mbetjet që gjenerohen në qarkun e Beratit, apo pak më pak se mbetjet që gjenerohen gjatë gjithë vitit në qarkun e Shkodrës[1], çfarë do të thotë se gjenerimi i tyre krijon probleme të mprehta për menaxhimin e tyre në nivelin aktual të kapaciteteve vendore.
[1] https://www.instat.gov.al/media/12918/vjetari-statistikor-rajonal-2023__.pdf, faqe 218
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.