Treguesit kryesorë ekonomikë në BP6 në 2022
Sipas raportit 2023 te ALTAX, PBB e Ballkanit Perëndimor në vitin 2022 llogaritet të jetë rritur mesatarisht 3.75% me një rënie nga viti i kaluar me 4.75% apo 1.4 herë më pak rritje mesatare. Të ardhurat për frymë në vitin 2021 në Ballkanin Perëndimor janë mesatarisht 12.298 Euro/vit (PPP). Kosova dhe Shqipëria prezantohen me vlerën më të ulët të të ardhurave për frymë (shih tabelën më poshtë). Ndërsa Mali i zi, Serbia, Maqedonia e Veriut kanë të ardhura për frymë mbi nivelin mesatar.
Ndërkohë, prodhimi industrial bruto[1] rezulton me nivelin më të lartë të rritjes në Shqipëri (2.8%) pas një rritje të fuqishme në vitin 2021 me 26.2% më shumë se një vit më pare. Ndërsa niveli më i ulët i prodhimit industrial bruto ka ndodhur në Malin e Zi (-3.3%). Faktorët kryesorë ndikuesë në këtë tendencë, të tillë si: çmimi i naftës, kursi i këmbimit, eksporti, por dhe faktorë të brendshëm, si: shpenzimet publike, shpenzimet e konsumit dhe importi kanë ndikuar në prodhimin industrial bruto dhe janë reflektuar edhe në treguesit pozitivë në 2021 edhe për Bosnjë-Hercegovinën (9.8%) dhe Serbinë (6.3%).
Treguesit kryesorë ekonomikë | Shqipëria | Bosnjë – Hercegovina | Kosova | Mali i Zi | Maqedonia e Veriut | Serbia | ||||||||||||
2020 | 2021 | 2022 | 2020 | 2021 | 2022 | 2020 | 2021 | 2022 | 2020 | 2021 | 2022 | 2020 | 2021 | 2022 | 2020 | 2021 | 2022 | |
Popullsia, 1000 persona | 2,838 | 2,812 | 2,760 | 3,475 | 3,453 | 3,415 | 1,790 | 1,786 | 1,773 | 621 | 619 | 618 | 2,073 | 1,837 | 1,827 | 6,899 | 6,834 | 6,790 |
PBB, ndryshim real në % | -3.5 | 8.5 | 4.8 | -3 | 7.4 | 3.7 | -5.3 | 10.7 | 3.5 | -15.3 | 13 | 6.1 | -4.7 | 3.9 | 2.1 | -0.9 | 7.5 | 2.3 |
PBB për frymë (EUR në PPP) | 9,190 | 10,480 | 9,920 | 11,120 | 7,400 | 8,660 | 13,440 | 15,540 | 11,350 | 13,670 | 12,810 | 14,320 | ||||||
Prodhimi industrial bruto, ndryshim real në % | -6.3 | 26.2 | 2.8 | -6.4 | 9.8 | 1 | 0.8 | 0.3 | 0.2 | -0.9 | 4.9 | -3.3 | -9.6 | 1.4 | -0.2 | 0.4 | 6.3 | 1.7 |
Shkalla e papunësisë – AFP, në %, mesatare | 11.7 | 11.5 | 10.9 | 15.9 | 17.4 | 15.4 | 25.9 | 20.7 | 24.2 | 17.9 | 16.6 | 14.5 | 16.4 | 15.7 | 14.4 | 9 | 11 | 9.4 |
Paga mesatare mujore bruto, EUR | 434 | 467 | 520 | 755 | 788 | 881 | 466 | 484 | 783 | 793 | 883 | 658 | 696 | 773 | 706 | 772 | 880 | |
Çmimet e konsumit, % p.a. | 1.6 | 2 | 6.7 | -1.1 | 2 | 14 | 0.2 | 3.4 | 11.6 | -0.3 | 2.4 | 13 | 1.2 | 3.2 | 14.2 | 1.6 | 4.1 | 11.9 |
Bilanci fiskal në % të PBB | -6.7 | -4.5 | -3.6 | -5.2 | -0.3 | -1 | -7.6 | -1.2 | -5.2 | -11.1 | -1.9 | -5.2 | -8.2 | -5.4 | -4.5 | -8 | -4.1 | -3.1 |
Borxhi publik në % të PBB-së | 74.5 | 73.2 | 66.97 | 36.1 | 34 | 34 | 22 | 21.1 | 19.6 | 105.3 | 84 | 72 | 50.8 | 52 | 50.9 | 57.8 | 57.1 | 55.6 |
Llogaria korente në % e PBB | -8.7 | -7.6 | -7.8 | -3.2 | -2.4 | -4.5 | -7 | -8.7 | -10.2 | -26.1 | -9.2 | -13.3 | -2.9 | -3.1 | -6 | -4.1 | -4.2 | -6.9 |
Fluksi i IHD-ve, EUR m | 937 | 1,032 | 1,370 | 384 | 529 | 615 | 346 | 421 | 772 | 466 | 591 | 833 | 28 | 575 | 803 | 3,039 | 3,886 | 4,416 |
Borxhi i jashtëm bruto në % të PBB-së | 64.4 | 63.2 | 64 | 63.9 | 58.3 | 50.8 | 37.2 | 37.4 | 221.6 | 191.7 | 162.5 | 78.7 | 81.9 | 83 | 65.8 | 68.4 | 70 | |
Burimi: https://wiiw.ac.at, BSH, FMN |
Niveli i papunësisë më i ulët në vitin 2022, si një vijimësi në rënie nga viti 2021, sipas Anketave të Fuqisë Punëtore (AFP) konstatohet në Serbi (9.4%) dhe në Shqipëri (10.5%), ndërsa niveli më i lartë është në Kosovë (24.2%), Bosnjë-Hercegovinë (15.4%), Maqedoninë e veriut (14.4%) dhe Malin e zi (14.5%).
Një nga ndikuesit më negativë në frenimin e ekonomisë së Ballkanit Perëndimor në vitin 2022 është inflacioni. Ai është ndikuar, si nga faktorët e jashtëm, por edhe nga faktorët e brendshëm, që lidhen me strukturën e ekonomive ballkanike dhe integrimin e sektorëve në zinxhirin e qarkullimit të vlerës së tregtisë ndërkombëtare. Niveli më i lartë i inflacionit mesatar vjetor në 2022 është në Maqedoninë e Veriut (14.2%), ndërsa niveli më i ulët i inflacionit mesatar vjetor është në Shqipëri me 6.7%.
Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve e kanë shtyrë inflacionin në nivele të papara për shumë vite në 5 vendet ballkanike, përveç Shqipërisë. Nisur nga realiteti i tregut energjetik, ende i paliberalizuar në çmimin e shitjes së energjisë elektrike për familjarët dhe bizneset e vogla, ky element është përdorur për të kontrolluar edhe nivelin e inflacionit duke mbajtur të ngrirë çmimin, por me një kosto mbi 28 miliard lekë nga taksat e buxhetit të shtetit. Ky efekt që nuk u pagua nga qytetarët në çmimin e energjisë, realisht u pagua nëpërmjet taksave nga një pjesë e qytetarëve kryesisht në taksat mbi karburantin, mbi mallrat e konsumit dhe shërbimet, si dhe në taksimin e punës për kategorinë e punonjësve me të ardhura të nivelit të mesëm.
Bilanci fiskal shikohet në një nivel të pozicionuar më mirë në Bosnjë-Hercegovinë (-1%) dhe relativisht në Serbi (-3.1%) dhe Shqipëri (-3.6%), që konsiderohen edhe poshtë nivelit mesatar të deficitit fiskal të Ballkanit për 2022. Ndërsa, Kosova dhe mali i Zi me -5.2% deficit fiskal dhe Maqedonia e Veriut me -4.5% nivel deficiti janë mbi këtë mesatare. Megjithatë duhet përmendur se tendenca e Maqedonisë së Veriut vjen në ulje të deficitit fiskal në krahasim me vitin 2021, ndërsa në Kosovë dhe në malin e Zi shënohet rritje. Kjo tregon edhe për një presion të shtuar për shpenzime kryesisht për të përballuar nivelin e lartë të çmimeve dhe për ta paguar direkt nga buxheti paketa lehtësuese për kostot e shtuara për bizneset dhe popullatën në nevojë.
Nivelin më të ulët të borxhit publik në 2022 e ka Kosova (19.6% e PBB-së) e pasuar nga Bosnjë-Hercegovina (34% e PBB-së) dhe janë poshtë mesatares së Ballkanit (49.13% e PBB-së). Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi janë ndjeshëm mbi këtë nivel mesatar të borxhit publik të Ballkanit, por me tendencë ulje nga viti 2021 dhe 2020. Uljen më të madhe të borxhit publik nga viti 2021 e ka arritur Mali i Zi me 12% më pak dhe Shqipëria me 4.4% më pak.
Llogaria korrente[2] më e lartë negative në vitin 2022 është në Kosovë (-10.2% e PBB-së) dhe Malin e Zi (-13.3% e PBB-së). Ndërsa, Serbia, Maqedonia e veriut, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina kanë një nivel poshtë mesatares ballkanike (shih tabelën për treguesit).
Treguesi më lart, i cili është i ndikuar edhe nga fluksi i investimeve të huaja direkete (IHD) shihet se në vlerë absolute është më i lartë në Serbi (4.4 miliardë Euro) dhe në Shqipëri (1.2 miliardë Euro). Ndërkohë, vendet e tjera kanë një vlerë investimesh nga 615 milion Euro në Bosnjë-Hercegovinë deri në 833 milion Euro në Malin e Zi. Kosova në vitin 2022 ka një rritje të vlerës së investimeve të huaja me 83% rritje, që tregon për një klimë të mirë për investimet e huaja.
Eksportet kryesore të BP-së[3] janë energjia dhe materialet e paisjet elektrike, si dhe makineri e paisje transporti, pa harruar edhe pjesën e shërbimeve informatike, që është me rritje në vitet e fundit. Në vite, nëse shikohen statistikat e eksporteve të para 10 viteve ka një rritje cilësore që tregon për përfshirje të teknologjisë në gjenerimin e vlerave të shtuara të ekonomisë për tregun e jashtëm.
Nga statistikat e BP-së, studimet dhe analizat, shihet se pjesa e tregtisë ndërkufitare në raport me PBB-në, që zë secili vend në tregun rajonal ka ndryshuar pak në raport me partnerët tradicionalë që ka patur secili vend. Në planin strukturor të destinacioneve të eksporteve, ekonomitë e BP-së janë partnerë dhe anëtarë të marrëveshjeve me të njëjtat vende të BE-së.
Ndërsa tregtia e mallrave ka një rritje të saj midis vendeve të BP është një situatë e ndryshme dhe me pak avancim për tregtinë e shërbimeve.
Ky fakt tregon se edhe pse anagazhimet për tregtinë e lirë, për heqje barrierash, për të konkuruar nëpërmjet rritjes së produktivitetit dhe cilësisë së shërbimeve dhe mallrave kanë mundësuar forcim të bashkëpunimit të ekonomive, ende operatorët ekonomikë të BP ndihen jo efektivë për të kaluar me sukses kufijtë e tregjeve vendore.
Konkurueshmëria nuk është kryetipari i politikave të zhvillimit ekonomik, megjithëse për këtë qëllim janë angazhuar burime dhe kapacitete në rritje nga qeveritë. Tregtia ndër rajonale është ende një komponent i rëndësishëm i eksporteve në BP, megjithëse nuk është pjesa më e qënësishme e eksporteve, ku përjashtim bëjnë Kosova dhe Mali i Zi që eksportet kryesore i kanë me vendet e BE-së, si dhe Shqipëria e Serbia, të cilat janë më të orientuara drejt tregjeve të vendeve të BE-së. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë një ndarje të balancuar midis eksporteve brenda rajonit me eksportet jashtë rajonit.
Tregtia ndër rajonale është e fokusuar kryesisht në produkte gjysëm të përfunduara dhe agro-bujqësore. Nisur nga ky fakt, tregtia ndër rajonale nuk ka dhënë ndikim në ndryshimin e strukturës së eksporteve dhe në një të ardhme mund të mbajë rol të vogël në rënie në raport me volumin e përgjithshëm të eksporteve. Gjithsesi, rritja e kërkesës konsumatore dhe rritja e aksesit në kreditim, të ndikuar nga kufizimet ende të dukshme në konkurueshmëri nga kompanitë e BP vijojnë të ndikojnë në mbajtjen e një deficiti tregtar të lartë. Nevoja për të rritur nivelin e teknologjisë së prodhimeve tradicionale dhe ato të reja, si dhe me qëllim që të përmirësoheshin treguesit makroekonomikë ka detyruar që qeverisjet e BP-së në këto 10 vite të fundit të miratojnë reformime në pothuajse gjithë sektorët kryesorë produktivë të ekonomisë.
Këto nisma reformuese kanë qenë shtytja dhe nxitja më e fortë për tu fokusuar edhe në tërheqjen e IHD-ve. Përbërja e IHD për këtë periudhë përbëhet nga industria automotive dhe pjesëve për makina, energjia e rinovueshme dhe shërbimet e turizmit dhe ato të teknologjisë. IHD në BP gjithsesi konsiderohen të kufizuara, nëse krahasohen me treguesin e IHD për frymë në vendet e BE-së, si dhe potencialin që egziston për të thithur investime nga këto vende, apo edhe nga vende të tjera në zhvillim të shpejtë.
Kështu, IHD për frymë në BP janë sa gjysma e IHD për frymë në vendet e BE-së. Investimet në kërkim dhe zhvillim, vijojnë të jenë në nivele të ulta, që arrijnë deri në 1% të totalit të shpenzimeve buxhetore që planifikohet dhe realizohet në BP, ku përjashtim është Mali i Zi, që ka planifikuar shpenzime në rritje për 2022. Kjo qasje, nëse nuk ndryshon praktikisht do të shkaktojë mungesë në produktin e kërkimeve shkencore, por edhe në mallrat dhe shërbimet që gjenerohen prej teknologjisë së avancuar.
Mungesa e vëmendjes së nevojshme për të ndryshuar si kapacitetet që nevojiten, por edhe burimet për të mundësuar ndryshimin do të prodhojë efekte negative që nuk do të mundet ti shërojë apo sistemojë koha, pasi zhvillimi i këtij sektori kërkon kohën e vet për të qenë efektiv në ekonomi dhe jetën sociale. Është me vend që strategjitë për zhvillim duhet të konsiderojnë një balancë midis produktivitetit afatgjatë dhe atyre që mund të konsiderohen si produkte të së ardhmes, të cilat konsiderohen si rezerva kapitale të vlefshme për të riformësuar ekonominë në momentet e vështira, si dhe për ti shërbyer rritjes cilësore të ekonomisë drejt produkteve më komplekse.
Gjithsesi, vendet e BP kanë rritur përpjekjet për të përmirësuar sektorin e kërkimit dhe inovacionit duke përshtatur strategji, si dhe kuadër rregullator dhe plan veprime për ta ndryshuar performancën aktuale dhe për të rritur ndikimin e inovacionit në edukim dhe ekonomi[4].
Për këtë qëllim kjo qasje që pritet të avancojë më tej në 2023 shihet në bashkëpunime të caktuara në nivel rajonal, duke patur për orientim kuadrin ligjor të BE-së, si dhe disa objektiva të vendosura me nisjen e Procesit të Berlinit. Ndikimi i drejtpërdrejtë i luftës në Ukrainë në sektorin bankar të rajonit ka qenë i kufizuar.
Stabiliteti i sektorit financiar është ruajtur, por një ngadalësim i rritjes dhe një inflacion më i lartë e mbajnë nën presion të lehtë dhe në mënyrë të pashmangshme sektorin financiar. Kreditë me probleme mbeten në një trajektore rënëse (me 4.4 përqind mesatarisht në 2022).
Rezervat e kapitalit janë mbajtur përgjithësisht të qëndrueshëm, ashtu si edhe përfitueshmëria e bankave. Rritja e kredisë ka mbetur e fortë, mesatarisht 10.2 për qind nga viti në vit nga mesi i vitit 2022, duke ndihmuar në nxitjen e rritjes.
Megjithatë, kushtet më të shtrënguara të financimit global, një ngadalësim i kërkesës së brendshme dhe të jashtme, si dhe dobësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit me siguri do të ndikojnë në sektorin financiar të rajonit[5].
[1] Prodhimi industrial i referohet vëllimit të prodhimit të gjeneruar nga sektorët industrialë si minierat, prodhimi, energjia dhe shërbimet publike.
[2] përfaqëson importet dhe eksportet e mallrave dhe shërbimeve, pagesat e bëra për investitorët e huaj dhe transfertat si ndihma e huaj
[3] https://wiiw.ac.at/keeping-friends-closer-why-the-eu-should-address-new-geoeconomic-realities-and-get-its-neighbours-back-in-the-fold-dlp-6487.pdf, faqe 18
[4] https://wiiw.ac.at/towards-effective-industrial-policy-in-the-western-balkans-dlp-6493.pdf
[5] https://openknowledge.worldbank.org/server/api/core/bitstreams/8fbb19e3-e2b9-5522-9c19-e001ac29465f/content, faqe 3
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.